leoni

Gjergj Kastrioti - Skenderbeu

PRENG CUB LLESHI: JETA DHE VEPRIMTARIA E GJERGJ KASTRIOTIT ËSHTË E LIDHUR JO VETËM ME KRUJËN…

JETA DHE VEPRIMTARIA E GJERGJ KASTRIOTIT ËSHTË E LIDHUR JO

VETËM ME KRUJËN, POR EDHE ME MIRDITËN E ME VISE TË TJERA TË SHQIPËRISË

        Replikë rreth shkrimit të Shaban Muratit “KA HUMBUR

                                       KRUJA?!”, botuar në gazetën “Dita” më 8 mars 2021

     Është e natyrshme që titulli therës, i shtruar si pyetje, i shkrimit të Shaban Muratut “Ka humbur Kruja?!”, t`i tërheqë vëmendjen jo vetëm një studiuesi, por edhe çdo dashamirësi të historisë së Shqipërisë. Ka qenë kjo arsyeja që më shtyri ta lexoj me një frymë, si i thonë, këtë shkrim, i cili trajton një temë të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar, një temë që meriton vëmendje.

     Nxitjen për ta lexuar këtë shkrim studiuesit dhe dashamirësit të historisë, autori sikur ia jep që në paragrafin e parë. Se ai e nis atë shkrim me një frazë, idetë e të cilës nuk mund të mos shkaktojnë debate e polemika edhe midis historianëve tanë e dashamirësve të shkencës së historisë.

     “Marin Barleti, Naim Frashëri, Fan Noli dhe nja njëmijë e kusur historianë, studjues, diplomatë, shkrimtarë e poetë të huaj, që kanë shkruar mbi 1 mijë vepra për Skënderbeun nga shekulli 15 deri në shekullin 21, “të gjithë” (?!), thekson autori, e lidhin emrin, jetën dhe luftën e tij 25 vjeçare për lirinë shqiptare me kalanë dhe me qytetin e Krujës, si kryeqendër e mbretërisë së tij të pavarur”.

     Por, duke e lexuar me vëmendje këtë frazë, secilit i lind e drejta të shtrojë pyetjen: A thua vërtetë “të gjithë” ata historianë, shkrimtarë e stiudjues, që kanë shkruar për Heroin tonë Kombëtar “e lidhin emrin, jetën dhe luftën e tij 25 vjeçare për lirinë shqiptare me kalanë dhe me qytetin e Krujës, si kryeqendër e mbretërisë së tij të pavarur”. ?!  Se emri i Gjergj Kastriotit, siç na dëshmojnë shumë historianë të njohur, shqiptarë dhe të huaj, lidhet fort jo vetëm me Krujën dhe kështjellën e saj, por edhe me emrat e viseve të tjera të Shqipërisë, fakt që nuk mund të lihet në harresë edhe kur flitet për Krujën dhe kështjellën e saj legjendare.

     Se, kur flitet për këtë monument të historisë së Shqipërisë, nuk mund të lihet në harresë as qyteti i Lezhës, ku Gjergji ynë mbajti Besëlidhjen e madhe të shqiptarëve më 2 mars 1444, bash aty ku edhe u varros, sipas zakonit të lashtë të të parëve të tij, në Mirditë. Për këtë të vërtetë dëshmonte edhe Rilindasi ynë i shquar Preng Doçi, i cili, më 30.09.1885, në revistën “Flamuri i Arbrit”, u tregonte bashkëatdhetarëve të vet se “Sot emri i Lezhës i bën të rrahin zemrat e shqiptarëve, sepse fati i saj lidhet me fatin që pati Skënderbeu në Shqipëri”. Dhe, më tej vazhdonte: “Në Lezhë u lidh besa e parë prej krerëve të Shqipërisë dhe Skënderbeu u zgjodh në krye të tyre”.

     Në vazhdim të këtij shkrimi, rilindasi ynë u tregonte edhe pasardhësve të vërtetën e madhe historike, të cilën historiografia shqiptare, çudirërisht, e ka anashkaluar edhe gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, edhe në agimin e shekullit XXI. Këtë të vërtetë Rilindasi ynë e bënte, kur u tregonte bashkëkomasve të tij se “Lezha ka bërë pjesë, sikurse edhe sot (nëntor 1885-shënimi im), në trevën e Mirditës, që lufton nën shenjën e Gjergj Kastriotit dhe qe cep i Dukagjinëve”.

     Dhe që emri i Gjergj Kastriotit është i lidhur me emrin e Mirditës më shumë se me emrat e krahinave të tjera të Shqipërisë, na e dëshmojnë shumë historianë shqiptarë dhe të huaj. Këtë e bënte, midis të tjerëve, Fan S. Noli i madh kur, në Veprën 4, shkruante:  “Mirditën dhe Hasin i kishte Gjon Kastrioti, po Barleti s’ua përmend emrat fare dhe i përmbledh me emrin e përgjithshëm Aemathia”, duke shtuar se “Aemathia e Barletit ka qenë, që nga koha e tij e gjer sot, një burim lajthitjesh (për historianët-shënimi im), se me këtë emër quhej në kohët e vjetra Maqedonia Jugore dhe, shpesh, tërë Maqedonia”. (fq. 67 dhe 63)

     Dhe Fan S. Noli i madh sikur i orientonte historianët e të ardhmës në kërkim të të vërtetave historike për vendorigjinën e Kastriotëve, kur u kujtonte atyre se “Thaloc dhe Jeriçek (në veprën “Zwei Urkunden aus Nordalbanien”- shënimi im) e quajnë përrallë sllavërinë e Kastriotëve dhe shtojnë se llagapi i tyre…tregon se i kishin rrënjët nga një fshat i quajtur Kastri” (Vepra 4, f. 66), tezë që, pas Perandores së Rusisë Katrina Grosse, ose Katerina II, e kishte hedhur edhe historiani austriak Jakob Falmerajer, në librin “Elementi shqiptar në Greqi””.

     Këtë e bënte kur shkruante se “Kastriotët ishin nga fshati Kastër i Mirditës”, duke shtuar se, “Që në fillim të shekullit XIV, në krahinën e stërlashtë shqiptare të Mirditës, ka ekzistuar një familje Kastrioti”. (f. 167) Dhe, po aty, vazhdonte: “Kastriotët u përkasin mirditasve të mirëfillët dhe familja e kryetarëve të Mirditës, Gjinmarkajt-(Gjonmarkajt-shënimi im) janë vetë Kastriotët”, në kuptimin e pasardhësve të këtij fisi.

     Edhe më i madhi historian shqiptar i gjysmës së dytë të shekullit XX, Aleks Buda, si pa dashur, në këto vise na çon, kur, në përmbledhjen “Studime historike”,  pohon se,  “Sipas të dhënave të një marrveshjeje tregtare me qytetin e Dubrovnikut (1420), tokat që u përkisnin zotërimeve të Gjon Kastriotit nisnin në perëndim, në bregdet, në rrethinat e qytetit të Lezhës dhe arrinin deri në rrethinat e Prizrenit, d.m.th, përfshinin trevën në jug të lumit Drin, Mirditën e Lumën”. (f. 201)

     Të vërtetat që u sollën më sipër për lidhjen e emrit të Gjergj Kastriotit me Lezhën, si pjesë e Mirditës etnografike dhe me Mirditën, si një njësi administrative, nuk e përjashtojnë  shqetësimin e auatorit të shkrimit, sipas të cilit “Sot rapsodët e rrapeve dhe përralltarët ëndrrazgjuar shqiptarë, të ndihmuar nga qeveritë dhe bashkitë mendjeshkurtëra të mllefeve krahinore (?!), e kanë fshirë emrin dhe lavdinë historike kombëtare të Krujës”. Sepse çdo tendencë për ta mënjanuar a për ta lënë në harresë “Qytetin Hero” të Krujës dhe kështjellën e saj legjendare do të tingëllonte si antishqiptare! Sepse, siç dihet, “një komb pa histori është një komb pa të ardhme”!

     Por autori i shkrimit, kur shpreh shqetësimin se “Folklori shqiptar i majëplepit ka fshirë dhe epopenë e “Rrethimeve të famshme të Krujës”, sikur nuk qëllon në shenjë, kur shton se, në këto rrethana, i është “lënë dorë e lirë fantazisë së çdo çiftelije apo zurnarje fshati të pretendojë emrin e fshatit të vet (?!) sikur Skenderbeu e paska mbrojtur nga rrethimi i famshëm i ushtrisë osmane”. (?!)

     Se, edhe pse historiografia e gjersotme shqiptare ka folur për tre vendorigjina të mundshme të Kastriotëve, Matin, Dibrën dhe Hasin, “210 Dëshmi dhe referenca historike për origjinën mirditore të kastriotëve”, përfshirë tanimë në një libër me të njëjtin titull, e pohojnë qartë se emri i Gjergj Kastriotit është i lidhur, para së gjithash, me Mirditën, që rezulton të jetë vendlindja e tij dhe vendorigjina e Kastriotëve.

     Kjo sikur dëshmohej edhe në tekstin “Historia e Shqipërisë”, botim i vitit 1967 (për Universitetin-shënimi im), në të cilin shkruhej: “Kufijtë e këtyre zotërimeve (të Kastriotëve-shënimi im) përcaktoheshin prej Shufandaje në jug të Lezhës, deri në Prizren” (f. 248), territor që tregonte trojet e Dukagjinëve dhe të Kastriotëve.

     Këtë të vërtetë e pohonte qartë edhe historiani francez Zhan Dysylje, i cili sikur perifrazonte historianin e paharruar Aleks Buda, kur, në “Konferenca e Dytë të Studimeve Albanologjike”, vëllimi i dytë, pohonte se “Midis rrjedhës së poshtme të Matit dhe të Drinit shtriheshin zotërimet e Kastriotëve dhe të Dukagjinëve, ku Lezha ishte kryeqendër” (Vëllimi II, f. 100), pra jo Kruja.

     Të njëjtën pikëpamje përcjell edhe  historiania turke Nuray Bozbora, e cila, siç dëshmon studiuesi Gjetë Ndoj, në librin e tij “Arbëria në kufijtë e mbijetesës”,   shkruante se “Gjon Kastrioti, kreu i familjes Kastrioti,…njihej si një nga princat katolikë të rajonit të Mirditës”. (f. 118) Ndaj shtrohet pyetja: A mund t`i hedhë poshtë autori i shkrimit të cituar në fillim dëshmi të tilla, që përsëritën edhe nga dhjetra historianë shqiptarë dhe evrropianë, kur dihet se në mesjetë princat ishin vendës dhe jo “importuar” nga krahina të tjera?

     Këto të vërteta nuk “e ndajnë Skënderbeun nga Kruja”, siç lë të kuptohet Shaban Murati në shkrimin e tij “Ka humbur Kruja?!”. Se ky autor duhet ta dijë që edhe akademikë të shquar, po edhe shumë sttudiues të spikatur, e njohin Mirditën si vatrën e dy fiseve legjendare, Dukagjinëve dhe Kastriotëve. Se akademiku Dh. Shuteriqi nuk “shpikte” ndonjë “katund të vetin” a “fantazma të lavdive mesjetare” (?!), kur shkruante se “Gazulli shqiptar (Gjon Gazulli-shënimi im), autoritet në Raguzë, nuk duhet të jetë pa dijeni, mbi çka zhvillohet në Mirditën e tij, ku zoti i vendit, Gjon Kastrioti, është thyer e nënshtruar më 1430 dhe tani e ka syun për kryengritje”. (“Moti i Madh” f. 83)

     Se as gjeografi dhe etnologu francez Ami Bue nuk “shpikte” ndonjë “katund të vetin” a “fantazma të lavdive mesjetare”(?!), kur, siç pohon historiani Kristo Frashëri, në librin “Reise Rumelien”, vëllimi i dytë, f. 325 e 350, Amir Bue shkruante se   “Popullsinë shqipfolëse, në të dy anët e Drinit, e quajnë, në përgjithësi, “mirditase”, duke shtuar se “ mirditasit e mirëfilltë, të cilëve u përkasin Kastriotët, gjenden në anën jugperëndimore, ndërsa Dukagjinasit në anën verilindore të shtrirjes së territorit të lartpërmendur…” .

     Dhe, për të mos u zgjatur me 210 dëshmi dhe referenca historike për origjinën mirditore të Kastriotëve, të cilat vështirë se mund t`i rrëzojë Akademia jonë e Shkencave, dua t`u kujtoj historianëve tanë dhe dashamirësve të historisë së Shqipërisë, se disa nga këto të vërteta do t`i kenë njohur edhe dy figurat e ndritura të Rikundjes sonë Kombëtare, stërmbesa mirditore Elena Gjika dhe poeti Risto Siliqi. Se, ndryshe, Elena Gjika nuk do të shkruante, në veprën e saj “La Nacionalita Albanese”, f. 34, se  “Mirdita është zemra e Shqipërisë, tek e cila gjen strehë shpirti i pavarësisë”.

     Se, ndryshe, as poeti i Rilindjes Kombëtare, Risto Siliqi nuk do të vjershëronte:

   “O Mirditë! O trimnesh` e dheut!

   I Arbnisë fis i kryekreut!

       ………………………….

   Vuejte prova, por s’i mbete shtegut

   Dhe ia mbajte jazin Skanderbegut”. . (Vepra”, f. 91)

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …