Preng Cub Lleshi

Preng Cub Lleshi: Historia nuk mund të rishkruhet, zotërinj akademikë; ajo vetëm mund të pasurohet!

Siç bën të ditur historiani Pëllumb Xhufi, në gazetën “Dita” të datës 14 maji, nga Akademia jonë e Shkencave është hartuar një projekt për rishkrimin e Historisë së Shqipërisë që nga antikiteti e deri në ditët tona, një botim i ri në tre vëllime, për botimin e të cilëve do të duheshin 300 milionë lekë.

Pas këtij njoftimi historiani ynë sikur i çudit paksa shqiptarët kur pohon se ky botim do të jetë “një tekst ndryshe” (?!), një vepër sintetike”. Dhe sikur i çudit disi dashamirësit e historisë, kur shton se kjo vepër “do të jetë një tekst reference për albanologët e huaj”. (?!) Se një ndërmarrje e tillë, “Rishkrimi i Historisë së Shqipërisë” do të duhej të hartohej, para së gjithash, për shqiptarët dhe jo si “një “tekst reference për albanologët e huaj” (?!), që këta “të shohin se ç’shkruajnë shqiptarët për vetën”. (?!)

Por dashamirësit e shkencës së historisë sikur i habit, përveç këtij “destinacioni interesant” të historisë së rishkruar, edhe fakti që kjo histori e Shqipërisë “do të jetë një tekst ndryshe”. (?!) Se shtrohet pyetja: Po cilët do të jenë ata historianë që tani, në agimin e shekullit XXI, do t`u servirin shqiptarëve dhe “albanologëve të huaj” një histori të re (?!), “të ndryshme” nga ajo që kanë shkruar paraardhësit e nderuar të tyre?

Se shqiptarët  nuk mund të besojnë që përsonalitete të tilla të nderuara si Prof. Neritan Ceka, Prof. Ferit Duka, Prof. Myzafer Korkuti, Apollon Baçe, Prof. Paskal Milio, Prof. Beqir Meta, Sonila Doçi, Ledia Duçi, Prof. Adem Bunguri, Gjon Berisha, Sabit Syla, Saimir Shpuza, Luan Perzhita, Prof. Pëllumb Xhufi, Prof. Skënder Muçaj e ndonjë tjetër, nuk do të guxojnë të bëjnë një “histori ndryshe të Shqipërisë”!.

Lidhur më këtë reagonte bukur gazetari Piro Prifti në shkrimin e tij, të shtruar në formë pyetjeje, “A mund të shkruhet historia e Shqipërisë nga akademikë të indoktrinuar?”, botuar në gazetën “Sot”, më 12 maji. Se këtu ai kishte të drejtë kur shkruante se “profesorët e historisë së Shqipërisë, të Pavarësisë, të epokës së Zogut, Luftës Nacional-Çlirimtare, të historisë së PPSH dhe të demokracisë së brishtë, nuk mund të hedhin poshtë tezat e tyre të shkruara që në kohën e PPSH dhe nuk mund të bëhen si I. Kadare, i cili pështyu atë që kishte lëpirë gjatë diktaturës”. (“Sot”, 12.05.2021) Dhe gazetari e argumentonte saktë këtë parashtrim, kur shtonte “Sepse janë profesorë, i kanë argumentuar tezat e tyre dikur e si mund të pështyjnë mbi punën e dikurshme”?

Dhe, duke mësuar për këtë histori “ndryshe”, dashamirësit e kësaj historie të Shqipërisë kanë të drejtë të pyesin të shqetësuar: Po pse “ndryshe”?! Se ata i japin të drejtë Napolon Bonapartit, i cili u ka folur jo vetëm francezëve, por edhe shqiptarëve, kur ka shkruar se “Historia është versioni i ngjarjeve për të cilët brezat kanë vendosur të bienë dakord”. Se ky pohim tregon në dritë të diellit që historia nuk mund të rishkruhet, por vetëm mund të pasurohet me fakte të reja të panjohura më parë.! Dhe Kjo ndodh sepse, siç lë të kuptohet Napolon Bonaparti, çdo brez e shkruan vetë historinë e vet mbi bazën e fakteve të njohura e jo të stisura.

     Kjo ka ndodhur edhe me historinë e Shqipërisë, e cila, për shkaqe të njohura historike, nisi të shkruhej pas natës së gjatë të robërisë turke, pas 28 Nëntorit të vitit 1912, për t`u ngritur në nivele të larta shkencore në vitet e socializmit, pas 29 Nëntorit të vitit 1944.

     Për këtë sikur dëshmon, disi indirekt, edhe historiani ynë. Këtë e bën kur flet për disa “risi në historinë e Mesjetës”. E bën kur, me të drejtë, e rithekson kritikën ndaj historianit austriak Oliver Jens Schmitt lidhur me trajtimin e historisë së Skëndërbeut. Këtë e bën edhe kur flet për refleksione të reja rreth figurës disi të diskutueshme të Ali Pashë Tepelenës.

     Në këtë plan, akademikët që do të marrin përsipër ta shkruajnë “dryshe” Historinë e Shqipërisë, do të zihen ngushtë kur për atë periudhë historike, që populli shqiptar e quan “Koha e Zogut”,  pra edhe për ish-mbretin Ahmet Zogu. Se ata nuk do ta kenë të lehtë të hedhin baltë mbi konkluzionet e paraardhësve të tyre për këtë figurë të etiketuar si tradhtar i kombit të vet!

     Dhe, nëse ndonjëri nga këta akademikë i ka harruar parashtrimet e paraardhësve të vet të gjysmës së dytë të shekullit XX për figurën e Ahmet Zogut, duhet të kujtojë, së paku, se si e vizatonte këtë figure ish-ambasadori i tij në SHBA, shkrimtari Faik Konica, kur shkruante: “E përbuz mbretin Zog për këto arsye: Asnjëherë nuk e kam dëgjuar të thotë një të vërtetë. Kurrë nuk e ka mbajtur fjalën e besës. Nuk ka asnjë ndjenjë përgjegjësie. Është i pandershëm, i pashpirt, egoist, i pangopur. Ai i urren të gjithë ata që kanë diçka, qoftë kulturë, prejardhje, pasuri, çfarëdo aftësie në ndonjë fushë”. (Vepra 2, f. 325)

     Dhe që “teksti ndryshe” do të jetë edhe një histori ndryshe e Shqipërisë (?!) e dëshmon historiani ynë në intervistën e tij, kur, duke mos e përmendur periudhën e ish-mbretit Ahmet Zogu, shkruan: “Thembra e Akilit në gjithë projektin mbetet historia e komunizmit: (?!) ballistë, legalistë, komunistë, stalinistë (?!), trockistë, dhe një vend i mbyllur (?!) prej nga ku, nuk dilej. (?!)

     “Mos kini dyshime, shkruan më tej historiani ynë, për komunizmin (?!) do thuhen të tëra. Që nga të këqijat (?!), me që jemi më të interesuar për të këqijat (?!) dhe deri te të mirat, e interesi kombëtar”. (“Dita”, 14.05.2021) Dhe njohësit e historisë së Shqipërisë i çudit kjo frazë e historianit tonë. I çudit jo thjeshtë se ai shfaqet si antikomunist, por, parasëgjithash, sepse, ndoshta pa dashje, ngatërron nocionin “komunizëm” me nocionin “socializëm”.

     Se ai duhet ta dijë që, siç theksohet në Fjalorin e Gjuhës së sotme shqipe, botim i vitit 1980, “Komunizmi (është) rendi ekonomiko-shoqëror më i lartë, që vjen pas kapitalizmit, pas fitores së revolucionit proletar, …ku sundon plotësisht prona e përbashkët,…faza e dytë, faza më e lartë  e këtij rendi …” (f. 857-858) Dhe njohësit e historisë së Shqipërisë, po edhe të asaj botërore, e dinë se kjo fazë e zhvillimit të shoqërisë njerëzore nuk është arritur në asnjë vend të botës sonë.

