Praxedis Kaspar: Intervistë me Osman Osmanin në prag të kongresit të Partisë Socialdemokrate të Zvicrës

Gazeta zviceriane “Arbeiter Zeitung” , në prag të kongresit të Partisë Socialdemokrate të Zvicrës  i cili mbahet me 8 dhe 9 shtator, publikoi bisedën e javës me Osman Osmanin i cili është ngarkuar me projektin për ndërtimin e strukturës së veçantë për migrantët brenda Psd-ës. Osman Osmani është kandidat i kësaj partie në zgjedhjet kantonale që mbahen në shtator të këtij viti. Ai është shqiptari i parë në Zvicër që është zgjedhur ndonjëher në ndonjë parlament kantonal në Zvicër.  Intervista të cilën po e japim në tërësi, është bërë nga redaktori përgjegjës i gazetës Praxedis Kaspar.

az: Osman Osmani, Ju jeni sekretar politik në Unia përgjegjës për migrantët nga Evropa juglindore dhe keni dyshtetësi të Kosovës dhe Zvicrës. Si shtetas i Kosovës dhe Zvicrës jetoni prej shumë vitesh në Schaffhausen. Katër fëmijët e juaj kanë lindur dhe janë duke u rritur këtu. Ju e përjetoni Kosovën më shumë si vend pushimi. A jeni të kënaqur me integrimin e familjes Osmani?

Më lejoni të bëjë një sqarim paraprak.  Në raport me angazhimin tim politik është një ironi e fatit që unë jam bërë zviceran para se Kosova ta ket fituar pavarësinë. Pra arrita ta marr shtetësinë e Kosovës shumë vite pasi kisha marr ate zviceriane.

az: Ju jeni sigurisht një babë i rreptë dhe ambicioz!

Jo, jo, nuk jam i rreptë. Mirëpo jam një njëri i vetëdijshëm, i cili në vitet e rinisë i detyruar të lejë atdheun e vet dhe të vendoset këtu u aftësua profesionalisht dhe u arsimua duke ndjek ato rrugë që ekzistonin për të ecur përpara. Fëmijët e mi janë të lindur dhe rritur këtu, sikur edhe fëmijët e tjerë të zviceranëve, në një shoqëri të orientuar kah konsumi dhe kënaqësia. Nuk e kam gjithmonë mirëkuptimin e duhur për këtë. Ne duhet të jemi të vetëdijshëm se edhe zviceraneve e zviceranëve u është dashur të angazhohen shumë për të arritur këtë sistem demokratik dhe këtë mirëqenie ekzistuese.

az: Të integrohen duhet jo vetëm migrantet dhe migrantët, porse edhe popullata zvicerane e „lindur këtu“ në raport me bashkëqytetarët ardhacakë. Si qëndron kjo në rrethin e juaj? A jeni të kënaqur me „zviceranët denbabaden“ ?

Të themi kështu: Ashtu siç janë një përjashtim  migrantet dhe migrantët e integruar miri, ashtu janë një përjashtim edhe zviceranet e zviceranët të cilët kultivojnë një kulturë të mirëseardhjejs karshi të huajve. Prandaj nuk mund të themi se kjo vlen si rregull në këto raporte; mirëpo fatbardhësisht edhe ata që shprehin publikisht urrejtjen ndaj të huajve janë të rrallë.

