leoni

PhD (C). Miftar KURTI: USHTRIA ÇLIRIMTARE E KOSOVËS MES VLERËSIMEVE, SHANTAZHEVE DHE AKUZAVE II

PhD (C)Miftar KURTI: PIKËPAMJET E POPPERIT PËR HISTORINË DHE POLITIKËN I

(Karl R. Popper, Mendime për historinë dhe politikën, Plejada, pa vit botimi)

 

Karl Popperi mund të konsiderohet një zë ndryshe, një zë i veçantë me pikëpamjet e tij për historinë dhe politikën. Shembull konkret kemi librin e tij “Mendime për historinë dhe politikën”. Ai, me anë të këtij libri, të bën për vete për shumëçka, sikur të imponohet me mendimin, bindjen, opinionin për historinë e politikën dhe konceptet për to. Kësisoj, të bën t’i duash, t’i kesh në konsideratë dhe t’i çmosh e jo t’i përçmosh, t’i trajtosh mirë dhe me kujdes, pa ngarkesa emocionale, pa kufizime dhe jashtë dogmave disa nga idetë e shtruara dhe trajtuara. Kjo është e veçanta e parë që të bien në sy sapo fillon leximin e këtij libri. E veçanta e dytë ka të bëjë me faktin se opinioni i tij ndryshon nga opinionet, pikëpamjet, mendimet, idetë e tezat e disa pararendësve nga antika e këndej. Popperi nuk ka kurrfarë kompleksi kur shpërfaq mendimet e tij. Nuk ka frikë nëse mund të gjykohet a paragjykohet për mendimet a konceptet që janë të ndryshme nga pararendësit dhe bashkëkohanikët e tij. Nga kjo del se ai ka guxim, se ai guxon të ballafaqohet me të tjerët. Pra, atij nuk i mungon guximi intelektual. Kjo është një e veçantë tjetër. Në fakt, vetë titulli i këtij libri ka të veçantën e vet. Ai e lejon mundësinë e dykuptimësisë, interpretimit të lirë për të, e mendimeve për historinë dhe politikën. Pra, autori dhe libri i tij janë të hapur.

Siç del edhe në titull të librit, dy janë çështjet kryesore me të cilat merret Karl Popperi: historia dhe politika. Çështjet që lidhen me këto dy fusha trajtohen në disa rrafshe, në disa aspekte.

Problemet që shtron për diskutim, i trajton në formë tezash, idesh, teorish e pikëpamjesh; mes analogjish dhe raportesh të ndryshme, në aspektin etik, sociologjik, politik, historik e filozofik.

Në këtë libër, faktikisht, shtrohen çështje me interes për historinë e politikën. Pikëpamjet e tij për këto dy fusha janë përmbledhur në mes dy kopertinash të librit në formë referatesh (dhe një intervistë), mbajtur në vitet ’50 – ‘90 të shekullit XX. Referatet janë mbajtur në kohë e vende të ndryshme.

Temat e trajtuara janë të ndryshme e të shumta, por të ndërlidhura në funksion të dy çështjeve kryesore: historisë dhe politikës. Temat për historinë dhe politikën, për luftën dhe paqen, për demokracinë dhe komunizmin, për praktikat e shtetit modern; për lirinë dhe përgjegjësinë intelektuale; për shkrimin e historisë në ”sensin e historisë”; për interpretimin cinik të historisë; për komunizmin dhe arsyet e kolapsimit të tij etj., janë përbërësit kryesorë, janë njësitë kryesore të këtij libri.

Shikuar nga ana formale, lënda është shtrirë, është strukturuar në formë kapitujsh, herë më të gjatë e herë më të shkurtër. Për mënyrën se si i trajton, se si u qaset çështjeve me të cilat merret, nuk u shmangesh dot, nuk mund të ndahesh nga to, nuk mund të qëndrosh indiferent pa nënvizuar diçka: ndonjë fjalë, sintagmë, paragraf, mendim, ide, tezë a teori.

Mënyra se si shkruan, se si u qaset çështjeve që trajton, ta zgjon kureshtjen që të vazhdosh të lexosh e t’i marrësh në konsideratë edhe ato çështje për të cilat as ke pasur, as ke ndonjë interes, as ke qenë i interesuar të dish. Ai ka mendimet e veta sa i përket leximit, shkrimit dhe interpretimit të historisë pa ngarkesa, pa paragjykime, pa rënë viktimë e përkufizimeve, pa mbetur rob i shablloneve, i dogmave a doktrinave të ndryshme. Aq i bënë atij nëse bien në kundërshtim me pikëpamjet e Platonit, Aristotelit, Shën Augustinit, Hegelit, Kantit etj.

Ky libër, në një farë mënyre, mund të konsiderohet edhe si sintezë e shumësi mendimesh nga teoricienë, historianë, studiues, filozofë për historinë dhe e politikën. Por mbizotërues është zëri i autorit të këtij libri.

Idetë që jep autori janë të ndryshme dhe të veçanta. Po veçojmë disa.

Popperi, fillimisht, kërkon liri intelektuale për të lexuar, shkruar dhe interpretuar përmes çlirimit të vetvetes nëpërmjet dijes. Idenë për çlirimin e vetvetes nëpërmjet dijes e ka në fokus të librit dhe kryefjalë në referatin “Për çlirimin e vetvetes nëpërmjet dijes”. Sipas Karl R.Popperit:

Ideja e vetëçlirimit nëpërmjet dijes…është ideja e vetëçlirimit mental prej gabimit, prej besimit të gabuar. Ajo është ideja e vetëçlirimit mental nëpërmjet kritikës ndaj ideve vetjake… Kjo autokritikë dhe ky vetëçlirim janë të mundur vetëm në një atmosferë pluraliste, domethënë në një shoqëri të hapur, e cila toleron gabimet tona dhe shumë gabime të tjera… Në kuadrin e idesë tonë të madhe historike për të krijuar një shoqëri të lirë, pluraliste – si korniza shoqërore për një vetëçlirim nëpërmjet dijes – nuk ka asgjë më të domosdoshme për ne sot, se sa të edukojmë vetveten për një qëndrim, i cili na lejon që të jemi kritik kundrejt ideve tona, pa u shndërruar në relativistë dhe skeptikë dhe pa humbur guximin dhe vendosmërinë që të luftojmë për bindjet tona. (Karl R. Popper, Mendime për historinë dhe politikën, Plejada, f. 25-26).

Konceptit të tij “Për temën e lirisë” i jep formë duke “shëtitur” nga një epokë në epokën tjetër, nga një periudhë te periudha tjetër e historisë; nga një dije në dijen tjetër njerëzore. Ai fokusohet në këtë rast te racionalizmi dhe iluminizmi. Sepse, sipas autorit, janë më tolerante për lirinë e mendimit, lirinë fetare, për respektin etj. Kësisoj, ai nuk ngurron ta konsiderojë veten si “një fëmijë i vonuar i iluminizmit”. Përmes racionalizmit dhe iluminizmit ai futet në analiza të caktuara për “sensin e historisë”, për “idenë e çlirimit përmes dijes”, por, natyrisht, duke pasur respekt edhe për mendimet ndryshe të të tjerëve. Autori, në ndonjë moment, ironizon edhe me “racionalizmin e vet të vjetruar”, mirëpo nuk vonon të shpreh qëndrimin e tij se “ngaqë jam racionalist, nuk dua ta kontestojë asnjërin”.

Përveç me çështje filozofike, ideologjike, politike dhe historike, ai merret edhe me doktrina e shkolla të caktuara, njëra nga të cilat është edhe “shkolla joniane”. Ka respekt për shkollën e traditën joniane, në krye me Talesin, sepse për herë të parë, sipas tij, bëhet e mundur një histori e ideve. Ndryshe nga racionalizmi i vjetruar i Talesit, sipas Popperit, përtëritja vjen nga Galile Galieu, e përkrahur ende në Evropë. Për “racionalizmin e Talesit” autori shpreh konsideratë, ngase, sipas tij, është një ide dhe traditë pa të cilën nuk do të ekzistonte civilizimi ynë evropian, që në fakt është produkt “i racionalizmit të filozofisë antike greke”. Autori jep shpjegimet e veta se çfarë nënkupton ai me racionalizëm dhe iluminizëm; se si racionalizmi dhe iluminizmi kanë si postulat lirinë politike. 

Duke shpërfaqur opinionin e tij për lirinë dhe demokracinë, ai shprehet se “liria nuk është një furnitor, që na i dërgon mallrat e jetesës në shtëpi; demokracia nuk krijon asgjë, as edhe një mrekulli ekonomike” (f. 47)

Në referatin e radhës (“Për shkrimin e historisë dhe për sensin e historisë”) ka një qasje krejt tjetër, të ndryshme nga shumë të tjerë. Ai nuk njeh histori të progresit a regresit shoqëror. Ironizon me ligjet e historisë. Duke folur për historinë, ai shprehet se “historia botërore nuk ka asnjë sens”, se tingëllon si histori e pushteteve politike”. Sipas Popperi:

Nuk ka një histori të njerëzimit, ka vetëm një numër të pakufizuar historish, të cilat prekin të gjitha aspektet e mundshme të jetës njerëzore. Dhe njëra prej tyre është historia e pushtetit politik. Ajo ngrihet në nivelin e historisë botërore. Por kjo është një fyerje e rëndë ndaj çdo njerzillëku dhe morali. Zor se është më e mira sesa, kur historinë e përvetësimeve apo të grabitjeve apo helmimeve të donim ta bënim histori të njerëzimit. Sepse historia e politikës së forcës nuk është asgjë tjetër veçse historia e krimeve kombëtare dhe ndërkombëtare dhe e vrasjeve masive (duke përshirë disa orvatje për ndalimin e tyre). Kjo histori jepet në shkolla dhe disa prej kriminelëve më të mëdhenj kremtohen si heronjtë e saj (f. 71-72).

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Edhe pse po binte shi i imët vjeshtor, Ruzhdi Jashari me ekipin e tij ka …