Prof. assoc. dr. Sabit Syla: Rexhep Mitrovica, ( 1888 – 1967 ) atdhetar i devotshëm i Çështjes Kombëtare

Prof. assoc. dr. Sabit Syla: Rexhep Mitrovica, (1888 – 1967) atdhetar i devotshëm i Çështjes Kombëtare

Mitrovica dhe rrethinat e saj janë pjesë e trungut etnik shqiptar. Ajo ka  një të kaluar të pasur me ngjarje e personalitete të rëndësishme historike, që nga kohërat me të hershme e deri në ditët e sotme. Popullsia e kësaj treve shqiptare me traditë e qëndresë aktive kundër pushtuesve të huaj, përgjatë historisë ka dhënë një kontribut të veçantë, duke zënë kështu një vend të rëndësishëm në historinë e popullit shqiptar.

Në mesin e shumë atdhetarëve që i dha Mitrovica kombit shqiptar e që u gjendën në ballë të qëndresës politike dhe ushtarake, pa dyshim është edhe Rexhep Mitrovica, i cili zë një vend të merituar si intelektual, patriot dhe luftëtar i pa kompromis i çështjes kombëtare shqiptare. Puna dhe vepra e tij e gjatë atdhetare mbi 50-vjeçare, në shërbim të përpjekjeve për çlirim e bashkim kombëtar e krijuan këtë personalitet e politikan të vjetër, emri i të cilit rreshtohet midis figurave të shquara të kombit, si një nga përfaqësuesit më të mëdhenj të mendimit dhe veprimit patriotik.

Rexhep Mitrovica u lind në janar të vitit 1888, në qytetin buzë Ibrit (Lumit të Bardhë ose Angrit, siç quhej në lashtësi) në një familje atdhetare të fisit Hot me prejardhje nga Shkodra. I ati, Mahmudi, dhe e ëma, Hajria, patën dy vajza e tre djem. Rexhepi ishte fëmija më i vogël, i cili fëmijërinë e kaloi në vendlindje e pjesërisht në Pejë. Pas shpërnguljes së familjes së tij nga Mitrovica për në Shkup, Rexhepi ndoqi shkollën fillore  po në këtë qytet ku dhe vazhdoi shkollimin në Gjimnazin Mbretëror në Manastir e më 1903 në Gjimnazin Progres të Selanikut. Më 1906 mbaroi me sukses gjimnazin dhe pastaj vazhdoi studimet e larta në  Paris e Vjenë, por pa u shkëputur për asnjë çast nga kontaktet politike me përfaqësuesit e Lëvizjes Kombëtare ku dhe krijoi fizionominë e tij politike. Qysh në moshë të re u shqua si veprimtar i denjë  për çështjen e formimit e konsolidimit të shtetit shqiptar dhe përfshirjes së të gjitha trojeve brenda kufijve të një Shqipërie etnike.

Veprimtaria e tij gjithnjë u lidh me çështjen aktive të kombit, dhe aktivitetin e tij e filloi në Shkup, lidhur ngushtë me atë mori atdhetarësh që vepronin në këtë kryeqendër të Vilajetit të Kosovës. Fillimisht Rexhep Mitrovica punoi si drejtor i shkollës industriale. Në këtë vend edhe zyrën e vet  e pati kthyer në një qendër që përhapte afshin e shqiptarizmit. Më pas qe nënkryetarë i klubit “Bashkimi” të Shkupit, e cila ishte qendër intelektuale e lëvizjes kombëtare që përmblidhte elementë patriotë e të vendosur për të siguruar shkollat kombëtare si dhe të angazhuar në luftë me xhonturqit gjer në shpërthimin e kryengritjeve të armatosura. Po ashtu në këtë qendër të Vilajetit Kosovës, qe drejtor i gazetës “Bashkimi i Kombit” dhe pjesëmarrës në Kongresin e Dytë të Manastirit më 2-3 prill 1910.

Me fillimin e Luftërave Ballkanike, kur Perandoria Osmane po shkonte drejtë  rënies së saj e monarkitë ballkanike fqinje u sulen të copëtonin trojet shqiptare, Rexhep Mitrovica, së bashku me Salih Gjukën, Bedri Pejanin, Mustafa Asim Krujen, Emz Nikollë Kaçorrin e Abdi bej Toptanin, i drejtuan  një kërkesë Portës se Lartë, përmes së cilës i bënin të ditur sulltanit, nevojen e bashkimit të katër vilajeteve shqiptare (Kosovës, Manastirit, Shkodres e Janines). Qëllimi i kësaj kërkese ishte që të ruhej identiteti i shqiptarëve dhe të sigurohej  bashkimi i tyre në një njësi të vetme territoriale administrative, si hap i parë i pavarësisë së Shqipërisë në kufijtë etnikë. Vazhdimi i luftërave ballkanike bëri që shqiptarët të gjenden në mes dy zjarreve, Perandorisë Osmane dhe fqinjëve ballkanas, ku rreziku i copëtimit ishte mëse i qartë.

Në dekadën e parë të shek. XX edhe Lëvizja Kombëtare Shqiptare shënoi një rritje të gjithanshme. Veprimtaria e Rexhep Mitrovicës në Kosovë qe më aktive se kurrë. Këtë e dëshmoi edhe Kuvendi Kombëtar i Shkupit, i mbajtur me 14 tetor të vitit 1912, i cili  autorizoi Rexhep Mitrovicën që të mblidhte nënshkrimet e parisë së vendit në Pejë për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Më 28 nëntor 1912, ai qe njëri nga 37 delegatët e Kuvendit, që firmosi aktin madhor te pavarësisë së Shqipërisë, si shtet i pavarur dhe sovran.

Rexhep Mitrovica, shprehte hapur indinjatën e tij të thellë ndaj vendimeve të Konferences se Ambasadorëve të Londres, e cila me 22 mars dhe 11 gusht 1913 la jashtë trungut etnik më tepër se gjysmën e trojeve shqiptare. Pas Pavarësisë së Shqipërisë dhe përfundimit të kësaj konference, Rexhep Mitrovica e përqendroi aktivitetin e tij kombëtar në dy drejtime kryesore: Në ngritjen dhe konsolidimin e shtetit shqiptar të cunguar dhe në përpjekjet për organizimin politik dhe ushtarak për shpëtimin e Kosovës e viseve të tjera shqiptare që u  pushtuan prej shteteve fqinje. Në një letër që ai i dërgonte Ismail Qemalit ai shpjegonte dhe përshkruante gjendjen tejet kaotike e prekëse që mbretëronte në Kosovën e lënë nën Serbinë. Ai i bënte të ditur atij se “egërsitë serbe, të cilët rrahin e torturojnë çdo gjë qe u vjen përdoresh, duke prishur në mënyrën më të hidhur edhe moralin e popullit, e pra të gjendet një mënyrë për ndaljen e tyre…, e një nga Fuqitë e Mëdha të marrë përsipër ruajtjen  e të drejtave e të interesave të tyre; e të ndalen plaçkitjet, vjedhjet, djegiet, torturimet e masakrimet e këtij populli te vuejtun’’.

Për ta ndalur e shpëtuar popullsinë e Kosovës e të viseve tjera shqiptare nga kjo barbari e forcave serbe, Rexhep Mitrovica do të lidhet me Komitetin Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, i cili u themelua më1918, në Shkodër me në krye Hoxhë Kadri Prishtina dhe sekretar Bedri Pejanin. Madje ishte ky komitet, i cili më 28 qershor 1919 emëroi Rexhep Mitrovicën me vendim të posaçëm të Këshillit Qendror, si përfaqësues të këtij Komiteti në krahinat e Shqipërisë së Mesme.

Si përfaqësues  i Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, ai duhej të përhapte programin politik dhe format organizative të tij në  krahinat e Shqipërisë së Mesme. Njëkohësisht Rexhep Mitrovica do të  përfaqësonte Komitetin  në mbledhjet politike e patriotike që do të mbaheshin në këto vise, duke shërbyer si ndërmjetës midis tyre dhe Komitetit. Në këtë kohë Rexhep Mitrovica ishte ndihmës-drejtor i shkollës Popullore të Mitrovicës, e cila i kishte dy mësues të dalë prej Normales së Elbasanit. Më datën 28 dhjetor 1919, Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës e caktoi atë së bashku me Hysni bej Currin e Xhemal bej Prishtinën që të përfaqësonin Lumën, Hasin, Malësinë e Gjakovës e krejt viset e Kosovës në Kongresin Kombëtar të Krujës, i cili kishte me u mbledh me 10 janar 1920. Por, para se të mblidhej ky Kongres, i iniciuar nga Rexhep Mitrovica, Mustafa Kruja e Hysni bej Curri, për t’u mbajtur më 21 janar 1920, R. Mitrovica u largua nga Shqipëria për në Vjenë. Ndërkohë ndodhi atentati ndaj Abdyl Ypit, me pretekstin se ishte një italofil dhe, së bashku me Rauf Ficon, Hamit bej Toptanin dhe Omer bej Shijakun, kishin marrë iniciativën për të mbledhur një kongres me qëllim të sillnin në Shqipëri Esat Pashën. Në realitet Rexhep Mitrovica kishte qenë kundër personalitetit të Esad Pashës dhe  Pleqësisë së  krijuar prej tij në vitin 1913.

I ndodhur gjithnjë në vlugun e ngjarjeve, Rexhep Mitrovica përcillte me vëmendje zhvillimet diplomatike të pas Luftës së Parë Botërore, që kishin të bënin me zgjidhjen  e çështjes shqiptare. Ai shpresonte shumë se Konferenca e Paqes në Paris, që u hap me 18 janar 1919 do të çonte në vend drejtësinë, duke zgjidhur drejt kërkesat e ligjshme të popullit shqiptar. Në këtë konferencë, edhe pse u diskutua për çështjen shqiptare, u bënë pazarllëqe të mëdha në dëm të kombit shqiptar. Kjo qe shqetësuese për shumë shqiptarë, pra edhe për veprimtarin Rexhep Mitrovica. Shqetësuese për të ishte edhe përmbajta e letrës së mikut të tij Bedri Pejani që ia dërgonte nga Gjeneva më 11 nëntor 1921. Ai, përveç tjerash, e njoftonte për vendimet e Konferencës se Paqes, duke bërë një vërejtje me shkrim lidhur me gjendjen: “Duket se nuk keni qenë të zotët me i qitë serbët nga toka e Shqipërisë. As nuk do të jeni të zotët kurrë. Pra ulni kryet tuj thanë “elhyqmy-lillah”. Mos pritni ndonjë ndihmë tjetër nga bota e nga kurrkushi; mbasi qi nji vjet në vend qi me u forcue kundra rrezikut, keni kalue kohën me kriza e dallavere gjithfarësh”.

