Preng Cub Lleshi

Preng Cub Lleshi: Kukuvajkat antikomuniste vajtojnë për ballistët

Ka më shumë se 25 vjet që në Shqipëri ka nisur vaji i kukuvajkave antikomuniste për ballisto-zogistët. E veçanta e këtij vaji është se ai sikur po këndohet si një këngë, si një këngë trimërie e qëmotshme nga ca këngëtarë mjeranë e gati-gati anonimë, edhe pse atyre u prin “historiani” i zellshëm ballist Uran Butka dhe “miqtë” e tij Alimadhi e Roshi. Epilogu i kësaj kënge që duket se e frymëzoi edhe Presidentin Nishani, për të kënduar edhe ai me një zë disi “origjinal”, me dekorimin e 67 ballistëve, që u vranë nga forcat partizane të Brigadës së Parë Sulmuese si bashkëpunëtorë të pushtuesve fashistë, duke bërë marrëzinë e tij të radhës, jo si President i shqiptarëve, por, siç thoshte intelektuali Idajet Beqiri, si “komandant i çetës së vogël të Ballistëve”. Ky zë grishi në korin e kukuvajkave antikomuniste plot korba të së djathtës shqiptare, të cilët, me krrakrratë e tyre, i thurnin lavde Nishanit për “nishanin” (turpin) që bëri, duke i dekoruar si “Martirë të Lirisë” a Demokracisë 67 ballistët. I thurnin lavde Presidentit jo vetëm eksponentët e PD, por edhe shumë ithtarë të kolaboracionistëve ballisto-zogistë, ku nuk mund të mungonte as Blendi Fevziu, as Mit`hat Havari.

Dhe shqiptarët e ndershëm nuk i mërzitin vetëm zërat e ndryshëm të korit të kukuvajkave antikomuniste, por, parasëgjithash, përsëritja e të njëjtit tekst me një vijë tjetër melodike, që paraqitet si risi. Dhe ideja që i përshkon këto tekste është kërkesa për “rishkrimin e historisë” së Shqipërisë, sepse ajo i paska paditur padrejtësisht Ballistët si bashkëpunëtorë të pushtuesve fashistë italianë e gjermanë. Kështu Kryetari i Partisë së Ballit Kombëtar Demokrat, Artur Roshi, duke i mbajtur iso Nishanit, trillonte se “Nuk ka asnjë rresht në asnjë dokument arkiv të vendit apo të huaja që të thonë se Balli ka bashkëpunuar me pushtuesit”, kur njihet mali i dokumentave, vendës dhe të huaj, që vërtetojnë të kundërtën. Dhe të sjellim ndonjë pjesë të këtij mali!

Së pari, lë të sjellim pohimet e gjeneralit Deivis në dhjetor të vitit 1943, kur ai shkruante: “Të gjithë: edhe ballistët, edhe legalistët janë duke bashkëpunuar me gjermanët, të cilët i pajisin me armë dhe i venë të ruajnë rrugët kryesore”…“Balli Kombëtar është duke bashkëpunuar me gjermanët; armatoset, stërvitet dhe lufton krah tyre kundër Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare”…“Barra e luftës kundër pushtuesve nazistë bie mbi shpatullat e Lëvizjes Nacionalçlirimtare, ndërsa Balli dhe Legaliteti bëheshin kollaj partneret e tij në frontin antikomunist”. (“Aventurë Iliriane”)

Së dyti, kryeballisti Artur Roshi duhet të kujtojë se edhe eprori i forcave gjermane në Europën Juglindore Herman Nojbaher ka pohuar qartë se “Burrat e Ballit Kombëtar kurrë nuk u ndeshën me trupat tona. Ata i përdornin energjitë e tyre kundër partizanëve në jug të vendit…Prapavija jonë mbrohej nga banditë shqiptarë nën drejtimin e fiseve dhe të klaneve të tyre. Ata na mbronin në radhë të parë nga partizanët…”. Dhe këto të vërteta nuk mund t`i fshijnë kalemxhinjtë e Ballit Kombëtar të ditëve tona!

Se kishte të drejtë edhe një gjerman tjetër, poeti dhe dramaturgu i madh Bertold Breht, kur shkruante: Kush nuk e ndau luftën me shokët,  ai me armikun do të ndajë disfatën… sepse  për çështjen e armikut do të luftojë  ai që s’luftoi për popullin e tij

 Dhe gënjeshtrës së Artur Roshit ia nxjerr bojën edhe edhe një nacionalist si Kostë Çekrezi, i cili, në vitin 1945, siç kumton analisti V. Malaj, i shkruante mikut të tij Qazim Prodani: “Qofshin 5% ose 50%, ata (partizanët-V.M.) janë burrat që luftuan burrërisht gjer në fund, pa u trembur as nga kapadainjtë qesharakë të Duçes, as nga automatët e fanatizuar të Fyhrerit dhe e fituan luftën për nder të Shqipërisë, duke shlyer njollat e zeza që la në faqet e historisë tonë katili i Matit, palaçot e ceremonive tradhëtore të prillit 1939 dhe duaxhinjtë e Hitlerit, të dënuar me çdukje”. Po ja që këto të vërteta bën sikur nuk i di edhe gazetari Blendi Fevziu, kur e konsideron të drejtë vendimin e Presidentit Nishani. Dhe thotë edhe ai marrëzinë e radhës, kur, duke iu referuar Xhelal Staraveckës, shkruan se ky akt “u krye nga Brigada e Parë me një vendim të marrë nga Dushan Mugosha”, (?!) kur dihet se Komandant i kësaj brigade ishte Mehmet Shehu. Po shkon më tej ky gazetar në marrëzitë e tij, kur shkakun e asaj që ai e quan “masakra e Lushnjës” e kërkon tek prishja e Marrëveshjes së Mukjes nga Këshilli i Përgjithshëm Antifashist Nacionalçlirimtar(?!), duke “harruar” se këtë marrëveshje e kishin dënuar në kohën e tyre edhe Bedri Spahiu, edhe Ymer Dishnica, edhe Sejfulla Malëshova. Se këta, me pohimet e tyre, e djegin përrallën e Blendit mbi grisjen e Marrëveshjes së Mukjes.

E djeg këtë përrallë qoftë edhe pohimi i Ymer Dishnicës, i cili theksonte se “Atje (në Konferencën e Mukjes-shënimi im) ne pamë Ballin me letra të hapura, ethet që patën për të fituar kolltuk, trashëgimtarë të vërtetë të fashizmit, siç tha Nakua”. (Arkivi i PPSH, Fondi 40, Dosja 12)    “Ne, vazhdonte më tej Y. Dishnica, u thonim, se këto vendime (vendimet e Konferencës së Mukjes-shënimi im) do të aprovoheshin në Këshillin e Përgjithshëm Nacionalçlirimtar dhe nuk mund t`i pranojmë pa marrë pëlqimin e organizatës sonë”. Dhe, sikur ta dinte se do të lindnin në të ardhmën fallsifikatorë të të vërtetave historike, shton: “Me raportin e z. Enver Hoxha jam dakord, se është zëri i pastër i kombit,… është zëri i Lëvizjes sonë”. Po Blendi Fevziu, kopjon keq përrallat e ballistëve mjeranë. Një here pajtohet me vendimin e Presidentit Nishani për dekorimin e 67 “Martirëve të Demokracisë” (?!), apo të Lirisë dhe, pak më vonë, thekson, si edhe F. Lubonja e M. Marku, se “Ata janë viktima të pafajshme të një lufte civile”. Dhe pastaj, duke harruar se pak më pare i quante të 67 ballistët e pushkatuar nga Brigada I Sulmuese “viktima të pafajshme të një lufte civile”, thërret në kupë të qiellit: “Lërini së paku të ndihen krenarë me atë dekoratë simbolike”! (?!)

Dhe shqiptarët e ndershëm kanë të drejtë të pyesin: A mund të ndjehen krenarë, qoftë edhe për një moment, ata që bashkëpunuan me pushtuesit fashistë?! Se edhe Adolf Hitleri, kur e pyeten se kush ishin njerëzit më të poshtër që kishte njohur, u përgjigj shkurt: “Njerëzit më të poshtër që kam njohur janë ata që më kanë ndihmuar mua për të pushtuar vendet e tyre”. Se kishte të drejtë poeti i Rilindjes Kombëtare, Filip Shiroka kur, në poezinë “Sipër vorrit të një grekomanit”, shkruante:

“Këtu prehen eshtrat e një fare qyqarit,

Që turpnisht jetën e vet e ka shkue;

Shqiptar, për fat të zi dhe bir shqiptarit,

Punoi për Greqinë, Shqipninë me tradhtue.

Tradhtar emnohej sa ish gjallë ky i shkretë

Dhe tradhtar emrin ka me pas përjetë”.

Po ku duan t`ia dinë kukuvajkat antikomuniste se ç`thonë dokumentet historike për “bëmat” e Ballit Kombëtar?! Ku duan t`ia dinë pinjollët e bashkëpunëtorëve të fahizmit se ç`kanë thënë për tradhtarët dhe tradhtinë Filip Shiroka, Bertold Breht e të tjerë?! Ata mendojnë se u ka ardhur ora e rehabilitimit, ora kur mund të mbulohet tradhëtia e tyre. Është kjo arsyeja që të gjithë korbat antikomunistë kërkojnë “rishkrimin e historisë”, “revizionimin” e saj, si të shprehej edhe Mit`hat Havari në një shkrim të tij në “Gazeta Shqiptare”, të cilin e kishte titulluar “Një histori Shqipërie që do revizionuar thellë”, në të cilin përpiqej të denigronte jo vetëm “enveristët e mbetur gjallë” por edhe “ushtarët e tyre”, që sipas tij, “tashmë janë historianë”. Me gjuhën karakteristike të ballistëve, duke dashur t`i denigrojë kundërshtarët e tij politikë, M. Havari shkruan se “Kopeja e enveristëve”, është duke u diskredituar në sytë e rinisë shqiptare”, sepse ajo nuk e njohka historinë e Shqipërisë dhe, veçanërisht, historinë e Luftës Antifashiste.

Dhe, duke bërë përpjekje për t`i treguar rinisë së ditëve tona diçka nga historia e Ballit Kombëtar që njeh ai, thotë ca gjëra që zbulojnë në dritë të diellit natyrën e vërtetë të kësaj organizate kolaboracionistësh. Se, si pa dashur, duke rrëfyer për një sulm të Brigadës I Sulmuese në Dukat të Vlorës, më 23 dhjetor 1943, shkruan:  “Burrat dhe gratë trima (?!) të Dukatit… iu përgjigjen me armë banditëve”. (?!) Dhe, merret vesh, se “banditë” Mit`hati quan partizanët legjendarë, të cilët edhe Evropa e qytetëruar i ka njohur dhe i njeh si “luftëtarë të lirisë”.

Këtë të vërtetë e kuptuan shqiptarët e ndershëm në vitet e Luftës së Dytë Botërore, prandaj ata e bënë të tyren parullën e Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar “Vdekje fashizmit! Liri popullit”, sepse për ta, përpara se të “kërkoheshin” tradhëtarë midis shqiptarëve, duheshin luftuar pushtuesit fashistë!

Këtë, me sa duket, e kishte “pranuar” edhe kreu i të djathtës shqiptare në këto 25 vite të pseudodemokracisë, ish Presidenti Sali Berisha, i cili, në vitin 1994, duke folur për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare në parlamentin shqiptar, deklaronte: “Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare është një ndër epopetë më të ndritshme në historinë e kombit shqiptar…Partizanët shqiptarë…, pas një sage vuajtjesh…, ia dolën ta çlirojnë vendin dhe ta renditnin Shqipërinë në koalicionin antifashist botëror”.

Këtë zë duhej ta kishin dëgjuar kukuvajkat antikomuniste; duhej ta kishin dëgjuar ballisto-zogistët e ditëve tona, që kërkojnë të ringjallin kufomat që u bënë me turp duke u vënë në shërbim të pushtuesve fashistë. Këtë zë duhej ta kishte dëgjuar edhe Presidenti Nishani përpara se të dekoronte si “Martirë të Demokracisë” a Lirisë 67 ballistët “legjendarë”.

Dhe, nëse nuk i ka “pëlqyer” zëri i Saliut, duhej të kujtonte zërin e kryepriftit Fan S. Noli, i cili u fliste gjithë shqiptarëve kur shkruante: “Ballistët… bashkëpunuan me fashistët italianë dhe me nazistët gjermanë me shpresë se do të fitonin luftën bashkë me ta. Me këtë taktikë jo vetëm vranë vetën, por mend e vranë edhe Shqipërinë, të cilën e nxinë para botës si proitaliane e progjermane”.   (Vepra 3, f. 317)  (Dita  3. 11. 2016)

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI; Tafil Buzi, patrioti që hoqi vallen e jetës në buzë të greminës

Pa  dëshmor historia  e  një  kombi venitet, pa  heronj  historia  e një kombi  është destinuar  …