Pavarësisht se Qeveria e Kosovës njoftoi se, përmes Ligjit të ri për pagat në sektorin publik, rriti pagat e zyrtarëve policorë, nga Policia e Kosovës thonë se, me ligjin e ri, për disa pjesëtarë madje parashihet edhe ulja e pagave. Më 1 shkurt, Qeveria njoftoi se vlera e koeficientit të pagave do të jetë 105 euro. Me Ligjin e ri për pagat, niveli i koeficienteve është nga 2 deri në 18. Presidentes së shtetit i është caktuar koeficienti më i lartë, sipas të cilit ajo do të ketë pagën më të madhe. Rreth 83 mijë punonjës të sektorit publik marrin pagë nga buxheti i shtetit. Me koeficientët e rinj, Qeveria ka thënë se synon të krijojë barazi në mesin e shërbyesve publikë. Vlera e koeficientit të pagave për vitin 2023 do të jetë 105 euro. Policia e Kosovës numëron një staf prej afër 10 mijë personash. Koeficientin më të lartë e ka drejtori i Përgjithshëm kurse më të ulëtin e kanë kadetët policorë. Drejtuesi i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, thotë për Radion Evropa e Lirë se me koeficientët e rinj, Qeveria ka bërë rritje minimale të pagës bazë, prej 20 deri në 60 euro, për disa kategori brenda Policisë. Por, në anën tjetër, thotë se janë ulur shumë paga.