Mehmet Bislimi u lind me 24 mars 1958 në fshatin Prekaz i Epërm, në Drenicë. Shkollën fillore e ka mbaruar në vendlindje, kurse gjimnazin në Skenderaj. Në Universitetin e Prishtinës ka studiuar shkencat e natyrore. Në vitin 1981, për shkak të veprimtarisë atdhetare arrestohet dhe dënohet me burg. Pas daljes nga burgu më 1986, veprimtarinë kombëtare e ka vazhduar në gjirin e LPK-ës. Në vitin 1994, për t’i shpëtuar arrestimit, është strehuar në Zvicër, ku vepron dhe jeton me familjen e tij. Gjatë luftës çlirimtare në Kosovë ka kryer detyra më përgjegjësi. Me krijimtari letrare ka filluar të merret që herët. Shkrimet e para i ka botuar në gazetën”Bota e re”në Prishtinë, më vonë në revistën”Alternativa”, në Lubjanë dhe në disa numra të gazetës ”Rilindja”, që botohej në Zvicër. Disa vjet ka shkruar për organin e LPK-së “Zëri i Kosovës”që botohej në Zvicër dhe për të përkohshmen “Rruga jonë”- që dilte në Francë. Në “Zërin e Kosovës” dhe te “Rruga jonë” me vite është paraqitur në këndin e humorit me nofkat “Ngucakeqi” dhe “Gjembi”. Kohë pas kohe shkrimet e tij kanë gjetur vend edhe në gazetën “Epoka e re”, “Kosova sot”, “Gazeta Lajm” si dhe shkrime të shumta në dhjetëra faqe elektronike. Veprimtaria e tij letrare përfshin shkrime publicistike, anekdota, humor, satirë, poezi si dhe mendime autoriale të urta. Autori është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, anëtar i Krijuesve Shqiptarë në Zvicër si dhe anëtar i Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës.
Plakut (Xheladin Gashit)
vendosmërisht rrugëtoj
me këmbët e veta mbi tokën e lirisë
me vdekjen u mat sa herë
në kopshtin e atdheut mbolli
trëndafilat e kuq
për ty
për mua
për brezin e ri
për të nesërmen e lirë
që nuk do ta vrasin të merituarit
që nuk do të maten
të paburrat
me hijen e burrit
Plaku
gjurmët e tij la
kalldrëmeve të qytetit të vjetër
ku dikur kishte shkelur me këmbë
me peshën e tij
hequr rëndë
si as një gjurmë tjetër
gjurmë urtie
e plakut tonë
si ato kohë
edhe sot
i heshtur e pa zhurmë
më ballin lartë
më lartë se mali
një fjalë të ligë nuk e tha
dashuri atdheut
i fali
Plaku
para së të vepronte e fliste
mendohej mirë
nuk të vriste
as me të bëma
as me fjalë
as me besën e dhënë në mes të lëndinës
së lotëve të atdheut
vërshim lotësh i paparë
një shije e pështirë
mbi lëndinën e madhe
ku po matej burrëria në kandar
ku vallja jonë u përgjak
dje ishte po ai
dhe sot
i urti Plak
plaku i djeshëm më i ri se sot
si buka jonë e përditshme
që s’na ngopë
jo
me ju
me krenarinë tuaj
me admirimin për Dëshmorët e Kombit
nuk do të ngopemi kurrë
dje plak
sot i ri
nesër burrë
Mars 2013
Hyrje në pranverë
pranë dritares sy hapur
nga majë e pemës
u ngrit zogu në fluturim
me krahët e butë
borën e bardhë shkundi
pranvera po vjen
më në fund
edhe në qytetin tim
po
po vjen marsi i trëndafilave
afshi i ngrohtë tokën puthiti
një lirikë
për bisqet e pemës
po ndihet frymëmarrja e blerimit
ngrohtësi e stinës ripërtëritëse
stinë e lulëkuqeve
të marsit të parë
Prishtinë kujto me dashuri
kujto
stinën e trëndafilave të kuq lirie
Prishtinë ata ishin të rinj
si trëndafilat
që ranë në pranverën e vitit ’81
11 mars, 2013
Kohë e pakohë
në kohë dimri
bora që nuk po bie
banalitet anakronik
në kohë vere
shiu harron tokën e vet
ndëshkim modern
gjithë ky zhvillim shkencor
qiellin hallakatin me zbulimin e galaktikave të reja
shpresë e njerëzimit për të gjetur shpëtimin e premtuar
këtu e pesëqind milion vite më vonë
ushqehemi me të arriturat e shkencës
botë fantastike
që të sotmen vret me helm e barot
me peshën e atomit
me ngjyrën e gjakut
me kripën e lotit
skelete të shkapërderdhura gjithandej
mbi dhe mbetur
kjo botë moderne
të ardhmen premton
premtim i tretur
për ta zhvendosur vëmendjen jashtë galaktikës sonë
atje ku mund të arrijmë
pesëqind milion vite më vonë
ku njerëzia shpëtimin do gjejnë
kokën do ta mbështesin mbi yllin polarë
gjumin rehat do bëjnë
do bëjnë pallë
bora që nuk po ngrin në kohën e vet
moti i thatë që shi nuk po sjell
lulja me buzët e plasaritura
në vend të aromës
tym po nxjerr
uroj që më në fund të shfaqet zoti
më tha miku im
të na dëshmojë ekzistencën e tij
për faktin se si lejon
që injoranca të çmohet si mençuri
makutëria si virtyt
grabitja si zotësi
cubnia si trimëri
anarkia si rregull
tirania si rend
imoraliteti si normë
pabesia si shkathtësi
hipokrizia si çiltërsi
mes hamendjes së ekzistimit të tij
e paça gabim
amen
Janar, 2013
Kënga ime
(Taip Zekës)
me besimin e madh tek zoti dhe liria
ai
nuk u ankuan kurrë nga jeta e rëndë
jetën e çmonte
më shumë nga ne
mbi të gjitha e çmonte lirinë
të cilës iu përkushtua
përjetësisht
ai iku
mbase me të vetmen brengë
që nuk e arriti atë ditë
kur atdheu do të jetë më i mirë
më i bukur
më i çliruar
dhe
përfundimisht i bashkuar
aspirata e tij që nuk u përmbush
deri në përmbarimin e rrugës
që sot u sos
në heshtje të përhirtë
toka gjëmoi
Taipi me Kadriun sonte
gju me gju do bisedojnë
për ideal
vëllai me vëlla
për tokën e shtrenjtë
për tokën e shenjtë
për të papërgjegjshmit
që më përgjegjësi u ngarkuan
eh Shqipëri
kah po të shpien
Shqipëri
ku të shpuan
prehu i qetë Taip
nëse prehja të qetëson
sonte këngë ime
për ty zgjuar do rri
për të thënë fjalën e saj
fuqishëm
deri në kupën e qiellit
jo sonte gjumë nuk do të vë në sy
dua të dëshmoj
para robit e zotit
se kemi nga një copë këngë lirie
në gji
djegur përmallshëm
ndarë e shkapërderdhë
sonte do shkruaj vargje marshimi
me pendën e kanjushës së verdhë
nuk ishte dëshirë jona
rrethuar me emra njëjës
numra
më shumë se një
me shpresën nën dhëmbë
nuk u dhamë
nga një kafshore bukë
e hanin në këmbë
na përbuzën bukëshkalët
prapë
numra në ngritje
që atdheut kurrë
nuk i kanë hy në hak
ai nuk kërkoj asgjë nga ne
të vetmen fjalë që tha
luteni
mos më tjetërsoni
së tjetërsimi më fyen
të paktën
atje ku nuk jam
mos më kërkoni
mosni
7 shkurt, 2013
Legjendarit
kam pasur fatin
ta preku
ta shoh
ta njoh Komandantin
këtë burrë Shqiptarie
me shikimin lart
me zemër të madhe sa mali
ngrirë në bronz përjetësie
zemër trimi
zemër djali
pjesë e pandarë historie
atdheut kush më shumë i fali
dashuri
mustaqet varë deri në gushë
si lum për ty moj nënë Shqipëri
ndër yje
më i bukuri yll gjithësie
mbaje fort në gji birin tënd
kërthizë e atdheut lidhur nyje
si lum për ty Shqipëria nënë
më i bukuri bir i shqiptarisë
lis
më i larti ndër male
mustaqet varë deri në gushë
me syrin pishë
e gjoksin prush
Remzi Ademit
(Komandant Petrit Kodrës)