Shumica e njerëzve,  si vendasit ashtu edhe të ardhurit paraqesin një mesfushë, në të cilën edhe zhvillohet konfrontimi. Për përfundimet e mija nuk dua të mbështetem në rastet e veçanta, mirëpo as nuk dua të lëshohem në banalitete. Sa i përket temës së migracionit, integrimit dhe sjelljes me të ardhurit unë mbrojë mendimin se kemi të bëjmë me procese komplekse shoqërore. Në kohën kur unë kam ardhur në Zvicër askush nuk ka qenë i interesuar për integrim, as shteti, por as shoqëria vendëse dhe ajo  e ardhur. Secili ka menduar se kjo është çështje afatshkurtër. Këta do të kthehen në vendin e tyre mendonin zviceranët. Ne nuk do të qëndrojmë përgjithmonë mendonin të ardhurit. Tek në vitet e 90-ta integrimi u bë temë e madhe. Tani çështja trajtohet më seriozisht: Integrimi nuk është fjalë magjike e as çudibërëse. Çdo njëri këtu është i vetëdijshëm se me këtë shprehje barten dhe zhvillohen konfliktet shoqërore, madje edhe ato që fare nuk kanë të bëjnë me këtë temë. Ajo çka neve na mungon është dialogu i mirëfilltë dhe i sinqertë. Zhvillohen përleshje mbi migracionin, ndërsa  të prekurit nuk përfshihen fare në këtë diskurs. Dhe në fund: Unë ndihem i prekur çuditërisht kur një komb i vullnetit të mirë siç është Zvicra me katër kulturat kombëtare e gjuhësore  të saja, si shoqërinë shumetnike, tani i kthehet mbrapa me tendencë drejt një-kombësisë, në vend se të zhvillohet përpara drejt trans-nacionales.

az: Në kongresin e PSd në Lugano do të kërkoni të krijoni një strukturë të veçantë në kuadër të  PSd  për migrantet dhe migrantët  – analog me të rinjtë (Juso) dhe  gratë (SP-Frauen). Përse ju duket kjo e nevojshme?

Në temën e integrimit duket se janë të interesuar sikur zviceranët ashtu edhe migrantët. Unë jam i mendimit se në raport me këtë çështje edhe migrantët duhet të marrin pjesën e përgjegjësisë që u takon mbi vete dhe ta japin kontributin e tyre politik. Popullata e ardhur është në një gjendje specifike,  me preokupime dhe nevoja të veçanta. Nëse ne këto duam t’i marrim seriozisht dhe të punojmë politikisht, na nevojiten struktura analoge sikur tek të rinjtë dhe gratë, këtë në fund të fundit na e mëson përvoja zvicerane. Migrantët duhet të angazhohen vetë më fuqishëm për çështjet që u përkasin atyre. Në jemi duke e bërë këtë si është më së miri në kryesinë tonë provizore, organ ky i cili gjithsesi duhet të legjitimohet në një procedurë të demokracisë themelore. Dëshira dhe vullneti për të punuar për çështjet në fjalë duhet të vijë nga baza, përndryshe ideja s’do të ketë jetëgjatësi.

az: Shumë migrantë qëndrojnë politikisht më afër të majtës dhe janë të mirëseardhur në socialdemokraci, megjithatë vetëm pak veta janë aktivë. 

Ashtu është. Me këtë rast është urgjente, që një e majtë, e përbërë nga vendësit dhe të ardhurit, ti vihet suksesshëm përballë kapitalizmit global. Ne sot jemi dëshmitarë të asaj, që një elitë e vogël e të pasurve dhe pushtetarëve sundojnë gjithë botën, derisa pjesa e madhe e njerëzimit nuk mund të mbijetojë ndershëm. Kjo nuk mund të shkoj kohë të gjatë mirë, edhe për këto elita jo.

az: E rëndësishme për kualitetin jetësor të gjitha pjesëve të popullatës, krahas idesë së madhe, është edhe sjellja me problemet e përditshme aty ko njeriu jeton. Është i nevojshme mundësimi i participimit në shoqëri dhe politikë. Si tingëllon konkretisht kërkesa juaj për strukturën e migrantëve në kuadër të PSd?

Më lejoni të citoj shkurtë propozimin e rezolutës për ketë çështje: “Kongresi i PSd-së ngarkon drejtorinë e PSd-së që në bashkëpunim të ngushtë me kryesinë provizore të trupit të migrantëve të PSd-së  të ndërmarri të gjitha masat e nevojshme për ndërtimin e strukturës së re. Ky trup i migrantët enë kuadër të PSd-së duhet të ndërtohet nga poshtë dhe – në rast të suksesit të arritur – pas një faze ndërtuese prej një viti duhet të pajiset me të drejtat dhe obligimet statutesh, ashtu sikur janë gratë dhe të rinjtë”. Pra qëllimi ynë është që personave me sfond migracioni, të cilët bashkë me ne përqafojnë vlerat socialdemokrate, të ndihmohen për një participim dhe përfaqësim më të mirë politik.

az: A nuk paraqet kjo strukturë e veçantë një rrezik të izolimit dhe ndarjes të migrantëve?

