Sa herë vjen nëntori një
kënaqësi e lehtë përshkon zemrat e njerëzve. Koka ngrihet lart, sepse
përmbajtja në kujtesë është e madhërishme. Askush s’mund të ëndërrojë indiferent
para historisë. Sa herë vjen nëntori në njerëz regëtinë shpresa. Nëntori është
aq i madh sa t’i çojë peshë shpirtërat e vdekur. Sa herë vjen nëntori hapen
faqet e librit të të madhit popull. Sa kohë që ky libër i përket historisë
nëntorët janë lavdia, në çastin kur fillon aktualiteti, nëntorët janë mjerimi.
Në bilancin e bërë turpi i së sotmes mbulohet me lavdinë e së djeshmes. Në
nëntorët 1443, 1912, 1944, 1989 yjet i gjeje në tokë. Nata e shekujve vdiste
para shkreptimës së një muaji. Nëntori është populli. Populli i lindi Nëntorët për popullin.
Kur nocioni popull u nëpërkëmbë, Nëntori mbeti vetëm në histori. Ta zësh sot në
gojë Nëntorin do të thotë ta bësh më të dukshëm mjerimin tënd. Madhështia e
heronjve verbon mjerimin e sotëm. Xhuxhma-xhuxhët shkrihen para heronjve. S’mund
të maten ndërtuesit e lirisë me rrënuesit e kombit, të rënët për liri me
banorët e robërisë, të pagjumët e çdo stine me arinjtë dimërorë. Në nëntorët e
kujtesës qielli, toka, varret s’kishin natë, në nëntorët e aktualitetit vetëm
varret kanë dritë. Sa herë vjen nëntori pyetet: Pse s’erdhi NËNTORI? Nëntorin e
vrau nëntori. Nëntori s’mund të vritej ndryshe veçse me madhështinë e një
nëntori të gënjeshtërt. Që të gdhihemi në Nëntor duhet që të sotmen ta bëjmë të
shndritshme sa kujtesën, të djeshmen ta bëjmë udhëzuese të së sotmes. T’i kthejmë
vitet në Nëntor, te brohorasë çdo gjë N-ë-n-t-o-r! – kjo kërkohet për çdo
nëntor. Nëntorin s’bën ta lëmë pa Nëntor.
nëntor 1995
Marrë nga libri ‘Kundër
mistifikimit për të vërtetën‘, Çlirimi, Prishtinë, 2000, fq.84-85