Prof.asoc.dr. Sabit SYLA: Dokumente nga AQFARSH dhe AQMMP Arkivi Qendor (Drejtoria e Zbulimit), për Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë II

Prof.asoc.dr. Sabit SYLA: Dokumente nga AQFARSH dhe AQMMP Arkivi Qendor (Drejtoria e Zbulimit), për Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë III

REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË

MINISTRIA E MBROJTJES POPULLORE

SHTABI I PËRGJITHSHËM

Tiranë, më 29. 04. 1981

INFORMACION MBI GJENDJEN NË KOSOVË

Sipas disa bisedave të kapura në radio-komunikimin e Komandës së Korpusit 52- të, në Prishtinë me Komandën e Armatës 2-të në Nish, rezulton se forcat ushtarake të dislokuara në Kosovë vazhdojnë të qëndrojnë në gatishmëri luftarake.

Nga bisedat del se “më datën 22. 04. 1981, në Prishtinë është bërë rrëmujë e madhe”, “forcat e punëve të brendshme e të ushtrisë vazhdojnë ndjekjen për zbulimin e demonstrueseve. Për të kontrolluar gjendjen ushtria ka vënë në përdorim avionë, të cilët bëjnë patrullim në rajonet: Drenicë, Kaçanik, Ferizaj, Prizren e Gjakovë”. Nga bisedat disa oficerëve del se “nuk ka vend ku të mos patrullohet nga ushtria”.

Në një bisedë të zhvilluar më datën 22. 04. 1981, me kërkesë urgjente të gjeneral nënkolonel Eugen Lebariç (komandant i Armatës se 2-të në Nish), gjeneral majori Andon Lukeziç (në komandën e Korpusit 52 në Prishtinë), raportoi se të “gjithë flamujt e njësive ushtarake të dislokuara në Kosovë janë jugosllavë, vetëm njësia në kazermat “Marshall Tito” në Prishtinë ka flamur me mbishkrimin “Brigada 1-rë maqedonase-kosovare”. Nga ana tjetër janë marrë masa të rrepta për funksionimin e sistemit të radio-komunikimit dhe ruajtjen e sekretit gjatë bisedave. Kohët e fundit centralistët ushtarë janë zëvendësuar me oficerë.

Jemi në ndjekje të situatës.

SHEFI I SHTABIT TË PËRGJITHSHËM TË USHTRISË, VELI LLAKAJ

REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË

MINISTRIA E MBROJTJES POPULLORE

DREJTORIA E ZBULIMIT

Tiranë, më 8. 5. 1981

INFORMACION MBI GJENDJEN NË KOSOVË

1) Komandanti i Korpusit 52 në Prishtinë, lidhur me propozimet e bëra për forcimin e gatishmërisë luftarake, u jep reparteve e njësive udhëzimet e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave dhe Komandës së Armatës 2-të në Nish.

Më poshtë japim tekstin e plotë origjinal të udhëzimeve:

Komanda e Korpusit 52

Telegram ditor 20-183

04.05.1981

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UPJ dhe komandanti i Z2U (Armatës) u njohën me propozimet tuaja lidhur me forcimin e gatishmërisë luftarake dhe urdhërojnë:

  1. Aprovohen masat tuaja të deritanishme për gatishmërinë e përforcuar dhe ruajtjen e objekteve, në radhë të parë të depove të armatimit, të municionit dhe të eksplozivit. Kjo mbetet edhe për të ardhmen një nga detyrat tuaja më të rëndësishme.
  2. Stërvitjet t’i zhvilloni sipas planit tuaj dhe programit të stërvitjes të njësive tuaja vartëse dhe të atyre që ju janë dhënë në përforcim. Në këto raste të keni parasysh që njësit të jenë sa më kompakte. Për këtë, stërvitjet të zhvillohen me efektiva të mëdha (kompani-batalion).
  3. Lëvizjet e njësive – patrullimi me qëllim demonstrim force të mos kryhet pa aprovim të veçantë të Sekretariatit të Përgjithshëm të Mbrojtjes (Shtabit të Përgjithshëm të UPJ). Kjo vlen edhe për ç‘vendosjen eventuale të çdo njësie.
  4. Të zotërohet situata në terren, të bëhet gjithmonë vlerësimi politiko-sigurues i situatës të vlerësohet se çfarë do të ndodhi ditën e nesërme dhe për periudhën e ardhshme dhe të propozoni masa për aktivitetin e reparteve.

Njësitë duhet jenë vazhdimisht të gatshme për ndërhyrje të shpejtë, por vetëm me miratim të komandantit të Korpusit.

  1. Informacionet që na dërgoni, duhet të jenë sa më objektive. Nuk ka asnjë arsye që t’i zvogëloni ose t’i zmadhoni gjërat.

    Komandanti

Gjeneral – Major

Anton Lukeziç d.v

Në bisedat e kryera në linjën radiorele Prishtinë-Nish, ndërmjet të tjerave thuhet se “Prishtina është plot me policë nga gjithë Jugosllavia. Tani këtu tek ne është qetësi por nuk kalon ndonjë makinë qe nuk ka targën e Prishtinës, menjëherë mblidhen fëmijët 15-18 vjeç dhe qëllojnë me gurë. Kështu edhe mua më goditen në kokë. Është muaji i tretë që nuk ka dalje të lirë në qytet e jo më me leje në shtëpi. Policë civilë gjenden në çdo hap. Kam hall se mos më mbajnë si rezervist, mbasi ata të tjerët i kanë mbajtur 8-15 ditë”.

Nga një bisedë midis dy nënkolonelëve (nga Nishi dhe Prishtina) del se në zyrën e gjeneral majorit Anton Lukeziç (komandanti i K52 Prishtinë) është gjetur një bombë 900 gramë.

Sipas një të dhëne të datës 27. 04. 1981, e cila kërkon verifikim të mëtejshëm, del se një pjesë e forcave të dërguara në Mitrovicë në kohën e demonstratave, janë dislokuar në Gjakovë. Mobilizimi i ushtarëve të rinj është kryer, ndërsa çmobilizimi është shtyrë për një kohë të papërcaktuar.

DREJTORI I DREJTORISË SE ZBULIMIT, MEHMET MUSAJ

REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË

MINISTRIA E MBROJTJES POPULLORE

SHTABI I PËRGJITHSHËM

DREJTORIA E ZBULIMIT

Tiranë, më 21. 5. 1981

INFORMACION MBI GJENDJEN NË KOSOVË

Japim një radiogram origjinal të zbërthyer nga reparti i sulmit.

Komanda 211 e Br. T

  1. 5.1981

Seksioni i Mbrojtjes

Komandës së Korpusit 52

Personalisht komandantit gjeneral LUKEZIÇ

Më datën 11.05.1981, shefi i Shtabit të Mbrojtjes Territoriale i bëri të njohur komandantit të Brigadës urdhrin e gjeneral, Fadil Quranollit se, deri më 20. 05. 1981, materialet, armatimi dhe teknika luftarake të kalojnë nga depot e armatimit në Podujevë për në magazinën  “Marshall Tito” në Prishtinë.

Shefi i Shtabit të Mbrojtjes Territoriale theksoi se për këto lëvizje duhet të njoftohet Këshilli i Mbrojtjes Popullore të komunës së Podujevës. Për sa sipër komandanti i brigadës kërkoi që t’i jepej urdhri me shkrim. Por shefi i Shtabit të Mbrojtjes Territoriale i bëri të ditur atij se urdhri i mësipërm është i transmetuar me telefon personalisht nga gjeneral Quranolli. Mbasi erdhi komandanti i Mbrojtjes Territoriale, ranë dakord që, kur të fillojë lëvizja e kolonës, të njoftohet edhe Këshilli i Mbrojtjes Popullore të komunës. U propozua që transporti të kryhet me kamionë “Kosova -Trans” dhe të sigurohet nga efektivi i një toge të Br. 211T.

Komandanti i brigadës dhe komandanti i Mbrojtjes Territoriale ranë dakord që:

– Shefi i Shtabit të Mbrojtjes Territoriale të bëjë llogaritë për sasinë e kamionëve që do të nevojiten për transportimin dhe për tërheqjen e teknikes. Për këtë qëllim do të angazhohen njerëz dhe mjete nga efektivi i brigadës. Brigada do të sigurojë edhe karburantin.

– Shefi i Shtabit të Mbrojtjes Territoriale do të bëjë plumbosjen e vulosjen e materialeve.

– Ngarkimi i teknikës dhe i armatimit do të kryhet me ushtarë natën. Krahas sigurimit optimal, do të transportohet njëherësh për në kazermën “Marshall Tito” në Prishtinë.

Shënim: Nga përmbajtja e radiogramit rezulton:

– Vërtetohet se Br. 211T është  e dislokuar në rajonin e Podujevës (Kjo njësi erdhi në përforcim nga Nishi me fillimin e demonstratave);

– garnizoni i Prishtinës përforcohet me armatime e municione nga depot në Podujevë, që mbahen nën ruajtje nga Br. 211T.

 DREJTORI I DREJTORISË SE ZBULIMIT, MEHMET MUSAJ

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Edhe pse po binte shi i imët vjeshtor, Ruzhdi Jashari me ekipin e tij ka …