Komunisti i Ndrenikut, Can Maki, i njohur për qëndrimin e tij kundër fesë, në një ndeje te një i mik i tij kishte rastisur ta kishte takuar për herë të parë Mulla Sherifin, për të cilin kishte dëgjuar se nuk ka pyetje në të cilat nuk i përgjigjej, por kishte dëgjuar edhe për shpotitë e “të therrmet” e tij.
Si komunist por edhe mësues i njohur e kishin ulur buzë oxhakut, në odën plot burra të Lan Lanit, ndërsa në anën tjetër, ishte ulur hoxha, mulla Sherifi i Kizharekës. I zoti i konakut e kishte mik shtëpie Can Makun, por kishte respekt edhe për hoxhën, që e kishte në konak.
Can Maku kishte folur për partinë për barazinë, për shkollimin e vajzave dhe përparimin e popullit, duke marrë për shembull të kaluarën kur gratë trajtoheshin si robëresha, veç për punë dhe për lindje e rritje fëmijësh. Hoxha kishte dëgjuar me vëmendje, por pa aprovuar, as pa kundërshtuar me gjeste sikur bënte në raste të caktuara.
Cani pas fjalës që e kishte mbajtur iu kishte drejtuar hoxhës.
-A e kam mirë hoxhë, a po pajtohesh me kto që po i them.
-Mirë po flet, mirë tash për tash. Tash ju komunistat po e hidhni farën, e çka ka me mbi kur te filloni me korrë, kush asht gjellë e provon.
-Fara e shnoshe edhe bimën e ban të shnetshme e të bollshme, ia kthen mësuesi.
-Po, krejt varet nga fara. Ju po shtoheni e po përparoni shpejt si bima e pacërkes, e mjellë në pranverë dhe deri në vjeshtë ngjtet shtatë metra nalt, i del n krye lisit që i ka 80 vjet, por kur të vjen bryma në vjeshtë për një ditë e vyshkë dhe e përplasë për tokë.
-Me demek na komunistat si fara e pacerkes, a?
-Çka ka te keqe, pacerka, mor mik, mos me pasë pacerkë si mund ta lajmë trupin. Zoti e ka falë çdo bimë mbi tokë, për nevoja të insanit. Shpejt po ecni, pa dyshim…
Krahasimi që kishte bërë hoxha ishte arsyetuar nga shumica e të pranishmëve në odë. Komunisti, Can Maku ishte ndier paksa i fyer dhe nuk gjente dot një krahasim për ta mundur hoxhën. Pasi ishte menduar pak iu kishte drejtuar.
-Na ndoshta po ecim shpejt por ju për 500 vjet keni mbetë ne një vend.
-Na jemi si ai lisi, të cilit pacerka i del në maje për gjashtë muaj, por cila është vlefta e një lisi e cila është e një pacërke, kishte pyetur mulla Sherifi
Biseda ishte serioze dhe komunisti po e shihte të humbur betejën me hoxhën, e kishte humbur toruan dhe iu kishte drejtuar, me një konstatim kuturu:
-500 vjet tuajat na komunistat i kemi kaluar për 15 vjet or hoxhë po ti dhe ky xhemati yt nuk po e shihni, je rrokë për një pacerkë.
-Pak ma ndalë or mik, bisedë po bajmë, këtij të zotit të kankut zoti i dhashë bereqet të hajrit, e bajmë pa hidhërim.
-Jo, jo nuk ka kurëfarë hidhërimi kishte miratuar i zoti i konakut, Lan Lani.
-Hoxha po mundohet me arsyetue terrin, Turqinë, pushtimin, fenë e vet, fenë më të prapametme në botë, thotë komunisti tjetër, Braho Ziu, i njohur për besnikërinë qorre e uloke ndaj partisë, për shkak të veprave të tij të liga nuk e respektonte askush por ia kishin edhe frikën…
-Nuk ka zot o hoxhë, iu kishte drejtuar Braho Ziu, ju e keni shpikë për me i mbajtën në sundim ata që i keni mashtrue dhe po i mashtroni. Ndërhyrja diskrete e Braho Ziut ishte pritur keq nga shumica e të pranishmëve, por nuk kishte reaguar askush.
-Zoti i ka falë insanët, por edhe hajvanatët, or ti njeri që po e mohon Zotin. Ai i ka krijuar popujt dhe krejt njerëzimin. Secili milet e ka sunduesin e vet. Secila shtëpi e ka të zotin e shtëpisë, secili bari e ruan grigjën e vet…
-Brahim e ka emrin, por Brahë i thonë e cyt bisedën një burrë i pranishëm në odë.
-Zoti i falë edhe ata që e mohojnë, zoti krijon edhe ujq, qen, derra gjarpërinj, dhe krejt llojet e mahlukateve, sepse toka është shtëpia jonë e madhe dhe e përbashkët, të cilën Allahu e ka krijuar për të gjithë. Disa nga të pranishmit nuk ishin duruar dhe kishin qeshur duke e kuptuar romuzin e hoxhës, ndërsa Braho Ziu as e kishte kuptuar shpotinë, as e kishte ngarë më tej.