     Ndaj duhet pyetur ky historian: Në Shqipërinë e gjysmës së dytë të shekullit XX, kur udhëhiqte PPSh me Enver Hoxhën në krye, a flitej “për ndërtimin e socializmit”, apo “për ndërtimin e komunizmit”? Apo kjo “ngatërresë” konceptesh historike është shpikur nga antikomunistët në kuadrin e luftës kundër idealit komunist dhe kundër një doktrine mbi ndërtimin e një shoqërie pa shtypje e shfrytëzim të njeriut nga njeriu?

     Gjithsesi, historiani ynë duhet ta dijë se ata që janë projektuar për ta “rishkruar ndryshe” historinë e Shqipërisë, sipas oreksit të antikomunistëve shqiptarë, nuk mund t`i rrëzojnë lehtë konkluzionet e paraardhësve të tyre! Ata nuk mund ta rrëzojnë, së paku, as pohimin lapidar të kryepriftit, po edhe të historianit shqiptar Fan S. Noli, i cili shkruante:

     “Diell i flaktë ishte Guberna Demokratike e Enver Hoxhës, e cila, pa asnjë dyshim, është e fortë edhe brenda edhe jashtë…se, përveç veprave konstruktive, ka mundur të zbatojë reformën agrare me rrënjë dhe ta transformojë Shqipërinë nga një çiflik i bejlerëve, në një tokë të fshatarëve dhe të punëtorëve;…se, për herë të parë në histori të saj, Shqipëria e vogël qëndron ballëpërpjetë dhe di t`ua japë xhevapin gjithë kapadainjëve që i bienë në qafë”. (v.3, f. 379)

     As ballisto-zogistët, që e bënë vetën me turp duke bashkëpunuar me pushtuesit fashistë italianë e gjermanë, nuk mund ta “korrigjojnë” pohimin e kryepriftit tonë, i cili shkruante: “Desh perëndia, duallnë në shesh partizanët me Enver Hoxhën në krye dhe jo vetëm e nxuarrnë Shqipërinë nga hendeku i vdekjes, po e vunë në radhën e të gjallëve pranë shteteve aleate”. (Gazeta “Dielli”, Boston 1947, 26 mars, nr. 5767)

     Dhe, për të mos u marrë gjatë me ato akademikë që kanë marrë përsipër ta “rishkruajnë” historinë e Shqipërisë sipas oreksit të antikomunistëve, duke sulmuar edhe udhëheqësin legjendar të gjysmës së dytë të shekullit XX-Enver Hoxhën, dua t`u kujtoj atyre se do ndjehën keq para kujtimit të paraardhësve të tyre, por edhe përpara një opinioni më të gjërë publik, kur të ballafaqohen me pohimin e ish-Presidentit të SHBA, Xhorxh Bush, i cili, duke kujtuar Enver Hoxhën, shkruante: “Për mua Enveri është idhull dhe kam mësuar shumë nga ai se si duhet kombi dhe atdheu. Ai… ishte një udhëheqës i madh, që udhëhoqi për 45 vjet dhe zgjoi një popull, duke e rreshtuar midis popujve të emancipuar dhe të zhvilluar”.

     Dhe, duke u njohur me pohime të tilla dhe me synimet e Akademisë sonë të Shkencave për të shkruar “një histori ndryshe” të Shqipërisë, duket se ka ardhur koha që shqiptarët të kujtojnë mendimin e Edward R. Marrow, i cili shkruante: “Hap i parë për likuidimin e një populli është të fshijnë kujtesën e tij. Shkatërroni librat e tij, kulturën e tij, historinë e tij. Atëherë vini dikë të shkruajë libra të rinj, të  krijojnë një kulturë të re, të shpikë një histori të re. Para se të kalojë shumë kohë, kombi do të harrojë çfarë është dhe çfarë qe”. “Zhbërja e Kombit”)

  1. 5. 2021

 

 Preng Cub Lleshi është autor i 23 librave poetikë, publicistikë, historikë e gjuhësorë

 

Kontrolloni gjithashtu

Në 8-vjetorin e fillimit të transmetimit të TV-Diellit

Në 8-vjetorin e fillimit të transmetimit të TV-Diellit

Në këtë përvjetor të 8-të, të Televizionit Dielli, reflektojmë me krenari mbi një rrugëtim të …