në pafundësinë e hapësirave shqiptare
shkëndija po i nxirrnin sytë
toka po digjej zjarr
ti në të parin fluturim
së bashku me shqipet e këtyre anëve
përqafove lartësitë
përjetësisht
flakadan lirie
tokës shqiptare po i bën dritë
mbi ty
mbi emrin tënd
mbi rrënjën tënde të lashtë
kurrë drita e krenaria mos u shoftë
përjetësisht rrënja e nderi t’u shtoftë
deri atje në majat e Pashtrikut
atje
ku është foleja e shqipeve
dhe streha e mikut
emri yt
Petrit
tokës sonë arbërore
përjetësisht
po i bën dritë
Luanit
me Shkëlzenin po rrugëtonin
nga moti në mot
kaltërsi qielli
rreze dielli
hapësirave shqiptare shpërndarë
për botën liridashëse
mbi Shkëlzen e mbi Sharr
lulëkuqe të këputura
Shkëlzeni, Hakifi, Edi, Zahiri, Muji, Adriani…
pas kushtrimit gjithë një zëri
Luan ishte
vetëm njëri
Vatër krenare
krenari e gjallë
gjaku im
Preshevë
Medvegjë
Bujanoc
Çamëri
Ulqin
atje ku këngës ia thotë shqiptari
atje ku kam jetuar unë
atje ku ka jetuar i pari
i rrënjës sonë të patretur
i rrënjës sonë të vjetër
nga Ulqini në Janinë
nga Medvegja në Prishtinë
veç shqiptarit nuk ka tjetër
në këto troje
më të vjetër
Gënjeva
ah
më duhet të të gënjej
se i lumtur jam
se me lumturinë ngrysem dhe agoj
më duhet të të gënjej se pa ty atdhe
jeta gjallëron njësoj
më duhet të të gënjej
dhe për këtë
peshë e pendimit mbi supe do më rëndojë
në fakt
të vërtetën ndryva
në gjoksin tim përgjithmonë
e nuk ta thashë dot
të vërtetën e madhe e di
vetëm shpirti im
dhe i madhi zot
Gjithmonë
gjithmonë do të kthehem tek ti
edhe pas vdekjes
toka brenda nuk do më lërë të qetë
nuk e di nëse unë ju mungoj
aq sa më mungoni ju mua
nuk e di nëse më doni
aq sa unë ju dua
nuk e di
peizazhe të atdheut
më çoni shpirtin peshë
më trazoni kaq shumë
unë shpirttrazuar
si hije
fundosur në humbëtirat e kohës
as zgjuar
as në gjumë
Pika loti
a thua kështu paska thënë zoti
të degdisur anembanë
pika gjaku
pika loti
na mbeti pa emër konaku
me peshën e vuajtjeve mbi shpinë
na mbeti shkret oxhaku
me zemër në plasje
Çamëri
Ulqin
Janinë
me lot e trishtim
dot nuk ju kthyem
pika loti
pika gjaku
na mbiu ferra te pragu
Çamëri
gjymtyrë e trupit tim
me plagët e ndarjes mbi shtat
që nga dëbimi i parë
dhembje e gjatë
pengu i shpirtit mbetur varë
Çamëri
mos vdeksha i ri
pa hequr vetë me dorën time
në arat tona
brazdën e parë
në tokën boshatisur
parmendë e vjetër
shenjë gjallërie e një kohe tjetër
zotin e madh e kemi dëshmitar
Çamëri
mos vdeksha i ri
pa ardhur tek ti
tek porta jonë e vjetër
tek të parët tanë
tek foleja jonë
nën atë çati
ah
Çamëri
pengu ynë i përjetshëm
plagë që djeg në gji
Nëntori
nga qielli
zbritën legjendat
lindën kuçedrat
zbardhi dita jonë
në palë të flamurit
erdhi djali
në nëntor u gëzua mali
për tokë e qiell
për Shqipëri
nëntor ka
vetëm një
Ndër shekuj
hallakatjet e erërave
rrugët tonë të madha
ndër shekuj
trazuan
të parët historinë bëmë
Millesh Kopiliqi
i pari
me dorën e vet
vrau ëndrrën e pushtuesve
sulltanin e mbuloi bari
tokë e mbushur me kocka
tokë shqiptari
kokën e vet
pushtuesit kanë ngrënë
këtu zot
vetë
shqiptarët janë
Dëshmitarë
( Na ishte njëherë )
dëshmitarë të kohës ishim
kur zagarë në pikë të ditës
mu në jakën e xhaketës
mbanin firmën e Titos…
atëbotë kolera kishte rënë në Kosovë
ndërgjegje në peshojë
