Lista e dëshmitarëve në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, në Hagë, po shkon drejt përmbylljes. Deri më 4 prill, që është afati i fundit për paraqitjen e të gjitha dëshmive nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, janë të parapara edhe 8 seanca gjyqësore, sipas kalendarit të gjykatës së Hagës. Në konferencën e fundit mbi ecurinë e çështjes, prokuroria kishte njoftuar se kishte konfirmuar vetëm një dëshmitar dhe nuk ka dhënë detaje nëse ka siguruar të tjerë. Avokati i akredituar nga Specialja, Taulant Hodaj, thotë se përfundimi i afatit për prokurorinë mund të sjellë ndryshime në masën e sigurisë për të akuzuarit, të cilët janë në paraburgim që nga viti 2020. Ish-këshilltari i Hashim Thaçit, Artan Behrami, e cilëson këtë proces si politik dhe të padrejtë. Ai thotë se gjyqi ka qenë i stërzgjatur dhe i mbushur me vendime të padëgjuara në të drejtën ndërkombëtare. Sipas Behramit, janë vetëm pak muaj larg nga lirimi i ish-krerëve të UÇK-së, pasi prokuroria nuk ka arritur të dëshmojë akuzat e ngritura në aktakuzë.
