Sekretari amerikan i Shtetit, Majk Pompeo, akuzoi Rusinë për vazhdimin e kërcënimit të stabilitetit në Mesdhe dhe mbjelljen e kaosit, konfliktit dhe ndarjes në vendet përreth rajonit. Në një deklaratë mbi “ndikimin rus në Mesdhe”, Pompeo iu përgjigj homologut të tij rus, Sergei Lavrov, i cili më herët akuzoi Shtetet e Bashkuara “për lojëra politike në rajon”. Lavrov “përsëri i merr faktet gabim dhe përpiqet të rishkruajë historinë”, tha Pompeo, duke dënuar veprimet e Moskës në Libi, Greqi dhe Siri. Në Libi, Amerika “mbështet formimin e një qeverie gjithëpërfshirëse që mund të sigurojë vendin dhe të përmbushë nevojat ekonomike dhe humanitare të popullit libian” dhe po punon me Kombet e Bashkuara drejt këtij qëllimi. “Rusia, nga ana tjetër, minon politikën e brendshme të Mesdheut, mbështet diktatorin brutal të Sirisë dhe nxit konfliktin e Libisë me përfaqësuesit e saj. Kush po luan lojëra këtu? Rusia vazhdon të kërcënojë stabilitetin e Mesdheut duke përdorur një sërë teknikash për të përhapur dezinformimin, duke minuar sovranitetin kombëtar dhe për të mbjell kaos, konflikt dhe ndarje brenda vendeve në të tërë rajonin”, tha Pompeo.
