(Martin ÇUNI: “UNIVERSI I JETËS”, Poezi, Radio Kosova e Lirë, Prishtinë 2018)
Secila vepër letrare, qoftë ajo diskursive apo imagjinative, është një dialog, një komunikim me të tjerët. Komunikimi i drejtohet Tjetrit, Lexuesit, Publikut. Dhe lexuesi, duke qenë pjesë e këtij akti komunikues, ka një rol të rëndësishëm në lëmin e veprimit estetik, duke u bërë dhe një pjesëmarrës aktiv në këtë komunikim. Kështu na ligjërojnë rrymat strukturaliste të mendimit e dijes, teoria e komunikimit dhe teorisë së informacionit.
Vepra poetike “UNIVERSI I JETËS”, e ndarë në ciklet a kapitujt Shqiptarëve, Respekt, Universi dhe Kumti, i drejtohet shqiptarit, te i cili dëshiron të përveçojë shqiptarësinë, me shtyllat e tij kulturore, historike apo dhe gjeostrategjike.
Kësisoj, në këtë komunikim të ndërsjellë poetik, Martin Çuni, në radhë të parë, i drejtohet shqiptarit, te i cili dëshiron të përveçojë shqiptarësinë, me shtyllat e tij kulturore, historike apo dhe gjeostrategjike. Kundruall shqiptarësisë, autori ka dhe një përmasë tjetër tematike e artistike, që na shfaqet si anë e kundërt e gjërave, një si kontrastim i shtrirë në gjithë veprën, e që autori e përkufizon si shemëria. Dhe përmasa e tretë shtrihet te reflektim-meditimet dhe te autobiografemat lirike. Këto janë tri përmasa tematike dhe semantike-artistike të këtij vëllimi.
- Përmasa e parë: kulti i shqiptarësisë
Ciklet apo tërësitë poetike autori i përkufizon me nocionin metatekstual kapituj. Kësisoj, te kapitujt poetikë “Shqiptarëve” dhe ”Respekt i përjetshëm” si i përkufizon autori në metatekstet e tij, e merr si kryetemën e tij më sublime shqiparësinë tonë, qenien tonë nacionale, sakrificën historike, betejat tona për liri; aty hyjnë dhe poezitë përkushtimore për të rënët, për dëshmorët, për emra e krye-emra të historisë sonë e të kulturës sonë, siç janë Adem Jashari, Gërvallajt, Nëna Tereze, komandant Guri, Zejnullah Halili, Zefi i Vogël, apo Nënë Zahide Jashari.
Edhe sot na duhet shqiptarësia…. mund të shkojnë bashkë shqiptarësia dhe Kosova? Edhe sot na duhet një katarsis për t’i hequr baltërat e njollat që na i kanë hedhur të tjerët mbi identitetin tonë, edhe sot ky katarsis kombëtar na duhet për ta parë se vërtet njëherë e përgjithmonë po kalojmë nga fjalët në vepra…
Shqiptarësia e mori frymëzimin e saj burimor nga iluminizmi evropian… prandaj ndodhën gjithë ato beteja për liri, gjithnjë në këtë frymë përparimtare, demokratike dhe moderne. Këto përpjekje titanike e kanë pasur pikësynimin e tyre historik: secili ka dashur të lërë një shenjë emri, nderi e përpjekjeje pas vetes së tij. Dikur Hasan Prishtina (figura epiqendrore e pjesës së parë të shek XX,) thoshte: “Na luftojmë e ndoshta nuk e gëzojmë (lirinë), por ata që vinë mbas nesh, kanë me i gjet shejet tona”.
“Luftën dhe kundërshtimin ndaj copëtimit do ta ndaloj vetëm kur të çlirohet dhe të bashkohet kombi im.”
“Dhe, para se gjithash, ruhuni nga mallkimi i historisë dhe mos e harroni atë kur të jepni mendimin tuaj!”
“Mue n’idenë teme patriotike nuk ka mujtë as nuk do të mujë me më shtrue ari i të tanë botës, por as mënia e të tanë armiqve! Ka me më shtrue vetëm vdekja!”
Ja, pra, kjo ishte vazhda e ndritur e idealizmit shqiptar, e përshkuar nga synime të larta e fisnike, nga vetëmohimi e nga qëllimet e larta; ky është ai idealizmi i pandalshëm kombëtar, që e karakterizon shqiptarin e shekullit që e lamë pas. Ky është dhe idealizmi përmasës kolektive i gjeneratës së Martin Çunit:
Gjurmëve të Rrugës së Kryqes, vazhdë
U kemi ra
Trup, mishra e kocka me helm e vrer
Na kanë la
Lëkurës shtatë palë dredhë, dredhas
Heqë na kanë
Në shpirt e në zemër petka të zeza
Veshë na kanë.
Me këto vargje të poezisë “SHQIPTARËVE” e nis poeti librin e tij. Ashtu si te çdo komb, edhe tek shqiptarët ka ekzistuar ndërgjegjja etnike e përbashkët e që është vatra e kombit shqiptar. Madje, vetë krijimi i “fesë së shqiptarit – shqiptaria” e konfirmon këtë, kur u krijua realiteti i ri historik i copëzimit fetar nga ana e Perandorisë otomane, apo copëzimi administrativ-politik nën pushtues të tjerë, sidomos sllavë, e deri te copëzimet e koniunkturave të sotme politike. Te poezia “JETË LARG GËZIMIT” (Shpalljes së Pavarësisë të Kosovës), ai këndon:
Nëpër plisat borë të Malit Sharr
Shqiptarët nuk do të skuqin më xhamadanët e bardhë
Do të farfurijnë këmishat sonte
Do të valëviten shamitë me plisa
Shqiptarët do të shtegtojnë me meste të bardha
Shqiptarët do të flakërojnë si rreze mes lisash.
Prandaj, Kosovën duhet ta duam… ta duam sa më shumë, ashtu sikundër për të dje është derdhur gjak, janë vuajtur burgje dhe janë bërë sakrifica sublime – të jetë e lirë! Sepse kjo është SHTËPIA JONË. Tjetër shtëpi nuk kemi.
- Përmasa e dytë: shemëria brenda nesh
Por poeti hidhet edhe kundër shemërisë brenda nesh, a kundër grindjeve e armiqësive brenda nesh. Kur Kosova nuk përjetohet si vepër e dëshmorëve, e krejt qytetarëve të saj liridashës, si shtëpi e përbashkët e të gjithë qytetarëve të saj; por përjetohet si të ishte një SHTËPI E HUAJ, një shtet i huaj- nuk është çudi se çka ndodh. Prandaj poeti lutet:
O Zot, na mbush mend një herë e mirë
Sado që është vonë, ke prore mëshirë
Mbaje zgjatur drejt nesh dorën tënde të jetës
Të mbetemi ngaherë të besës, por, jo kundër vetes.
Duke e përjetuar si SHTËPI TË HUAJ, vetëm sa e përligjim atë thënien e shovinizmit sllav që na përplaset qe një shekull: shqiptarët e Kosovës dikush duhet t’i sundojë, sepse ata nuk dinë të bëjnë shtet… Duke e dashur Kosovën, e zgjerojmë dhe e shumëfishojmë dashurinë e atdhesinë tonë pa kufij.
Dhe, fatkeqësisht, kjo shemëri brenda nesh, na u ka hakmarrë dje, e na hakmerret edhe sot. Gati sa nuk na ka kaluar në perspektivë biologjike kjo armiqësi e tillë, e përcjellë nga gjenerata në gjeneratë. Është një histori e gjatë e përplasjeve të tilla, që nga Batot e ilirëve, deri te hamza-kastriotët e deri te ideologët e ekstremeve në kohët e komunizmit e te rendit të sotëm demokratik (trashëgimi të ndryshme nacionale, të djathta a të majta etj etj). Kujtesa historike pëson një harresë tragjike; janë tri net të tragjedisë sonë, që sintetizohen si tri drama të mëdha:
E harruam pasmesnatën
E natës së parë:
Kryqëzimin dhe kurorat e zjarrit mbi kokë…!(…)
Tash po shalojmë kalin e ikjes
E po shkelim mbi eshtrat e humbur,
Po shkelim detin e gjakut tej e përtej, e
Po i bëjmë errësirë të ardhmes sonë, e
Edhe po ia hapim rrugën dreqit e të birit…!
Poeti dëshiron të na thotë se edhe sot na duhet një katarsis për t’i hequr baltërat e njollat që na i kanë hedhur të tjerët mbi identitetin tonë, edhe sot ky katarsis kombëtar, na duhet për ta parë se vërtet njëherë e përgjithmonë po kalojmë nga fjalët në vepra… Robert Elsie do të thoshte:
“Racizmi dhe të gjitha ‘izmat’ e tjera rriten nga tribalizmi primitiv, nga armiqësia instiktive kundër atyre të një fisi, race, feje, kombësie, klase, ideologjie apo çfarëdo gjëje tjetër. Do të jeni një fëmijë me fat nëse prindërit tuaj ju mësojnë të pranoni diversitetin.”
Porse poeti nuk e pranon zhgënjimin, sado që po vërshojnë drejt nesh këto bashka sulmesh e gverresh të brendshme e të jashtme. Për secilin zhgënjim të tillë (individual a masiv), krijuesi ka një zgjedhje dhe ofron një zgjidhje, sepse i beson lirisë, i beson Kosovës dhe vlerave më sublime të saj. Ai nuk është i kapluar nga ky hidhërim fatal e pa falje, se e di që këto janë vepra të shkatërrimit të shpirtit njerëzor e të kohezionit kombëtar:
Matëm me kutin e shpirtit tonë
Më shpresë se do të kuptojnë
Se ne ishim figurë njeriu
Gjurmë të mirësisë
Të shpirtit e të Hyut.
Serish u hakmorën për mirësinë tonë ndaj tyre
Rishtazi ramë në të shkretët gjunjë
I mbushëm me ne gropat me kufoma
Me eshtrat e gjenit tonë i mbushën
Një herë, dy herë, tre herë…
Dyqind vjet, pesëqind vjetë, epokë
Sulltan e dreq e mbret…
Perëndi, nuk qëndrojnë të qetë
Forma të reja kanë për të gjetë
Mirësia, në vend që të krijojë besim, nga palë të tjera jo vetëm që është keqkuptuar, po ka shtuar tragjikisht mosbesimin deri te zhdukja e qenies sonë. Prandaj edhe sot na kaplojnë shpesh frustrimet, zemërimi i krijuar nga rrathët e restrikcioneve të djeshme e të sotme. Qytetërimi ynë goditet nga shpërbërjet e tilla armiqësore, të brendshme. Dikush e sheh shembjen e shkatërrimin e së djeshmes si një humbje tragjike dhe humbje e sigurisë, e njerëzit jepen pas parasë e përfitimeve pa djersë. Të tjerët jepen pas gjërave të mrekullueshme pa shfaqur armiqësi ndaj kundërshtarëve, veprojnë denjësisht e në heshtje. Poeti voton për çarmatosjen e shemërisë së tillë.
Po të më dilte shpirti
Diku në t´imen Drenicë,
I lumtur do të vdisja, po
Do t´më varrosnin vëllezërit !
Ishin me nënë Terezen
U bënë me dreqin e zi,
Dikush ndërroi faqen
Pse kaq shpejt nuk e di?
Drenicë, shqipe kemi forcë
Të herrim egjër e kukol,
Të punojmë ditë e natë
Dhe ta bëjmë shkollën tonë!
Sado që poeti është i shqetësuar për tonin e sotëm të ashpër, të kësaj shemërie, për rënien e qytetarisë sonë, për ritmet e rritjes së kësaj armiqësie, për tjetërsimin e vlerave të shoqërisë sonë; megjithatë, duke qenë me formim europerëndimor vlerash, poezia na e shqipton të vërtetën se shqiptarësia e mori frymëzimin e saj burimor nga iluminizmi evropian, dhe jo nga orienti. Ky frymëzim u përhap këndej, ndër ne, për ta dëshmuar edhe përkatësinë tonë evropiane… Ky shqetësim e radhit atë përballë kësaj shemërie, dyshimit dhe zhgënjimit. Vargjet vijnë të drejtpërdrejta, pa veshje ekzibicionesh figurative. Ideologu i djeshëm i ilegales atdhetare, ligjëron nëpërmes gojës e shkrimit të Idealistit të Sotëm. Ai nuk e do retorikën e përtashme me tone kaq të larta shemërie. Dikur Anton Çehov nënvizonte:
“Bota nuk shuhet nga banditët dhe nga zjarret, por nga urrejtja, nga armiqësia dhe nga të gjitha grindjet e vogla.”
Prandaj poeti hidhet kundër secilës formë të shemërisë dhe të tiranisë. Nuk është e habitshme përse ai këndon te poezia “ZË QYTETËRIMIT” (30 mijë grave e fëmijëve, në kampin “Shatila”, të Libanit), e shkruar diku më 1987. Ose dhe sot: kundër secilës tirani, të ushtruar nga kushdo qoftë e kudo qoftë ajo.
- Përmasa e tretë: autobiografemat lirike, reflektimet mbi jetën
Te përmasa e tretë takojmë poetin me autobiografemat e tij, me reflektimet mbi jetën, dhe mbi të vërtetën të shtrirë gjithandej nga cikli në cikël. Është aty, nëpër vargje, poeti i burgosur më 1982 , I dënuar me nëntë vjet burg, që i vuajti në Prishtinë, Nish e Proku Nëntë vjet burg i ka mbajtur në Prishtinë, Prokupje dhe në Nish për veprimtari atdhetare. Pos këtij dënimi, përfytyrojeni njeriun që i mohohet për pesë vjet të ketë laps e letër, njeriun që i mohohet të ektë informim. Por, si një feniks, ai do të shpërthej në vitet ’90, e sidomos në luftën e fundit, kur, së bashku me shokët tjerë, punojnë në Radion Kosova e Lirë që sfidoi armikun në të gjitha pikëpamjet, mu në zjarrin e luftës.
Ne vetëm mund ta përfytyrojmë Të Burgosurin Politik dhe Luftëtarin e Lirisë dje, dhe Të Mërguarin e Kohës së Sotme nga Atdheu, pasi i ka kryer detyrat më sublime për të qenë pjesë e historisë:
Sonte nuk do t´i hap portat e rrugëtimeve të gjata
Të dal nëpër Botë, as të shtegëtoj Bjeshkëve të Nemuna
Nëna nuk do të më përcjellë, as nuk do të më presë, si prore
Po fjalët dhe uratat e saja do t´i bëhen udhë shpirtit:
“Biro, t´u dhashtë e mbara ty e Shqipërisë“,
„Paqe pastë gjithmonë për ty e për shqiptarët”
Ajo me lotë gëzimi në sy do ta shikojë qiellin
Edhe fishekzjarret, që fluturojnë si flakë kuçedre
Prishtinës dhe Kosovës i bëhen sihariq.
Poezia e tillë na vjen si Fletë e Gjallë, si Ngjarje e Gjallë dhe si Histori e Gjallë. Çlirimi ka ndodhur, por Kujtesa nacionale nëpër këto vargje këndohet me të vërtetat e saj të dhimbshme kolektive e jetësore të Luftëtarit e të Shkrimtarit Të Përndjekur Shqiptar, këndohet edhe e drama nacionale e Kosovës. K
(Në shënimet biografike për Martinin, që gjenden në fund të librit, po veçojmë: i lindur në Ujz të Hasit të Thatë, më 14 maj 1948, pas klasës së tretë fillore në fshatin Bishtazhin, komuna eGjakovës, si 10 vjeçar, i ati Ndreca dhe nëna Gjane me fëmijët, shpërngulen dhe vendosen në Keqekollë të Malësisë së Gallapit, ku e kryen tetëvjeçaren, kurse gjimnazin e kreu Prishtinë. Studioi në Degën e Pedagogjisë në Fakultetin Filosofik të Prishtinës, por detyrohet të punojë. Punon mësues në Keqekollë, punoi në Kombinatin „Ramiz Sadiku“ në Prishtinë, pastaj gazetar në Radio Prishtinë. Në atë kohë (vitet ’70), shkruan reportazhe, avrgje për fëmijë, radiodrama.
Por do thrksuar pjesëmarrjen e tij në lëvizjen e ilegales atdhetare (1968-1982). Arriti ta vizitonte Shqipërinë më 1972 me mësuesit e Keqekollës.
Arrestohet në mars të vitit 1982, dënohet me tetë vjet burg politik, dhe një vit i shtohet më vonë. Vuan nëntë vite burgje në Prishtinë, Nish e Prokuplje. Kur lirohet më 1990, më 1991 largohet nga Kosova, në zagreb, Shqipëri e mandej Gjermani deri më 1998, kur hyn i armatosur në ardhët e UÇK-së. Raportoi për Radion Dojçe Vele në Gjermani. Në nëntor të vitit 1988, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së themeloi dy institucioneve informative të luftës: Radios „Kosova e Lirë“ dhe të Agjencisë së Lajmeve „Kosovapres“. Me atë rast, Martini me vendimin e Shtabit Përgjithshëm i bashkohet stafit të Radios dhe Agjencisë, bashkë me Ahmet Qeriqin, Nusret Pllanën, Nezir Myrtajn, Berat Luzhën e të tjerë. I emëruar nga Qeveria e Përkohshme e Kosobës, pas luftës drejtoi Radio Prishtinën, ku punon falas dhe pastaj përsëri, pas gjashtë muajsh kthehet në Gjermani, ku punoi deri në pension. Martin Çuni ka botuar këto vepra: “Jetë e furtunë” Prishtinë, 2002, poezi për të rritur, „Reportazhe lufte“ 2002, Prishtinë, prozë dokumentare, „Jetë për jetën“ 2004, Prishtinë, poezi për fëmijë, „Themele jete“ 2008, Prishtinë, rrëfime për fëmijë, „Endërra shëtit pa mua“, 2012, Tiranë, poezi për të rritur. Veprën: „Radio Kosova e lirë“, 2009, në tre vëllime, e përgatitën bashkë me Ahmet Qeriqin, Nezir Myrtën e Nusret Pllanën, ku tërësisht është përfshi puna gjatë Luftës Çlirimtare…)
- Poetika e vetëflijimit
Si t’i rikthehemi vetvetes, vlerave tona, si ta hapim zemrën?
Poeti e titullon librin e tij me dy nocione poetike: univers dhe jetë. Nëse që nga Hegeli e këndej, kur përmenden strukturat universale konkrete në letërsi, e deri në ditët e stome, vepra letrare është konsideruar si çështje e krijim krejtësisht individual, nga njëra anë, dhe, nga ana tjetër,është konsideruar po aq edhe çështje universale; atëherë le ta themi që jeta e njeriut, në vetvete është e papërsëritshme, unike, e shkrirë në universalen, aty ku vihen në gërshet atdhesia dhe universalja. E kemi fjalën për poezinë me veçori autentike, për krijimet me frymëzime burimore, ku universalja, atdhesia dhe individualja, historikja dhe jetësorja janë parime krijuese të kësaj lirike. Kur e përmendëm poezinë si Fletë e Gjallë dhe Histori e Gjallë, kishim parasysh këtë univers jete, si masë të identifikimit të fuqishëm shpirtëror e artistik. Atdheu shpirtëror, universi jetësor e poezia si Fletë e Gjallë dhe Autobiografemë, janë burime që nuk shterojnë, me ligjërimet e koncepteve të tilla. Vetvetiu jeta është një univers, ashtu sikundër e tillë është edhe vetë krijimtaria.
Po theksojmë, në fund, se me këtë vëllim poeti Martin Çuni nuk mund të vinte ndryshe, përpos me frymën e qëndresës e të rezistencës, me hijen e golgotave e të kryqëzimeve tona dje; dhe me Frymën e gjithmonshme të shqiptarësisë liridashëse që bredh nëpër shekuj, si një përtëritje e amshueshme, si zjarr që digjet për njerëz e për drejtësi, si frymë e pashuar e porosisë dhe e mesazhit lirik sot. Poezia na vjen si sintezë e artit dhe jetës, si esencë e ekzistencës sonë. edhe ky vëllim hyn në radhën e atyre vëllimeve që janë shkruar me frymë prometheizmi. Nuk është e habitshme përse vjen me identifikim të plotël emri i peotit me shenjtorin ilir të amrtirzuar Shën Martinin dhe me krye-emrin e historisë më të re, Adem Jasharin. Kjo është hapja më sublime dhe më festive e zemrës. Dhe kjo mund të arrihet më së miri me artin poetik.
Maj 2018