Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i shoqëruar nga Drejtori i Shërbimeve Publike Bekim Brestovci, me rastin e përurimit të Qendrës për Trajtimin e Qenve Endacakë ka ka thënë se problemi i qenve endacakë në kryeqytet po zgjidhet.
Kjo Qendër sipas kryetarit do të ketë një rol të rëndësishëm në sigurinë e qytetarëve duke reduktuar numrin e qenve në rrugë dhe duke u kujdesur për mirëqenien e tyre. Qendra është furnizuar me pajisje moderne dhe ka të punësuar veterinarin, dy teknikë veteriner si dhe stafin tjetër mbështetës.
Shumë shpejt do të fillojë bartja e qenve endacakë nga rrugët e Kryeqytetit në këtë Qendër për trajtim, e më pas në pjesën e poshtme të Qendrës ku po finalizohet pjesa e strehimit për rreth 350 qen. Ata do të mbahen në pjesën e strehimit deri në adoptimin e tyre. Qentë të cilët adoptohen do të trajtohen falas në këtë Qendër për tërë jetëgjatësinë e tyre, si dhe pronarët do të marrin nga 50 euro në muaj për secilin qen të adoptuar.
I bëhet thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës që të bëj prioritet trajtimin e problemit të qenve endacakë në nivel të Kosovës duke mbështetur komunat me resurse financiare dhe të tjera. Pa një angazhim të tillë, problemi nuk mund të zgjidhet në nivel nacional.
Kryeqyteti do të vazhdojë të punojë për krijimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët.