BE

Presidenca Suedeze e BE-së fillon konsultimet me vendet anëtare lidhur me kërkesën e Kosovës për anëtarësim në këtë Union

Presidenca Suedeze e Bashkimit Evropian ka nisur konsultimet me vendet anëtare lidhur me kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, dhe në këtë moment nuk dëshiron të paragjykoj se cilat do të jenë rezultatet e këtyre konsultimeve. Këtë e ka thënë në Bruksel Ambasadori i Suedisë në BE, Lars Danielson, i cili personalisht ka nisur këto konsultime në cilësinë e kryesuesit të radhës së BE-së. Danielson e ka thënë këtë në një takim me gazetarët e akredituar në Bruksel të cilëve u ka shpalosur prioritetet që Suedia do t’i ketë gjatë kryesimit të saj me Këshillin e BE-së. “Ne po konsultohemi me shumë shtete për të parë se si do të vendosim rreth kësaj kërkese. Kemi pesë vende që nuk e njohin Kosovën dhe është e natyrshme që me to konsultohem së pari. Me disa tashmë jam takuar dhe po vazhdojmë takimet”, ka thënë ai. Përfaqësuesi i përhershëm i Suedisë në BE ka thënë se vendimi se si të veprohet me aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE është procedural por edhe politik. Është një vendim procedural por ka një rëndësi të madhe politike. Nuk dua t’i paragjykoj rezultatet e konsultimeve por sapo të shoh se po ndërtohet konsensusi mes vendeve anëtare se si të veprohet do të njoftoj vendet anëtare. Kemi dy alternativa: T’ia bartim Komisionit apo të mos ia bartim Komisionit. Por po punojmë me shumë vullnet në këtë dosje”, ka thënë ambasadori, Lars Danielson, raporton REL.

 

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi i Kosovës shënon virtualisht Ditën e Demokracisë

Kuvendi i Kosovës diskuton në Seancë Plenare për Buxhetin e Vitit 2025

Sot deputetët e Kuvendit të Kosovës mblidhen në seancë plenare për shqyrtimin e dytë të …