para atdheut
më thuaj
sa t’hoqi kandari he burrë
a vdiq kush nga turpi
më thuaj
shpenzimet e varrimit
t’ia heq unë
unë
dëshmitari
Dy të marrë
u takuan dy të marrë
si të marrë që ishin
bënë shamatë në pazar
në pazarin e Prishtinës
lajmin shënuan gazetat
e bënë gjellë e sallatë
sonte kryeqytetasit
nuk do hanë darkën thatë
dy të marrë bënë shamatë
gurin në pus e kishin hedhë
do të duhet kohë e gjatë
gurin e të marrëve për ta nxjerrë
Bythë e kusisë
nuk ndenjen duarkryq intelektualët
sfidë serioze i bënë Serbisë
me vizionin filozofik të avancuar
rrahën me shkop bythën e kusisë
bythë e kusisë rënë nga ndryshku
lënë në mezhdë me një anë
ai shpiku strategji të re
të artit luftarak në Ballkan
rrethi i kusisë po krekoset
me bythën që boja po i del
eh sikur të realizohej kjo filozofi
do konkurronte çmimin Nobel
Telefoni
lajmi se
tiranin e vranë
më erdhi nga zëri andej telefoni
u gëzova më kot
gëzimi mu fik në çast
po tiraninë që mbolli ai
kush do ta vrasë
për sihariqin
kush do të më thërrasë
Lajm i vonuar
do shtypur të urryerit si kokrrën e grurit
më gurë të rëndë mulliri
që ta shpëtojmë dashurinë
të mblidhet Parlamenti pastaj
për të parë
kush mbolli urrejtje
Rënie
me duar të përgjakura
ju ngritën
në majat më të larta
kujdes nga rënia
më lart nuk ka
panë tmerrin ata
nga mundimi i ngritjes
me duar të këputura në bërryl
kujdes
bërrylin atyre mos ua tregoni
kujdes
Të gjithë
pranë oxhakut
hanim patate të ziera
me kripë
që moti
rreth oxhakut
ngroheshim të gjithë nga pak
nga gjyshi dëgjonim historira
dhe
shprushnim me mashë zjarrin në oxhak
pranë oxhakut tani
hanë gënjeshtra njerëzia
pa kripë
të paziera
nëpër këmbë me zorrë
dialogun vazhdojmë
s’para se u bëmë horë
në krahët e kotësisë dremitur
me shpresa të thyera drobitur
disa ende dëgjojnë përralla
disa marrëzira
disa shprushin me mashë zjarrin
disa shprushin ndyrësira
disa e bëjnë historinë
disa nuk marrin erë nga historia
disa i përjetëson
disa i mallkon përjetësisht
historia
Bojën kursejmë
kur isha i ri më kujtohet
delet i bënim me bojë
që të dallohej e jona
tani nuk i bëjmë me bojë
nga zëri i njohim
bojën kursejmë
se boja iu doli
një jetë të tërë vetëm pallën
një fjalë me peshë
nuk e folën
atje ku kishin aderuar
kot hynë
dhe dolën prej loje
dolën boje
Klasë e dështuar
mirë
ta zëmë se ata do të përmirësohen
dhe
injoranca do të zhduket ngadalë
po bota
me se do merret më pastaj
politika ditore si do t’ia dalë
Shprehi
me një vendim të pashkruar
i vranë ata
të zot e votës së lirë
tallja me votën e lirë
kaloi në shprehi
deri në përçudnim
secili- secilit gishtin ia drejton
ti je hajni
e hajnin dot s’e zënë
sot
kur ligjin kanë tredhur
barrës kush s’mbeti
votë e vrarë e popullit
apo
populli i votës së vrarë
hedhur në kuti
rutinë e kotë
paturpësisht
kaloi në shprehi
Djallëzi e mbarë
mbaja kokën fort
ka zjarrmi dhe vrer
të përziera në stomak
mbase ka ardhur koha
t’i nxjerrë
t’i nxjerrë të palarat
nga para e nga pas
mbaje fort
Robërit
kanë përvetësuar rolin
e të qenit rob
kanë bërë përvojë
ata
nuk janë më amatorë
Mitrovicë
mat e ç’mat
ndaj e bashko
ajo aty mbeti
mbi Ibrin e lashtë
as e ndanë
as e bashkuan
mbase dikujt po ia shalojmë
pse nuk mbytemi të gjithë në lumë
përderisa Ibrin dot se kalojmë.