Pjesë nga letra e mr. Ukshin Hoti, drejtuar… një segmenti të inteligjencies së Kosovës… III

Botimi i “letrës” së Ukshin Hotit, nuk ka për qëllim diskreditimin e askujt, aq më pak të familjarëve të tij, të cilët pavarësisht rrethanave të asaj kohe, (mosmarrëveshje në familje, të cilat kanë qenë janë dhe do të jenë kurdoherë të pranishme, jo vetëm ndër ne po kudo në botë), sot që të gjithë e ndiejnë shqetësimin, mungesën, e bashkë me të edhe një dozë pikëllimi për fatin e tij, ende të mbajtur peng nga regjimi antishqiptar i Beogradit.

            Ukshin Hoti në këtë letër ka shfaqur një anë të karakterit të tij, të intelektit dhe të botës së pasur meditative, të lidhur ngushtë me koncepte filozofike për jetën në përgjithësi dhe për jetën tonë tradicionale në Kosovë, në veçanti, asokohe nën një pushtim të egër, totalitar  e fashist. Ai ishte i preokupuar me çështje madhore, ishte si të thuash një Sokrat i kohës, i ndjekur nga shoqëria, i anashkaluar  nga rrethi, i dashur sidomos nga të burgosurit politikë dhe nga rinia studentore.

           Gjatë takimeve që kam pasur më të më kishte bërë përshtypje të veçantë sidomos vrojtimi i thellë filozofik, që i kishte bërë kontradiktave shoqërore të kohës dhe në këtë mes kishte manifestuar një sintagmë shumë kuptimplote, për një pjesë të asaj që ai e kishte emërtuar  si mentalitet, “haxhibabë”.   Kishte vërejtur me realizëm rilindjen e një mentaliteti të shqiptarit lindor, sikur e kishte identifikuar filozofi i madh shqiptar, Kristë Maloku. “Haxhibaba” i Ukshin Hotit nuk ishte thjesht një mysliman i devotshëm që shkon në Qabe për të kryer në obligim fetar. Ai tip besimtarësh nuk i pengonte, por i pengonte shtrirja e atij mentaliteti te pjesa intelektuale, e cila nuk mendonte me kokën e vetë, por me inercionin e gjendjes së krijuar në kohën e pacifizmit.  “Haxhibabë” ishte njeriu i cili pretendonte të ishte intelektual në veshje, dukje, arsimim, por në brendi të shpirtit të tij ai ishte i ngurtë, i mbyllur në tradicionalizëm dhe me kufizime mediokre, që nuk duhej të manifestoheshin te një  intelektual i shkolluar dhe i arsimuar.

            Në diskursin komunikues me rrethin, me të afërmit, të njohurit,  Ukshin Hoti tregohet tejet i përmbajtur, ai nuk fyen, nuk diskrediton, nuk mallkon, por vë në dukje një realitet oportun, të ngurtë, të kallaisur dhe të zvetënuar në vetvete, një mentalitet me shumë modalitete lindore, por jo të lindorizmit të vërtetë tradicional, por të një lindorizmi tipik, bizantin, praninë e të cilit të cilin e kishte identifikuar Kristë Maloku.  Ai e vëren edhe vetveten, kufizimet e tij të mundshme, por ndodhet në një pozitë të palakmueshme për të marrë qëndrim të prerë mes dy litarëve që tërhiqnin secili në drejtimin e vet… Ai donte të ishte në radhë të parë i vetvetes, i botës së tij, ashtu si Sokrati, i cili nuk u dha dhe nuk pranoi se kishte gabuar me përhapjen e mendimeve dhe ideve të tij… ( A.Q.)

 

Letër miqve të dashur Piter dhe Petra

 

Një zakon i çuditshëm

 

Do të dëshiroja që të dy së bashku, ose, nëse ashtu iu pëlqen më tepër, apo secili veç e veç, ta lexoni këtë letër, por vetëm pasi që ta keni përkthyer në gjuhën gjermane.

Është një zakon i popullit tim ata po ashtu janë ndarë rreth secilit kurrë nuk do të kisha ditur asgjë po të mos kishte ngjarë që t’i humbisja të dy familjet e mija. Paraqitët kjo,  dhe njeriu mund ta “takojë” vetëm në situata të tilla. “U paraqitë” dhe e takova në të dy rastet e mija me Edin dhe me Sevdinë (Sevdije Zeqiri, e diplomuar në Fakultetin Filozofik të Universitetit në Prishtinë, gjithashtu, por në rastin e parë shkurorëzimi me Edin nuk isha mjaftë i mençur sa për ta njohur, ndërsa në rastin e dytë, ndarja me Sevdinë isha më i vjetër, më i pjekur dhe më me përvojë  se sa më parë.

               Në të vërtetë, kur e shkurorëzova me Edin, apo kur më braktisi Sevdija shumë njerëz vinin për të më parë. Të rinjtë do të bisedonin me ty ose mes vete për shumë gjëra me rëndësi ose me më pak rëndësi, por jo edhe për atë që në të vërtetë kishte ngjarë. Më të vjetrit vetëm do të uleshin rreth teje me pasion si të Indianët e Amerikës do të dëgjonin çfarëdo që do t’u thoshe, por ata, po ashtu, kurrë nuk do të thoshin ose me asgjë nuk do ta komentonin atë që në të vërtetë kishte ngjarë.

Ky fakt gjithnjë më vente në një situatë tejet të çuditshme, sepse e vetmja gjë për të cilën desha, ishte se vetës i dukesha i pafajshëm si ndonjë engjëll, për derisa pala e tjetër më dukej se ishte shoqëruar me dreqër: çdo gjë që më takonte ose që ndodhej në anën time ishte e pastër, si kristali, ndërsa çdo gjë që i takonte anës së tjetër ose që ndodhej në atë anë, ishte e dyshimtë dhe e turbull.  Po qe se këta njerëz kishin ardhur të më vizitonin përse atëherë nuk më përkrahnin,  përse heshtnin dhe nuk më thoshin asgjë? Natyrisht  se kjo gjë më hidhëronte shumë.

Pyeta shumë njerëz rreth kësaj situate, por asnjëherë nuk mora  përgjigje të saktë.

 

Biseda me shekullin

Për këtë shkak, një ditë prej ditësh, vendosa ta vizitoja një plak në fshat. I kishte rreth 112 vjet dhe meqë nuk mund të ecte, shkova vetë. Vendosa të përfitoja nga situata dhe ta pyesja rreth asaj, që ndieja si të pa drejtë. Më  thanë se ishte zgjuar vetëm në momente, por me kohë hetova se kthjellej për një kohë të gjatë, vetëm atëherë kur vërtetë i interesonte tema e bisedës. Në një moment të përshtatshëm ia bëra një pyetje të drejt për drejt: përse njerëzit që më vizitonin nuk i përkrahnin qëndrimet e mia rreth çështjeve të shkurorëzimit?

Nuk u përgjigj menjëherë. I mbylli sytë dhe për një kohë të gjatë qëndroi i pa lëvizshëm si mumie. Mirëpo, unë isha këmbëngulës dhe vazhdova ta shikoja në fytyrë. Zbulova se nuk e kishte humbur vetëdijen. Ishte vetëm duke menduar, apo edhe nuk dëshironte të përgjigjej. Disi e ndjeva se i pëlqente të qëndroja aty, Kështu që qëndrova, duke pritur në heshtje. Pastaj, pas një periode të gjatë të heshtjes reciproke, e vërejta se si përpiqej t’i mbledhë buzët në një mënyrë të çuditshme, që do të duhej t’i përngjante buzëqeshjes. M’u duk se vetë shekulli përpiqej të buzëqeshte. U bëra tejet kureshtar që ta përjetoja këtë buzëqeshje të shekullit. Pas pak, filloi të fliste me ngadalë.

 “ E vërteta” midis burrit dhe gruas asnjëherë nuk mund të dihet nga pala e tretë tha ai. Ajo u  është e njohur vetëm atyre”.

“Qen bir qeni” thashë në veti me hidhërim, dhe shtova, se kjo është e pa mundur. Mirëpo, sikur të më dëgjonte me ndonjë shqisë të veçantë vazhdoi: “Njerëzit nuk janë Perëndi. Ata zakonisht e mësojnë mësimin tepër vonë. A merr vesh?”- pyeti dhe unë thashë “po”, por nuk kuptoja asgjë.” Më pëlqen “-vazhdoi ai-“sepse po e bën hesap moshën time përmes ngjarjeve që i përjeton”. Më vonë fillova t’ia sqaroja vetës kuptimin e plotë të fjalëve të tij: shumë vdekje kishin rastisur për rreth dhe brenda meje, por disi kisha arritur të ruaja diçka nga vetja.

 

Përshëndetja e vashëzave

Këto ditë, një ditë, përsëri dola nga burgu. Këtë herë, nuk kishte qenë ndonjë dënim i gjatë vetëm 55 ditë, por burgjet në mënyrë të çuditshme ndikojnë në njeriun. Isha ngirë me arrestime dhe me burgje dhe isha duke menduar se si ta braktisja vendin dhe të emigroja ndokund për ta kërkuar paqen e brendshme. Por medet ! Duke ecur nëpër një rrugë të pluhurosur të fshatit, për në shtëpinë-kasolle time që ndodhej në fund të saj, hetova se një grup prej 10-15 vajzash të moshës 10-12 vjeçare që po bisedonin mes vete, duke ecur në drejtim të kundërt nga unë. Meqë u takuam në një pikë të rrugës, ato u ndalën, më shikuan disi turpshëm dhe thanë njerëzit: “Mirë dita, Profesor dhe mirë se na erdhët”. Pastaj, duke i ulur qerpikët e syve të syve të tyre, e vazhduan rrugën e vetë me faqe të skuqura. Asnjërën nga ato nuk e njihja dhe këtë lloj përshëndetjeje e kisha tërësisht jashtë mendjes. U preka thellësisht, meqë fëmijët i dua shumë dhe meqë kjo ishte tërësisht e pa zakonshme për sjelljet apo zakonet  e fshatit. Rrugës për në shtëpi, sapo qeshë duke e ndërruar mendimin tim rreth kërkimit të paqes së brendshme në ndonjë qoshe të Evropës, për të cilën bëra aq shumë, duke e u përpjekur për evropeizmin  e vendit dhe të popullit,  të cilit i takoja.

 

Shtëpi e zbrazët

I doja ata fëmijë, por me të arritura në shtëpinë-kasollen time, nuk e gjeta asnjërin nga fëmijët e mi (12 . 7 dhe 3 vjeç). Realiteti i ftohtë i shtëpisë së zbrazët më tha se fëmijët e mi jetonin me nënat e tyre, të cilat ndoshta më kishin harruar ose më urrenin. I dua fëmijët e mi për së tepërmi, por që nga viti 1981 ngjanë aq shumë gjëra sa që asnjëherë nuk e pata mundësinë e vërtetë të jetoja së bashku me ndonjërin nga ato për një periodë më të gjatë të kohës. Erleta tani 12 vjeçare i kishte rreth 7 muaj kur më arrestuan në vitin 1981 dhe kurrë ndonjëherë sërish nuk qe e mundur të ishim vërtetë së bashku: Andin tani gati 7 vjeçar, ka  3 vjet kur në të vërtetë u ndamë me nënën e tij dhe Brislida tani 3-vjeçare, i kishte më pak se 1 vit kur nëna e tyre edhe praktikisht më braktisi. Duke e bërë këtë, ndoshta mendoi të më ofronte shansin që të vendosja lirisht për njërën midis të dyjave, por njeriu nuk mund të vendosë midis fëmijëve të tij dhe andaj fare normalisht e zgjodha rrugën e normalizimit të raporteve të mija në të dy palë fëmijët, para se të mund të vendosja për diçka të tjetër.

Presionet si koincidenca

Është interesant se gjatë të tërë kohës që jetoja me Sevdinë kurrë nuk m’u lejua të komunikoja normalisht me bijën time, Erletën. Ishte fare e qartë se ajo përdorej për shkatërrimin e martesës sime të dytë tradicionale, jo zyrtare. Meqë, ky fakt kombinohej me presione ekonomike dhe sociale ( ekonomikisht isha totalisht i varur nga të tjerët, sepse kurrë sërish nuk pata mundësi të gjeja punë), ndërsa të njëjtën kohë intelektualisht isha gati tërësisht i izoluar gjer në vitin 1990. Isha i bindur se, Edi ishte shoqëruar me një lloj shoqërie të përdreqtë që nuk mund ta duroja. Natyrisht, mund të supozoja se ato presione ishin koincidenca, por kësosh kishte tepër shumë dhe ishin tejet të ndërlidhura mes vete. Për këtë shkak, vendosa ta pranoja sfidën dhe të mos dorëzohesha.

Tradicionalisti si feudal

Ajo, që në të vërtetë në atë kohë e dëshiroja ishte të më thuhej e tërë e vërteta rreth shkurorëzimit tim, kjo nuk m’u tha as sot, meqë, ky fakt e nënkuptonte sinqeritetin e plotë midis të dyve, natyrisht që ishte e qartë se në raport me mua, ajo do të ishte një çikë më e dobët, por duke qenë pakëz tradicional, e konsideroja tërësisht me vend që një grua shqiptare ta pranojë një lloj të disiplinës familjare të kërkuar nga burri i saj. Duke qenë një person shumë i zgjuar, ajo e dinte shumë mirë se ç’dëshiroja, por nuk e pëlqente pozitën prioritare të burrit. E inkurajuar nga prapavija sociale e quajti këtë si “konzervatizëm tim feudal” dhe meqë atëherë nuk mund t’i përgjigjesha publikisht, e filloi një luftë publike kundër meje. U paraqit me një seri poezish të botuara nëpër gazeta dhe revista dhe pastaj i botoi edhe dy libra që qenë duke më shkatërruar fare. Askund nuk më përmende me emër, por aluzionet ishin mjaft të qarta dhe meqë ambienti intelektual ishte i vogël, e dinte gjithkush se për kënd ishte fjala. Asnjëherë nuk iu pata përgjigjur sepse frikësohesha për të ardhmen e së bijës, Erletës, por ia pata shkruar dy letra private me të cilat i refuzoja aluzionet e përmbajtura në poezitë dhe librat e saj dhe iu kërcënova me botimin e tyre po qe se do të vazhdonte të më sulmonte. E pranoja të kisha qenë pakëz tradicional, por isha shumë larg nga “ konzervativisti feudal” si më paraqiste ajo.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Moti sikur po përmirësohet, por vazhdon të bëjë gjithnjë e më ftohtë. Retë po e …