Sabit Syla

Prof.asoc.dr.Sabit Syla: Shteti shqiptar dhe çështja e Kosovës 1939-1981

Shteti shqiptar dhe çështja e Kosovës 1939-1981, është një temë e patrajtuar deri më tani në historiografi si në atë shqiptare ashtu edhe në atë ndërkombëtare. Si e tillë, zënë një vend të rëndësishëm, pasi qëndrimet rreth çështjes së Kosovës kanë njohur pjesërisht mirëkuptim ndërmjet shtetit shqiptar dhe atij jugosllav, por si prirje kanë qenë situatat konfliktuale dhe mosmarrëveshjet.

Problematika e trajtuar në punim synon të ndriçojë në mënyrë komplekse e për qëllime njohjeje dhe përfundimesh historike, një përpjekje shkencore për të analizuar një histori politike e diplomatike, drejt një trajtimi të thellë studimi të politikës zyrtare të shtetit shqiptar ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë dhe çështjes së tyre kombëtare, parë kjo, në vorbullën e marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave e me gjerë. Punimi nuk i shikon qëndrimet e shtetit shqiptar ndaj pjesës tjetër të kombit, të shkëputura nga zhvillimet ballkanike e ndërkombëtare. Qëndrimet janë parë të ndërthurura edhe me zhvillimet e ndikimet e politikave ndërshtetërore të Jugosllavisë dhe të Shqipërisë e të rrethanave ndërkombëtare gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, deri në vitin 1981. Në këto kushte, punimi trajton ndikimin dhe rolin e shtetit shqiptar që ka pasur rreth qëndrimeve, platformave, objektivave e planeve për zgjidhje të çështjes së Kosovës dhe në ç’shkallë janë realizuar e kushtëzuar ato.

Në kaosin e pikëpamjeve të historiografisë shqiptare e me gjerë, në shume shkrime historike, publicistike etj., qëndrimi i shtetit shqiptar ndaj çështjes së Kosovës është parë nga këndvështrime te ndryshme. Kosova është parë si një vend i tradhtuar e i shitur nga udhëheqja politike komuniste e Enver Hoxha. Ndërsa në raste tjera është parë e lavdëruar tej mase si një qëndrim parimor e konsekuent. Në këto kushte, pa himnizuar apo minimizuar, me një analizë të qetë, objektive, jashtë politizimeve e paragjykimeve, libri sqaron këtë çështje. Demokratizimi dhe çelja e arkivave e në këtë kuadër edhe shfrytëzimi i materialit të pasur arkivor dhe shqyrtimi i tij me metodologjinë kërkimore bashkëkohore, ka krijuar mundësinë të trajtohet kjo çështje në gjerësinë dhe thellësinë e vet. Andaj, përgjithësisht, ky studim monografik në segmentin kohor 1939-1981 sjell kontribute origjinale, për temën që trajtohet.

(Prof.asoc.dr.Sabit Syla, është bashkëpunëtor i lartë shkencor në Institutin e Historisë, në Prishtinë)

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi vëllimi 19-të i monografisë “Feniksët e lirisë” 

Doli nga shtypi vëllimi 19-të i monografisë “Feniksët e lirisë” 

Në vazhdim të realizimit të projektit për botimin e monografisë për dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare …