leoni

Indrit Lulëzim Cara (11.7.1971 - 31.3.1999)

Pleurat Sejdiu: Me rastin e përvjetorit të përjetësimit të “Bubullimës” së Kavajës

“Njeriu që nuk do të vdesë për diçka nuk është i aftë të jetojë” – Martin Luther King Jr.
“Për të gjithë ne, liria e Kosovës dhe bashkimi kombëtar do të jetë çelësi i prosperitetit dhe fuqizimit të kombit shqiptar”, ishte kjo bindja e Indritit të ri, por të pjekur nga koha dhe mësimet e të parëve të familjes Cara.
Londër, nëntor i vitit 1995, shumë bashkatdhetarë nga të gjitha tokat shqiptare ishin mbledhur të përkujtonin ata, të cilët ndër vite qëndronin si fanar në rrugën e lirisë së Kosovës. Të paepurit dhe simbolet e rezistencës kombëtare, Afrimi dhe Fahriu, u bënë edhe njëherë shpërthim i ndjenjave të atdhedashurisë së mijërave të rinjve shqiptarë. Ishte dita kur ne përkujtonim lavdinë e Kodrës së Diellit, dita kur Indriti i ri u “rrëfe”. Shikimi i tij zhbirues, më bëri që të ndihem disi çuditshëm, të ndihem se para meje kam një njeri që do të mund ta quaja shok, për vite me radhë.
Tek e shihja në dritë të syrit, përpiqesha të kuptoja ç’mendime levronin në trurin e këtij kavajasi, që dukej po aq i sinqertë sa edhe i vendosur.
Kush ishte ky i ri kavajas, që një ditë marsi të luftës së Kosovës do të shndërrohej në bubullimë, bubullimë nga Shkëmbi i Kavajës i cili do sillte me vete ushtimin e valëve të bardha të Adriatikut. Zëri i tij do të shndërrohej në klithmat e Vojo Kushit e Afrim Zhitisë, do t’i sillte Kosovës gjëmimin e pushkëve të Çerçiz Topullit dhe Avni Rustemit, trimeria e tij do të bëhej frymëzim për luftëtarët e lirisë anembanë trojeve shqiptare.
Në gjenet e tij, mbijetonin vrullshëm ndjenjat e lirisë, dinjiteti kombëtar, dashuria për dheun e të parëve dhe krenaria për trimat që i dilnin zot atdheut.
Mjeshtëria ushtarake e fituar në shkollën e oficerëve, nuk do ta linte për asnjë moment të qetë, para detyrave që i shtroheshin kombit shqiptar në atë fundshekull. I bindur se kombi dhe atdheu kishin nevojë për të, si për çdo shqiptar, ai iu përvesh punës.
“Kjo është dita më e lumtur e jetës time”, thoshte Indriti në ditën kur iu bashkëngjit radhëve të Lëvizjes Popullore të Kosovës. Indriti, si një strateg ushtarak, vuante kur dëgjonte për rënien e shokëve, vuante për pamundësinë që të ishte pranë njësive guerile të UÇK, për aksionet e të cilëve bisedonim shumë. Rënien në altarin e lirisë, të Adrian Krasniqit, Indriti e përjetoi rëndë, sa që në takimin me vëllain e Adit, në Londër, nuk mundi ta fshehë më pikëllimin dhe qau!
Londër, mëngjes i ftohtë janari, unë dhe Indriti qëndronim para Dorianit, vëllai i Indritit, të heshtur dhe dëgjonim “akuzat” për mos vënien e tij në dijeni. Ishte e rëndë ndarja nga Doriani dhe e paharrueshme. Ashtu si në legjenda, Indriti kishte veshur një pardesë të gjatë e të bardhë, Indriti sikur shkroi që atëherë rreshtat e këngës kushtuar atij; Ku thuhet, “ball i trimërisë, engjëll i lirisë….”, dhe dukej si një engjëll që shkonte drejt lavdisë.
Shikoja buzëqeshjen e Indritit, Fatonit, Halilit dhe Ismajlit, buzëqeshje trimash të cilët nuk dinë për vdekje.
“Pleurat shoku, pas lirisë, do të bëhem dhëndër Kosove”, këto ishin fjalët e fundit të Indritit që i tha para se të hipte në “zogun e qiellit” që po i sillte Kosovës së përvuajtur edhe një krah pushke, edhe një gjoks trimerie.
Ashtu si në legjendat e Gjergj Elez Alisë, Indriti nuk mund të shkonte në betejë e të mos merrte bekimin e nënës, edhe pse nëna Xhemilja nuk e dinte, nëna shqiptare që vetëm trima lindi.
E pse mos të besojmë në legjenda, kur me të vërtetë ato shkruhen nga njerëz që janë të lindur për trimëri, Indriti në mëngjesin e 25 marsit 1999, brofi në këmbë si trim që ishte, dhe doli vullnetar për të mbrojtur pozitat e shokëve që ishin nën bombardimet e pamëshirshme të ushtrisë serbe. Shkoi fluturimthi me shokët e tij të pandashëm, Ismajlin dhe Halilin, dhe me gjoksin para u shndërrua në engjëll ashtu si i ka hije një burri, bëri vdekjen ashtu si buzëqeshja e Fehmi Lladrovcit dhe këngët e Adem Jasharit, në rrethimet e kullave të Bac Shabanit.
Me rastin e rivarrimit të Indritit, përfaqësuesi i SHP të UÇK, Kadri Veseli, do të thoshte edhe njëherë atë për çka nëna Xhemilja kishte lindur Indrit trimin, “…Indriti sot erdhi si një engjëll në Kavajë, ku do t’i bëjë dritë jo vetëm Kavajës, por gjithë tokave shqiptare…”, dhe i tillë ishte dhe mbeti “Ushtar Kavaja,” balli i trimërisë, engjëll i lirisë, Kavaja e ka djalë, Kosova e ka xhan!
Të fala Bacës Lul o Indrit djali, mbase tani të ka në prehër!

Kontrolloni gjithashtu

Imer Hakaj: Lavdi e përjetshme Martirëve në Pastasellë, Dëshmorëve të Rahovecit dhe të Kombit Shqiptar

Drejtori i AMMKM-së, z. Imer Hakaj, sot vizitoi realizimin e punimeve në varrezat e martirëve …