Lufta e Dytë Botërore prishi ekuilibrat gjeopolitikë dhe kufijtë e shumë shteteve, realitet me të cilin nuk u pajtuan shtetet e koalicionit antifashist. Gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore përfaqësuesit e Aleatëve të Mëdhenj dhe të kombeve të tjera antifashiste, hartuan plane dhe ndërmorën iniciativa për të arritur fitoren mbi Fuqitë e Boshtit dhe për të rindërtuar të ardhmen e tyre pas mbarimit të Luftës. Periudha e viteve 1944-1945, kur Aleatët kishin vendosur mbizotërimin në terren dhe kur fitorja e tyre ishte në horizont, ka qenë koha më intensive, gjatë së cilës u mbajtën takime të shumta midis tyre. Vendimet e ndërmarra në takimet dypalëshe apo shumëpalëshe, në konferenca e protokolle, patën ndikim në zhvillimin e luftës dhe të ardhmen e popujve pas përfundimit të saj. Nga ana tjetër, qysh në fillim të luftës edhe Fuqitë e Boshtit u munduan të aktivizonin dhe të siguronin mbështetjen e popujve të ndryshëm të pakënaqur nga Lufta e Parë Botërore, si dhe të atyre të ndarë nga kombet e tyre dhe gjithashtu të pakënaqur nga shtetet në të cilat ata ishin të detyruar të bashkëjetonin. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, popujt ballkanikë bënë në njëfarë mase zgjidhje të detyruara, duke u rreshtuar përkrah njërit apo tjetrit koalicion. Bullgaria dhe Rumania iu bashkëngjitën Fuqive të Boshtit, Turqia qëndroi neutrale ndërsa Jugosllavia, Shqipëria dhe Greqia kombeve antifashiste të kryesuar nga tre Aleatët e Mëdhenj. Por edhe brenda grupimit të tri shteteve ballkanike shkalla e rezistencës nuk qe e njëjtë dhe jo të gjitha forcat iu kundërvunë pushtimit. Brenda tyre pati bashkëpunëtorë të pushtuesve, por edhe luftë civile brenda luftës çlirimtare.
Objekt studimi i këtij punimi është Kosova, historikisht i banuar me shumicën dërmuese shqiptare, tek të cilët gjithmonë ka ekzistuar pretendimi për t’u çliruar nga zgjedha serbe dhe për t’u bashkuar me pjesën tjetër të kombit, të ndarë padrejtësisht nga Konferenca e Londrës e vitit 1913. Zhvillimet politike e ushtarake që buruan nga fillimi i Luftës së Dytë Botërore pashmangshëm përfshinin edhe Kosovën, e me këtë edhe përpjekjet për realizimin e aspiratave të cekura më lart në krah të Boshtit apo Aleatëve, varësisht nga zhvillimet apo rrethanat e krijuara.
Qëndrimi i forcave të Boshtit
Pushtimi dhe aneksimi i Shqipërisë ishte vetëm një hallkë lidhëse në zinxhirin e projekteve ekspansioniste të Italisë. E nxitur nga invadimi gjerman në Evropë, qysh në verë të vitit 1939 Italia filloi të hartojë plane për zgjerim të mëtutjeshëm në Ballkan. Në planet e saj hyri edhe Jugosllavia, e si rrjedhojë edhe Kosova e trevat tjera shqiptare. Duke njohur pozitën e rëndë të popullit shqiptar në Jugosllavi dhe dëshirën e përgjithshme për bashkim kombëtar, Italia filloi ta promovojë nacionalizmin shqiptar, bashkimin e tyre në një shtet dhe hartimin e një strategjie konkrete, që sipas Cianos, duhej të shtrihej në tri faza pasuese: (1) propagandë e përgjithshme duke vënë theksin mbi kulturën e religjionin; (2) menaxhimi i mirëqenies publike; (3) një organizatë klandestine ushtarake të jetë e gatshme për momentin kur do të shfaqet kriza e pashmangshme jugosllave.
Planet e Cianos dhe Musolinit fillojnë të shohin dritën tek në pjesën e parë të vitit 1941, kur Gjermania, e acaruar nga zhvillimet në Jugosllavi, pasi që qeveria jugosllave u rrëzua nga një grusht shtet, qysh të nesërmen pas nënshkrimit të aderimit në Paktin Trepalësh, më 25 mars 1941, ndërmori një fushatë bombardimesh ajrore ndaj Jugosllavisë në mëngjesin e 6 prillit 1941. Forcat ajrore gjermane pastruan terrenin për depërtimin e njësive të motorizuara të ushtrisë gjermane nga veriu dhe jugu i Jugosllavisë, krahas forcave italiane që mbështeten aksionin e Hitlerit dhe që depërtuan në viset tjera të Jugosllavisë.
Aksioni i forcave të Boshtit përfundoi me copëtimin e Jugosllavisë, e fat të njëjtë pësuan edhe trevat shqiptare nën sundimin e këtij shteti, që sipas marrëveshjes së 21 prillit 1941, midis Ribentropit e Cianos, u ndanë midis Gjermanisë, Italisë e Bullgarisë. Copëtimi u bë sipas një plani gjerman të hartuar në prag të bombardimit të Jugosllavisë. Në korniza të përgjithshme ky plan njihte Kroacinë si një shtet autonom, Italisë i njihej Dalmacia, Jugosllavia veriperëndimore dhe Mali i Zi, pjesa më e madhe e Maqedonisë i jepej Bullgarisë, një pjesë e Danubit i jepej Hungarisë, kurse Serbia e Vjetër* u vu nën administrimin ushtarak gjerman.
Paralelisht me bisedimet, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë italiane kishte projektuar pushtimin e territoreve jugosllave, kurse në rastin e trevave shqiptare ishte paraparë që divizionet italiane t’i merrnin nën kontroll zonat: Gjakovë – Pejë – Prishtinë – Prizren dhe Gostivar – Ferizaj – Kërçovë.
Më saktësisht, trevat e Plavës, Gucisë, Rozhajës, Tutinit dhe qendrat me rrethinat e Ulqinit (Ulqini me rrethinë, zona rreth liqenit të Shkodrës dhe një pjesë e fushës së Podgoricës), Tetovës, Gostivarit, Dibrës, Strugës dhe Kërçovës, u gjendën në zonën e okupimit italian dhe iu bashkëngjitën Shqipërisë, Dekretligji mbretëror nr. 264 i datës 12 gusht 1941, respektivisht vënien nën kontrollin italian të pjesës më madhe të trevave të banuara me shqiptarë. Ky akt u konsiderua si arritje e një aspirate kombëtare pasi që me trungun amë u bashkua një sipërfaqe jo më e vogël se 12 645 km2 me një popullsi prej afro 1 milion banorësh. Ndërkaq, rrethet e Mitrovicës, Vushtërrisë, Podujevës etj., mbetën nën zonën gjermane të pushtimit, kurse një pjesë e rrethit të Gjilanit, Ferizajt, Kaçanikut, rrethi i Shkupit, Kumanovës, Lugines se Preshevës, etj., mbetën nën pushtimin bullgar.
Duhet cekur se zonat që mbetën nën kontrollin gjerman u konsideruan si territor i Serbisë nën administrimin ushtarak gjerman. Por, marrëveshja midis Cianos e Ribentropit, për ndarjen e zonave pësoi një ndryshim të vogël dhe më 6 maj 1941, u vendos një lloj demarkacioni midis tri fuqive. Linja e demarkacionit të zonës së okupuar nga trupat italiane, që përfshiu territoret e cekura më lart dhe ato gjermane e bullgare, ishte si në vijim: Sjenicë – Novi Pazar – Mitrovicë dhe një pjesë e hekurudhës Mitrovicë – Prishtinë – Ferizaj (gjitha këto iu ndanë Gjermanisë); Kaçanik i vjetër – Shtërpcë (iu ndanë Bullgarisë).
Një ndarje e tillë ishte bërë në bazë të interesave ekonomike, politike (strategjike) dhe etnike. Që të dyja, si Italia ashtu edhe Gjermania synonin resurset minerale të Kosovës, ato kishin njohuri për pasuritë e plumbit dhe zinkut në rajonin e Mitrovicës dhe për minierat e kromit në një rajon jo larg Prizrenit, që kishin një kapacitet deri 15 000 tonë.
Në një raport të hollësishëm nga një ekspert i xeheve që ia dërgoi Musolinit, më 20 prill 1941, theksohej se në qoftë se Italia do ta kishte në dorë xeheroren e Trepçës, ajo do të bëhej eksportuesja më e madhe e plumbit dhe zinkut në Evropë. Por, natyrisht edhe gjermanët ishin po aq të interesuar ta merrnin Trepçën e ta kontrollonin linjën hekurudhore Mitrovicë – Kaçanik.
