Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Kolonel Gazmend Hoxha, u prit në Tiranë nga Drejtori i Policisë së Shtetit të Shqipërisë, Ilir Proda. Gjatë takimit, u diskutua për forcimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e eksperiencave mes dy institucioneve, me fokus në organizimin e aksioneve të përbashkëta për parandalimin e trafiqeve dhe rritjen e sigurisë publike. Dy drejtuesit u dakorduan për një bashkëpunim tërësor dhe pa barriera, i cili do të intensifikohet gjatë sezonit veror 2025. Një ndër pikat kryesore të marrëveshjes është shtimi i skuadrave të përbashkëta hetimore dhe organizimi i operacioneve policore për të luftuar trafikun e armëve, lëndëve narkotike dhe qenieve njerëzore. Pas takimit, delegacioni i Policisë së Kosovës vizitoi ambientet e Njësisë Speciale “RENEA” dhe Forcës Kombëtare të Sigurisë në Tiranë. Gjatë vizitës, ata u njohën nga afër me organizimin, përvojën dhe metodologjitë e përdorura në operacionet e kërkim-shpëtimit, menaxhimin e situatave emergjente dhe luftën kundër terrorizmit.
