leoni

Posta e Kosovës dhe e Maqedonisë zgjerojnë bashkëpunimin

Posta e Kosovës dhe e Maqedonisë zgjerojnë bashkëpunimin

Posta e Kosovës dhe Posta e Maqedonisë kanë lidhur të enjten një marrëveshje me të cilën thellohet edhe më tej bashkëpunimi në mes dy ndërmarrjeve publike në fushën e komunikacionit postar.

Marrëveshja hap dyert për  përmirësim të mëtejmë të shërbimeve postare, postare-financiare si dhe shërbimeve tjera të dobishme për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë.

Kjo marrëveshje është nënshkruar në Shkup nga Kryeshefi  Ekzekutiv i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha dhe Drejtori Gjeneral i Postës së Maqedonisë,  Faadis Rexhepi.

“Ndër të tjera, do të krijojmë mundësinë që administratat tona postare të mund të organizojnë takime, seminare, konferenca të përbashkëta me qëllim të shkëmbimit të përvojave, njohurive dhe ekspertizave në fushën postare dhe çështje tjera”, ka deklaruar Hoxha.

Ndërkaq, Rexhepi ka potencuar  rëndësinë bashkëpunimit edhe në fushën e filatelisë.

“Ajo mund të paraqesë reflektim dhe mision të përbashkët për bashkëpunim dhe zhvillim të produkteve të reja filatelike me tema dhe motive të ndryshme”, ka thënë ai.

Gjatë qëndrimit të delegacionit të Postës së Kosovës në Shkup, është nënshkruar edhe një marrëveshje që ka të bëjë me emetimin e një emisioni të përbashkët të pullave postare që do t’i kushtohet turizmit malor. Promovimi i dy pullave postare do të bëhet së shpejti në Prishtinë.

“Do të ketë projekte të përbashkëta në fushën e komunikacionit postar si dhe në fushën e filatelisë përmes të cilave do të bëjmë promovime të vlerave të përbashkëta të të dyja vendeve”, ka theksuar Hoxha.

“Fuqimisht jam i bindur se ky është fillimi i një bashkëpunimi të frytshëm dhe afatgjatë, urë për lidhje dhe mundësi për njohje dhe prezantim të bukurive natyrore në mes të dy vendeve”, ka thënë Rexhepi.

Udhëheqësit e dy administratave postare janë zotuar se marrëveshja do të konkretizohet me shumë projekte të interesit të ndërsjellë.

Kontrolloni gjithashtu

Sot në Kuvendin e Kosovës mbahet seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga partitë opozitare

Deputetët flasin për detyrimet e mundshme financiare të Kosovës

Kuvendi i Kosovës vazhdon seancën plenare, ku do të diskutohet lidhur me detyrimet e mundshme …