(Karl R. Popper, Mendime për historinë dhe politikën, Plejada, pa vit botimi)
Karl Popperi mund të konsiderohet një zë ndryshe, një zë i veçantë me pikëpamjet e tij për historinë dhe politikën. Shembull konkret kemi librin e tij “Mendime për historinë dhe politikën”.
Ai, me anë të këtij libri, të bën për vete për shumëçka, sikur të imponohet me mendimin, bindjen, opinionin për historinë e politikën dhe konceptet për to. Kësisoj, të bën t’i duash, t’i kesh në konsideratë dhe t’i çmosh e jo t’i përçmosh, t’i trajtosh mirë dhe me kujdes, pa ngarkesa emocionale, pa kufizime dhe jashtë dogmave disa nga idetë e shtruara dhe trajtuara.
Kjo është e veçanta e parë që të bien në sy sapo fillon leximin e këtij libri. E veçanta e dytë ka të bëjë me faktin se opinioni i tij ndryshon nga opinionet, pikëpamjet, mendimet, idetë e tezat e disa pararendësve nga antika e këndej. Popperi nuk ka kurrfarë kompleksi kur shpërfaq mendimet e
tij. Nuk ka frikë nëse mund të gjykohet a paragjykohet për mendimet a konceptet që janë të ndryshme nga pararendësit dhe bashkëkohanikët e tij. Nga kjo del se ai ka guxim, se ai guxon të ballafaqohet me të tjerët. Pra, atij nuk i mungon guximi intelektual. Kjo është një e veçantë tjetër.
Në fakt, vetë titulli i këtij libri ka të veçantën e vet. Ai e lejon mundësinë e dykuptimësisë, interpretimit të lirë për të, e mendimeve për historinë dhe politikën. Pra, autori dhe libri i tij janë të hapur.
Siç del edhe në titull të librit, dy janë çështjet kryesore me të cilat merret Karl Popperi: historia dhe politika. Çështjet që lidhen me këto dy fusha trajtohen në disa rrafshe, në disa aspekte.
Problemet që shtron për diskutim, i trajton në formë tezash, idesh, teorish e pikëpamjesh; mes analogjish dhe raportesh të ndryshme, në aspektin etik, sociologjik, politik, historik e filozofik.
Në këtë libër, faktikisht, shtrohen çështje me interes për historinë e politikën. Pikëpamjet e tij për këto dy fusha janë përmbledhur në mes dy kopertinash të librit në formë referatesh (dhe një intervistë), mbajtur në vitet ’50 – ‘90 të shekullit XX. Referatet janë mbajtur në kohë e vende të ndryshme.
Temat e trajtuara janë të ndryshme e të shumta, por të ndërlidhura në funksion të dy çështjeve kryesore: historisë dhe politikës. Temat për historinë dhe politikën, për luftën dhe paqen, për demokracinë dhe komunizmin, për praktikat e shtetit modern; për lirinë dhe përgjegjësinë intelektuale; për shkrimin e historisë në ”sensin e historisë”; për interpretimin cinik të historisë; për komunizmin dhe arsyet e kolapsimit të tij etj., janë përbërësit kryesorë, janë njësitë kryesore të këtij libri. Shikuar nga ana formale, lënda është shtrirë, është strukturuar në formë kapitujsh, herë më të gjatë e herë më të shkurtër. Për mënyrën se si i trajton, se si u qaset çështjeve me të cilat merret, nuk u shmangesh dot, nuk mund të ndahesh nga to, nuk mund të qëndrosh indiferent pa nënvizuar diçka: ndonjë fjalë, sintagmë, paragraf, mendim, ide, tezë a teori. Mënyra se si shkruan, se si u qaset çështjeve që trajton, ta zgjon kureshtjen që të vazhdosh të lexosh e t’i marrësh në konsideratë edhe ato çështje për të cilat as ke pasur, as ke ndonjë interes, as ke qenë i interesuar të dish. Ai ka mendimet e veta sa i përket leximit, shkrimit
dhe interpretimit të historisë pa ngarkesa, pa paragjykime, pa rënë viktimë e përkufizimeve, pa mbetur rob i shablloneve, i dogmave a doktrinave të ndryshme. Aq i bënë atij nëse bien në kundërshtim me pikëpamjet e Platonit, Aristotelit, Shën Augustinit, Hegelit, Kantit etj.
Ky libër, në një farë mënyre, mund të konsiderohet edhe si sintezë e shumësi mendimesh nga teoricienë, historianë, studiues, filozofë për historinë dhe e politikën. Por mbizotërues është zëri i autorit të këtij libri.
Idetë që jep autori janë të ndryshme dhe të veçanta. Po veçojmë disa. Popperi, fillimisht, kërkon liri intelektuale për të lexuar, shkruar dhe interpretuar përmes çlirimit të vetvetes nëpërmjet dijes. Idenë për çlirimin e vetvetes nëpërmjet dijes e ka në fokus të librit dhe kryefjalë në referatin “Për çlirimin e vetvetes nëpërmjet dijes”. Sipas Karl R.Popperit: Ideja e vetëçlirimit nëpërmjet dijes…është ideja e vetëçlirimit mental prej gabimit, prej besimit të gabuar. Ajo është ideja e vetëçlirimit mental nëpërmjet kritikës ndaj ideve vetjake… Kjo autokritikë dhe ky vetëçlirim janë të mundur vetëm në një atmosferë pluraliste, domethënë në
një shoqëri të hapur, e cila toleron gabimet tona dhe shumë gabime të tjera… Në kuadrin e idesë
tonë të madhe historike për të krijuar një shoqëri të lirë, pluraliste – si korniza shoqërore për një
vetëçlirim nëpërmjet dijes – nuk ka asgjë më të domosdoshme për ne sot, se sa të edukojmë
vetveten për një qëndrim, i cili na lejon që të jemi kritik kundrejt ideve tona, pa u shndërruar në
relativistë dhe skeptikë dhe pa humbur guximin dhe vendosmërinë që të luftojmë për bindjet
tona. (Karl R. Popper, Mendime për historinë dhe politikën, Plejada, f. 25-26).
Konceptit të tij “Për temën e lirisë” i jep formë duke “shëtitur” nga një epokë në epokën
tjetër, nga një periudhë te periudha tjetër e historisë; nga një dije në dijen tjetër njerëzore. Ai
fokusohet në këtë rast te racionalizmi dhe iluminizmi. Sepse, sipas autorit, janë më tolerante për
lirinë e mendimit, lirinë fetare, për respektin etj. Kësisoj, ai nuk ngurron ta konsiderojë veten si
“një fëmijë i vonuar i iluminizmit”. Përmes racionalizmit dhe iluminizmit ai futet në analiza të
caktuara për “sensin e historisë”, për “idenë e çlirimit përmes dijes”, por, natyrisht, duke pasur
respekt edhe për mendimet ndryshe të të tjerëve. Autori, në ndonjë moment, ironizon edhe me
“racionalizmin e vet të vjetruar”, mirëpo nuk vonon të shpreh qëndrimin e tij se “ngaqë jam
racionalist, nuk dua ta kontestojë asnjërin”.
Përveç me çështje filozofike, ideologjike, politike dhe historike, ai merret edhe me
doktrina e shkolla të caktuara, njëra nga të cilat është edhe “shkolla joniane”. Ka respekt për
shkollën e traditën joniane, në krye me Talesin, sepse për herë të parë, sipas tij, bëhet e mundur
një histori e ideve. Ndryshe nga racionalizmi i vjetruar i Talesit, sipas Popperit, përtëritja vjen
nga Galile Galieu, e përkrahur ende në Evropë. Për “racionalizmin e Talesit” autori shpreh
konsideratë, ngase, sipas tij, është një ide dhe traditë pa të cilën nuk do të ekzistonte civilizimi
ynë evropian, që në fakt është produkt “i racionalizmit të filozofisë antike greke”. Autori jep
shpjegimet e veta se çfarë nënkupton ai me racionalizëm dhe iluminizëm; se si racionalizmi dhe
iluminizmi kanë si postulat lirinë politike.
Duke shpërfaqur opinionin e tij për lirinë dhe demokracinë, ai shprehet se “liria nuk është
një furnitor, që na i dërgon mallrat e jetesës në shtëpi; demokracia nuk krijon asgjë, as edhe një
mrekulli ekonomike” (f. 47)
Në referatin e radhës (“Për shkrimin e historisë dhe për sensin e historisë”) ka një qasje
krejt tjetër, të ndryshme nga shumë të tjerë. Ai nuk njeh histori të progresit a regresit shoqëror.
Ironizon me ligjet e historisë. Duke folur për historinë, ai shprehet se “historia botërore nuk ka
asnjë sens”, se tingëllon si histori e pushteteve politike”. Sipas Popperi:
…Nuk ka një histori të njerëzimit, ka vetëm një numër të pakufizuar historish, të cilat
prekin të gjitha aspektet e mundshme të jetës njerëzore. Dhe njëra prej tyre është historia e
pushtetit politik. Ajo ngrihet në nivelin e historisë botërore. Por kjo është një fyerje e rëndë ndaj
çdo njerzillëku dhe morali. Zor se është më e mira sesa, kur historinë e përvetësimeve apo të
grabitjeve apo helmimeve të donim ta bënim histori të njerëzimit. Sepse historia e politikës së
forcës nuk është asgjë tjetër veçse historia e krimeve kombëtare dhe ndërkombëtare dhe e
vrasjeve masive (duke përshirë disa orvatje për ndalimin e tyre). Kjo histori jepet në shkolla dhe
disa prej kriminelëve më të mëdhenj kremtohen si heronjtë e saj (f. 71-72).
Ashtu siç nuk ka histori botërore, apo histori të njerëzimit, nuk ka as histori universale në
sensin e një historie konkrete të njerëzimit, shton Popperi. Sepse, një histori konkrete e
njerëzimit – po qe se do të kishte një të tillë – do të duhej të ishte historia e të gjithë njerëzve. Ajo
do duhej të ishte historia e të gjitha shpresave njerëzore, e të gjitha vuajtjeve njerëzore. Sepse
asnjë njeri nuk është më i rëndësishëm se tjetri. Kjo histori konkrete nuk mund të shkruhet dot…
Shikuar nga ky aspekt, historia nuk ka asnjë sens, kjo është teza ime, shton më tutje ai.
Megjithëse historia nuk ka asnjë qëllim final, ne prapëseprapë mund t’i ngarkojmë asaj qëllimet
tona; dhe megjithëse historia nuk ka asnjë sens, ne mund t’i japim asaj një sens. (aty, f. 74).
Pikëpamja e Popperit për historinë e përgjithshme, për historinë e njerëzimit a për
historinë botërore t’i kujton pikëpamjet e antipozitivistëve në teoritë letrare, të cilët e mohojnë
totalisht ekzistencën e autorit në letërsi. Prandaj, kërkojnë “vdekjen e autorit”, në “këmbim” të
“lindjes së lexuesit”, siç bën Rolan Barti. Për më tepër, pikëpamja e Popperit për historinë e
njerëzimit, aq sa tingëllon poetike, po aq mund të konsiderohet utopike. Megjithatë, në vetvete,
doemos është origjinale, por parimisht e pamundur për t’u realizuar.
Në kuadrin e pikëpamjeve të tij për politikën ai ka pikëpamjen e vet për demokracinë,
komunizmin, fashizmin; Platonin, Hitlerin, Marksin, Stalinin, Saharovin etj. Demokracia dhe
teoritë për të, sistemet dhe format e qeverisjes, shteti dhe partitë politike si dhe mungesa e
brendshme e demokracisë; Hitleri dhe roli i tij; zgjedhësi dhe i zgjedhuri etj., krejt këto në
Evropën Perëndimore, Angli, Gjermani a SHBA etj., e përbëjnë kapitullin “Për teorinë e
demokracisë”. Autori nuk beson, madje është kundër konceptit për demokracinë si sundim i
popullit. E konsideron si mjaft të rrezikshëm këtë koncept. Ai bën një dallim shumë interesant
mes: demokracisë si sundim i popullit dhe demokracisë si gjyq i popullit. Është edhe kundër
pikëpamjes së Platonit se shtetin duhet ta qeverisin, duhet ta udhëheqin filozofët. Popperi më
shumë merret me atë se si duhet të mbrohemi ndaj atyre që qeverisin se sa si qeverisin ata. Por
më e rëndësishmja për të është forma e qeverisjes dhe mundësia për ta shkarkuar qeverinë pa
gjakderdhje.
Autori i këtij libri nuk përton t’i kthehet herë pas here konceptit të tij për lirinë. Por tash
nga një këndvështrim tjetër, siç është “Liria dhe përgjegjësia intelektuale”. Me pikëpamjet e tij
angazhohet që të mënjanohen dhe pengohen ngjarjet e llahtarshme, krimet dhe kriminelët,
regjimet e sundimet barbare. Ai beson se intelektualët mund të bëjnë shumë në këtë aspekt.
Mirëpo, sipas tij, ka raste kur intelektualët janë gjetur në anën e gabuar të historisë për shkak të
ideve, teorive e shpikjeve të tyre. Sepse, sipas tij, në emër të teorive, ideologjive, feve,
zbulimeve, doktrinave, nacionalizmave, klasave, racave e përparimit dhe të ardhmes, u bënë
shumë krime monstruoze kundër njerëzimit. Kështu që Popperi akuzon “mësuesit e ngazëllyer”
që mësuan Hitlerin për katastrofën që i ndodhi botës me Luftën e Dytë Botërore. Këtu e ka fjalën
për “intelektualët e papërgjegjshëm” (f. 134).
Te “Liria dhe përgjegjësia intelektuale” Popperi ka në fokus lirinë dhe përgjegjësinë për
shtetin, sundimin, të tashmen dhe të ardhmen. Prandaj, aq dendur dhe aq shpesh e shtron pyetjen se kush duhet të sundojë. Dhe jep shembuj, mendime dhe ide të filozofëve, intelektualëve e mendimtarëve të mëdhenj si Platoni, Marksi dhe teoricienë të tjerë. Përveç teoricienëve, ai veçon teori të ndryshme politike, legjitimiteti e demokracie.
Flet për sisteme qeverisjesh, për mundësinë e heqjes nga pushteti sundimtarët, ose
qeverisësit pa gjakderdhje, ani se ata vijnë, ose mund të kenë ardhur në pushtet në mënyrë
legjitime. Shembuj të tillë në histori përmend Hitlerin. “Diktaturën e shumicës” e konsideron të
tmerrshme për pakicën. E konsideron si fatkeqësi numrin e madh të partive politike. Preferon
vetëm dy parti. Të dëmshëm e konsideron edhe sistemin proporcional. Sistemi proporcional,
sipas tij, çon në koalicione, por që askush nuk mban përgjegjësi për dështimet. E admiron
“Demokracinë athinase” (sipas Tukididit), ai nuk lë pa përmendur krimet barbare në emër të
sundimit të shumicës, pra “ka marrë vendime kriminale”. Ai e mbron “demokracinë si gjyq i
popullit”. Jep edhe shembuj, që nga antikiteti se si dhe pse janë mënjanuar, janë syrgjynosur
personalitete nga frika e “populizimit” të tyre, siç ishte rasti i Aristidhit, Themistokliut etj.
Pikëpamjet e Popperit në raste të caktuara janë shumë subjektive. Ai sikur himnizon e
glorifikon një ideologji (demokracinë), por e përçmon dhe urren një tjetër (komunizmin).
Çuditërisht, ai ka frikë nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik. Sipas tij, kjo mund ta rrezikojë
paqen në botë. E mbivlerëson “Planin Marshall”.
Në ese-në “Kundër cinizmit në interpretimin e historisë”, K. Popperi veçon “tre metoda”
në interpretimin e historisë kundër të cilave ai bën luftë të pakompromis: interpretimin cinik të
historisë, interpretimin marksist…dhe, interpretimin nacionalist apo racist të historisë. Duke u
marrë me këto “tre metoda”, tregohet i njëanshëm, arrogant dhe i papërmbajtur në raport me
ideologji a sisteme të caktuara. Ai zhvillon luftë të ashpër “kundër metodës së interpretimit të
historisë marksiste” dhe gjithë komunizmit, të cilin e quan “ideologji të poshtër dhe të çmendur
marksiste”.
Liria politike… është më e rëndësishmja prej të gjitha vlerave politike. Prandaj, ne,
çdoherë duhet të jemi të gatshëm të luftojmë për lirinë politike, shprehet Popperi. Për regjimet
despotike thotë se e dehumanizojnë njeriun. Shprehet edhe për Stalinin dhe Saharovin. Ky i
fundit, sipas autorit, kur qe i ri, qe në gjendje të sillej si një kriminel sadist. Flet edhe për rolin e
SHBA-së, për lirinë personale; për luftërat civile raciste, për përpjekjet për integrime të njerëzve
me ngjyrë.
Pikëpamjet e tij Popperi, përveç me referate, i shpreh edhe me anë të intervistave nëpër
mediume botërore, njëra prej të cilave është ajo dhënë revistës “SPIEGEL”, prill 1992. E para
gjë që të bien në sy, që të tërheq vëmendjen në këtë intervistë është pikëpamja e tij se historia
mbaron sot dhe tani. Edhe në këtë intervistë tregohet ekstrem kur sulmon rreptë komunizmin dhe
Marksin. Në këtë kontekst flet për arsyet e rënies së Evropës Lindor. Hapja e kufijve nga
Hungaria për gjermano-lindorët, reformat gjoja ekonomike të BS dhe shterpësia intelektuale,
konsiderohen disa nga arsyet e rënies, siç shprehet ai, të Evropës Lindore. Ndërkohë, nga bota
lindore vlerëson si pozitive Perestrojkën e Gërbaçovit, por frikësohet për rrezikun e shpërthimit
të luftës mes SHBA – BS në Krizën e Raketave në Kubë. Tregohet i ashpër kundër Sadam
Hyseinit dhe regjimit të tij. Është për të bërë luftëra për hir të paqes…është kundër përdorimit të
bombës atomike, të cilën thotë se duhet ndaluar patjetër edhe me dhunë (f. 167-168).
Simpatinë e madhe që ka për “demokracinë liberale”, kurse urrejtjen e madhe për
komunizmin, e shpërfaq edhe në një kapitull të veçantë për dështimin e komunizmit, me titull
“Kolapsimi i komunizmit”. Si një nga arsyet pse ai tregohet shumë i rreptë kundër komunizmit,
ai e përmend faktin e sulmit të marksizmit ndaj civilizimit tonë perëndimor (f. 177). Ai shkon aq
larg sa komunizmit ja mvesh fajin për lindjen e fashizmit, duke e quajtur marksizmin të
paskrupullt. Sido që të jetë, duke lexuar faqet e këtij libri nga fillimi deri në fund, herë
“entuziazmohesh” për mënyrën se si i trajton çështjet dhe informacionet që sjell, herë
“trishtohesh” nga pikëpamjet ekstreme e subjektive në ndonjë rast. Në fakt, sikur dalin dy Karl
- Poppera. Ai që lufton për paqe e demokraci, në njërën anë, dhe ai që lufton gjysmën e botës
tjetër (lindore) marksiste, pra ideologjinë e majtë, gati gjysmën e njerëzimit, në anën tjetër. Në
fakt, lufton kundër një sistemi për t’i dhënë hapësirë një sistemi tjetër, neoliberalizmit.
Megjithatë, ka raste kur Popperi është për një zbutje tensionesh mes Lindjes dhe Perëndimit, mes
të majtës dhe të djathtës.
Si përfundim, duhet thënë se kemi të bëjmë me një nga librat më të veçantë, në të cilat
autori jep mendime, ide, koncepte e pikëpamje nganjëherë ekstreme dhe krejt të ndryshme, që
nuk jemi mësuar t’i lexojmë deri sot nga një autor tjetër. Ai pozicionohet vetëdijshëm, edhe kur
të gjithë mund të jenë kundër tij. Pikëpamja e tij është origjinale, ndryshe nga shumë të tjerë. Në
këtë shumësi mendimesh e pikëpamjesh për historinë dhe politikën, për ideologji e sisteme të
ndryshme, ai ka mendimin e vet. Krejt në fund, mund të themi, kushtimisht, se kemi të bëjmë me
një pikëpamje origjinale, për historinë dhe politikën, të cilën mund ta quajmë poperiane.