Sabit Syla

Prof. asoc. dr. Sabit Syla: Vendosja e pushtetit jugosllav në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare më 1944 – 1945

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Kosova ishte një çështje rreth së cilës bëheshin diferencime e polarizime forcash, madje çështje që e determinonin orientimin e shtresave e të rrymave të ndryshme politike, që ndikonin në zgjerimin apo ngushtimin e koalicionit antifashist. Ndodhte kështu nga  se të dy blloqet ushtarako-politike me vizionet e tyre për të ardhmen e shqiptarëve në Ballkan do përcaktonin e orientonin forcat politiko-ushtarake në Shqipëri dhe në Kosovë. Në ato rrethana problemi i Kosovës do të shndërrohej në një pikë objeksionesh për shqiptarët dhe do të ndikonte në shkallën e rezistencën e shqiptarëve në Kosovë dhe në Shqipëri. Si rrjedhojë çështja e Kosovës ishte problem i vetë shqiptarëve të Kosovës, i forcave politike dhe ushtarake të Shqipërisë së pushtuar, i forcave politike dhe ushtarake te Jugosllavisë, por edhe i vendimeve të Aleatëve të Mëdhenj. Në këtë punim do trajtojmë vetëm qëndrimin dhe veprimin e forcave jugosllave komuniste dhe nacionaliste.

Planet pushtuese serbe të tokave shqiptare vazhduan edhe gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore. Mbështetur në të dhënat e deritanishme dokumentare dhe të historiografisë shqiptare e më gjerë, të gjitha projektet dhe idetë serbe për zgjidhjen e çështjes së Kosovës gjatë Luftës së Dytë Botërore, qofshin ato të Titos apo të Drazha Mihajloviqit, ishin në thelb serbe. Ato ndryshonin në metodë dhe në praktikën e realizimit, duke ditur se ajo e Mihajloviqit ishte më ekstreme. Shtabi Komandues i radhëve çetnike të Ushtrisë jugosllave i kryesuar nga Drazha Mihajloviqi, më 20 dhjetor të vitit 1941, hartoi platformën e programit të saj që shpallte: “Krijimin e Jugosllavisë së madhe dhe në të, të Serbisë së madhe, etnikisht të pastër në kufijtë e Serbisë e të Malit Zi, të Bosnje e Hercegovinës, të Sremit, Banatit e Baçkës. Spastrimi i territorit shtetëror nga të gjitha pakicat kombëtare dhe elementet jo nacionale”. Me synimet e tyre të inkurajimit për mundësitë e kthimit në idetë e vjetra mbi Serbinë e Madhe, këta nacionalistë parashikonin që në territorin e shtetit të tyre të ardhshëm të jetonin vetëm serbët, kroatët dhe sllovenët, kurse pakica kombëtare nuk mund të kishte, prandaj shqiptarët duhej të shfaroseshin e trojet e tyre etnike të gllabëroheshin. Mbështetur në programet dhe veprimet e tyre, jo vetëm që e shihnin Kosovën si jugosllave, por shqiptarët duheshin masakruar dhe dëbuar për të arritur shkombëtarizim i trojeve të tyre. Në një nga elaboratet e përgatitura në atë kohë, “Krahina e Kosovës dhe e Rrafshit të Dukagjinit”, midis të tjerave thuhej: “Kosova ka qenë serbe dhe ajo do të mbetet patjetër serbe, jo vetëm për nga pozita shtetërore juridike, por edhe nga struktura e popullsisë së vet, e cila duhet të jetë me shumicë serbe”. Kësaj platforme i shkonin për shtati edhe elaboratet e Ivo Andriqit dhe Vasa Çubrolloviqit, që “çështja e Kosovës të zgjidhej me dëbime masive të spastrimit etnik të territorit…, e që shteti serb të shndërrohej në shtet të pastër etnik”.

Tito, që herët gjatë Luftës kishte rishpallur rishtazi Jugosllavinë e mëparshme, duke e quajtur atë federative, çka nënkuptonte brenda rrethit të saj edhe Kosovën. Komunistët jugosllavë nëpërmjet demagogjisë marksiste, që gjoja kërkonin vëllazërimin e popujve, shqiptarëve u premtuan të drejtat e tyre, duke u rreshtuar përkrah tyre dhe aAleatëve ndërkombëtare. Por, mbështetur mbi bazën e vendimeve të miratuara të kohës, realiteti ishte ndryshe. Në vendimet e Mbledhjes së Dytë të Këshillit Antfashist Ncionalçlirimtar të Jugosllavisë (KANÇJ, në origjinal Antifašističko veče narodnog oslobodjenja – AVNOJ)-it në Jajcë të Bosnjës, në nëntor të vitit 1943, nuk u përmend Kosova në mënyrë të drejtpërdrejtë. Aty, në mënyrë indirekte, flitej për garantimin e të drejtave të pakicave nacionale në Jugosllavi. Në këtë mbledhje Këshilli u shndërrua në një asamble të vërtetë parlamentare, të përbërë nga 67 anëtarë, që përfaqësonin popujt e ndryshëm jugosllavë e që u vesh me pushtet legjislativ e administrative. Asambleja vendosi për krijimin e Jugosllavisë Federative. Edhe në bisedimet e zhvilluara për organizimin e shtetit të ri jugosllav në ishullin e Visit, në verën e vitit 1944 Tito, Edvard Kardeli dhe Vladimir Bakariqi, pranuan që Kosova do të bëhej një provincë autonome, pra, që ajo të ishte pjesë integrale e detyrueshme e Jugosllavisë.

Mbreti i Jugosllavisë, Petri i Dytë, i cili kryesonte Qeverinë e Emigracionit në Kajro, përmes një mesazhi të përhapur në radio, më 26 gusht 1944, ju kërkoi nënshtetasve të tij, që të bashkoheshin me Ushtrinë e Çlirimit dhe e njohu Titon si kryetar të të gjitha forcave luftuese në Jugosllavi. Ndërkaq, zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Qeverisë Mbretërore në emigracion, Stojan Gavriloviqi, në shtator të vitit 1944, gjatë kohës që një delegacion bullgar i paqes zhvillonte bisedime me Aleatët në Kajro të Egjiptit, lidhur me çështjen e pretendimeve të Shqipërisë ndaj Kosovës, do t’i pohonte një oficeri amerikan të zbulimit se “për ta dorëzuar atë, do të duhej një tjetër 28 qershor i vitit 1389…, serbët më lehtë do të linin Beogradin sesa Kosovën”. Edhe Miladin Popoviqi, i njohur si “revolucionar e mik i madh i shqiptarëve”, për zgjidhjen e çështjes së Kosovës nuk i tejkalonte kornizat e përcaktuara nga Titoja. Më 30 nëntor 1944, ai udhëzonte të gjithë ndihmës komisarët politikë, që përmes njësive ushtarake të fillonin spastrimin e Kosovës nga bandat reaksionare, ekzistenca e të cilave sipas tij pengonte luftën nacionalçlirimtare dhe forcimin e pushtetit popullor. Lidhur me këtë, u tërhiqte vëmendjen anëtarëve të partisë, duke u shprehur: “Nëpër të gjitha katundet ku do të kalojnë njësitet tona, patjetër duhet të mbahen konferenca mbi misionin çlirues të ushtrisë sonë krijuese kundër okupatorit, dhe si simbol i vëllazërimit e bashkimit të popujve tonë, e cila do të sjellë çlirimin e të gjithë popujve, pra edhe të popullit shqiptar të Kosovës e Metohisë, të cilët për të fituar të drejtën me vendosë mbi fatin e tyre, të hidhen në masë në radhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare, të luftojnë kundër tradhtarëve të vet e të ndihmojnë UNÇ-në dhe pushtetin popullor për formimin e shtetit të ri – Jugosllavisë Demokratike Federative”.

