Premtimomania e shpërfytyruar (koment i RKL-së)

 


Fushata për zgjedhjet e 17 nëntorit po manifestohet me një virulencë jo vetëm marramendëse, por edhe me një turr të një lloji të paparë deri tani. Gara zgjedhore që po zhvillohet kudo nëpër qendrat e Kosovës, duke lënë në harresë të gjitha fshatrat e vendit, (sepse atje nuk begenisin të shkojnë kameramanët dhe reporterët e tri TV-ve të Kosovës), lë për të kuptuar qëllimin hipokrit të garuesve, të cilët edhe kësaj radhe po mundohen të fitojnë maksimumin e votave me premtime ndër më të ndryshmet, madje me premtime edhe fare qesharake e naive.
Është fare e natyrshme që në garën zgjedhore të shpalosen edhe premtimet, por ato do të duhej të ishin premtime modeste, premtime pak a shumë të besueshme, përmasash me kutin e mundshëm të realizimit. Por mbi të gjitha, në fushatën zgjedhore do të duhej të shpalosej konkurrenca me programe bindëse, me oferta serioze dhe të mundshme për t’ i realizuar. Mirëpo nuk po ndodh kjo, sepse kreu garues i Kosovës është futur në garë me tërë “kapacitetet” ( jo aq me kapacitete mendore, intelektuale e emancipuese, por me kapacitetet e shtyrjeve me bërryla), me qëllim për të mashtruar votuesit, të cilët edhe kësaj radhe sërish do të mashtrohen, për t’u flakur pastaj si rrobe e vjetër, sapo të bëhet i ditur rezultati final i zgjedhjeve.
Vetëm deri më 17 nëntor kreu garues ia ka nevojën elektoratit. Vetëm deri atëherë garuesit i duhet ati për ta kaluar Drinin, pastaj, ata që do të fitojnë do t’i gëzojnë frytet e fitores, kuptohet, pa elektoratin, ndërkohë që të hedhen në “beteja” të reja për të përfituar edhe më shumë nga vota e popullit dhe si çdo herë mbi kurriz të tij, duke e shaluar edhe kësaj radhe derisa t’i dalë shkuma prej goje.
Humbësit do të ngushëllohen, do të përflasin, do të përgojojnë dhe sërish do ta akuzojnë qeverinë për korrupsion, për mashtrime e të tjera, e të tjera.
Fitimtarët do të rrahin gjoks, do ta demonstrojnë fuqinë, do të fillojnë të bëjnë pazarin e përfitimeve nga aleancat e mundshme dhe tërë shend e verë do t’i kthehen presë së fituar me votën e popullit, pre kjo tepër e majme, që i pret këta matrapazë të pangopshëm dhe të papërgjegjshëm.
Premtimet, që dëgjon qytetari ynë nga krerët e partive politike, apo nga kandidatët e pavarur, tejkalojnë logjikën e rezonimit real dhe bëhen qëllim për vetvete, bëhen reklamë, e cila sa më shumë përsëritet e humb vlerën e vërtetë, por në këtë mënyrë, nga përsëritja e pandërprerë, gënjeshtra kamuflohet me të mundshmen, sidomos në trurin e njerëzve mendjelehtë dhe me imagjinatë të bujshme, apo të sëmurë.
Garuesit nuk kanë as një pikë turpi të premtojnë mijëra vende të reja pune. Një kandidat i pavarur premton përnjëherësh 20.000 vende të reja të punës vetëm në Prishtinë. Një tjetër, pak orë më vonë premton 30.000 mijë vende pune në një qytet të Kosovës, duke shtuar edhe montimin e një fabrikë të re në akëcilin qytet. Një lider premton realizimin e katër makro projekteve rrugore të kushtueshme, për realizimin e të cilave do të duhej grumbulluar shuma katër-vjeçare e buxhetit të Kosovës. Një lider tjetër premton se drenicasve do t ia kthejë dinjitetin e nëpërkëmbur(!). Një tjetër premton energji elektrike 24 orë në ditë, në kohën kur gjatë fjalimit i shkyçet disa herë energjia elektrike. Dikush premton se do t’ i kthejë Gjakovës dinjitetin dhe krenarinë e humbur(!).
Është për t’ u habitur që dikush nga këta liderë nuk është kujtuar të premtojë se do ta kthejë bashkim vëllazërimin e dikurshëm në Kosovë, nëse fiton në zgjedhje.
A thua e kuptojnë këta njerëz se çka do të thotë dinjitet, njerëzi, burrëri, kur vetë nuk kanë asnjë fije të njerëzisë, të dinjitetit apo të burrërisë. Si mund të ketë dinjitet kandidati i korruptuar, kandidati që nuk ka realizuar asnjë prej premtimeve të deklaruara në zgjedhjet e kaluara, dhe tash i njëjti premton shumëfishin e asaj që ka premtuar dikur. Premtimet po e degjenerojnë tërë fushatën zgjedhore, sepse liderët po bëjnë gara se kush do të premtojë më shumë se tjetri. Ndodh që pazari i premtimeve brenda ditës të shënojë shifra marramendëse.
Kandidatët për kryetarë të komunave premtojnë kthimin e buzëqeshjes për fëmijët, për nënat e baballarët, kthimin e qetësisë dhe të shkëlqimit të dikurshëm,(!) kthimin e sigurisë, kthimin e mirëqenies për qytetarët, kthimin e dinjitetit. Fjala, “dinjitet”, të cilën liderët dhe zëdhënësit e tyre politikë më kot janë munduar ta gjejnë në Fjalorin e Gjuhës Shqipe, po bëhet fjala më e përfolur dhe më e keqpërdorur gjatë fushatës. Dhe, mjerisht po shërbehen me këtë fjalë, politikanët, që nuk kanë në qenien e tyre asnjë pikë të dinjitetit, të fisnikërisë dhe të kredos njerëzore, e lërë më të kredos së vërtetë kombëtare.
Garuesit me asnjë fjalë nuk komentojnë se çka kuptojnë me premtime të tilla. Ata mjaftohen vetëm me paraqitjet e tyre publike dhe pastaj fillon kënga, vallja, hareja, ngazëllimi, dalldia dhe tërë noprania njerëzore.
Simpatizantët nuk shtrojnë pyetje, meqë gjatë fushatave nuk ka debat, ka vetëm ulërima, britma, rrahagjokse, krekosje për krenari, për dinjitet për një jetë më të mirë të qytetarit, për begati e pasuri dhe për të gjitha të mirat tok. Dhe, gara po vazhdon me intensitet gjithnjë në rritje.
Dhe, qytetari edhe kësaj radhe do të votojë.
Voton, qytetari ynë i mjerë, meqë atë e kanë bindur paraprakisht se pjesëmarrja në zgjedhje qenka obligim qytetar, qenka obligim kombëtar, sepse vota qenka për pavarësinë e Kosovës, sepse aktin e tillë të daljes në votime e lavdërojnë garuesit dhe sidomos të huajt, sepse tekefundit votimet dhe zgjedhjet ndër ne edhe kësaj radhe do të mbahen bazuar në rezolutën 1244 të KS të OKB-së.

Kontrolloni gjithashtu

A. Vuçiq: Kryeministri Kurti, u detyra nga Gjermania e Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për lejimin e mallrave serbe

Për heqjen e ndalesës së mallrave serbe në vetëm një pikëkalim kufitar në Merdare, presidenti …