Policia e Kosovës me qëllim të shpërndarjes së protestuesve në sheshin “Nënë Tereza” në kryeqytet, ka hedhur shumë gaz lot-sjellës, për të mos lejuar eskalimin e dhunës nga grupe të protestuesve, të cilët kanë sulmuar objektin e Qeverisë. Policia ndërkohë ka vënë në veprim edhe autoblindat me qëllim për të shpërndarë grupet e protestuesve të cilët nuk po largohen nga qendra. Ndërkohë bëhet e ditur se me koktej molotovi janë sulmuar edhe autoblindat e Policisë. Grupe protestuesish të tubuar sot nga shumë vende të Kosovës, kanë filluar të largohen, por disa grupe të tjera militantësh po ballafaqohen me policinë.
Dy policë të njësiteve speciale që po përballen me protestuesit janë përfshirë nga flaka. Policia është vënë në aksion vetëm pasi protestuesit i kanë vënë flakën një këndi të objektit të Qeverisë së Kosovës. Policët kanë arritur të shuajnë zjarrin dhe të evitojnë lëndimet eventuale. Më pas janë arrestuar edhe disa aktivistë të cilët kanë gjuajtur me gurë dhe gjësende tjera të forta në drejtim të policisë. Nga përplasja e ashpër mes Policisë së Kosovës dhe protestuesve, kanë mbetur disa policë tjerë të lënduar. Përplasjet janë duke vazhduar ende në sheshin “Zahir Pajaziti”, pasi Policia u detyrua t’i shpërndajë ata protestues që filluan të hedhin koktej molotovi në drejtim të objektit të Qeverisë në sheshin “Skënderbeu”.