Bisedë me poetin Pjetër Jaku, botues i së përmuajshmes ” Kuvendi” në Detroit. >br> Botoi Tirana Observer 12 Janar 2008
Intervistoi: Rajmonda Moisiu
Në bisedat jo të pakta që kam pasur, më ka pëlqyer të jem e drejtëpërdrejtë: mund të na thuash diçka për origjinën tuaj dhe fëmijërinë?
Të lindësh njeri dhe të mbetesh njeri, është origjina e të gjitha origjinave. Nuk ka rëndësi ku ke lindur, nga ç’prindër, nga ç’rracë. Rëndësia e vetme është, se je lindur për të marrë mbi vete një detyrim njerëzor, për t’i shërbyer bindshëm, duke menduar se, vërtetë ka qënë një lindje që duhej lindur, pasi ka lindje, që nuk e meritojnë asnjë shtërngim barku. Ku kam lindur? Herë herë më ngjan se jam lindur gjithëku ka njerëz. Kur shkoj në vendlindje, mendoj se kam lindur nga shkëmbi, në të majtë të kullës, matanë Përroit të Bardhë. Kur kam lindur? E di se ka qënë kohë e ftohtë, shekull i ftohtë, me luftra që kishin përfunduar, pa mbaruar. Ju doni të jemë i drejtëpërdrejtë? Ok! Jam lindur në një nga fshatrat më të thella të Mirditës, në Mollë Kuqe, krejt në rrëzë të Munellës. Shpesh dragojtë dhe dreqnit, siç më thoshte gjyshja në netët e gjatë të dimrit, vinin Përroit të Bardhë, në ditët dhe netët me furtunë, sidomos pranverave, kur uji bëhëj i kaftë nga gërryerjet dhe trungjet, që sillte me vete. Jam lindur dhe rritur në atë fshat, për të pasë pasurinë më të madhe të nënave bujare, të një jete shumë të vështirë. Për fatin e mirë, gjyshi im, emrin dhe mbiemrin e të cilit mbaj, kishte blerë shumë tokë, për t’u lënë katër djemëve, para se të ikte në botën e pakthyeshme, edhe pse nuk i kishte mbushur ende të 38-tat. Babai im, me tre vëllezrit, kishin tokë, fiks një të tretën e fshatit dhe pemë të panumërta. Kishin një kullë dykatëshe, nje shtëpi njëkatëshe, me furrën e bukës brenda dhe, një objekt me çati, që përdorej për të ruajtur ushqimet. Mbaj mend , që sipër tavanit të kullës, do të gjëje 12 muajt e viti arra, ndërsa në arën e sipërme ( dmth sipër kullës) do të ruheshin lakrat dhe patatet, në frigoriferin natyral të asaj kohe. Edhe pse i gëzonim jo pak prona, prap se prap jeta ishte tepër e vështirë. Babai punonte afro 3 orë larg nga shtëpia dhe flinte në shtëpitë e punëtorëve ( baraka u thonin ) e, kthehej vetëm 2 -3 herë në javë. Shpesh punonin edhe të dielave. Për në fshat i kishim kushtet jo të këqia. Ma do mendja ishim të parët, që kishim një gramafon dhe degjonim Marie Krajen, Bik Nojën, Fitnete Rexhen e shume e shume këngëtarë të tjerë. Në raste festash, ishte kënaqësia më e madhe për ne, pasi kulla jonë do mbushej me miq e, ne ndjeheshim mire.
Në biseda me krijues më pëlqen t’i ngacmoj që të përshkruajne paksa edhe vendin ku janë rritur, shokët e fëmijërisë, prirjet e tyre të para. Mund të na thuash diçka rreth këtyre kërkesave?
Gjysmën e rritjes e mora aty ku u linda. Gjysmën tjetër e mbyti terri peradnorak ruso-kinezo-shqiptar. Rritur? Rritur nuk jam. Kam mbetur ai shkëmbori i imët, që kërkonte të arrinte qiellin, por një re e zezë, sterr e zezë më rrinte mbi krye dhe më shtypte. Duhet t’i përulesh tiranit dhe tiranëve , – më thonte, por unë isha dhe mbeta lisi, që nuk i përulet as rrufesë. Konkrertisht,-thoni ju? Fshati im vinte diku në juglindje të krahinës së Fanit. Historikisht, të parët e mi kishin ardhur në atë fshat nga Domgjoni,( një fshat më në qendër të Fanit ), për të veruar. Mirëpo, pak nga pak filluan të punojnë djerrinat, të ngrenë shtëpitë e para dhe të ikin nga Domgjoni. Deri afër viteve 40-të, fshati im nuk ka pasur varreza ( varri i gjyshit tim dhe i gjyshes se babait, janë në Domgjon, (më shumë se dy orë në këmbë nga Molla e Kuqe)! Eshte nje fshat, që e ndajnë dy përrenj të vegjël dhe, në mes ka një kodër, që fillon te shtëpia e lal Vorfit dhe ngjitet deri në Drushtë të Munellës. Mbi shtëpinë e Çun Frrokut kodrina ka një shesh të vogël , ku mblidheshin burrat e fshatit në kuvende të ndryshme, ndaj edhe sot e kësaj dite thirret ” Kodra e Kuvendit”. Përrenjtë, nga të dy anat, janë të veshur me arra, më shumë se njëqind vjeçe. Në fundet e arave, që zakonisht mbillen me misër, fasule, lakra e patate, ka hardhi, që ngjiten në ca krikëza prej dëllinje, një lloj druri shumë i fortë, si dhe nëpër drurë të tjerë, ka qershia si dhe në çdo oborr shtëpie ka mana të kuq , të zi dhe të bardhë. Krejt fshati nuk kishte më shumë se dhjetë hektarë tokë të punueshme, por me qindra hektarë pyje, ku secila familje kishte pyjet e saj, nga ku kish të drejtë të siguronte drutë e dimrit, lëndët e shtëpive, gjethin e thatë për dimërimin e bagëtive. Punët bëhëshin kolektivisht, edhe pa qënë në koopertivë si: prashitjet, ushqimi i bagëtive, ndërtimi i shtëpive të reja, korrjet dhe grumbullimi i tyre, pa bërë fjalë për fatkeqësitë. Nejse. Dolëm nga tema. I gjithë fshati nuk kishte më shumë se 50 hektarë qiell dhe, diellin nuk e preknim ma shume se 4-5 orë në ditë. Pranvera, vera dhe vjeshta ishin të mrekullueshme, ndonëse pranvera dhe vjeshta ishin vetëm dy muajshe, pasi nga një muaj ua merrte dimri secilës. Dimri , deri vonë ishte jetë “parazitare”, por shumë emocionuese. Lojnat e ndryshme të të rriturve, më kanë mbetur në mendje. Burrat e fshatit mblidheshin me radhë te shtëpitë e njëri tjetrit, për të luajtur kapuçash dhe lojna të tjera, të cilat mbylleshin me këngë të improvizuara nga pala fituese. Dimrat ishin, pothuajse pesë muaj. Pesë muaj që nuk të linin të bëje asnje punë. Rrugët e këmbësorëve hapeshin nga burra të fortë. Herë herë, bora i mbulonte dritaret e kateve të para. Gjuetarët, në të shumtën e rasteve përgaditnin ca rrathë prej thuprash, për t’i vënë në këmbë, që të ecnin mbi dëborë, ( pasi bora do t’i mbulonte), për të gjuajtur dhi e derra të egër, kaproj e kafshë të tjera. Çdo shtëpi kishte një ose dy pushkë gjermane, të cilat ishin më të mirat për gjueti. Jetonim si në balada. Ushqeheshim pa dietë dhe, askush nuk ruhej nga dhjamosja. Ishin njerëz legjendar, të gjithë të fortë. U mungonin veç krahët për të fluturuar, se majat i kapërcenin me një hap. Ti do të pyetësh me të drejtë: Po sot?
Ata burra janë përgjysmuar. Legjendat u vodhën nga modernizmi anadollaku-primitiv. Shtëpitë?! Asnjë oxhak nuk nxerr tym, asnjë shtëpi nuk banohet. Hardhitë, arrat, qershitë, manat, thanat dhe kumbullat janë egërsuar e bërë bisha. Ato i tradhëtoj njeriu dhe kullat i kanë mbuluar ferrat. Pemët i shijojnë arinjtë, korbat, sorrat… Gjithëçka ndodhi aty po harrohet!
Megjithëse vite fëmijërie pasi, mesa di unë, rininë e ke jetuar në Lezhë, cili ka qënë momenti që të është fiksuar?
Festat! Krishtlindjet dhe Pashkët por, sidomos Krishtlindjet! Krishtlindjet i prisnim me padurim, deri kur regjimi ndalues i ndaloi. Ato ishin një festë e veçantë që, edhe ne femijët të dukeshim të rritur, të rrinim deri në mesnatë zgjuar, për të pritur Lindjen e Krishtit. Të dilnim me të mëdhenjët dhe të bënim me dorzat e kashtës një rreth si sofër, me një kryq në mes, në arën më afër shtëpisë dhe, mbi atë kryq të shtronim darkën: raki, djath, lakror me arra etj. Natën, mes dëborës, ku gjithë fshati bëhëj dritë nga të shtënat e armëve, që lajmëronin lindjen e Jezusit. Pashkët ishin një festë më e gjatë dhe, që na bëntë me rroba të reja, por përsëri atë festë nuk e perjetoj si Krishtlindjet. Imazhet e atyre viteve më përcjellin dhe do udhëtojnë me mua gjithë jetën.
Meqë jemi akoma te femijëria: kujton ndonjë rast të frikshëm dhe nga se kishe frikë më shumë?
Nata më trembte, edhe pse ishte e bukur. Në dimër ndriçohej nga dëbora dhe hëna. Në verë nuk errej, ose errej me bulkthit këngëtar. Në vendin tim lejoheshin edhe fëmijët të merrnin pjesë në ceremonitë mortore. Ata dhe unë nuk e kuptonim vdekjen, ose e kuptonim Jul Qezarçe ” Më mirë të vdesësh njëherë, se sa të rritesh gjithë jetën me frikën e vdekjes”. Megjithëse vdekja nuk është ndjenjë e mirë. Vetëm ditët, që njeriu shkon në vdekje të të tjerëve, kujtohet se duhet të jetë i mirë, biles i përkryer. Sa herë kaloja pranë varrezave, më dukej se krejt pleqtë e fshatit, ( ata që kisha njohur ), ishin ngritur dhe qëndronin mbi varre, këmbëkyq, duke biseduar dhe pirë duhan. Ju kërkoni një rast konkret të frikës? Kam pasë një rast. Se si isha ngjitur në mes një shkëmbi, as atëherë, as sot nuk e di, por nuk mund të zbrisja më. Shihja andej këndej dhe nuk gjëja asnjë shteg, ndërsa sipër meje rrokulliseshin ca gurë, që më rrezikonin jetën. Kur kam rrëshqitur, pa fluturuar mbi gurë, kam qënë njeriu më i lumtur.Megjithëse isha fëmijë, mendoja:”Pse duhej të vdisja aq kot?”
Ç’të ka bërë përshtypje më shumë nga ritet e asaj ane?
Huh, sa shumë janë, por në mua kanë mbetur vetëm dy: dasmat dhe vdekjet. Dasmat ishin të bukura. Nusja vinte e mbuluar me duvak, një shami e kuqe e ndezur dhe mbi kalë. Krushqit, mesa mbaj mend kanë qënë përherë 12 ose 13 veta, në përgjithësi burra, veç krushkës, që ishte nëna e nuses dhe ndonjë shoqëruese tjetër. Kur krushqit i ishin afruar shtëpisë, vinte me vrap mëshllukgjija, që lajmëronte se krushqit po vijnë. Me të ardhur lajmi, gratë dilnin në oborr dhe viheshin në rresht e këndonin. Krushqit, ndërkohë lajmëronin më një të shtënë arme, pasi kishin llogaritur kohën, që lajmëtari e kishte kryer detyrën. Pasi mbrrinte nusja, e zbrisnin nga kali, e merrnin përdore dhe qendronte në vendin më të dukshëm, që të shihej nga të gjithë, shoqëruar me të shtëna armësh. I ngrinin duvakun, për t’i zbuluar fytyrën dhe të dy duart i mbante në dy cepat e një bluze të qëndisur( antari quhej ), ku i vareshin dy shamia të kuqe, në dy duart. Këndohej dhe kërcehej për afro gjysem ore, kurse krushqëve u prinin brenda, për të pirë kafet e mirëseardhjes, duke i pyetur se si e kishin kaluar te miku dhe gjatë udhëtimit. Mbaj mend, që shpeshë herë nuses i rrëshqisnin lotët deri te mjekra, kur gratë i këndonin këngë, që i kujtonin të afërmit e saj dhe shtëpinë, që e kishte lënë. Te vdekjet më ka mbetur në mendje, vendosja e të vdekurit ne karrige, britmat dhe çjerrjet, kur vdekjet ishin të moshave të reja, si dhe vajtimet poetike.
Diçka për shkollën?
Shkolla për mua është vetëm libër. Një zanat dhe aq. Nuk mendoj se kam mësuar ndonjë gjë të madhe, në vitet e diplomimit. Kam hyrë në klasën e parë 6 vjeç dhe mesova shumë shpejt të shkruaj e lexoj. Në fshatin tonë bëhësh mësimi në klasë kolektive ( nga klasa e parë deri te e katërta bashkë).Nota më e mirë ishte 5-sa dhe, une nuk kam njohur notë tjetër veç maksimales. Mësuesi im i klasës së tretë, Pjetër Kola, i cili tani jeton në Lezhë, më jepte shpesh herë të kopjoja pjesë nga ditari dhe tekste të një klase më sipër. Në klasën e katërt mbaj mend të më ketë rëne në dorë dy vëllime të keqpërdorura të Tolstoit ” Lufta dhe Paqa”, më vonë romani ” Tradhëtia” me një kopertinë të zezë në kaf dhe romani “Qyteti i fundit” i Petro Markos, që unë vonë e mësova se i kujt autor ishte, pasi i mungonin shumë faqe. Kur më pyesnin fshatarët se çdo dëshiroja të bëhësha kur të rritesha, u thoja doktor. Mësuesi që unë kam adhuruar në 8 vjeçare, ka qënë Mark Paci nga Domgjoni. Mësues Marku ishte piktor edhe pse, mesa mora vesh vinte në arsim nga ushtria. E shihja shpesh, se si punonte në restaurimin e fotografive të vjetra dhe më jepte detyra t’i përgadisja të bardhën e vezës, për luster të letrës së ashpër. Ishte shumë i kujdes’shëm dhe i ditur. Më pëlqente dhe mënyra se si vishej, si fliste, sa rëndësi i kushtonte përgaditjes për mësim. Për mua ishte njeriu më i ditur në atë zonë. Unë mësova prej tij se Fishta i madh ishte i të njëjtit fis me Markun, gjë që e kanë spjeguar të afërtit e poetit, që sot jetojnë në Lezhë. Me shkollat e mesme nuk më është realizuar deshira. Pas dështimit, të mos paraqitjes në shkollën e mesme mjekësore në Vlorë, mbasi unë isha fëmija i parë në familje dhe babai punonte larg shtëpisë, u desh që të mos shkoja aq larg, sa e konsideronin Vlorën gjyshja dhe nëna. Që këtu, gjërat u rrokullisen mbrapsht dhe unë mbarova shkollë të mesme profesionale, veç për t’u bërë ndihmë në një familje si e jona.
Keni kryer studimet e jeni diplomuar në letërsi. Çfare u nxiti për të studiuar në këtë degë?
Ka qënë një odise e gjatë deri tek e drejta e studimit, që nuk ia vlen të thuhet. Kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Lezhës së atyre viteve, Dodë Gjika, një nga të vetmit kuadro të atij niveli, që nuk ndjehej keq, kur rrinte me krijuesit. Shumë të tjerë vetëm i përshendesnin, se nuk mund të rrinin më shumë se pak minuta me Ndoc Gjetjen, Rudolf Markun, Agim Isakun, Remzi Lanin, Agustin Shytin etj.. pasi nuk kishin lexuar asgjë më shumë, se raportet partiake. Të kishin lexuar Balzakun, as që bëhëj fjalë. Falë ndihmës së Dodës, e kam filluar dhe mbaruar në kohë rekord Universitetin ” Luigj Gurakuqi” të Shkodrës. Ka diçka shumë interesante për këtë. Ishte rastësi takimi me kryetarin, një mëngjes gushti, tek po dilte nga resoranti i Hotel ” Lissit”. Më pyeti për shkollën. – E mbarove universitetin? – më tha. – As që e kam filluar, – iu përgjigja. – Hajde me mua,-vazhdoi ai. Pasi u ngjitem në katin e dytë, ku kishte zyrën, thirri shefin e arsimit, mori dosjen time dhe më dha një letër dore, për të shkuar në Ministrinë e Arsimit. – Do takosh,zv/ministrin, Nazim Skuqi dhe do më kthesh përgjigje,- më tha. Nga shkallët e komitetit, jam nisë me biçikletë për Tiranë, në orën 8 e 30 dhe, kam qënë në ministri, në orën 11 e 30. A nuk është ky një udhëtim epik, që as Gjergj Elez Alia nuk do ta bënte? Pasi unë e kisha humbur shkollën e mjekësisë, letërsia ishte pasioni im dhe mundësia për ta mbaruar më lehtë, pasi gjithë veprat e rekomanduara të letërsisë i kisha lexuar pa imponim, që pa shkuar në universitet, ndërsa gjuha ishte tepër e veshtirë.
Pa hyrë gjatë në vitet e mëpasme, për të cilat dimë sadopak, punën që keni bërë në arsim dhe në Degën e Librit Lezhë, a mund të na thoni diçka lidhur me ndikimet në formimin tuaj?
Njeriu formohet deri në ditën që harron të marrë frymë, por formimi im ka qënë në moshën e rinisë, deri në adoloshencë. Nga ajo moshë e mbas, nuk kam ndryshuar asgjë formuese. Njeriu nuk është një qenie prej balte, që mund t’i japësh disa forma. Ai pranon vetëm një formim, ose një çthurje formuese, që nuk formohet kurrë. Por, ndikimet janë të pranueshme. Tek unë, më shumë se askush ka qënë ndikimi i nënës. Nëna ime është modeli i durimit dhe i këmbënguljes. Këto cilësi, besoj se i kam edhe unë. Babai ka qënë shumë punëtor, nevrik dhe tepër bujar. Besoj se edhe keto cilësi i kam marrë. Edhe pse nuk dukem nevrik, vetëm unë e di si i përmbaj nervat, mesa zor i bëj zap. E kam adhuruar xhaxhan, Preng Jaku, i cili ka jetuar e punuar në Durrës, për njohurit që zotëronte, edhe pse ishte mekanik. Nga babai të gjithë janë shumë punëtorë, shumë të saktë dhe shumë bujarë. Nuk i përulen, veç të Plofuqishmit! Nga nëna dalloheshin ndjeshmëria dhe vëzhgimet psikologjike, përcaktimet precize të përsonalitetit. Nëna më thotë, se kam një kombimin mids gjyshit të dajës ( babait të nënës) dhe babait tim, të cilit edhe i ngjaj shumë. Shpesh’herë e kujtoj një thënie japoneze: “Më jep një nënë të mirë, të të jap Atdheun e mirë.” Mësuesit dhe shkolla luajn një rol të rëndësishëm në formimin e njeriut. Bindem, se karakteri i njeriut formohet, para moshës 25 vjeçare.
Cila është gjëja më e rëndësishme, që ju keni mësuar, qëkur keni filluar të kuptoni se çfarë është jeta?
Sa vjen e shkojnë vitet, po kuptoj se nuk kam mësuar asgjë por, nëse ka të bëjë me formimin, mund të përgjigjem, pa u menduar fare ” korrektësia”. Për mua je njeri, aq sa je korrekt!
Prinderit?
Mendoj se për këtë pyetje, jo pak folëm në përgjigjen e formimit. Babai vinte nga një baba mjeshtër, i cili ishte djalë i vetëm dhe, nga një nënë prej një familje shumë të njohur, siç janë Kocajt. Gjyshi im kishte dy byrazer në Lurë, të njohurin Dodë Vladi dhe Dedë Kolë Mariseni, të cilët ishin edhe ata djemë të vetëm. Ngaqë ishin secili nga një, vendosen të bëhëshin tre vëllezer. Akoma edhe sot, për afro 80 vjetë, në kullën moderne të Nikollë Vladit e kanë ruajtur një pjesë të tavanit, që e kishte gdhendur gjyshi im. Kam qënë në Lurë 20 vjetë më parë. Kam shkuar për dy ditë e, Lura më ka mbajtur një javë. Nëna vinte nga shtëpia e njohur e Frrok Preng Mushtës, një nga familjet më në zë në Mirditë, më më shumë se 60 anëtarë, për të cilën s’është shkruar fare. Gjyshja kishte 6 motra, njëra prej tyre, Dila, vuajti disa vite internimi me dy djemtë, Pjetrin dhe Gjonin, sepse burri i saj, i njohuri Ndue Bib Perndocaj ishte arratisur në Amerikë me dy djemtë, Biben dhe Zefin. E kujtoj kur vinte dhe ikte natën nga shtëpia jonë! Prej babës kam një devizë, të cilën e mësova, pa ma thënë ai kurrë : ” Thuja vetëm të vërtetën, dhe nëse të rrezikohet jeta”. Ai bëri 10 muaj hetuesi, vetëm për të mos dalë deshmitar në rrenë. E dini çdo të thotë dhjetë muaj hetuesi, në kohën pa asnjë lloj mbrojtjeje?! Shumë vite pas burgut, ma ka treguar të vërtetën. Ish shefi i hetuesisë, i rrezikshmi Gjolek Lajthia, ” Brezhnjevi”, siç i thonin në Lezhë, e kishte “ftuar për një kafe” te Hoteli i Gjuetisë, në Ishull Lezhë dhe i kishte thënë: ” Më nënshkruaj, se përgjegjësi të ka urdhëruar të shtosh fiktivisht rezultatet e misrit të grumbulluar në magazinë, dhe nuk do të bësh asnjë ditë burg.” Babai, atë nuk e tha kurrë, sepse nuk mund ta thonte një gjë, që nuk ia kishin thënë! Nuk besoj se në një intervistë si kjo, mund të thuhen të gjitha, sepse janë aq shumë, sa nuk mjafton një libër.
Veç librave poetik ” Harrimi i vetes” dhe “Ankthe”, të vlerësuar nga kritika, jeni edhe autor i studimit ” Vlerat letrare ne Lahuten e Malcis”, si ju lindi ideja dhe çfarë u nxiti per ta shkruar këtë vepër ?
Sa për librat poetik, mund të thëm bindshëm, se ata mund të ishin botuar, të paktën 10 vjetë më parë se u botuan, po të mos punonin në shtëpinë botuese ” Naim Frashëri”, redaktorë të tipit, Stavri Daja, edhe pse mund të ishte njeri i mirë, ai nuk zotëronte gjuhën shqipe e para dhe, e dyta se njihte fare krijimtarinë, aq sa në një përgjigje të viteve 80-të më shkruante afërsisht kështu: ” Tani për tani libri juaj nuk mund të botohet, pasi për fatin tuaj të keq, libri analizohet fill pas plenumit të 8-të, ndërsa ju keni disa poezi kundër burokratëve, që mund të nënkuptohen edhe për drejtuesit e partisë…” Unë nuk kisha dërguar në shtëpinë botuese libër politik, që të vlerësohej me këtë frymë. Pokështu, në redaksitë letrare si te gazeta “Drita”, revista ” Nëntori” dhe “Zëri i Rinisë”, përveç viteve të fundit, që punuan Preç Zogaj e Rudolf Marku, ka pasë redaktor, që nuk spikasnin si krijues, edhe pse botonin nga një libër në vit. Sa i takon, sprovës me libërthin ” Vlerat letrare në Lahutën e Malcis”, ajo nuk është vepër dhe nuk është pretenduar si e tillë. Ajo është vetëm një sprovë, që cek një temë shumë të përfolur. Pikërisht për këtë, mora një temë të tillë, që besoj në të arthmen e shpejtë do ta plotësoj, sidomos me fjalorin fishtian, për të cilin kam marrë edhe sugjerime me shumë vlerë nga ish pedagogu im, Dr. Tomorr Osmani.
Botimi i revistës së përmuajshme ” Kuvendi”, si u realizua, kur dhe pse?
Ishte një deshirë e mundësuar nga parat, që m’i kishin dërguar vëllezrit nga Gjermania, të cilët ishin pjestarë të ikjeve biblike të marsit 91. Fillimisht ” Kuvendi” u botua në Lezhë, në vitin 1993. Kishte drejtim tjetër nga çka sot dhe ishte në formatin e revistave të zakonshme, në A-4. Atje nuk pati fatin të jetonte. E shtypnim në shtypshkronjën e dhomës së tregtisë në Tiranë dhe e ruanim bashkë me “Spektrin” te ministria e kulturës, por me mbylljen e “Spektrit”, ne na humbën afro 1500 kopje, që nuk mundem t’i gjëjmë asnjëherë. Nuk kishim shtypshkronjë në Lezhë dhe e ndërpremë. Kur erdha në Detroit, ka qënë miku im Zef Brozi dhe poetja Elinda Marku që, për afro një vit e gjysëm më nxiten vazhdimisht, aq sa në Maj të vitit 2001 mundi të dalë numri i parë, me shumë vështirësi. Kur po përgaditej numri i parë, mbaj mend që miku im, Dr. Dedë Kolndreu, i cili më ndihmon vazhdimisht në punët e programet kompjuterike, me sinqeritet më tha: ” Vetëm ne të dy e besojmë, se keto ditë do dalë revista.” “Kuvendin” e kanë ndihmuar dhe ndihmojnë, aq shumë krijues dhe lexues, sa do duhej një bisedë vetëm për këtë temë. Eshtë një revistë informative dhe kulturore, në formatin e një libri, me afro 200 faqe në muaj, pa ndërprerë. Në të kanë dhënë mendimet e tyre shumë përsonalitete, të politikës, kulturës dhe historisë. Janë botuar qindra e qindra faqe krijimtari. Janë fiksuar evenimentet më të rëndësishme të komunitetit shqiptar këtu, etj etj… Për ” Kuvendin” kemi kohë të flasim.
Nga ” Kuvendi”, mesa di unë, doli libri juaj ” Shqiptarët në Detroit”, një vepër që e plotëson shumë komunitetin shqiptar të Detroitit, si një nga komunitetet më të vjetra në Amerikë. Ju e keni lënë hapur vazhdimin e tij. Ç’mund të na thoni për këtë?
Komuniteti shqiptar i Detroitit, është një komunitet shumë i njohur, që ka pasur dhe ka përsonalitete me emër dhe, që kanë ndihmuar çeshtjen shqiptare. Që unë do ta vazhdoj këtë libër, kjo është afër mendësh dhe, besoj që pas një ose dy vitesh, ndoshta edhe në 2008-tën. Ka pasë vrejtje me vend, që unë kam përfshi në atë përmbledhje intervistash, si dhe kemi bërë intervista, që teprojnë, ose që duheshin lënë jashtë këti libri. Por, e shkruara ka një të mirë, mund të korigjohet, megjithëse unë nuk jam penduar kurrë për çfarë kam bërë. Në një komunitet prej afro 150 mijë shqiptarësh, ka vend dhe mundësi për më shumë, nëse të pamundurit për të shkruar, kanë mundësi të ndihmojnë. Në mos jo të ndihmojnë, të mos pretendojnë të jenë në vepra patriotike, kur nuk kanë bërë asgjë për Atëdheun e tyre, qoftë edhe të mendojnë një moment për të. Të paktën t’u mbetet emri si përkrahës të këtyre veprave se, edhe ashtu do të bëjnë diçka patriotike. Libri i dytë do të konceptohet ndryshe, jo duke u përqendruar në biseda. Ai do të përshkruaj në etapa, ecurinë dhe zhvillimet në komunitet, lidhur përherë me trojet shqiptare, prej nga vijmë.
Cila është gjinia e preferuar dhe, nga i merr frymëzimet në krijimtarinë tuaj?
Më josh poezia, megjithëse është krijimtaria më munduese, që kërkon të thuash në pak vargje një mendim, një kuptim, të transmetosh mesazhe, të krijosh emocione, përjetime etj et… që edhe ju i dini dhe i keni provuar.Shpesh sjellë ndërmend, dy vargje të Eseninit: ” Që të jeshë poet, kjo do të thotë/ të plagosësh veten kurdoherë..” Të botosh një libër me poezi, do të thotë t’i keshë situr nja tre libra dhe, të keshë lënë me një anë dhjetra poezi, që ndonjëherë edhe të dhimbin. Jo çdo gjë e shkruar,është e botueshme. Për këtë duhet të binden vetë autorët. Poetët e viteve të fundit ( disa ), zor të kenë në arshivën e tyre një poezi të pabotuar, duke u kthyer vërtetë në Zhurdenin e Molierit. Kështu nuk ka ndodhur as me nobelistët, as me Neruden, as me Lorkën, as me Bërnsin..etj…etj.. Kam provuar të shkruaj edhe në prozë, por më duhet edhe ca kohë të kemë një krijim që t’i rezistojë kohës. Frymëzimet në poezi janë të rralla. Duhet të jenë emocione shumë të forta, që diçka të të nxit për të shkruar. Tani, me zhvillimin e njohjes, shumë ndodhi kalojnë pa emocione, nuk kanë aq forcë fenomenet, sa të të mbajnë lidhur, pas mendimit, të të ngarkojnë me impresione, që kërkojnë shkarkime të rrufeshme në letër. Poezia është krijimtari e moshës, që duhet të shmangë proliksitetin. Atë e shkruan mosha, vuajtjet, përjetimet e forta, dhimbja e fenomene të tjera rënduese, që duhet t’i heqësh nga pesha jote. Por, në radhë të parë , poezinë e shkruan mendja. Kur e shkruan poezinë dhe e mendon të realizuar, ndjehësh krejt i lehtësuar. Poeti nuk duhet të bëjë tregti me fjalën, të shkruaj vetëm për ta shitur. Nëse je vërtetë poet, poezia do të shitet.
Ka 3-4 vjet që jeni marrë edhe me kritikën, duke guxuar t’u bini të mëdhenjëve ( e kam fjalën për kundërshtimin e reçensës së Qosjes për librin e Rudina Xhungës, etj
Më kujtohet që analizën e parë e kam bërë për librin poetik të Flora Brovinës. Kam shkruar herë mbas here për libra të lexuar. Pothuajse për të gjithë librat që lexoja kam mbajtur shënime. Më vonë shkrova një analizë për vëllimin poetik ” Koha” të Kadaresë, ku poeti Rudolf Marku, do më shkruante një letër të gjatë, ku më thonte ndër të tjera: ” Atë që nuk e bënë kritika letrare, e bëni ju. Është një guxim dhe një punë për t’u admiruar..etj.” ndërsa me shkrimin e Rexhep Qosjes për romanin e parë të Rudina Xhungës vërtetë jam befasuar, aq sa nuk mund ta besoja se mendime te tilla i ka dhënë nje kritik si ai. Herë mbas here kam marrë në analizë libra poetik, por asnjëherë me tendencë. Në fund të fundit, kritika është mjeti më i mire, që e ndihmon krijimtarinë. Kurse, miku im Ndoc Gjetja, do të ishte kritku im i parë. I kisha dërguar në vitinn 1974 dy fletore 64 fletshe me poezi dhe, mbasi i lexoi më shkruante : ” Ka ndonjë poezi të realizuar, dhe sidomos vargje të realizuara, por assesi, nuk je gati për të dalë me libër”. Pra, në ato fletore mund të ishin më shumë se 100 poezi dhe më shume se 5 vjetë krijimtari. Fillimisht u ndjeva keq, por ajo ishte ndihma e parë dhe më e mire, që më dha miku im, i cili donte që unë të paraqitesha para lexuesit, ndoshta më mirë nga ç’unë mendoja.
Cilën ëndërr nuk keni realizuar ?
As që bëhët fjalë për ëndrra. Ato do të mbetën të tilla, megjithëse nuk kam qënë tip ëndrrimtar. Asnjëherë nuk kam parë përtej mundësive. Në të shumtën e rasteve, për mua, ëndrrat janë mite. As Herkuli nuk e vrau Hidren me 9 koka. Atë e krijoj njeriu, për t’u bërë i fortë, për t’i besuar vetes në forcën që ka, në atë që mund të bëjë!
Mendoni se ” jeton” poezia me politikën dhe , ç mendim keni për pastërtinë e figurës së politikanit?
Poezia është ndjenjë, politika është qëllim. Që të arrish diku, duhet të shkelësh mbi ndjenjën, mbi lodhjen, mbi mundësite, në dëm të dikujt, të diçkaje. Pra, janë dy kahje te kundërta. Poezia mund të përshkruaj momente, që vijnë për rrjedhojë të politikës, por jo të jenë bashkudhëtare. Politika, sado njerëzore të jetë, nuk është poezi. Poezia është gjithëmonë opozita e politikës. Nuk kam ëndërruar dhe nuk ëndërroj të jemë politikan. Nuk është keq, pasi ashtu jetohet më mirë. Të paktën kështu më thonë. Kujtoj një ish ministër, që më thonte para një viti: ” Po deshe të lodhësh dhe të mos fitosh sa këtu, rri në Amerikë.” E dija se kishte të drejtë, por nuk mund të isha në atë mëndje. Sa për dosjet, le ta ndërmarrë parlamenti një inisiativë të tillë, se është vërtetë i vonuar. Tani edhe hapja e tyre nuk vlen shumë, pasi 17 vjetë kanë penetruar, deri në majat e pushtetit, spiunë me dobësi karakteri të dukshme, e jo se i shërbyen shtetit për aftësi. Spiunat ordinerë,sidomos krijuesit, që i shërbyen me devotshmëri, që bënë padi, pa iu dridhur dora, kur nuk u rrezikohej jeta, nuk duhen toleruar fare. Eshtë mëkat që ata për 17 vjetë, kanë përfituar aq shumë, disa prej tyre duke thënë me paturpësi: ” ata që nuk i shërbyen Atdheut ( spiunuan ), ishin merhuma.” Dhe, i mjeri popull i duron mbi krye. Ketë, jo vetëm që duhen demaskuar, por duhen ndaluar me ligj, të kenë një detyrë, sado të vogël në jetën publike. Aq më tepër, ata që i kanë shërbyer në moshën e pjekurisë së plotë.
Keni preferenca në këtë fushë?
Nuk kam preferencë në politikë, sepse si Zhozef Fushe, si Maksimilian Robespier më kanë lënë shije të keqe, pasi i kam lexuar. Shije të mirë më ka lënë ” Utopia” e Thomas More, ku sipas tij, vyrtyt është të ndihmosh të tjerët. Ju do të habiteni,kur une te zbresë nga Robespieri te Vorf Nikolli ( Lalë Vorfi ) , një murator, pa asnjë klasë shkollë, që shumë shpesh e dëgjoja tek fliste për inglizin, gjermanin dhe moskovin etj…, ishte politikani i parë, që kam njohur në jeten time. Ishin disa moshatarë të tij, që mblidheshin në kodrinën e rrumbullaktë mbi shpinë e Lalë Vorfit dhe ai fliste për luftën. Unë nuk e di as sot pse u gjindësha aty, ose afër tyre. Në politikën e sotme nuk mund të përmend asnjë, përveç fiksimit që më ka mbetur nga Helmut Kol dhe, deri diku Henry Ksinger. Ndërsa tek shqiptarët, edhe pse nuk qe një plolitikan karriere, Pjetër Arbnori më ka lënë mbresa të paharrueshme. E kam njohur në një datë që mbahet mend, me 5 janar 1991, tek po shpërndante numrin e parë të gazetës ” Rlindja Demokratike”, para ndërmarrjes artistike ” Migjeni, në Shkodër. Isha me mikun tim, Kolë Prela, i cili ia mori gazetat, për ta ndihmuar, pasi rreth tij u bë një grumbull shumë i madh njerëzish. Kam pasë rastin ta takoj më vonë, edhe kur ishte në detyrë, edhe kur nuk ishte. Pjetri, përherë mbeti i njëjti. Për ” Kuvendin” kam pasë një intervistë me të, pak më shumë se një vit para se të ndrronte jetë. Po sot?-do thuash ti. Në Shqipëri nuk ka politikanë të paindoktrinuar të moshës mbi 40 vjeç.
Si i shikoni përpjekjet e diplomacisë ndërkombëtare ,kosovare dhe shqiptare ,për çeshtjen e Pavarësisë së Kosovës?
Politika shqiptare ( Kosovë – Shqipëri ) ka qënë përherë e mbështetur tek Perëndimi, ndaj dhe ne na është dukur e lëkundur. Në fakt, nuk kishte si të ndodhte ndryshe. U kritikua një nga miqtë e mi, Besnik Mustafaj, sapo mori detyrën e ministrit të jashtëm, në qeverinë demokratike, por të gjithë po e shohim, se nuk mund të kërkohej më shumë, kur nuk donin të na jepnin asgjë. Kompleksiteti i fenomeneve të tilla, e përbën shumë të vështirë problemin kosovar, megjithëse është një rast i paprecedent në historinë botërore, një popull me 90 përqind të një gjuhe, të një rrace, në trojet e tyre autoktone, të mund të mbahet me dhunë nën zgjedhën e një kombi, që nuk e lidh asgjë me të. Ndaj, ka ardhur koha që, edhe historia botërore duhet rishikuar. Mbi kurrizin e shumë popujve, janë bërë shumë padrejtësi. Pse të mos riparohen?
Mund të kalojmë në një plan më intim: a urren Pjetri?
Nuk më pëlqen fjala urrejtje. Të urresh, do të thotë të mbash brenda vetes, një zemrim shumë të gjatë, i cili kthehët në urrejtje të përhershme. Nuk urrej, as nuk u kthehëm gjërave të prishura. Secili ka jetën e vetë, ashtu siç e koncepton ai. Mund të jetë i mire, kur nuk është, mund të jetë i matur, por nuk mendon gjatë dhe, nuk e ka të kalitur durimin. Ka vetëm një test për njeriun e kulturuar. Sa ai është i kujdes’shëm dhe i përmbajtur në një grindje. Kam pasë një rast, që ajo pak simpati, që kisha për një të njohur intelektual, u kthye në urrejtje. Gjatë një grindje, që isha i pranishëm, nuk dinte gjë tjetër, veç të shante. A mund të jenë kështu përjetësisht. Jo. Njerëzit mund të ndryshojnë. Megjithë forcën time urrej thashethëmexhinjtë burra dhe mosmirënjohësit! “Gjarprit, edhe qumësht t’i japësh, nxjerrë helm”.- thotë populli.
Dashuria me e madhe e Juaja?
Nuk kam asnjë dashuri më të madhe, se atë për fëmijët.
A keni armiq?
“Njeriu nuk mund të jetë shumë i kujdesshëm në zgjedhjen e armiqëve të tij”- thotë shkrimtari i njohur Oskar Wilde. Per fatin tim të” keq ” armiqtë e mi të hapur janë më pak se mediokër, që nuk kanë asnjë lidhje me letërsinë, në veçanti. Ata filluan të kenë vetëm inate, kur mësuan se, në letërsi u beka njëfarë emri e, jo me mashtrimet dhe genjeshtrat e tyre… ndërsa armiqtë e fshehur janë ata, që nuk thonë asnjë fjalë për punën që bëjmë, për krijimtarinë e tjetrit, në disa raste duke na lavdëruar e, mbas shpine, të jenë përsonazhe të Shekspirit.. Nuk mendoj se është hakmarrje, t’u thuash të vërtetën edhe miqëve më të mirë, edhe pse e din, se ata do të bëhën armiqtë e tu. A nuk u hakmuar princi Hamlet, vetëm ngaqë fantazma e të atit i tha, se është vrarë nga Klaudius? Po sikur princi ta kishte parë?
A fal Pjetri?
Pjetri toleron. Krijon hapsirë për vete dhe të tjerët. Kur vijmë tek falja,kjo është dhe e meta më e madhe, që ia njoh vetes. Nuk kërkoj falje, as për veprime që do t’ia vlente, jo vetëm të kërkoja falje, por edhe të më falnin. Kur nuk di e nuk mundem të fal Pjetrin, a falka Pjetri?!
Cilët janë miqtë tuaj ,më të mirë?
Librat. Librat dhe vetëm librat. Me ata këshillohem shpesh. Kur dua te gjëjë modelin e politkanit të pafytyrë, të krijuesit qarraman, që nuk u mjaftonin as lakrimarët e madonave franceze, të sharalatanëve të pacipë, të burrave kurva, të heronjëve të vërtetë dhe nobelistëve, përsëri thërras në ndihmë librat. Në rastin konkret, konsultohem shpeshë me disa shokë, që nuk arrinë as gishtat e njerës dorë. T’i permend? Besoj nuk është nevoja. Për gjëra kryesore konsultohem edhe me miken, kolegen, gruan, që është gjithëmonë e dashura ime, Elinda Marku ( ndaj dhe ka zgjedhur të mos e marrë mbiemrin tim, për të mbetur, gjithësesi e dashura ime, dhe unë i dashuri i saj), me fëmijët, të cilët nuk i konsideroj vetëm fëmijë, por çdo ditë e më tepër, ata janë edhe miqtë e mi më të sinqertë. Kush janë shkrimtarët tuaj të preferuar ,brenda dhe jashtë atdheut? Martin Idenin e kosideroj libër jasteku. Që do të thotë, se njëri prej tyre është Xhekë Londoni. Në ditët e sotme ka aq shumë shkrimtar, sa vështirë të përcaktosh por, për mua, Gabriel Markesi mbetet shumë i madh. Paolo Coelho, pas viteve 90-të, po shkruan prozën më të pëlqyeshme. Mua ” Alkimisti” më ka rënë në kokë. E pra, është një prozë, pa shumë ngarkesa filozofike e metaforike, është një prozë e drejtëpërdrejtë, që të rrëmben, pa të lodhur, nëpër sallone e përshkrime të panevojshme. Më ka mbetë në mendje ngashmëria e të mëdhenjëve. A nuk ngjanë ” Anabel Li” e Adgar Allen Po me ” Gruaja e qymyrtarit” të Robert Berns?
Jeni dhe punoni në vendin me një demokraci të mirëfilltë; çfarë do të deshironit të kishte Shqipëria jonë nga ky vend?
Demokracinë, ligjet dhe zbatimin e tyre.
A ka pasur momente që jeni ndjerë i dyzuar për të marrë një vendim ?
Ka pasur raste, që jam matur, por jo lëkundur. Natyra e një krijuesi nuk përshtatet me vendimet. Krijuesit nuk kanë natyrë ekzekutive. Ata ekzekutojnë me harresen, përçmimin dhe nuk e përdorin fjalën për të dënuar.
Ke bërë ndonjë gabim, që ia sheh gjurmët edhe sot?
Materialistët thonë, se dashuria është gabim. Nëse është ky gabim, une kam “gabuar”. Shumë herë gabimet nuk varen nga ne. Gabimet që mund të kemë bërë, duheshin bërë, edhe pse dhimbin. Ato janë gabime, për të cilat nuk pendohem.
Çfarë u lidh me Mirditën?
Me Mirditën më lidh vendlindja, varret e të parëve të mi, gjithçka.
Nëse do të kishit mundësi të ktheheshit edhe njëherë pas në kohe, çfarë do të ndryshonit?
Do studjoja për mjekësi.
A do te kthehet Pjetri ne atdhe?
Atdheu është përherë me njeriun. Edhe nëse ai ( njeriu) mundohet ta largojë, e ka të ngjitur pas vetes dhe, thjesht nuk e sheh, se ai nuk i shqitet. Nuk e kam mohuar Atdheun, pse kam marrë nënshtetësi amerikane. Në Atëdhe jemi çdo ditë, nga mëngjesi deri kur flemë. Zgjohemi në mëngjes, pa pirë kafen hapim internetin, para se të flemë poashtu. A nuk jemi në Atëdhe?! Edhe pse jemi aq larg tij, duke qënë me njëri tjetrin, ndjehemi si në vendin tonë. Atdheu nuk është vetëm vendi, Atëdhe është gjuha, tradita, njeriu që i mbart këto. Duke i ruajtur veçoritë e tij, jemi një pjesë e Shqipërisë, që lamë atje tokën dhe ëndrrat.
Ju Faleminderit !
Intervistoi:
Raimonda Moisiu,SHBA