Qëndrimi i faktorëve jugosllavë, qofshin nacionalistë apo komunistë, ndaj Kosovës ishte i njëjtë, nga se të ardhmen e Kosovës e shihnin brenda shtetit jugosllav dhe për këtë harmonizuan planet dhe projektet e tyre të përbashkëta. Kjo platformë, politiko-ushtarake, u bë më radikale sidomos nga fundi i luftës, kur forcat e përbashkëta çetnike-partizane iu vërsulen Kosovës me synim e qëllim të vetëm, pastrimin e Kosovës gjoja nga elementi jo sllav, pra etnik shqiptar, përmes hakmarrjes kolektive të tipit racial. Në fundin e vitit 1944 dhuna e terrori i ushtruar ndaj shqiptarëve nga pushteti ushtarak serb u bë me masakrat me çnjerëzore, duke u mbështetur në spastrimin nga “bandat shqiptare” e nga “njësitet e armatosura prej tradhtarëve shqiptarë”. Kjo nuk do të thotë se më parë nuk kishin ndodhur krime e masakra të llojeve të ndryshme. Kështu, në janar të vitit 1943, forcat çetnike serbo-malazeze të Mihajloviqit, iu vërsulen si të tërbuara popullsisë shqiptare në Kosovë e në Mal të Zi. Sipas një dokumenti, ata vranë rreth 4 000 veta, ndër të cilët 2 083 fëmijë dhe 797 gra dhe dogjën 1 763 shtëpi e plaçkiten çdo gjë. Duke bërë fjalë për djegien e 49 katundeve të Bjellopoljes, në një deklaratë zyrtare të firmosur nga funksionarë të aparatit shtetëror shqiptar të atëhershëm, thuhej: “Shumica e viktimave janë fëmijë dhe gra të djegur në zjarr, të therur me thikë e çdo lloj masakrimi tjetër, që s’mund të lejojë në asnjë mënyrë humaniteti. Sot veç fakteve që u kanë ardhur dhe që i kemi parë vetë me sy, po të shkosh në zonën e atakuar, gjen krye fëmijësh dhe grash, këmbë e të tjera pjesë trupash”.

Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore në koordinim të përbashkët të forcave serbe, malazeze, maqedonase, bullgare do të shtohet dhuna e terrori ndaj shqiptarëve. Jugosllavia akoma nuk ishte çliruar, kur në fshatrat dhe qytetet shqiptare nisën ndjekjet. Kjo ndodhi, së pari, në viset shqiptare në Maqedoni në vjeshtën e vitit 1944, në fshatra, me pushkatime njerëzish në masë, gjerë në arrestimin e 10 000 vetëve në Tetovë dhe me pushkatimin pa gjyq të mbi 1 200 prej tyre, përveç të vdekurve të shumtë në burg…, fshatarët e pafajshëm u pushkatuan rrugëve, u dogjën në zjarre, u infektuan me qëllim me mikrobe sëmundjesh, si tifo ekzantematike, aq sa në fshatra e qytete shqiptare të Maqedonisë, në ditët e nëntorit, dëgjoheshin veç ofshe e vaje.

Sjelljet çnjerëzore të njësive komuniste jugosllave-maqedonase detyruan popullsinë e pambrojtur shqiptare t’i lëshojnë vatrat e tyre për t’u vendosur në vende më të sigurta. Shtabi i Brigadës XVII maqedonase, më 16 nëntor, njoftonte se në fshatrat Strimë, Riovicë, Gllazhnjë, Goshincë, Dumanocë dhe Izvor, qëndrojnë rreth 10 000 shqiptarë të arratisur nga fshatrat Nagushtak, Vishticë, Ropalcë, Mateçë, Hotël, Likovë, Orizare dhe Sllupçan, kurse pjesa tjetër, si Llojan, Vaksincë, Miratoc, gjeti strehimin në Shurdhan etj. Një ngjarje tjetër që tronditi thellë opinionin e gjerë shqiptar. Kjo ishte masakra e kryer në fshatin Bllacë të Shkupit, më 18 nëntor 1944, nga ana e Brigadës XVI, ku nga të dhënat tashmë të konfirmuara, u masakruan 210 burra të këtij fshati. Pas ngjarjeve tragjike që ndërmorën brigadat partizane, bullgaro-serbo-maqedonase, në vendbanimet shqiptare, si në Sopot, Kumanovë, Bllacë të Shkupit, Strugë, Gostivar, Kërçovë, Tetovë etj., ato depërtuan edhe në territorin e sotëm të Kosovës dhe të Preshevës. Shtabi i Përgjithshëm i Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë për Maqedoni urdhëronte Shtabin e Divizionit të Kumanovës që me brigadat e veta, më 28 nëntor, të kryejë një aksion të përgjithshëm mbi fshatrat shqiptare të Kaçanikut, Ferizajt, Vitisë, Gjilanit, Kumanovës dhe të Preshevës. Në urdhëresë vihej në dukje që “gjatë marshimit ose luftimeve në qoftë se haset ndonjë rezistencë armiqësore” të gjithë ata shqiptarë “të ekzekutohen aty për aty”, si dhe të kryhen kontrolle të detajuara “në të gjitha ato vendbanime ku do të depërtoni, ndërsa të arrestohen të gjithë meshkujt nga mosha 16 deri 50 vjeç dhe t’i vendosni nëpër llogore dhe t’i koncentroni në territoret e brigadave të juaja…”. Për rrjedhojë, më 29 nëntor, në orët e hershme të mëngjesit brigadat e Divizionit të Kumanovës dhe të Divizionit të 42-të, marshuan në vendbanimet shqiptare edhe atë Brigada XII në fshatrat Kurbali, Mjak, Brezë, ndërsa Brigada XVI dhe Brigada XVIII nga Ferizaj në drejtim të Vitisë. Gjatë këtij marshimi, nën pretekstin e çarmatosjes së popullatës dhe të shtypjes së “reaksionit”, u vranë e masakruan qindra banorë shqiptarë, mijëra të tjerë u arrestuan, duke i futur në kampet e përqendrimit, nëpër kazermat ushtarake e lokalitete tjera. Nga të dhënat që i ofronte Divizioni i Kumanovës, numri i të vrarëve ishte mbi 200, mijëra të tjerë ishin arrestuar, si dhe ishin djegur dhe plaçkitur shumë fshatra shqiptare.

Një masakër e ngjashme si ajo e Bllacës, u krye në fshatin Izvor nga Brigada XVII Maqedone. Ngjarja tragjike ndodhi më 29 nëntor pas një marrëveshje paraprake midis parisë së fshatit dhe Shtabit të kësaj brigade, një batalion u fut në fshat. Me pretekst se fshatarët e Izvorit, paskan “përgatitur një atentat” ndaj Shtabit të këtij batalioni, u arrestuan të gjithë meshkujt e fshatit ( 44 veta) dhe që të gjithë përnjëherë u ekzekutuan. Njëkohësisht i jepet zjarri fshatit.

Edhe në pjesët e tjera të Kosovës pati dhunë, terror e maskara të llojeve të ndryshme  si në Llap, Shalë, Gallap, Prishtinë, Drenicë, Vushtrri, Mitrovicë, Istog e vende të tjera. Duhet vënë në dukje faktin se këto brigada kudo kishin hasur në rezistencë të fortë të forcave vullnetare shqiptare, si në luftimet e zhvilluara në Përmalinë të Llapit dhe në Shalë, ku Divizionit 24 Serb iu kishin kundërvunë formacionet vullnetare shqiptare, Brigada e Ukshin Kovaçicës, Batalioni “Hasan Prishtina” dhe një grup i luftëtarëve me Aziz Zhilivodën në krye. Luftëra të përgjakshme u zhvilluan edhe në Kaçanoll dhe Dobratin, në Shalë dhe Gallap, ku në krye të forcave shqiptare qëndronte Ahmet Selaci.

Në Drenicë (dhjetor të vitit 1944) ishte formuar Brigada e Drenicës, me komandant Shaban Polluzhën. Në janar, shkurt, të vitit 1945, kundër kësaj Brigade, morën pjesë: Brigada e Parë e Kosovës dhe Metohisë, me Zufer Musiqin në krye; Brigada e Bokelit, e njohur me emrin famëkeq “Bokelska”, Brigada e 6-të malazeze; pastaj ajo e KNOJ-it (Korpusi Narodne Odbrane Jugoslavije – Korpusi i Mbrojtjes Popullore të Jugosllavisë), Brigadat IV dhe V të Kosovës. E tërë kjo forcë ushtarake nga e cila shqiptarët ishin të rrethuar, përbëheshin nga afro 36 000 ushtarë. Në këtë luftë për vetëm 28 ditë u vranë dhe u plagosën rreth 430 luftëtarë nga Drenica, u dogjën dhe u plaçkitën 450 shtëpi, iu konfiskua i tërë ushqimi e gjëja e gjallë 6 000 banorëve të Vushtrrisë e të Mitrovicës me rrethinë. Sipas të dhënave, të Komandantit të Administratës Ushtarake, Sava Dërljeviq, ishin mbi 40 000 luftëtarë të huaj.

Në kohën që zhvilloheshin luftime, në fundin e janarit 1945, udhëheqësit e PKJ-së, të përfaqësuar nga Aleksandër Rankoviqi, Milovan Gjilasi dhe Svetozar Vukmanoviq-Tempo, thirrën në Beograd Miladin Popoviqin dhe Fadil Hoxhën për një konsultë dhe u bënë të ditur vendimin se Kosova do të kishte autonomi formale dhe do t’i bashkëngjitej Serbisë, se do të mbahej vetëm flamuri i Jugosllavisë dhe Serbisë, kurse flamuri shqiptar nuk duhej të dukej më. Ky akt u konfirmua ende pa u mbledhur Konferenca e Jaltës, e cila do të merrte vendime të rëndësishme për Jugosllavinë dhe përgjithësisht për botën e pas luftës. Më 8 shkurt 1945, vetëm një ditë pas vendimit të marrë në Konferencën e Jaltës për njohjen e kufijve të Jugosllavisë së paraluftës, Tito do të shpallte dhe urdhëronte vendosjen e Administrimit Ushtarak në Kosovë, epiqendër e së cilës do të ishte Drenica, në të cilën vazhdonin të zhvilloheshin luftime me ushtrinë jugosllave.

Për t’i shpëtuar dhunës e terrorit jugosllav shqiptarët arratiseshin nga Kosova, duke kërkuar strehim në Shqipëri. Por, ata ndiqeshin edhe në Shqipëri nga njerëzit e UDB-së (Unutrašnja dršavna bezbednost – Mbrojtja e Brendshme Shtetërore), dhe pastaj shoqëroheshin për në Jugosllavi, ku gjatë rrugës me pretekste të ndryshme vriteshin. Në fillim të vitit 1945 autoritetet jugosllave, pushkatuan ilegalisht dhe pa gjyq edhe në territorin e shtetit shqiptar, më tepër se 1 000 shqiptarë nga Kosova. Krimet e terrori i ushtruar në Shqipëri në periudhën e pasluftës, dëshmohet nga disa deklarata të bëra nga ish-nëpunës të lartë të shtetit shqiptar si Nesti Kerenxhi, ish-zëvendësministër i Ministrisë së Brendshme; nënkolonel Zoi Themeli, ish-nëpunës i lartë i Sigurimit të Shtetit”; Shefqet Peçi etj. Terrori dhe masakrat e viteve 1944 – 1946 ndaj popullsisë shqiptare do të bëhen objekt shqyrtimi në disa relacione të ndryshme të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Jashtme të Shqipërisë. Në një relacion të Ministrisë së Jashtme të vitit 1960 jepen një sërë shembujsh për mizoritë e kryera nga organet jugosllave ndaj shqiptarëve: Në Mitrovicë kur hyri Brigada VI e Kosmetit, u pushkatuan mbi 2 000 vetë, prej qytetit dhe katundeve të afërta. Në qytetin e Vushtrrisë u gjenden 400 vetë të vrarë. Në nëntor të vitit 1944 prej Kosovës deri në Tetovën u pushkatuan më shumë se 1 000 vetë, duke u lënë arave dhe hendeqeve. Në Gostivar oficerët jugosllavë mbasi i nxorën nga kazermat vranë 300 shqiptarë. Në muajin dhjetor të vitit 1944 po në këtë qytet u arrestuan 70 vetë, të cilët u pushkatuan në një kodër të quajtur Gradishtan. Më 17 nëntor 1944, në stacionin e monopolit të duhanit në Tetovë u grumbulluan rreth 10 000 shqiptarë dhe në të njëjtën natë nga këta u pushkatuan shume veta… Në katundin Kërçovë u vranë 320 burra. Nga Shkupi u murrën 300 djem shqiptarë me pretekst se do t’i dërgonin në një repart ushtarak, porse nuk u kthyen më në shtëpitë e tyre. Në Gjilan u pushkatuan 1 000 vetë, ndërsa në Skenderaj u gjenden 250 shqiptarë të varur. Në katundin Polon (Pozhoran – S. S.) të Ferizajt u pushkatuan 28 vetë përpara familjeve të tyre. Afër Prishtinës në vendin e quajtur Tomboce (Taukbashqe –  S. S.) u pushkatuan mbi 200 vetë, kurse në një ditë brenda në Prishtinë 70 vetë. Në Pejë prej dhjetorit 1944 deri në fillim të vitit 1946 u vranë 200 burra shqiptarë. Në rrethin e Shkupit u bënë masakra të mëdha. Në katundin Bojane të këtij rrethi u vranë 76 burra dhe 30 gra e fëmijë, ndërsa në katundin tjetër Bllacë të gjithë burrat (160 vetë) dhe 50 fëmijë, thuhet se këtij katundi mbas masakrave iu vu zjarri.

Sipas gazetës “Zëri i Popullit”, “…xhelatët e Titos grisën dhe hodhën poshtë flamurin shqiptar dhe filluan pushkatimet në masë, terrorin e pashembullt në Drenicë, me krime të papara si therje fëmijësh dhe grash shtatzëna, njerëz të varur mbi hunj, njerëz që vdisnin në tortura dhe agoni të tmerrshme…, mbi 2 000 vetë të pushkatuar në Mitrovicë, mbi 1 000 në Gjilan, me mijëra të pushkatuar që shkuan për të luftuar nazistët në brigadat jugosllave…, qindra shqiptarë të rekrutuar ushtarë u pushkatuan në rrugën Prizren-Kukës-Tiranë. Në këtë qytet buzë detit u pushkatuan edhe 1 200 vetë…, në Gorica të Triestes, më shumë se 2 000 djem shqiptarë nga Maqedonia, të mobilizuar në brigadë pune i mbytën me gaza helmuese. Krime dhe krime, krime rrëqethëse…, vetëm nga të dhëna të pjesshme llogaritet se 36 000 shqiptarë ranë nga plumbi, bajoneta dhe helmi titist, nga viti 1944 në vitin 1948. Masakra, të cilat nuk ishin të drejtuara kundër reaksionarëve, por kundër popullit për ta shfarosur atë.

Në Kosovë qenë edhe dy divizione partizane të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Shqipërisë, disa prej tyre edhe mbanin shënime për veprimet shoviniste të njësiteve partizane të Jugosllavisë, ndaj popullit shqiptar të Kosovës. Kështu në një raport të Korparmatës III të Ushtrisë Nacionalçlirimtare në mars të vitit 1945, thuhej: “… në Kosovë janë vrarë njerëz nga Ushtria Nacionalçlirimtare jugosllave. Në Ushtrinë Nacionalçlirimtare duket se ka mjaft elementë shovinistë provokatorë. Një pjesë e madhe e popullit të këtyre anëve është në mal. Populli i Kosmetit (Kosovës S. S.), nuk ka aspak besim në Ushtrinë Nacionalçlirimtare jugosllave… Heqja e flamurit shqiptar në qytetet e Kosovës e Metohisë, vrasja e delegacionit shqiptar që ishte dërguar nga Shtabi Operativ për marrëveshje… vrasja e 20 vetëve nga Malësia e Gjakovës pa asnjë arsye, vrasja në masë në Drenicë, humbja e njerëzve natën pa i marr vesh askush, janë shkaqet që revoltojnë për së tepërmi popullin e Kosmetit kundër Ushtrisë Nacionalçlirimtare jugosllave”.

Mbledhja e Kuvendit Antifashist Nacionalçlirimtar të Serbisë u mbajt në Beograd, nga 7 deri më 9 prill të vitit 1945, ku përveç delegatëve nga Serbia merrnin pjesë edhe 2 përfaqësues nga Kosova: Mehmet Hoxha, kryetar i Këshillit Krahinor Nacionalçlirimtar të Kosovës dhe Dushan Mugosha, sekretar i këtij Këshilli. Ky i fundit në fakt ishte një  delegat i Kosovës, por jo i zgjedhur nga populli. Sidoqoftë ai shprehte gjoja dëshirën e 700 mijë shqiptarëve dhe 100000 malazezëve që Kosova t’i aneksohej Serbisë. Atë që e fshihte Titoja në këtë Mbledhje e thoshte hapur Rankoviqi. Duke folur mbi çështjen e aneksimit të Kosovës Serbisë, ai deklaronte se ky aneksim “është përgjigjja më e mirë për ata që trumbetojnë rrezikun e copëtimit të tokës “serbe”, që akuzojnë Luftën NÇL (Luftën Nacionalçlirimtare – S. S.), sikur do të dobësojë serbët për llogari të kroatëve dhe të tjerëve”. Më 9 prill, gazeta “Borba” me tituj të mëdhenj informonte opinionin se Mbledhja e Kuvendit Antifashist të popullit të çliruar të Serbisë “pranoi dëshirën” e popujve të Kosovës e Metohisë për bashkimin me Serbinë Federale. Më 8, 9 e 10 korrik 1945, u mbajt Kuvendi i Prizrenit, i cili aprovoi Rezolutën për aneksimin e Kosovës ndaj Serbisë. Në rezolutë ndër të tjera thuhej: “Për arsye të rrethanave të vështira që kanë mbretëruar para një vjet e gjysmë në krahinë, popullsia e kësaj krahine nuk ka pas mundësi të përfaqësohet në mbledhjen e dytë të AVNOJ-it në Jajcë, në nëntorin e vitit 1943. Për këtë shkak, populli i kësaj krahine me anë të Asamblesë së tij Krahinore të zgjedhur lirisht, mundet vetëm tash me shprehë në mënyrë të lirë pajtimin e tij të plotë me vendimet historike të AVNOJ-it, të cilat i vunë themelin e fortë Jugosllavisë së re Federative Demokratike dhe lirisë e barazisë së popujve të saj dhe pakicave kombëtare. Asambleja Krahinore Popullore e Kosovës e Metohisë, deklaron unanimisht se popullsia e kësaj krahine, njësoj si të gjithë popujt e Jugosllavisë kurrë ndonjëherë nuk e ka njohtë copëtimin e krahinës së vetë të kryem nga okupatori, as copëtimin e Jugosllavisë, prandaj shpreh dëshirën e mbar popullsisë së krahinës që kjo t’i bashkohet Serbisë Federale si pjesë përbërëse e saj”. Ngjashëm me Kosovën u vendos pushteti jugosllav edhe ne viset e tjera shqiptare. Vlen të përmendim se Aleatët e Mëdhenj te të cilët kishin shpresuar shqiptarët nuk reaguan ndaj aneksimit të dhunshëm të Kosovës në kuadër të Jugosllavisë Federative.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI; Tafil Buzi, patrioti që hoqi vallen e jetës në buzë të greminës

Pa  dëshmor historia  e  një  kombi venitet, pa  heronj  historia  e një kombi  është destinuar  …