Policia prishi manifestimin e 28 Nëntorit dhe ndërhyri brutalisht kundër Vetëvendosjes

Pavarësisht se Policia e Kosovës pak më parë kishte deklaruar se nuk e kishte arrestuar Albin Kurtin me qëllim të mos eskalimit të situatës, Lëvizja Vetëvendosje, ka njoftuar se Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës kanë rrethuar zyrat e Lëvizjes. Policia është vënë në kërkim të deputetëve të Vetëvendosjes ndaj të cilëve janë lëshuar fletë arreste për veprimet e tyre në Kuvendin e Kosovës. Albin Kurti, një ndër deputetët e Vetëvendosjes ndaj të cilit është lëshuar arrest, ndodhet brenda selisë së Lëvizjes Vetëvendosje. Ndërkohë bëhet e ditur se “Specialcat” e Kosovës kanë arrestuar deputetin Albin Kurti, duke çuar në vend vendimin e Qeverisë dhe kërkesat e kryeministrit Mustafa.  Arrestimi Kurtit në ditën e 28 Nëntorit i vë turp urdhërdhënësve dhe policisë, e cila po përkrah verbërisht koalicionin qeveritar, Mustafa-Thaçi.


 


29. 11. 2015   ora 14.00


 


Sot para dite, në Tiranë u mbajt ceremonia përkujtimore në “Varrezat e Dëshmorëve” në nderim dhe respekt  të 71-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë nga forcat pushtuese fashiste gjermane dhe  italiane. Në këtë ceremoni ishte i pranishëm: kryetari i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, kryeministri, Edi Rama, i shoqëruar nga zv.kryetarja e Parlamentit, Valentina Leskaj, dhe anëtarë të tjerë të kabinetit qeveritar. Në homazhet te “Varrezat e Dëshmorëve” vendosi kurorë me lule dhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.  Në ceremoni ishin të pranishëm edhe veteranë të luftës.


 


Deputeti i Vetëvendosjes, Albin Kurti, po mbahet në Burgun e Sigurisë së Lartë, në Dyz. Dje me urdhër nga “pushteti” dhe Prokuroria, Gjykata Themelore në Prishtinë, pasi ishte arrestuar nga policia, Albin Kurtit  ia ka caktuar masën me paraburgim prej 30 ditësh. Kolona e automjeteve policore, me alreme e virulencë pushtetare  e ka shoqëruar Albin Kurtin drejt burgut më të ri dhe më të sofistikuar në vendin tonë. Albin Kurti kërkohet t i japë llogari pushtetit për tri vepra penale: shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, armëmbajtje pa leje (!) dhe pengim i personit në kryerjen e detyrës zyrtare.


 


Me rastin e ndërhyrjes brutale, mbrëmë në zyrat e Vetëvendosjes, Policia Speciale e Kosovës në mesin e afër 100 aktivitëve të kësaj Lëvizjeje ka  arrestuar dhe ka rrahur mizorisht ish veprimtarin e njohur të çështjes kombëtare, Gani Grasniqi, ish i burgosur politik, komandat i UÇK-së në Malishevë gjatë luftës,  dhe babai i dëshmorit, Labinot Krasniqi. Brutaliteti i ndërhyrjes policore, Gani Krasniqit i përkujton arrestimet, dhunën e shfrenura në demontratat e  vitit 1981 nga milicia e RSFJ-së kur ai u arrestua dhe u dënur 15 vjet burg. Dje policia ka rrahur brutalisht edhe ish Avokatin e Popullit, Sami Kurteshi, veprimtar dhe ish i burgosur politik i viteve ’80.


 


Deputeti i Vetëvendosjes, Faton Topalli, i cili është në mesin e atyre që po kërkohen nga policia për tu arrestuar, në një postim të tij drejtuar kryeministrit, Isa Mustafa shkruan: Profesor, Akademik, Dr. Isa Mustafa, premtove vende të reja pune, mirëqenie qytetare dhe zhvillim ekonomik. Mbrëmë tregove cili është programi yt i vërtetë qeverisës, kujt i shërben dhe për çka angazhohesh. Duke burgosur Albin Kurtin dhe Donika Kadën-Bujupin, për shkak të angazhimit të tyre kundër kthimit të Serbisë në Kosovë, tregove se sa frikacak je, sa i pa zot, sa i ligë. Perspektiva jote për Kosovën është perspektivë e dhunës. Plani yt për të dhunuar protestuesit paqësorë me 28 Nëntor, kundër politikës tënde dështoi sepse ata nuk të dhanë as më të voglin shkas. Mbrëmë nuk përdore gazin lotsjellës, meqë  ke avancuar programin qeverisës nga përdorimi i gazit helmues në përdorimin e pushkëve të gjata. Ti je i gatshëm ‘ti përdorësh edhe ato kundër atyre që ta prishin planin për Serbinë. Mbrëmë e shfaqe paturpësisht gatishmërinë tënde për dhunë, për gjakderdhje, ka shkruar deputeti, Topalli.


 


Qendra e Kosovës  për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës në një komunikatë publik ka pohuar se gjatë intervenimit të policisë kundër Vetëvendosjes ka pasur edhe policë civilë të armatosur.


Rrjedha e ngjarjes sipas QKRMT-së ka konstatuar se fillimisht, pjesëtarët e Njësisë Speciale pasi kishin thyer derën e hyrjes së objektit të “Vetëvendosje”, kishin hyrë në ambientet e brendshme duke mbajtur automatik me tyta të drejtuara kah aktivistët e shumtë që ndodheshin në ato momente në objektin e “Vetëvendosjes”, pa ndonjë paralajmërim kishin hedhur sprej dëmtues ndaj tyre për t’i neutralizuar dhe më pas u janë vërsulur atyre duke i goditur me shqelma, grushte e tyta të automatikëve, në disa raste edhe ndaj atyre që ishin të shtrirë, thuhet në një publikim të kësa Qendre.


 


Pas arrestimeve dhe dhunës brutale të ushtruar kundër aktivistëve të Vetëvendosjes nga policia e Kosovës më 28 Nëntor ka reaguar edhe akademiku, Rexhep Qosja. Ai veprimet e policisë i ka krahasuar me ato të regjimit të Millosheviçit. “Mënyrat e dhunës dhe terrorit të Sllobës nuk kanë vdekur: ato, ja, po përsëriten në Kosovë! Po i përsërisin ata që i kanë shërbyer regjimit të Millosheviqit, e fati i zi i Kosovës ka bërë që sot ata të sundojnë në Kosovë. Albin Kurti duhet të krenohet pamatshëm për fatin e tij të sotëm, për ballin lartë e kurrizin drejtë. Donika Kada Bujupi duhet të krenohet për fatin e saj të sotëm. Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli duhet të krenohen me fatin e tyre të sotëm. Qeveria e Kosovës, pushteti i Kosovës, duke e bërë fatin e këtyre dy djemve dhe të këtyre dy grave të tillë çfarë e bëri sot – të lavdishëm po tregohet pushtet i dhunës dhe i terrorit ndaj atyre që ia duan të mirën më të madhe Kosovës. Ky pushtet s’ka ardhmëri” ka shkruar mës tjerash profesor Rexhep Qosja.


 


Në një postim të tij lidhur me ndërhyrjet brutale të Policisë së Kosovës kundër aktivistëve të opozitës, ish-kryekuvendari, Jakup Krasniqi shprehet se “nuk ka asnjë dyshim, se ana më e dhimbshme e asaj që e pamë dje në orët e pasdite në Prishtinë, më 28 Nëntor, është mesazhi më i keq që u shkon gjeneratave të ardhshme: “Se nuk ia vlen të kesh ideal të luftosh për liri e Republikën”, se “Republikën e lirë” do ta qeverisin bijtë e “Enver Maxhunëve” te komanduar nga Ali Shukritë e Rrahman Morinët e kohës, të cilët kërkojnë që qytetarëve, të cilët guxojnë të kundërshtojnë t’ju ndalet buka e t’ju futet në palcë frika për bukën, nëse doni ta siguroni sundimin Tiranik me çdo kusht?! Kjo frikë i ka bërë të heshtin shumë njerëz që dikur nuk kanë hezituar t’ia vejnë përpara gjokset Perandorisë se Titos e te Millosheviqit, po ata, sot para tiranisë se Isa-Hashimit të heshtin, bile ndonjëri edhe te të shikon vëngër, pse po ua prish rehatin?! Madje edhe alamet komandantësh të quajtur e të vetëquajtur të UÇK-së, i kanë shti veshët në lesh?!Ndoshta ketë po e bëjnë për “Atdhe”?! Po për cilin atdhe? Kjo, ndoshta është ana më e dhimbshme e kësaj që po ndodh në mesin tonë, ka shkruar mes tjerash, Jakup Krasniqi.


 


Drejtori i Infrastrukturës në Komunën e Prishtinës dhe kuadër i lartë i Vetëvendosjes,  Hysen Durmishi ka reaguar ashpër kundër veprimeve të djeshme të Policisë së Kosovës, me ç’rast u arrestua deputeti i Vetëvendosjes, Albin Kurti, dhe rreth 100  aktivistë tjerë të po këtij subjekti politik si dhe u rrahen brutalisht dy ish të burgosur politik, Gani Krasniqi, babai i dëshmorit, Labinot Krasniqi dhe, Sami Kurteshi, ish-Avokat i Popullit Me një kryeministër që ishte bashkëpunëtor i Rrahman Morinës dhe me një komandant policie që është i biri i një inspektori  të zellshëm të sigurimit serb, nuk mund të presësh tjetër gjë pos plumba e dhunë brutale kundër atyre që duan t’i japin kuptim 28 Nëntorit”.


“Babai i Shpend Maxhunit, Enver Maxhuni, në vitet e tetëdhjeta torturonte mizorisht shqiptarët, që kërkonin Republikë. Të njëjtën po e vazhdon i biri i tij sot. As Rrahman Morina me Enver Maxhunin e me Isa Mustafën nuk arritën t’i ndalin shqiptarët drejt aspiratave të tyre për liri, këtë nuk arriti ta bënte as Millosheviqi. Përpjekjet për liri e vetëvendosje nuk mund t’i ndalin as sot i biri i Enverit të Serbisë e bashkëpunëtori i Rrahman Morines”. Po ju vjen fundi dhe atë një fund i turpshëm”, përfundon Durmishi.


 


Kryetari i lëvizjes “Vetëvendosje”, Visar Ymeri pasi arrestimit të Albin Kurtit dhe aktivistëve te VV-së, ka vlerësuar se këto arrestime dhe të gjitha aksionet e sotme të policisë së Kosovës , kanë ndodhur si pasojë e ndërhyrjes së pushtetit Ai gjithashtu ka shtuar ky pushtet po e përdor policinë në funksion të kërkesave dhe interesave të Serbisë me ‘Zajednicën ‘, dhe të interesit territorial që ka Mali i Zi me demarkacionin , deri sa ka thënë se kjo është bërë vetëm një qëllim që projektet e tyre antipopullore dhe anti republikane t’i zbatojnë përmes brutalitetit policor, të cilin e kanë nën kontroll dhe të cilin e përdorin për interesat e tyre. Ymeri ka konfirmuar se protestat e partive opozitare do të vazhdojnë t’i kundërshtuar këto marrëveshje., deri sa ka thënë policia po i mban zyrat e VV-së të uzurpuara duke mos i lënë aktivistët që të hynë në to.


Ymeri gjithashtu ka thënë se nuk do të lejohet që të bahen seanca normale në Kuvendin e Republikës së Kosovës, si kundërshtim i dy marrëveshjeve të fundit. Hyrjen e policisë ne objektin e selinë kryesore të VV-së, Ymeri ka cilësuar se është në kundërshtim me ligjin.


 


Shkrimtari dhe analisti Kim Mehmeti ka reaguar kundër arrestimit të Albin Kurtit dhe aktivisteve tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje. Kuptova se pas manifestimit të Ditës së Flamurit, policia ka arrestuar Albin Kurtin dhe dhjetëra aktivistë tjerë të Vetëvendosjes! Kush mund ta paramendonte se Prishtina, ku u shënua kalendari i rezistencës dhe i krenarisë shqiptare, këtë 28 Nëntor do e kremtojë si në kohën e Millosheviçit – me rrugë të bllokuara nga policia, me seli partiake të pushtuara nga forcat policore, me arrestime provokuese!? Vallë kush e tradhtoi ëndrrën: ne që besonim se liria duhet të na takojë të gjithëve, apo këta pushtetarët e sotëm që na i morën të gjitha, që nga pasuria e deri te festat kombëtare, këta pushtetarë që ende nuk e kanë kuptuar se regjimi që fshihet pas shpinës së policëve, kurrë nuk mund të jetë e mira e popullit! Ka shkruar Kim Mehmeti.


 


Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani ka mohuar që policia të ketë përdorur dhunë kundër aktivistëve të Vetëvendosjes. Ai thotë se prania e madhe e policëve në kryeqytet, më 28 Nëntor, ishte ndërmarrë lidhur me  ngritjen e masave  të sigurisë për shkak të terrorizmit dhe jo për shkak të Vetëvendosjes. Ai po ashtu të gjitha veprimet e Policisë i ka arsyetuar me faktin se ato kanë qenë në akord me kërkesat e Prokurorisë.


Kontrolloni gjithashtu

Kancelari i Austrisë, Karl Nehammer, do të  japë dorëheqje pas dështimit të bisedimeve për të formuar një koalicion qeveritar

Kancelari i Austrisë, Karl Nehammer, ka thënë se do të japë dorëheqje në ditët në …