Policia ka arrestuar mbi 90 aktivistë të Vetëvendosjes, në mesin e tyre edhe Albin Kurtin

Lëvizja Vetëvendosje përmes një njoftimi ka bërë të ditur se Policia speciale e Kosovës ka arrestuar mbi 90 aktivistë. Disa prej tyre janë të lënduar rëndë nga dhuna brutale policore. Dënojmë arrestimin e tyre të padrejtë dhe kërkojmë lirimin e tyre të menjëhershëm”, thuhet në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje.


 


29. 11. 2015     18.00 dhe 21.00


 


Një shpërthim i fuqishëm që dyshohet të jetë granat dore ka ndodhur rreth orës 14:00 te “Tre Rokaqiet”, në veri të Mitrovicës, ku si pasojë një shqiptar është lënduar dhe 8 automjete tjera janë dëmtuar, bëjnë të ditur burime të KosovaPress-it. Sipas këtyre burimeve, autorë të këtij sulmi janë: Millan Radoiqiq dhe Svetisllav Neshiç, i cili është “pronari”, i gjithë tenderëve në veri. Tenderin për fasadimin e këtyre tre Rokaqieve e ka marr një kompani, pronar i së cilës është një shqiptar nga jugu i Mitrovicës dhe jo kompania tjetër nga veriu Sever 028 me pronar Radeta Steviç, dhe në shenjë revolte për këtë dikush ka urdhëruar hedhjen e kësaj bombe atje”, ka thënë ky burim. Kosovapress ka tentuar të kontaktojë krerët e veriut por një gjë e tillë ka qenë e pamundur.


 


 


Ambasadat e Francës, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA-së, janë shprehur të kënaqur që demonstratat e 28 Nëntorit  ishin paqësore dhe me këtë rast t’i përgëzojmë të gjithë,  sidomos përfshirjen e Policisë së Kosovës. Ne besojmë në fuqinë e dialogut si mjet për të zgjidhur mosmarrëveshjet politike dhe inkurajojmë të gjitha palët t’i shfrytëzojnë mundësitë e ndryshme për dialog, duke përfshirë këtu edhe brenda Kuvendit”, thuhet në reagimin e Ambasadave të huaja në Kosovë. “Jemi të përkushtuar në fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë. Ne besojmë që asnjëri nuk është mbi ligjin. Ne presim dhe kërkojmë që të gjitha procedurat të përcillen me përpikëri duke i shërbyer transparencës, e sidomos në rastet e ndjeshme politike dhe ne do të vazhdojmë të përcjellim nga afër rastet ku përfshihen anëtarët e Kuvendit. Ashtu siç është rasti në shtetet tona, presim që në demokracinë e barabartë për të gjithë edhe përfaqësuesit politik t’i nënshtrohen ligjit pa marrë parasysh cilës parti ata i takojnë”, përfundon reagimi i përbashkët i ambasadave të Francës, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA-së.


 


 


Sekretari i përgjithshëm i Nismës për Kosovës, Bilall Sherifi ka deklaruar se pozita është e verbuar nga pushteti. Duke i’u kundërpërgjigjur  deklaratës së Qeverisë  se opozita nuk e ka përkrahjen e popullit, Sherifi ka thënë se për ekzekutivin ata dhjetëra mijëra pjesëmarrës në manifestimin e djeshëm nuk janë pjesë e këtij populli. “Pas manifestimit paqësor për republikën, e cila u organizua dje më 28.11.2015 nga opozita e bashkuar kundër dy marrëveshjeve të dëmshme për vendin dhe sulmit brutal mbi selinë e Lëvizjes Vetëvendosje!, me pretekst të arrestimit të deputetit Albin Kurti, u lajmëruan urdhërdhënësit duke thënë se opozita nuk e gëzon përkrahjen e popullit. Shihet qartë se pushteti i ka verbuar në atë masë, saqë për ta, ata dhjetëra mijëra pjesëmarrës në manifestimin e djeshëm nuk janë pjesë e këtij populli, ka shkruar Bilall Sherifi në një postim për medie.


 


Sherifi, ka thënë se në histori ka mjaft raste kur popujt kanë përjashtuar qeveritë e tyre, por sipas tij nuk dihet ndonjë rast kur një qeveri, sado e fuqishme të ketë qenë, të ketë arritur të përjashtojë një popull të tërë.


Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, në një konferencë për media të thirrur pas ngjarjeve të djeshme kur Policia arrestoi Albin Kurtin, ka thënë se manifestimi i djeshëm ishte madhështor ku morën pjesë mbi 35 mijë qytetarë. “Ai manifestim e frikësoi pushtetin. Marrëveshjet kriminale me Serbi e me Mal të Zi, dje e panë fundin e tyre dhe pushteti e përdori policinë. Pushteti tregoi që është jo vetëm shtet policor, por pushtet policor. Veprimet te zyrat e Vetëvendosjes kanë simbole të shtetit autoritar që po shkon në diktaturë. Asnjë dokument nuk kanë pasur policia për bastisje”, ka thënë mes tjerash Ymeri, raporton Koha.net. “Kur qeveria bëhet Polici, atëherë nuk mund të jetë e popullit sepse ajo po e dhunon popullin”, shtoi më tej kreu i VV-së.


 


Edhe sivjet, siç është kthyer në traditë prej disa vitesh, politika në Shqipëri ka festuar e ndarë dy festat më të rëndësishme të kombit. Një ditë më parë, Dita e Pavarësisë u përkujtua me aktivitete në kryeqytet dhe në disa qytete të vendit. Kryeministri Edi Rama zgjodhi Vlorën, si kryeqyteti i Pavarësisë, për të festuar 103-vjetorin e shpalljes së Shqipërisë shtet i pavarur. Ndërsa opozita kujtoi në të njëjtën ditë ngritjen e flamurit dhe çlirimin e vendit. Kryetari i PD-së, Lulzim Basha dhe ish-kryetari Sali Berisha bënë homazhe në Varrezat e Dëshmorëve dhe pranë monumenteve të Adem Jasharit e Azem Hajdarit. Ndërsa sot, në ditën e 71-vjetorit të Çlirimit të vendit nga pushtuesit nazi-fashistë, kryeministri Rama, presidenti Nishani, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj dhe përfaqësues të tjerë të shumicës kanë marrë pjesë në një ceremoni të organizuar tek “Varrezat e Dëshmorëve” në Tiranë. 


 


Pas ceremonisë, Luan Rama u shpreh se nderimi për dëshmorët e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare në thelb është nderim për të gjithë ata djem dhe vajza që sakrifikuan jetën për çlirimin e atdheut. Është edhe detyrimi i brezave, është mirënjohja jonë ndaj sakrificës së tyre, por nga ana tjetër është ndërkaq edhe betimi ynë për të pasur gjithmonë ëndrrën e tyre, sakrificën e tyre shembullin e tyre busull orientimi për të bërë më të mirën për Shqipërinë antifashiste, për Shqipërinë evropiane”, – tha Rama. I pyetur se si e shikon faktin që politika shqiptare vazhdon të jetë e përçarë në këtë ditë, ai tha se kjo është shenja më tipike e pafytyrësisë politike dhe e sjelljes hipokrite që në ngjarje të tilla natyrisht nuk bëjnë asgjë tjetër, por nxjerrin lakuriq në sytë e popullit dhe në sytë e opinionit publik ata që vijnë këtu dhe e bëjnë homazhin për hipokrizi.


 


Deputeti i Vetëvendosjes, Albin Kurti, po mbahet në Burgun e Sigurisë së Lartë, në Dyz. Dje me urdhër nga “pushteti” dhe Prokuroria, Gjykata Themelore në Prishtinë, pasi ishte arrestuar nga policia, Albin Kurtit  ia ka caktuar masën me paraburgim prej 30 ditësh. Kolona e automjeteve policore, me alarme e virulencë pushtetare  e ka shoqëruar Albin Kurtin drejt burgut më të ri dhe më të sofistikuar në vendin tonë. Albin Kurti kërkohet t i japë llogari pushtetit për tri vepra penale: shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, armëmbajtje pa leje (!) dhe pengim i personit në kryerjen e detyrës zyrtare.


 


Qendra e Kosovës  për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës në një komunikatë publik ka pohuar se gjatë intervenimit të policisë kundër Vetëvendosjes ka pasur edhe policë civilë të armatosur.


Rrjedha e ngjarjes sipas QKRMT-së ka konstatuar se fillimisht, pjesëtarët e Njësisë Speciale pasi kishin thyer derën e hyrjes së objektit të “Vetëvendosje”, kishin hyrë në ambientet e brendshme duke mbajtur automatik me tyta të drejtuara kah aktivistët e shumtë që ndodheshin në ato momente në objektin e “Vetëvendosjes”, pa ndonjë paralajmërim kishin hedhur sprej dëmtues ndaj tyre për t’i neutralizuar dhe më pas u janë vërsulur atyre duke i goditur me shqelma, grushte e tyta të automatikëve, në disa raste edhe ndaj atyre që ishin të shtrirë, thuhet në një publikim të kësa Qendre.


 


Pas arrestimeve dhe dhunës brutale të ushtruar kundër aktivistëve të Vetëvendosjes nga policia e Kosovës më 28 Nëntor ka reaguar edhe akademiku, Rexhep Qosja. Ai veprimet e policisë i ka krahasuar me ato të regjimit të Millosheviçit. “Mënyrat e dhunës dhe terrorit të Sllobës nuk kanë vdekur: ato, ja, po përsëriten në Kosovë! Po i përsërisin ata që i kanë shërbyer regjimit të Millosheviqit, e fati i zi i Kosovës ka bërë që sot ata të sundojnë në Kosovë. Albin Kurti duhet të krenohet pamatshëm për fatin e tij të sotëm, për ballin lartë e kurrizin drejtë. Donika Kada Bujupi duhet të krenohet për fatin e saj të sotëm. Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli duhet të krenohen me fatin e tyre të sotëm. Qeveria e Kosovës, pushteti i Kosovës, duke e bërë fatin e këtyre dy djemve dhe të këtyre dy grave të tillë çfarë e bëri sot – të lavdishëm po tregohet pushtet i dhunës dhe i terrorit ndaj atyre që ia duan të mirën më të madhe Kosovës. Ky pushtet s’ka ardhmëri” ka shkruar mës tjerash profesor Rexhep Qosja.


 


Në një postim të tij lidhur me ndërhyrjet brutale të Policisë së Kosovës kundër aktivistëve të opozitës, ish-kryekuvendari, Jakup Krasniqi shprehet se “nuk ka asnjë dyshim, se ana më e dhimbshme e asaj që e pamë dje në orët e pasdite në Prishtinë, më 28 Nëntor, është mesazhi më i keq që u shkon gjeneratave të ardhshme: “Se nuk ia vlen të kesh ideal të luftosh për liri e Republikën”, se “Republikën e lirë” do ta qeverisin bijtë e “Enver Maxhunëve” te komanduar nga Ali Shukritë e Rrahman Morinët e kohës, të cilët kërkojnë që qytetarëve, të cilët guxojnë të kundërshtojnë t’ju ndalet buka e t’ju futet në palcë frika për bukën, nëse doni ta siguroni sundimin Tiranik me çdo kusht?! Kjo frikë i ka bërë të heshtin shumë njerëz që dikur nuk kanë hezituar t’ia vejnë përpara gjokset Perandorisë se Titos e te Millosheviqit, po ata, sot para tiranisë se Isa-Hashimit të heshtin, bile ndonjëri edhe te të shikon vëngër, pse po ua prish rehatin?! Madje edhe alamet komandantësh të quajtur e të vetëquajtur të UÇK-së, i kanë shti veshët në lesh?!Ndoshta ketë po e bëjnë për “Atdhe”?! Po për cilin atdhe? Kjo, ndoshta është ana më e dhimbshme e kësaj që po ndodh në mesin tonë, ka shkruar mes tjerash, Jakup Krasniqi.


 


Nga bota


 


Forcat ushtarake  ruse gjatë bombardimeve në Siri kanë vrarë së paku 60 civilë dhe kanë plagosur dhjetëra të tjerë. Vëzhguesi Sirian i të Drejtave të Njeriut, grup që monitoron luftën në Siri, ka thënë se sulmet kanë goditur qytetin Ariha, ku nuk ka fare luftëtarë të ISIS-it.  Burimet e lajmeve  thonë  se sulmet ajrore janë kryer nga avionët rusë dhe kanë lënë të vdekur mbi 60 civilë sirianë  ndërsa janë plagosur më shumë se 70 të tjerë. Rusia ka nisur sulmet ajrore në Siri dy muaj më parë, në mështetje të forcave të kryetariri, pro rus Bashar al-Assad. Lufta në Siri, që ka nisur në vitin 2011, ka shkaktuar rreth 400.000 të vrarë dhe miliona të zhvendosur.


 


Në vende të ndryshme të botës ka pasur sot protesta kundër ndryshimeve klimatike. Shumë shtete të Paqësorit druajnë se ato mund të zhduken nga valët, për shkak të rritjes së nivelit të detit nga rritja e temperaturave globale. Në Sidnej të Australisë, shumë njerëz janë tubuar me pankartat “Nuk ka plan B”. Nesër në Paris, nis një konferencë e madhe për klimën, e cila organizohet nga Kombet e Bashkuara. Rreth 140 udhëheqës të botës kanë nisur të mblidhen tashmë në kryeqytetin e Francës. Konferenca do të zgjasë deri më 11 dhjetor. Autoritetet franceze kanë ndërmarrë masa të rrepta të sigurisë nga frika e sulmeve terroriste. Më 13 nëntor, militantët islamikë kanë vrarë 130 persona në Paris. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, është në mesin e liderëve pjesëmarrës në konferencë.


 


Kontrolloni gjithashtu

Hykmete Bajrami kërkon reagim të drejtësisë ndaj bllokimit të punimeve publike në sheshin “Xhorxh Bush”

Deputetja e LDK, Hykmete Bajrami, ka kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të institucioneve të drejtësisë ndaj, …