Policia e Kosovës ka bërë të ditur për mediet se kanë marrë njoftim nga Policia e Shqipërisë për ndalimin e të dyshuarit, Sadri Ramabaja. Mund të konfirmojmë se personi me inicialet S. R. shtetas i Republikës së Kosovës, është ndaluar mbrëmë nga autoritetet e Shqipërisë në pikën kufitare dalëse të Durrësit. Këto informacione Policia e Kosovës i ka siguruar nga autoritet e Shqipërisë, me të cilët është në kontakt për procedura të mëtutjeshme lidhur me rastin, thuhet në një njoftim për mediet. Ditë më parë avokati dhe ish lideri komunist i Kosovës në kohën e regjimit të Titos, Azem Vllasi ka njoftuar opinionin se tre anëtarë të Vetëvendosjes janë të dyshuar se qëndrojnë prapa atentatit kundër tij, më 13 mars të këtij viti.
