leoni

Poezia e Milazim Kadriut, poezi e luftëtarit të lirisë, paralajmërues i fitores dhe i mbijetesës

Poezia e Milazim Kadriut, poezi e luftëtarit të lirisë, paralajmërues i fitores dhe i mbijetesës

Luftëtari i lirisë, veprimtari, mësimdhënësi dhe poeti, Milazim Kadriu, ka nxjerrë në dritë përmbledhjen poetike: “Ata që për liri u flijuan”.

Milazim Kadriu i takon brezit të krijuesve të pas luftës në Kosovë, të cilët kanë  sjellë në krijimtari jehonën e frymën atdhetare, qëndrestare e mobilizuese të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në radhë të parë duke hartuar me shumë përkushtim poezi për dëshmorët e martirët, por  duke trajtuar  edhe tema të tjera, nga observimi i  tyre letrar e artistik.

Poeti, në perceptimin e tij të realitetit të kohës për të cilën ka thurë poezi, ka ri-sjellë në kujtesë çastet më të paharrueshme të jetës, sidomos jetën në mesin e luftëtarëve të lirisë, shokëve të idealit, të cilët kishin sakrifikuar gjithçka, për çlirimin e vendit nga barbaria, nga një regjim vrastar që pretendonte ta zhdukte një komb të tërë, duke e dëbuar nga atdheu i tij historik, me qëllim shfrytëzimi dhe rrëmbimit të tokës së tyre, të atdheut të tyre, ku shqiptarët kanë jetuar nëpër shekuj.

Duke filluar përmbledhjen poetike  me rënien heroike të komandantit, Zahir Pajaziti dhe bashkëluftëtarëve të tij, Edmond Hoxha e Hakif Zejnullahu, për të vazhduar pastaj me poezi kushtuar dëshmorëve dhe luftës së lavdishme të UÇK-së, duke u ndalur në “Kullën e Jasharëve” të Prekazit legjendar, tashmë vend-pelegrinazh i gjithë  shqiptarëve, dhe duke fiksuar motivin e oxhakëve që qëndronin dhe nxirrnin tym,  edhe pse shtëpitë ishin rrënuar, poeti ka  spikatur luftën, rezistencën dhe mbijetesën e një populli, i cili kishte përballuar me sukses një luftë krejt të pabarabartë nga armatimi dhe teknika luftarake e dy forcave ndërluftuese,  por  me epërsi morale të çlirimtarëve, të cilët  kurorëzuan me sukses  luftën vendimtare  me fitore historike, “Shtëpitë u rrënuan, oxhaqet mbeten, tymi ngrihet lart, xhelatët u treten… ky është realiteti faktik i kumtuar në mënyrë artistike dhe i ndërthurur me filozofinë e jetës, të asaj jete “që vetë i gjen shtigjet nga duhet të kalojë”, sikur thoshte, Bacë Adem Demaçi.

Në pjesën e dytë të kësaj përmbledhjeje poetike, e cila titullohet, “Me rrezet e diellit në përqafim”, autori, Milazim Kadriu ka thurë motive me preokupime të tjera nga jeta, motive meditimi, “për ëndrrën e bukur të natës, të cilën ia djeg dielli në agim, për fjalën e shkruar në letër që ia lag  shiu, për hapin e hedhur në tokë, që ia ndalon balta”. E koha bën tutje, ndërsa jeta shtrihet shtigjeve nëpër terr e furtunë, me shpresë se një ditë do t’ i shohim rrezet e diellit, një ditë do të takohemi me vetveten dhe do të shikohemi në pasqyrë, për të parë e për t’u bindur se cilët kemi qenë.

Poeti, Milazim Kadriu, ka arritur që në poezinë e tij ta konkretizojë meditimin, duke shkëputur nga jeta çaste të përjetimeve të ndryshme, madje edhe me një dozë pesimizmi, por jo deri atje ku do të lëndohej jeta. Ai ka arritur të mos e rëndojë rrëfimin me fjalë shumë e me pak kuptim, por ka bërë përpjekje, madje ka arritur edhe  sukses, që përmes pak fjalëve të lidhura e ndërlidhura si duhet të shpreh botën e tij të meditimit të pasur dhe të pastër artistik.

Ahmet Qeriqi

Maj 2019

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI; Dje ishte dita e dytë e  Panairit të 27-të të Librit “Tirana 2024”, suksese dhe mangësi

Albert Z. ZHOLI; Dje ishte dita e dytë e  Panairit të 27-të të Librit “Tirana 2024”, suksese dhe mangësi

Dje ishte dita e dytë e  Panairit të 27-të të Librit “Tirana 2024”, suksese dhe mangësi – Në …