Në kuadër të investimeve në përmirësimin e përgjithshëm të infrastrukturës së lagjeve të Skenderajt, po vazhdojnë punimet në kubëzimin e rrugëve në Lagjen 2 dhe 3 të qytetit. Komuna e Skenderajt po investon në kubëzimin e rrugës “Bekim Berisha” në Lagjen 2, si dhe në rrjetin problematik të kanalizimit fekal në këtë rrugë të qytetit. Gjithashtu është duke u punuar intensivisht edhe në kubëzimin e një rruge tjetër në Lagjen 3, bashkë me intervenimet në rrjetin e kanalizimit fekal. Për të inspektuar punimet që po zhvillohen në këto dy projekte, Nënkryetari i Komunës së Skenderajt Fadil Nura ka qëndruar në të dy lagjet e Skenderajt. Ai me këtë rast ka kërkuar nga punëkryresit punë efikase në zgjidhjen e problemeve të banorëve, duke i siguruar ata se punimet do të përfundojnë shumë shpejt dhe do të zgjidhen përfundimisht problemet e tyre sa i përket rrugëve dhe kanalizimeve.
Komuna e Skenderajt po vazhdon me investime të rëndësishme në tërë territorin e saj me qëllim të përmirësimit dhe ndërtimit të infrastrukturës duke përfshirë rrugë të lagjeve, kanalizime dhe ujësjellës. Investimet janë duke u bërë si rezultat i kërkesave të banorëve të fshatrave dhe lagjeve të Skenderajt.