Këtë mëdyshje dhe kundërshtim, e cila dëgjohet herë këtu e herë aty, duhet marrë seriozisht. Mirëpo tani fjala është pikë së pari për tu dhënë migrantëve një zë, peshën e tyre që u tako. Fjala është për një vend, nëse mund të themi pra për një atdhe politik në kuadër të socialdemokracisë, i cili u takon atyre dhe nevojave të tyre e posaçërisht potencialin e tyre – në kuptimin e një «Pressure Group» (grup interesi), i cili lirisht mund të japë pak shtytje kësaj çështjeje.

az:Ta marrim se arrihet themelimi: Cila do të jetë çështja më e rëndësishme të cilës do ti rrekeni? Çka do të ndodhi në Schaffhausen?

Po, në këtë çështje do të jem plotësisht i përkushtua! Unë mendoj se së pari do të organizojmë një manifestim informues për të interesuarit. Me këtë rast duhet të mundësohet një diskutim i gjallë. Shpresojmë të ketë mjaft të interesuar për të themeluar një seksion kantonal. Hapat  ardhshëm do të jenë të informojmë emigrantët  nga këndvështrimi ynë mbi votimet dhe zgjedhjet që na presin. Ne do tu japim kurajë atyre dhe do ti përgatisim të angazhohen në organizata dhe shoqata jashtë Partisë, qoftë kjo në shoqatë lagjeje apo ndonjë trup këshillëdhënës, për të cilat nuk ka nevojë të posedohet e drejta e votës. Mirëpo interesi ynë është të bashkëpunojmë edhe me Partitë simotra në Gjermani, Francë dhe Kosovë. Unë konsideroj të rëndësishme mundësimin e transferimin të njohurive mes Kosovës, vendin amë të shumë migrantëve të këtushëm dhe të Zvicrës. Ne kemi mësuar aq shumë gjëra për institucionet demokratike, gjë që duam ta ndërmjetësojmë më tej. Dhe unë jam i bindur se ka gjëra, të cilat zviceranët mund ti mësojnë nga njerëzit e Kosovës. Procesi i të mësuarit është atëherë i mirë, kur është i ndërsjellët dhe kur mundësohet shkelmimi i gjallë mes të gjithë të inkuadruarve në proces.

 (Në kornizë)

I lindur para 55 vjetësh në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës, – në moshën 24 vjeç i duhet të arratiset nga atdheu i tij, pasi ishte angazhuar në radhët e para  për një republikë të barabartë për popullatën shqiptare në kuadër të federatës së atëhershme jugosllave. Sot Osman Osmani bashkë me gruan dhe katër fëmijët e tij kanë shtetësi të dyfishtë Zvicër- Kosovë dhe punon në sekretariatin qendror të sindikatës Unia në Bernë si  sekretar politik për migrantët na Evropa juglindore, detyrë ko që e kryen me kënaqësi. Kësaj i ka paraprirë arsimimi dhe jeta profesionale në rritje në atdheun e dytë: Një kohë mësuesi dhe studenti i juridikut nga Kosova, në Zvicër Osmani punoi ndër të tjera si asistent treni, dhe, pas mbarimit të arsimimit si Animues socio-kulturor paralel me punën profesionale punoi në Organizatën e Azilit të Kantonit të Cyrihut, më vonë si drejtues i punës së hapur me rini në Afoltern të Cyrihut. Osman Osmani është anëtar i PSd-së të qytetit Shafhausen dhe është kandidat aktual për Parlament të kantonit dhe të qytetit; ai ka qenë deputet në Parlamentin e kantonit  nga 2006-2009, mandat të cilin në zgjedhjet pasuese e humbi për shkak të zvogëlimit të numrit të deputetëve kantonal nga 80 në 60 dhe për shkak të sistemit zgjedhor Pukelsheim, që me të drejtë favorizon partitë e vogla karshi atyre të mëdha. (P. K.)

Përktheu dhe përshtati: Faton Topalli

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …