Kosova

Pozita në gjendje tepër të vështirë e pa rrugëdalje, opozita konformiste dhe pa besim në forcën e vet

Ahmet Qeriqi
Ahmet Qeriqi

Situata,  me të cilën po ballafaqohet Kosova është gjithnjë e më e rënduar në raport me faktorin ndërkombëtar, i cili kërkon një kompromis tepër të rëndë për vendin tonë, kompromis të cilin e kërkon edhe nga Serbia, cila po taktizon me qëllim për të përfituar sa më shumë në bisedimet për marrëveshjen e mundshme, sikur quhet gjithëpërfshirëse, për 1o vitet e ardhshme, që parasheh projekti gjermano-frëng,  i bashkimit të dy gjermanive.

Qeveria e Kosovës, me Albin Kurtin në krye ndodhet në pozitën e njeriut që ia ka lidhur duart vetes dhe nuk mund t i zgjidhe vetë, por as nuk di sesi të veprojë. Ajo ka mbetur peng i qëndrimeve dhe premtimeve 15-vjeçare, mbi të cilën nga viti në vit e ka ndërtuar Kauzën për të fituar zgjedhjet dhe për ta nisur nga e para, nga zeroja, për ta ndërtuar botën e re, Republikën e re, në vend të atyre të vjetrave.

Duke qenë se Kurti me kohë kishte kundërshtuar kategorikisht formimin e Asociacionit të  Komunave me shumicë Serbe, qyshkur ajo ishte arritur në marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 dhe duke e ironizuar e  shpërfillura si Srpska Zajednica, ai tani e ka tepër të vështirë, për të mos thënë edhe të pamundur që edhe të mbajë premtimet dhe të mbetet në Qeveri. I përballur me këtë kafshatë të cilën nuk e kapërdinë dot, sepse i ngelë në fyt, kryeministri Kurti ndodhet në pozitën e Hamletit, në dilemën jetësore, të jesh apo të mos jesh.

Pavarësisht perceptimit politik e diplomatik të Kurtit në prononcimet e tij ditore, ai e di fare mirë se formimi i Asociacionit qoftë me efekte ekzekutive apo pa to është baza e krijimit të një Republike Serbe të Kosovës, sepse aty është synimi i Serbisë, deri diku, madje edhe mjaft i shprehur  edhe i BE-së, por pse jo edhe i një segmenti të diplomatëve nga Franca,  Italia e më pak nga Gjermania e Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në kohën kur Kurti po zihet në kurthin e tij, opozita në Kosovë, ndihet në elementin e vet, për t’u kënaqur me fatkeqësinë e Albin Kurtit dhe pamundësinë e tij për ta zgjidhur vetë problemin e trashëguar, por të premtuar në fushatën zgjedhore për një zgjidhje ndryshe. Konformizmi i opozitës, do të thotë se ata duan ta detyrojnë Kurtin të falimentojë në projektet e tij, para se të angazhohen vetë për ta rrëzuar atë dhe për ta marrë vetë pushtetin.

Opozita, nuk kërkon zgjedhje të parakohshme as të jashtëzakonshme, edhe po të besonte fortë në fitore, të cilën mendoj se do ta korrte, por në një rast të tillë, ata nga duart e Albin Kurtit do të merrnin për vete patatet e nxehta të Asociacionit, dhe pikërisht për këtë nuk e kanë gatishmërinë të luajnë rolin e një opozite konstruktive, e cila është në gjendje  të bëjë lëshimet, që faktori ndërkombëtar po ia kërkon, Albin Kurtit.

Ky komoditet i opozitës nuk mund të zgjasë për shumë kohë, por një gjë është më se e sigurt. Opozitës i konvenon status-quoja,  i konvenon sa më shumë degradimi i politikës zyrtare të Kosovës, i konvenon humbja e besimit të elektoratit të Vetëvendosjes, e cila edhe ashtu po bie me rrëmbim, i konvenon që në këtë gjendje fajtorin numër një dhe të vetmin ta paraqesë Qeverinë dhe koalicionin aktual.

Në kushte normale, kjo luftë është normale, por problemi nuk është normal, problemi ka të bëjë me të ardhmen e Kosovës, me tërësinë territoriale të saj, ka të bëjnë me rrezikimin e paqes në vend.

Në një situatë të tillë, opozita, duhet të bashkohet, por ajo është tepër heterogjene dhe e përçarë përbrenda pasi të tri partitë: PDK-LDK dhe AAK, kanë plane dhe synime vetanake. Po kështu liderët e këtyre parive nuk akordohen, as për mënyrën sesi e parashohim daljen nga situata që  e ka sjellë Qeveria aktuale, e cila as është pritur të veprojë ndryshme, por e cila ka humbur dhe po e humbet kohën kot,  kur e di fare mirë  se nuk mbahen dot dy shalqinj me një dorë.

Albin Kurti e di fare mirë se Evropës i duhet një Vuçiq i përshtatshëm, te i cili ende shpreson se do ta kthejë për vete, edhe pse ai e thotë qartë se nuk ndahet dot nga nëna Rusi dhe këtë e ka treguar dhe po e tregon me vepër ditë për ditë. Megjithatë, nuk duhet harruar edhe faktin se janë pesë shtete me ndikim në Evropë të cilat nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur dhe të cilat e shfrytëzojnë faktin se BE-ja merr vetëm qëndrime unike, në përputhje me standardet e veta.

Në një situatë të tillë, në dukje pa rrugëdalje, do të ishte e rrugës që pozita dhe opozita të kenë një qëndrim unik për Asociacionin dhe t’ i bëhej e qartë BE-së se edhe po të dalë nga loja politike, Albin Kurti, edhe po ta marrë pushtetin opozita, qëndrimi rreth Asociacionit do të jetë unik dhe i papranueshëm.

Kjo do të nënkuptonte shkëmbimin e territoreve si mundësi për një zgjidhje më të arsyeshme ku edhe Kosova do të fitonte tri komuna të Kosovës Lindore. Një mundësi e tillë nuk do të thotë ndarje e Kosovës, sikur përpiqen të na bindin dimalët e domalët, por ndërrim të territoreve, jep e merr, mbi parimin e shumicës etnike, e cila në trojet e Ballkani nuk i dëmton fare shqiptarët, le të mos i dëmtojë edhe serbët atje ku janë shumicë, sepse parim më të qëndrueshëm historik sesa parimi mbi baza etnike, nuk ka.

Rusia po zhvillon luftë me përmasa rajonale për t’ i marrë me vete rajonet me shumicë ruse në krahinën e Donbasit, madje duke sulmuar  një shtet sovran, sikur është Ukraina  dhe duke mos u frikësuar nga NATO-ja as nga Amerika.

Në një rast të tillë për hir të interesit  të përgjithshëm kombëtar, Albin Kurti do të duhej ta bënte zap egon e zotimet e tij, do të duhej të pranonte ndërrimin e territoreve,  jo sepse e kishte iniciuar Hashim Thaçi, por për shkak të interesit të shqiptarëve, sepse në rast të kundërt, nëse formohet Asociacioni dhe nëse shqiptarët e Kosovës Lindore nuk kanë më shpresë se do të bashkohen me Kosovën, atëherë, ato troje  do të braktisen për një apo dy decenie, sepse Serbia nuk pranon asociacion për ta, as Kosova deri tani nuk ka kërkuar diçka të tillë nga BE-ja, në kuadër të bisedimeve me Serbinë.

Është për t u habitur përse Opozita nuk mbështet shkëmbimin e territoreve, si një të drejtë të natyrshme, të mundshme, pasi nuk ka asnjë plan tjetër, rezervë, përveç nëse pret nga qielli ndonjë “Deus ex Machina”.

Ahmet Qeriqi

Janar 2023

Prishtinë

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …