Në një kumtesë të Qendrës së Vetëvendosjes në Deçan thuhet se në sallën e Asamblesë së Kuvendit Komunal të Deçanit, ku po mbahej një takim në mes të përfaqësueseve të ndryshëm vendorë e të huaj, në kuadër të vizitës “Vizito, shko dhe shiqo” janë pritur edhe një pjesë nga komuniteti serb. Në takimin ku po merrnin pjesë edhe përfaqësuesit nga OSBE-ja, UNMIK-u, UNHCR-ja, Policia e Kosovës, si dhe zyrtarë komunalë nga komuna e Deçanit, zyrtari i komunës z. Asim Cenaj si përfaqësues i familjeve të cilat kanë familjarë të zhdukur nga lufta e fundit të Kosovë, ka ngritur brengën e tij për fatin e të pagjeturve dhe mungesën e angazhimit politik e institucional në lidhje me këtë çështje. “Unë që 18 vite jam në ankth sepse nuk e di ku i kam eshtrat e babait tim po ashtu edhe familjaret e 84 personave të zhdukur nga Komuna e Deçanit, janë ne ankth sepse nuk din për fatin e familjarëve të tyre’’, ishin fjalët e thëna nga z. Cenaj në këtë takim, por që më pas arrestohet, siç thuhet nga Policia, për “nxitje të urrejtjes racore, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik” dhe me vendim të prokurorit kompetent dërgohet në mbajtje për 48 orë….
Lëvizja VETËVENDOSJE! është jashtëzakonisht e shqetësuar me një veprim të këtillë të organeve të rendit, ku shqetësimi për një ndër plagët më të mëdha të shoqërisë sonë cilësohet si nxitje e urretjes ndëretnike, dhe për një gjë të tillë arrestohen qytetarë që kanë humbur më të dashurit te tyre. Që nga paslufta jemi dëshmitarë të mosveprimit institucional në lidhje me këtë çështje. Pushtetet me rradhë kanë qenë pjesëmarrëse në raunde të tëra negociatash me Serbinë, e cila përveçse nuk është kushtëzuar me çështjen e të pagjeturve shqiptarë dhe kthimin e eshtrave të tyre paraprakisht, as nuk është përballur me këtë temë në tavolinën e dialogut. Kosova në vazhdimësi ka treguar gatishmëri për koncesione të dëmshme, duke rrezikuar sovranitetin dhe integritetin territorial, teksa Serbia përveç që nuk ka dhënë kurrfarë përgjegjësie për të pagjeturit dhe asnjë dëm të luftë, vazhdon të mbajë gjallë apetitet e saj shoviniste ndaj Republikës sonë. Veprime të tilla të padrejta sikurse ky ndaj zyrtarit të komunës së Deçanit, z. Asim Cenaj, janë të patolerueshme dhe nuk guxojnë të përseriten. Qytetarët e Kosovës, në veçanti kur flasim për çështjen e të pagjeturve, duhet të inkurajohen që të ngrisin zërin sa më shumë, deri në kthimin e eshtrave të të gjithë të pagjeturve në Kosovë. Lëvizja VETËVENDOSJE! do të jetë gjithmonë në mbështetje të familjeve të tyre, dhe në vazhdimësi do të angazhohet që çështja e të pagjeturve të zgjidhet dhe kjo të mos mbetet plagë e hapur për shoqërinë tonë.