Prezantohet Strategjia Kombëtare për Zhvillim në Ferizaj

Këtë te enjte në Ferizaj, u bë prezantimi i Strategjisë Kombëtare për Zhvillim, e organizuar nga Zyra për Planifikim Strategjikë nga Zyra e Kryeministrit  të Kosovës.

Pjesëmarrës në takim ishte kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, Lutfi Zharku nga  Ministria e Infrastrukturës, Blerand Stavileci, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Ferid Agani  nga Ministria e Ambientit dhe Planifikimit  Hapësinor si dhe Agim Krasniqi zv.ministër i Ministrisë së Financave.

Gjatë këtij prezantim u tha se  Strategjia Kombëtare për Zhvillim synon të adresojë sfidat kryesore për zhvillimin ekonomik të Kosovës deri në vitin 2021. Është hera e parë që Kosova ka një dokument të tillë dhe përfshinë 34 masa të politikës si prioritete të larta. Kështu u tha mes tjerash gjatë takimit publik  në Ferizaj, kur  u prezantua Strategjia Kombëtare për Zhvillim  përkatësisht shtylla e katërt, ajo e infrastrukturës.

Sipas kësaj strategjie Kosova ndodhet në një fazë të rëndësishme ku fokus kryesor është zhvillimi gjithëpërfshirës ekonomik.

Me këtë rast ministri i Ministrisë së Infrastrukturës, Lutfi Zharku, tha se Qeveria e Kosovës, pritet të realizojë shumë projekte. Sipas tij vizion i ministrisë që ai drejton është të bëjë rregullimin e rrugëve nacionale dhe regjionale.

Edhe ministri i ambientit  dhe planifikimit hapësinor  Ferid Agani tha se kjo strategji ka për synim edhe shfrytëzimin racional dhe rritjen e kapaciteteve ujore, shfrytëzimin dhe menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve, menaxhimin e qëndrueshëm të mbeturinave etj.

Ndërkaq ministri Blerand Stavileci, tha se nëse kapitali njerëzor mobilizohet mirë, atëherë edhe shtyllat tjera duhet t’i arrijnë objektivat dhe rezultatet e pritura.

Ai veç tjerash ka potencuar energjinë elektrike si faktorin kyç për zhvillimin ekonomik në vend, duke thënë se sektori privat ka pësuar shumë si pasojë e mos furnizimit të rregullt me energji.

Ndërkaq zv.ministri i Financave Agim Krasniqi, tha se Strategjia Kombëtare për Zhvillim do të jetë një udhërrëfyes i angazhimeve të përbashkëta dhe të koordinuara për të adresuar fushat kyçe të cilat do të kenë ndikim në zhvillimin e përshpejtuar ekonomik të Republikës së Kosovës.

Nga ana tjetër kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, është shprehur i kënaqur që ishte pjesëmarrës në paraqitjen e një dokumenti kaq të rëndësishëm për kahet e zhvillimit gjithmbarshëm të vendit tonë në 5-6 vitet e ardhshme. Kryetari SVarqa tha se shpreson që një dokument i tillë do të jetë edhe në shërbim të qytetarëve të Ferizajt. Theksoi se strategjinë do ta pasuronte futja nëntokë e hekurudhës, por veçoi para ministrave edhe qasjen e Ferizajt në autostradën Prishtinë – Shkup.

Në këtë takim folën edhe pjesëmarrës tjerë, të cilët shprehën mendimin se këto takime publike kanë për qëllim të bëjnë promovimin dhe rrisin informimin rreth finalizimit të Strategjisë dhe masat që do të ndërmerren për implementimin e saj.

Pas përfundimit të prezantimit të strategjisë, kryetari Svarqa, ka pritur në një takim edhe ministrin e infrastrukturës Lufti Zharkun, si dhe zv.ministrin e financave, Agim Krasniqin me të cilët ka biseduar lidhur me shumë projekte infrastrukturore që pritet të realizohen  në qytetin e Ferizajt.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …