Edhe pse Marrëveshja për demarkacionin e Kosovës me Malin e Zi ende është në proces për ratifikim apo mos ratifikimin, në Kuvend, Policia e Malit të Zi, njëanshëm ka intervenuar në pikat kufitare, për të cilat konsideron se i takojnë sipas marrëveshjes ende të panënshkruar mes dy shteteve. Dy ditë më parë ata nuk lejuan banorët vendorë shqiptarë të kësaj ane, që të depërtojnë në pronat e tyre. Njëhësit e problemeve kufitare saktësojnë se kufijtë e vjetër ende janë në fuqi, meqë demarkacioni është në proces dhe ende nuk është nënshkruar nga dy shtetet fqinje, por Mali i Zi ka vepruar duke përdorur forcën dhe duke mos i lejuar banorët e fshatrave Llukë e Epërme, Strellc i Epërm dhe i Poshtëm, Isniq, Loxhë, Raushiq të shkojnë në pronat e tyre, në bjeshkën e Zhlepit e të Kullës.
