Pjetër Shala, përmes mbrojtjes së tij ligjore, ka dorëzuar dosjen e apelit kundër urdhrit për zhdëmtim, i cili e obligonte atë të paguante një shumë prej 208 mijë euro për viktimat. Këtë e bëri të ditur Angela Griep, e cila gjithashtu njoftoi se mbrojtësit të viktimave iu është zgjatur afati deri më 4 prill për të dorëzuar përgjigjen e tij në dosjen e mbrojtjes. Ky është rasti i parë që përfshin apelimin e një urdhri për zhdëmtim në Hagë, dhe Griep e përshkroi atë si një mundësi që mund të krijojë një precedent të rëndësishëm në praktikat gjyqësore të kësaj gjykate. Griep njoftoi se më 26 mars u hodh poshtë një kërkesë e ekipeve mbrojtëse të ish-liderëve të UÇK-së, për të apeluar një vendim që kërkonte dorëzimin e dosjeve përfundimtare nga palët në të njëjtën kohë dhe jo njëra pas tjetrës.