Kështu, gjatë bisedave midis Ribentropit e Cianos për copëtimin e Jugosllavisë, i pari kishte qenë shumë i qartë në shprehjen e interesave ekonomike gjermane, që konsistonin në minierat e kromit dhe të plumbit në Luboten të Maqedonisë dhe depozitat e plumbit në Mitrovicë. Mu për këtë arsye, komandanti i ushtrisë gjermane për sektorin juglindor, kishte parashtruar një kërkesë për zhvendosjen e linjës së demarkacionit 10km përtej hekurudhës, duke potencuar se zona në fjalë posedonte pasuri të shumta të mineraleve të azbestit e kromit, të cilat kurrsesi nuk duhej të binin në duar të italianëve.
Interesimi gjerman për burimet minerale bazohej në nevojat e industrisë gjermane të luftës. Trepça kishte depozita të mëdha të plumbit e zinkut. Kompania angleze që gjatë viteve 1930 e menaxhonte Trepçën, raportonte se në ditë nxirreshin rreth 8 000 tonë koncentrate të plumbit e zinkut. Në fakt, Trepça dërgonte çdo ditë 500 tonë koncentrat plumbi e zinku në fabrikat e municionit të Gjermanisë, duke furnizuar kështu përafërsisht 40% të plumbit që e përpunonte Gjermania.
Por, ishin po të njëjtat depozita minerale faktorë që shkaktuan kontradikta gjermano-italiane në trevat shqiptare, apo indikacione që hodhën në dritë mosbesimin reciprok midis forcave të Boshtit. Në fund të tetorit 1941 forcat e sigurisë gjermane raportonin për një aktivitetet të emisarëve italianë në rajonin e Mitrovicës, që ishte nën kontrollin e gjermanëve. Sipas tyre, togeri shqiptar Hilmi Leka, që cilësohej si italofil dhe Tahir Shtylla, që ishte administrator në Shqipërinë e Jugut, po punonin me krerët shqiptarë të zonës në fjalë për t’i bindur ata që të shkojnë në Tiranë e Romë për të bërë kërkesë që zona e Mitrovicës t’i bashkohej Shqipërisë.
Përpjekje të tilla sigurisht që u parandaluan nga gjermanët, të cilët ishin të bindur se prapa tendencave italiane për fuqizimin shqiptar në zonat nën kontrollin gjerman dhe bashkimin e tyre me Shqipërinë qëndronte qëllimi për marrjen e Trepçës.
Por, nuk ishin vetëm xehet e Kosovës në optikën e interesave italiane e gjermane. Rëndësi primare kishte edhe pozita gjeografike e Kosovës që karakterizohej nga dalja natyrale në malet e larta të Shqipërisë Verilindore dhe qasja në luginën Shkup-Mitrovicë, e rëndësishme nga aspekti strategjik sidomos kur në të kalonte linja rrugore dhe degëzimi hekurudhor që e lidhte Beogradin me Shkupin e Selanikun, si dhe qasja në hekurudhën Ohër-Tetovë.
Si Italia ashtu edhe Gjermania e panë të nevojshëm bashkëpunimin me popullatën lokale, respektivisht përvetësimin e tyre përmes disa masave në aspekte etnike sikurse njohja e të drejtave elementare për shkollim dhe krijimi i një administrate lokale. Nuk ka dyshim, që një nga synimet e masave të tilla ishte edhe parandalimi i veprimtarisë së rezistencës në zonat përkatëse. Kështu, në viset që mbetën nën okupimin italian nga gjysma e vitit 1941 deri në shtator të vitit 1943 u vendos një administratë civile nën drejtimin e “Ministrisë për trojet e çliruara”. Në krye të kësaj ministrie qëndruan rrethe shqiptare të cilët shfrytëzuan mundësitë e ofruara dhe organizuan sistemin arsimor në Kosovë, që gjatë viteve 1941-1944 punoi sipas ligjeve arsimore të Ministrisë së Arsimit të shtetit shqiptar; gjatë viteve në fjalë në Kosovë vepruan rreth 180 shkolla fillore. Ishte kjo një arritje e madhe në kohën kur në Kosovë dhe trevat tjera shqiptare mbizotëronte një shkallë e lartë e analfabetizmit dhe e dëshirës së flaktë për arsim.
