Me faktin se organizuan tubim të paligjshëm, kundërshtuan policinë, prishën rendin dhe qetësinë publike, si dhe shkatërruan pronën, policia i kërkon Prokurorisë së Përgjithshme që të nisë hetimet për 9 deputetë të Partisë Demokratike. Të nëntë deputetët e kallëzuar (Edi Paloka, Ridvan Bode, Asllan dogjani, Gert Bogdani, Albana Vokshi, Genc Pollo, Arben Ristani, Flamur Noka dhe Gent Strazimiri) ndodheshin në protestën e një dite më parë te Parku i Liqenit dhe sipas policisë, bashkë me protestuesit çanë kordonin e forcave të rendit me veprime të dhunshme, duke lënduar 3 policë bashkiakë. Kallëzimi arsyetohet me pamjet filmike, dëshmi dhe raportet e shërbimit. Ndaj deputetëve Noka dhe Strazimiri policia ka ngritur edhe dy akuza të tjera. Për Nokën i kërkohet Prokurorisë së Përgjithshme që ta hetojë edhe për goditje të një efektivi. Kurse sa i takon Strazimirit kërkohet që ai të hetohet edhe për prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve. Sipas kallëzimit, deputeti Strazimiri gjatë protestës, krahas veprimeve ndaj policisë, i dallohej në brez një pistoletë.
Zoti Strazimiri, thuhet më tej, ka qenë i pajisur me këtë armë prej marsit 2009, kohë kur mbante poztin e zv.ministrit të Brendshëm. Por ndërsa me ndryshimet e ligjit deputeti duhet ta dorëzonte armën, ai, vijon kallëzimi, nuk ka kryer asnjë veprim edhe pse është njoftuar nga komisariati numër 3 i kryeqytetit. Por për mazhorancën socialiste, ndjekja penale për deputetin Strazimiri nuk është e mjaftueshme. Taulant Balla e cilësoi këtë një test për Partinë Demokratike. “Kërkojmë që Gent Strazimiri të ndiqet penalisht. Kujtojmë që vepra penale e kryer prej tij është e përfshirë edhe në ligjin e dekriminalizimit”, tha Balla.
(Top Channel)