Ndryshe nga italianët, gjermanët që kishin nën kontroll zonën e Mitrovicës bashkëpunuan ngushtë me popullsinë shqiptare e serbe. Menjëherë pas pushtimit të zonës së Mitrovicës, komandanti i Divizionit 60 të Këmbësorisë së Ushtrisë gjermane mblodhi më 21 prill 1941 krerët shqiptarë të Mitrovicës, Vushtrrisë, Novi Pazarit, Drenicës, Llapit etj., të cilët i ftoi në organizimin e një administrate lokale, respektivisht në krijimin e mekanizmave të cilat do ta ruanin ligjin dhe rendin publik. Në kudër të kësaj hynte krijimi i një policie, gjyqësie dhe të një sistemi lokal financiar. Po ashtu, u lejua edhe organizimi i një sistemi arsimor në gjuhën shqipe. Shkollat shqipe në këtë zonë funksionuan me plane të Shqipërisë, por me miratimin e qeverisë së Serbisë.
Një situatë e tillë kishte vazhduar deri nga shtatori i vitit 1943. Kapitullimi dhe tërheqja e ushtrisë italiane u reflektua në shumë dimensione kur kemi të bëjmë me Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi. Së pari, trevat shqiptare tani u vunë nën kontrollin gjerman, kurse në aspektin ndërkombëtar forcat Aleate në Ballkan duhej ta luftonin vetëm Gjermaninë, derisa kjo e fundit shpresat për realizimin e planeve të saj i shihte në bashkëpunimin me popullsitë shqiptare, kroate, gjermanëve të Vojvodinës dhe ndoshta të një pjesë e sllovenëve. Nga viti 1944 kishin filluar të vëreheshin shenjat e dobësimit të Gjermanisë dhe konsolidimi dhe përparimi i forcave aleate. Zhvillimet politike dhe ushtarake i vunë shqiptarët para një dileme të madhe. Si të veprohej më tej? Nën pushtimin italian e më pas gjerman ishte realizuar pjesërisht ëndrra e bashkimit kombëtar, por ndryshimet e kufijve nuk do të njiheshin nga Aleatët, aq më tepër kur ato tani njihnin Jugosllavinë. Megjithatë, Komiteti i Lidhjes II të Prizrenit, ende shpresonte në fitoren e Gjermanisë dhe realizimin e kësaj aspirate e shihte tek gjermanët. Tashmë, në skenë ishin paraqitur grupimet me këndvështrime dhe ide politike antifashiste. Në këto forca bënin pjesë dy grupime të kundërta ideologjike: partizanët komunistë dhe nacionalistët. Në këto rrethana, çështja e Kosovës mori një dimension të ri në aspekt të jashtëm dhe të brendshëm. Në planin e jashtëm, ndonëse Aleatët nuk njihnin ndryshimin e kufijve, ata megjithatë njihnin të drejtën e vetëvendosjes, dhe kjo u jepte shpresë forcave nacionaliste se bashkëpunimi me Aleatët mund të çonte në të drejtën e Kosovës për vetëvendosje. Ndryshe nga nacionalistët, komunistët i jepnin më tepër rëndësi çlirimit dhe vëllazërimit midis popujve të Ballkanit, e që si rrjedhojë do ta kishte edhe zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Situata rreth Kosovës do të komplikohej edhe më tej kur komunistët jugosllavë do të punojnë heshtazi ashtu si nga fillimi i luftës, për rikthimin e saj në kuadër të Jugosllavisë. Në këtë mënyrë, vitet 1944-1945 paraqesin zhvillime dramatike lidhur me çështjen e Kosovës që ishte rezultat i përplasjes së qëllimeve të grupimeve të mësipërme.
Nga fundi i marsit 1944, Komiteti Qendror i Lidhjes II të Prizrenit përmes një letre të nënshkruar nga kryetari i saj, Bedri Pejani, i shprehu Hitlerit gatishmërinë për të bashkëpunuar me Gjermaninë, respektivisht kërkoi militarizimin e Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare që më 1941 i ishin bashkuar Shqipërisë. Një militarizim i tillë do të bëhej nën drejtimin gjerman dhe premtohej një forcë prej 120 000-150 000 njerëz, të cilët duhej të armatoseshin me armë moderne dhe të organizoheshin e mbikëqyreshin nga oficerë gjermanë. Komiteti në fjalë shpresonte se përmes këtij militarizimi do të arrihej çlirimi përfundimtar i popullit shqiptar në krah të Rajhut gjerman.
Por siç duket, një ofertë e tillë hasi në skepticizmin e gjermanëve pasi në përgjigje thuhej se gjatë periudhës në fjalë në formim e sipër ishte Divizioni 1 shqiptar, e më pas do të vazhdohej me formimin e Divizionit 2 dhe të një korpusi, ndonëse këto dy të fundit nuk u formuan.
Në fakt, Gjermania e cila njohu kufijtë e Shqipërisë, nga prilli 1944 formoi Divizionin “SS Skënderbeg” që kryesisht përbëhej nga banorët e Kosovës dhe të Sanxhakut me detyrën kryesore të sigurimit të Kosovës, të linjës kufitare Tetovë – Bicaj – Kukës – Guci – Pejë, si dhe të mbrojtjes së hekurudhave dhe të infrastrukturës ushtarake gjermane nga partizanët.
Lidhja II e Prizrenit kishte synim t’i luftonte komunistët ngaqë mendohej se ata kërkonin kthimin e sundimit jugosllav. Me fjalë tjera, kishte një gërshetim interesash me gjermanët. Në një raport të inteligjencës amerikane të marsit 1944, lidhur me grupimet e rezistencës në Shqipëri, Balli Kombëtar konsiderohej kryesisht si i orientuar kundër Gjermanisë dhe LNÇ-së, ndonëse nuk mund të përjashtoheshin edhe veprimet individuale në favor të gjermanëve.
Se të gjithë pjestarët e formacioneve policore dhe ushtarake shqiptare nuk ishin kolaboracionist të pushtuesve gjermanë, dëshmon edhe oficeri britanik, Piter Kemp, i cili kishte qëndruar shkurtazi në Kosovë dy herë, në dhjetor 1943 dhe janar 1944, në përpjekje për organizimin e rezistencës në Kosovë. Atij i kishte ofruar ndihmë shefi i Policisë në Pejë, si dhe komandanti shqiptar i garnizonit të ushtrisë, i cili u pajtua që ushtarët t’ia linte në dispozicion Kempit, në rast të invadimit të Aleatëve.
Nuk ka asnjë dyshim se e gjithë vëmendja nacionaliste shqiptare në Kosovë ishte drejtuar nga shmangia e rënies së serishme nën sundimin jugosllav, dhe në fund të fundit për ta ishte i pranueshëm çdo regjim i huaj përveç atij serb apo jugosllav, si dhe në ruajtjen e pavarësisë së Shqipërisë. Pra, nuk kishte mishërime emocionale me njërën apo palën tjetër ndërluftuese, Aleatët apo Boshtin. Kjo dëshmohet edhe nga qëndrimi i Mehdi Frashërit, në kohën derisa ushtronte detyrën e kryesuesit të Regjencës së gjermanëve. Ai e kishte dërguar të birin në Turqi për të tentuar të vendoste kontakte me Aleatët, dhe për t’i premtuar këtyre çdo lloj mbështetje kundër gjermanëve në rast se këta të fundit shkojnë drejt disfatës. Për më tepër, Mehdi Frashëri njihej për aktivitete kundërgjermane gjatë kohës derisa kishte qenë i internuar në Itali dhe se ai e kishte pranuar këtë pozitë, sipas një raporti, vetëm atëherë kur gjermanët kishin kërcënuar me pushtimin e plotë ushtarak të Shqipërisë si çmim i refuzimit. Një fakt i tillë mbështetet edhe nga Herman Neubacher, përfaqësues i plotfuqishëm i Gjermanisë për Ballkanin. Në kujtimet e tij, që i sjell studiuesi Robert Elsie, Frashëri kishte kërkuar njohjen e neutralitetit të Shqipërisë, që do të ishte një “neutralitet relativ”. Qeveria shqiptare do t’i luftonte gjitha veprimtaritë spiunuese që rrezikojnë paqen e brendshme në Shqipëri. Nëse trupat gjermane sulmohen nga ushtritë tjera, Shqipëria do të qëndronte neutrale. Në këtë mënyrë, Neubacher e definoi sovranitetin e Shqipërisë si një sovranitet relativ.