Politika antishqiptare e Konferencës se Paqes si dhe e vendeve fqinje ballkanike e ndërlidhur kjo edhe me implikimet e politikave koniunkturale në vend, bëri që patriotë liridashës të thërrasin Kongresin Kombëtar të Lushnjës. Ky Kongres i zhvilloi punimet nga 28 deri më 31 janar 1920, nxori edhe qeverinë e re të kryesuar nga Sylejman Delvina, zëvendëskryetar Eshref Frashëri dhe anëtarët: Mehmet Konica, për punët e jashtëme, Sotir Peci, për arsim, Hoxha Kadriu, për drejtësinë, Ndoc Qoba, për financat dhe Ahmet Zogu, ministër i brendshëm. Pas këtij Kongresi, Rexhep Mitrovica qe ndër të parët organizatorë që punonte me grupe të ndryshme e komitete për lirinë e Kosovës. Ishte publicist që nxirrte në dritë botime e shkrime në shtypin e vendit, ndërsa në ditë të caktuara ndizte demonstrata, ku rinia thërriste: “Kosova është e jona”. Prej vitit 1920 deri me 1924, u zgjodh deputet i Kosovës në Parlamentin e Tiranës. Më 1921 ai së bashku me Eshref Frashërin, Sejfi Vllamasin, Koço Tasin, Stavri Vinjaun, Spiro Koleken, Bajram Fevziun, Ali Këlcyrën, Bahri Omarin dhe Bedri Pejanin formuan Partinë Popullore, programi i së cilës prirej për  krijimin e një Shqipërie etnike të pavarur e moderne. Në vitin 1921 si përfaqësues i kësaj partie në kabinetin qeveritar të Xhafer Ypit në Tiranë, ai mori postin e ministrit të arsimit, detyrë të cilën e ushtroi edhe në vitin 1922.

Si ministër i arsimit Rexhep Mitrovica u shqua si reformator. Ai bëri çmos për të arritur një marrëveshje në mes qeverisë dhe klerit katolik, për zhvillimin arsimor në Shqipëri, kur dihet se në mes tyre ekzistonin  mosmarrëveshje  të mëdha. Ai mbronte parimet se shkollat në një shtet duhet të jenë jo fetare, pra laike. Një rëndësi të veçantë i kushtoi edhe domosdoshmërisë së arsimimit  të femrës shqiptare. Në një nga seancat parlamentare të vitit 1921, në raportin që Rexhep Mitrovica mbajti për gjendjen e arsimit në Shqipëri, ai shprehte shqetësimin për gjendjen e rëndë arsimore të femrës shqiptare. Duke e quajtur gruan si themelin e qytetërimit të një kombi, ai e vuri theksin tek tërheqja e vajzave shqiptare në shkollë. Ai shtroi në parlamentin shqiptar domosdoshmërinë e çeljes së shkollave të reja fillore femërore dhe hapjen e një shkolle normale femërore për përgatitjen e mësuesve, të cilat do të viheshin në shërbim të arsimit femëror në Shqipëri.

Pas marrjes së pushtetit nga Ahmet Zogu dhjetorë 1924, Rexhep Mitrovica me disa përfaqësues të Krahut Kombëtar u largua nga Shqipëria për 15 vite me radhë. Ai, jo si disa personalitete të tjerë politikë të kohës, nuk e pa oportune rrugën e bashkëpunimit me Komitetin Revolucionar Kombëtar (KONARE), që ishte i lidhur me Kominternin në ndihmë të çështjes nacionale. Gjatë kohës së emigracionit politik ai u përpoq për vendosjen e një regjimi demokratik në Shqipëri, duke vepruar në radhët e organizatës “Bashkimi Kombëtar” në Paris. Sigurisht që nga jashtë nuk kishte mundësi për të kryer ndryshimet në vend. Si drejtues i grupit “Bashkimi Kombëtar” në Paris Rexhep Mitrovica zhvilloi një aktivitet intensiv politik e kombëtar, se bashku me Qazim Koculin, Ali Këlcyren, Kol Tromarën, Xhemal Bushatin dhe Sejfi Vllamasin. Këta përfaqësues të Bashkimit Kombëtar e denoncuan dhe protestuan kundër agresionit italian në Shqipëri më 7 prill 1939. Në gazetën  “Le Temps” të Parisit, më 8 prill 1939, ata e  denoncuan këtë akt. Po këtë ditë Rexhep Mitrovica, Kol Tromara e Sejfi Vllamasi, që të tre anëtarë të Komitetit Qendror të Bashkimit Kombëtar, u takuan me ministrin shqiptar në Paris dhe në emër të emigrantëve i deklaruan atij se para katastrofës së atdheut, shqiptarët duhet të harrojnë grindjet dhe të bashkohen për më i ba ballë armikut të përbashkët. “Sot, nuk ka më problem regjimi për ne. Ne jemi kryelartë me popullin tonë që, i bashkuar është hedhë kundër pushtuesit të huaj”, ishin disa nga fjalët e Rexhep Mitrovicës. Më 9 prill 1939, afro 100 studentë shqiptarë u mblodhën në legatën shqiptare të Parisit dhe u dërguan telegrame proteste kryeministrave të Francës, Anglisë dhe të Amerikës, për agresionin Italian ndaj Shqipërisë. Në mbrëmje, në sallën Wagram u mbajt një mbledhje e jashtëzakonshme e shqiptarëve për të protestuar kundër pushtimit. Në këtë mbledhje Rexhep Mitrovica, Nuçi Kota, Kol Tromara e Bedri Pejani dënuan agresionin fashist mbi Shqipërinë, revokuan heroizmin e popullit shqiptar, ngritën flamurin kombëtar dhe në praninë e shumë shqiptarëve e miqve  u këndua edhe  Himni i Flamurit.

Pas aktivitetit politik në Francë e vendet e tjera të Evropës, Rexhep Mitrovica në fillim të viteve 40-ta u kthye në Shqipëri, e cila kishte mbetur pa një institucion legjitim legal që të përfaqësonte shtetin shqiptar dhe ta orientonte atë në rrethanat e krijuara, si rezultat i pushtimit italian i shoqëruar me krijimin e Asamblesë Kushtetuese të Shqipërisë, e cila i kishte dhuruar kurorën mbretërore Viktor Emanuelit III.

Rexhep Mitrovica menjëherë iu ofrua mikut të tij të vjetër, themeluesit të organizatës nacionaliste, Mit`hat Frashërit dhe mbështeti pa rezervë programin e hartuar në prill të vitit 1939, ku ndër tjera, shkruan: “Të ketë Shqipëri të lirë dhe indipendente.Të ruajë kufijtë e saj etnikë, të mbështjellë në një atdhe djemtë e saj.  Nacionalizma shqiptare e këshillon krejt popullin tonë që të lërë mënjanë ideologjitë dhe të përpiqet vetëm për Shqipërinë rreth Flamurit të Skënderbeut, me patriotizëm të patundur”. Tek parimi i këtij nacionalizmi Rexhep Mitrovica, shihte edhe rrugën e vetme për shpëtimin e kombit, në bashkëveprim me të gjitha forcat politike të vendit.

Me 6 prill 1941, Gjermania sulmoi edhe pushtoi Jugosllavinë, me ç`rast ky pushtim u shoqërua edhe me copëtimin territorial të Kosovës ne tri zona pushtimi: zonën bullgare, italiane dhe gjermane. Rexhep Mitrovica, si shumë patriotë të tjerë, e priti me entuziazëm pushtimin e Jugosllavisë, ku shqiptarët kishin qenë të diskriminuar në kuadër të asaj krijese artificiale të Versajës. Me pushtimin e Jugosllavisë u riaktualizua shumë çështja e Kosovës, si një çështje jashtëzakonisht e rëndësishme e jetës së brendshme dhe të jashtme politike, çështje rreth së cilës do të bëhen diferencime, polarizime forcash, madje çështje që e determinonte orientimin e shtresave e të rrymave të ndryshme politike si dhe zgjeronte e ngushtonte koalicionin antifashist.

Rexhep Mitrovica pas pushtimit e vendosjes së komandës gjermane në Prefekturën e Mitrovicës me rrethinë, dhe njohjes prej tyre të  autonomisë shqiptare, u kthye në Mitrovicë se bashku me Bedri Pejanin etj., si përfaqësues të Komitetit të Kosovës. Komiteti i Kosovës i përfaqësuar nga dy veprimtarët e lartpërmendur ngritën  organizatën Lidhja Popullore Shqiptare, në gusht të vitit 1941. Në themelimin e saj rol të dukshëm luajtën edhe Ferat Draga e i biri i tij Ali Draga. Sipas përfaqësuesve të kësaj organizate, në shtetin shqiptar do të përfshiheshin edhe territoret shqiptare, si Kosova, territoret deri në Manastir, Podgoricë e Nish, pra të gjithë shqiptarët.

Zgjidhja e çështjes kombëtare për Rexhep Mitrovicën ishte primare.  Politika e veçantë e ndjekur nga gjermanët në Shqipëri si dhe rreziku permanent sllav që kërcënonte trojet shqiptare, bënë që disa nacionalistët të prirë nga R.Mitrovica të përqafonin idenë për krijimin e një Lidhjeje Shqiptare, me mision të ngjashëm me atë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të vitit 1878. Kjo ide u materializua më 16 shtator 1943, me thirrjen e kuvendit të Prizrenit dhe krijimin e organizatës me të njëjtin emër, si dhe të  Komitetit Qendror të saj me kryetar Rexhep Mitrovicën.

Më 18 shtator 1943, në sallën e shkollës fillore “Bajram Curri”, ku mbahej Kuvendi i Lidhjes së Prizrenit, Rexhep Mitrovica, mbasi përgëzohet për iniciativën dhe mbledhjen e Kuvendit të Prizrenit ndër të tjera thotë: “Të drejtat t‘ona kombëtare do të mbrohen, me të gjitha forcat. Kombi shqiptar, këtë herë, nuk do të lejojë ma të kryhen mbi kurriz të tij padrejtësinat e së shkuemes. Kur shtrohet tryeza e paqes, kombi jonë, porsa të fillojnë bisedimet mbi fatin e popujve, duhet t`i dalë zotë vetvetes. Një nga masat e kësaj mbrojtjeje është pa dyshim ajo e regjistrimit të popullsisë në Kosovë, Dibër, Strugë etj..Duhet gjithashtu të pregaditen dokumenta, të çdo natyre qofshin, që vlejnë për të provue shpërdorimet, shpërnguljet, kolonizimet, torturimet, terrorizimet e masakrimet. Me këto dokumente, kombi shqiptar duhet të dalë përpara Konferencës së ardhshme të Paqes e të kërkojë të gjitha ato të drejta që i takojnë”.

Pikat e programit të kësaj Lidhjeje të kryesuar nga ideologu Rexhep Mitrovica, jo vetëm që përputhen me qëndrimet e nacionalistëve shqiptarë por më e veçanta e saj është se të gjitha pikat e programit i kushtohen bashkimit të Kosovës e viseve tjera shqiptare me Shqipërinë dhe mbrojtjes së kufijve etnikë.

Në Këtë lidhje Shqiptare, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të  të gjitha tokave të lirueme prej Pazarit të Ri e deri në Strugë, u morë vendim që të organizohej mbrojtja e tokave të lirueme nga sulmet serbo-malazeze-maqedonase. Për këtë qëllim u formua edhe një Komitet ekzekutiv në krye të të cilit ishte po Rexhep Mitrovica. Në të gjitha prefekturat, nënprefekturat dhe komunat u formuan degët e tij. Për funksionimin e këtij Komiteti merrej taksë nga shitja e sheqerit kafes etj. Pra si qëllim imediat i kësaj organizate të kryesuar nga Rexhep Mitrovica e më vonë nga Bedri Pejani e Xhafer Deva, ishte krijimi i një shteti etnik kombëtar. Në statusin e saj thuhej: “qëllimi i saj është mbrojtja e viseve të çliruara si dhe të viseve të tjera shqiptare të ish Jugosllavisë, ku Lidhja do të punojë në organizimin ushtarak dhe politik për ekzistimin e Shqipërisë etnike”. Për këtë qëllim Lidhja e Dytë e Prizrenit formoi edhe Komitetin e Rinisë Kombëtare për mbrojtjen e Kosovës, që kishte si detyrë mbrojtjen e kufijve etnikë, përmes mobilizimit ushtarak duke filluar nga 18 deri në moshën 50 vjeçare. Kjo forcë ushtarake do të organizohej mbi baza vullnetare. Më 18 tetor 1943, Komanda e Përgjithshme e këtij Komiteti, iu drejtua popullit shqiptar me një thirrjen:“Zgjohuni se ka ardhur çasti, shqiptarë, të gjithë si një trup i vetëm të mbrojmë Shqipërinë etnike”.

Kapitullimi Italian i pasuar nga pushtimi gjerman më 9 shtator 1943, si dhe paraqitja e tyre si çlirimtarë të Shqipërisë dhe garantë të pavarësisë se saj, në kufijtë që kishte pasur Shqipëria nën Italinë, i dhanë Rexhep Mitrovicës kurajë e frymëzim më të madh për veprim. Duke iu përgjigjur kësaj çështjeje, ai pranoi kryesinë e tij për administratimin e vendit, por, megjithatë ai ishte i ndërgjegjshëm se gjermanët do të ishin humbësit e luftës dhe kalimtarë, ndërsa problemi i vërtetë për shqiptarët me fqinjët do të shfaqej ditën e largimit të tyre. Duke besuar në këtë qëllim, R.Mitrovica u inkurajua edhe më tepër kur në skemën politike të gjermanëve ishte edhe Kosova, e cila jo vetëm që do te ruante statusin dhe të drejtat që kishte pasur nën pushtimin italian, por ajo do të avancohej më tej, duke i bashkuar asaj Mitrovicën e vise të tjera që kishin mbetur jashtë saj. Këto të dhëna, të ndërlidhura edhe me faktorë të tjerë si: synimet historikisht jo aneksioniste të Gjermanisë mbi Shqipërinë; premtimet nga Rajhu gjerman në ndihmë të “pavarësisë së Shqipërisë” e për bashkimin e  Mitrovicës me disa vise tjera shqiptare me Shqipërinë etj, bënë që Rexhep Mitrovica të aspirojë organizimin politik për të realizuar synimet kombëtare.

Menjëherë pas vendosjes së regjimit të pushtimit gjerman në Shqipëri, u krijua një Komitet Ekzekutiv provizor, me në krye Ibrahim Biçakun. Ky Komitet me 11 shtator 1943, rishpalli pavarësinë e Shqipërisë, kurse me 14 shtator ai i drejtoi një thirrje  popullit shqiptar ku deklaronte: “tue besue në ardhmërinë e shkëlqyeshme dhe në të drejtat t´ona si Komb i Lirë dhe Indipendent, po vendosim rishpalljen e pamvarsisë s´Atdheut Arbnor, legalizimi  i së cilës do të bahet nga vendimi i një Asambleje Kombëtare, që do të mblidhet sa më parë dhe do të përfaqësojë vullnetin e të gjithë popullit shqiptar. Qysh sot qeveria e ditëve të robnisë deklarohet e rrëzueme dhe vendin e saj e zën  një Komitet i përkohshëm, i cili do të marrë të gjitha masat për me konvokue Asamblen Kombëtare, prej gjinit të së cilës do të dalë Qeveria’’..,Thirrja përfundonte, “Rroftë Shqipëria e Lirë”.

Me 16 tetor u mblodh në Tiranë Kuvendi Kombëtar i cili  shpalli “Këshillin e Lartë të Regjencës”. Ky Kuvend përbëhej nga 243 delegatë, që përfaqësonin të gjitha prefekturat e Shqipërisë, 163 prej të cilëve ishin nga Kosova dhe nga trevat e tjera shqiptare jashtë kufijve të shtetit shqiptar të vitit 1913.

Më 21 tetor 1943, në mbledhjen e katërt të këtij Kuvendi Kombëtar u zgodhën edhe përfaqësuesit e Këshillit të Naltë të Regjences: Mehdi Frashëri, Lef Nosi, Fuad Dibra dhe Patër Anton Harapi. Rexhep Mitrovica më 5 nëntor 1943, krijoi qeverin e re në përbërje të së cilës ishin: Rexhep Mitrovica- kryeminister dhe zëvendësministër i Kulturës Popullore, Dr. Rrok Kolaj Ministër i Drejtësis, Mehmet Konica, Ministër i Punëve Jashtme, Xhafer Deva, Ministër i Punëve të Brendshme, Dr. Sokrat Dodbiba, Ministër i Financave, Musa Gjylbegaj Ministër i Punëve Botore, Dr.Eqrem Çabej, Ministër i Arsimit, Ago Agaj, Ministër i Ekonomisë Kombëtare.

Kabineti qeveritar nën kryesinë e Rexhep Mitrovicës shpalosi edhe programin e Qeverisë. Në pikën kryesore të programit thuhej: “Mbrojtja e pavarësisë së plotë dhe tërësisë tokësore të Shqipërisë, si dhe ngulmimi për të qenë zot i vendeve shqiptare, ku të sundojë respekti dhe e drejta etnike dhe jetike e Kombit shqiptar. Kurse, sa i përket politikës së jashtme, Qeveria Kombëtare do të ndjek një politikë asnjanëse me të gjitha shtetet, me shpresë se edhe ato do të respektojnë të drejtat sovrane të kombit shqiptar, i cili brenda kufijve që i ka falur natyra, gjuha dhe historia kërkon të jetojë në harmoni dhe në qetësi të plotë”. Pas formimit të këtij kabineti qeveritar, Rexhep Mitrovica u betua në Selinë e Këshillit Naltë të Regjences, në prani të: Mehdi Frashërit, Fuad Dibrës, Lef Nosit dhe Patër Anton Harapit.

Të pranishëm ishin gjithashtu edhe ish-kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Përkohshëm, z. Ibrahim Biçaku, si dhe ministrat Mehmet Konitza dhe Dr. Eqrem Çabej.

Pas shqyrtimit të programit të qeverisë, kryeministri Rexhep Mitrovica denoncoi ashpër pushtimin fashist italian të Shqipërisë dhe robnimin që i bëri ajo popullit shqiptar gjatë katër viteve. Italia, sipas Rexhep Mitrovicës, kishte shkatërruar shtetin sovran që kishte një aparat shtetëror e të përsosur me ushtri, xhandarmëri, administratë, financa, dogana, ministri etj., që përbënin bazën e një shteti të fortë e solid. Ajo i shkatërroi të gjitha këto dhe erdhi jo për nevoja straregjike ushtarake, por si kolonizatore, duke na ndryshuar edhe emblemat kombëtare, përshëndetjet, ushtrimin në shkollë e çdo gjë shqipe dhe duke na lënë vëllavrasjen në mes veti. E, për t`i dhënë fund kësaj gjendjeje kaotike në vend, vazhdonite ai më tej duhet të liheshin mënjanë grindjet dhe ideologjitë politike, duhet që ta shpëtojmë kombin.“Vetëm një bashkim dhe vëllazërim i plotë i gjithë kombit më të gjitha vlerat e tij morale dhe tradicionale do të jetë mjeti i mbrojtjes së pavarësisë kombëtare….Eshtë bindja jonë se në këtë periudhë tronditëse të jetës sonë kombëtare në vend të grindjeve për ideoligji ose parime politike, duhet të shpëtojmë popullin nga masakrimet eventuale që mund të vijnë nga të tjerët, t`i mbrojmë me çdo sakrificë kufijtë t`onë etnikë që janë vaditur me gjakun e gjyshërve dhe stergjyshërve tanë. Nji ashtë pra imperativi kategorik i këtij çasti historik: vllazënim e bashkim”.

Pas paraqitjes së kabineti të ri qeveritar nga kryetari Rexhep Mitrovica dhe pasqyrimit të gjendjes së Shqiperisë para 7 prillit 1939, fjalën e mori nënkryetari Rexhep Krasniqi, i cili, ndër të tjera, tha: “Sot, për të parën herë mbas katër vjet robnie, po paraqitet një qeveri, e cila rrjedh drejt për drejt nga vullneti i popullit shqiptar dhe qi gëzon besimin të mbarë këtij populli të përvuejtun, të shpërdoruem e të tradhëtuem nga çdo pikpamje; kjo qeveri, mbas katër vjet robnie, është e para herë që del nga gjiri i Kombit e nga shpirti i këtij Populli”.

Në fjalën e tij, të mbajtur në Kuvendin Kombëtar, Dr. Xhelal Mitrovica, i ngarkuar nga grupi i përfaqësuesve të Kosovës  tha: “Kosova sot, gjindet në pozita të vështira. Ajo ka nevoj për përkrahjen e të gjithë shqiptarëve e rekomandoj që kjo Qeveri të marrë masa e të bëjë lidhjen shpirtërore e të bashkojë popullin shqiptar nga Mitrovica e deri në katundin e fundit të Jugut se: Ne nuk kemi asnjë dallim gjaku, gjuhe e kulture dhe të gjithë duhet të jenë të barabartë para interesave kombëtare”.

Kryeministri Rexhep Mitrovica, përveç fjalimit në Kuvendin Kombëtar, mbajti dhe një ligjëratë në Radio Tirana, ku foli për disa çështje të përgjithshme kombëtare. Ai i kushtoi një rëndësi të veçantë bashkimit ndër shqiptar, duke i bërë thirrje popullit shqiptar të ulte armët dhe të hiqte dorë nga vëllavrasja, nga lufta për klasë dhe ideologji dhe për t’u mbledhur rreth shtetit i cili konsiderohej prej tij si administratori i pasurisë kombëtare. Ai e përfundonte thirrjen me fjalët: Tani është koha për vendim të njizashëm i kombit shqiptar për mbrojtjen e kufijve tonë të shenjtë etnikë”. Rexhep Mitrovica e botoi këtë ligjëratë pasi mori në dorë  administratën e vendit. Aty, ai theksonte të këqijat që u solli shqiptarëve pushtimi italian i vendit të tilla si zgjedhë e tmerrshme e okupatorëve, asgjësimi, shkombëtarizimi e kolonizim i Shqipërisë etj.

Qeveria Shqiptare me në krye Mitrovicën, që në  muajt e parë të pushtimit gjerman u tregua tejet aktive si në administrimin e vendi, ashtu edhe në forcimin e konsolidimin e shtetit, në mënyrë që ai të kishte edhe njohje ndërkombëtare me shtete të cilët ishin të pushtuar nga Gjermania ose ishin në aleancë me të. Forcimin e shtetit Rexhep Mitrovica e shihte përmes programit të aprovuar; “mbrojtja e integritetit tokësor të Shqipërisë, brenda kufijve të saj etnikë”. Për ta rivendosur shtetin, ai parashikonte reformë agrare, riorganizim ekonomie, forcim ushtrie dhe njohje ndërkombëtare.

Mehdi Frashëri, kryetar i Regjencës, në fjalën e tij në vigjilje të natës vitit ri, kishte deklaruar se: “reformat sociale të Qeverisë Mitrovica do të bazoheshin në“parimet demokratike që eliminojnë çdo diktaturë”. Po sipas koncepteve demokratike e shihte edhe çështjen nacionale, që ajo të zgjidhet një herë e përgjithmonë me krijimin e shtetit kombëtar, të njësuar dhe të pavarur.

Ndonëse  u ngrit  në kohë të pushtimit, falë kësaj qeverie nuk u ndërmorën veprime të rënda nga ana e sunduesit gjerman si: ndryshim i flamurit apo simboleve tjera kombëtare, ndërrim i emrave të rrugëve e shesheve, nuk u krijua as parti dhe as rini naziste me ekspozime të ideologjisë së sundimit gjerman.

Gjatë qeverisjes së kabinetit Mitrovica u ringjall çështja e Kosovës dhe viseve tjera  shqiptare për një zgjidhje sa më të drejtë e reale të saj, brenda suazave të një Shqipërie. Flamuri, gjuha, monedha, nëpunësit, administrata, uniformat, të gjitha ishin shqiptare. Rexhep Mitrovica e qeveria e tij sakrifikuan për këtë ideal duke bashkëpunuar me gjermanët, të cilët i  konceptuan si pushtues, por në të njëjtën kohë dhe si mundësi për realizimin e aspiratave për bashkim kombëtar. Bashkëpunimi me pushtuesin gjerman, nuk ishte si rezultat i simpatisë ideologjike ndaj nazizmit, por thjesht ai u mundua të shfrytëzonte një situatë të krijuar nga  shthurja e Jugosllavisë për të arritur çlirimin dhe bashkimin me shtetin amë.

Kjo qeveri pati legjitimitet dhe konsensusin e partive tjera politike. Legjitimiteti i  saj qe i lidhur ngushtë me autoritetin e atyre që ushtruan pushtetin. Pushteti i saj legjitim plotësonte kushte të tilla  si, të ushtruarit  e tij në përputhje me rregullat e vendosura nga  aktet ligjore e zyrtare, përderisa kishte miratimin e parlamentit.

Qeveria paraqiti një program sipas se cilës ushtroi funksionet themelore të qeverisjes, po të kemi parasysh ndërlikimet e situatës politike në vend, në një kohë të konfrontimit botëror. Kështu ajo miratoi ligje ngriti gjykata, menaxhoi ekonominë kombëtare, formoi njësitë me forca të armatosura-ushtrinë e së fundi u përpoq të  zhvillonte  kulturën mbarëkombëtare, përmes arsimimit masiv të popullit shqiptar dhe së fundi theksoi si të ligjshme të drejtën e popullit shqiptar për çlirim e bashkim kombëtar.

Qeveria kishte mbështetjen e Komitetit Qendror, që nominalisht përfaqësonin Këshillin e lartë të Regjencës në Kosovë, të përbërë nga Xhafer Deva,Tahir Zajmi, Xhelal Mitrovica e Rexhep Krasniqi. Më 8 shkurt 1944 qeverisë së Rexhep Mitrovicës iu shtuan edhe tre ministra të rinj: Koço Muka-ministër i Arsimit, Kolë Tromara-ministër i Kulturës dhe Bahri Omari-ministër i Punëve të Jashtme, që të tre anëtarë të Komitetit Qendror të Ballit Kombëtar.

Qeveria Mitrovica e cila kishte shpallur asnjanësinë me shtete e tjera dhe përmes Mehdi Frashërit dhe ministrit të Jashtëm Bahri Omari, kërkuan që nga muaji nëntor 1943 e deri në verën e vitit 1944, të bëhej njohja ndërkombëtare dhe të vendoseshim marrëdhëniet diplomatike me disa vende, si Bullgaria e Rumania, apo me vendet asnjanëse, si Zvicra e Turqia. Nojbaher ra dakord që mund të vendoseshin marrëdhënie diplomatike edhe me shtete si: Kroacia, Sllovakia, Bullgaria e Rumania që ishin nën kontrollin gjerman, por pa u nxituar. Por kur filluan bisedimet për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Zvicrën dhe Turqinë, gjermanët heshtën, me çka dhanë për të kuptuar se neglizhenca e tyre bëri që të dështojë vendosja e marrëdhënieve diplomatike. Megjithatë ajo u vu re në prirje për të vendosur kontakte sidomos me shtetet neutrale.

Për qeverinë “Mitrovica”, Margaret Hezllaku, këshilltare e SOE-së në Kajro, ka thënë: “vijat e politikës së qeverisë do të kishin gjetur miratimin tonë të ngrohtë, nëse nuk do të kishim qenë në luftë me vendin që ka pushtuar sot Shqipërinë”. Kjo thënie tregon qartë, programin politik kombëtar të kësaj qeverie si dhe “arsyet” e aleatëve për ta cilësuar atë si qeveri kuislinge.

Karakterin e qeverisë së Mitrovicës e vë në dukje edhe ambasadori amerikan pranë qeverisë së Greqisë në Kajro, në korrik të vitit 1944 , i cili shkruan: “Qeveria e Rexhep Mitrovicës është e përbërë prej njerëzve, të cilët në të kaluarën gëzonin respekt në vend dhe disa prej tyre llogariten si njerëz më të mirë që dolën nga gjiri i Shqipërisë. Shumica prej tyre nuk njihen si pro gjerman të ndezur e as si fashistë politikë. Disa me të vërtetë ishin miq të Anglisë e Amerikës. Nuk gabohet nëse thuhet se, ata ishin kundër dominimit italian. Aq sa ndershmëria personale mund ta kapë, ata janë njerëzit me kualitetet më të larta prej gjithë atyre qeverive që Shqipëria ka pasur ndonjëherë. Sidoqoftë, këta njerëz pranuan sundimin gjerman dhe qëndruan në anë e Gjermanisë. Arsyeja ndoshta ishte se ata me sinqeritet e përcjellin politiken e Chamberlainit. Ata përpiqen me çdo kusht që të mbesin neutralë. Shpresojnë për ta bashkuar kombin shqiptar si në Shqipëri, ashtu edhe në Jugosllavi në një pjesë kompakte, që do të mund të miratohej prej ngadhënjimtarëve kushdo që do të mund të ishin (gjermanët apo aleatë)”. Pra Qeveria Mitrovica ishte një qeveri e ngritur me qëllim e synim të vetëm bashkimin kombëtar.

Në Gjyqin special që u mbajt në Tiranë, Bahri Omari deklaronte: “Qeveria e Rexhep Mitrovicës, ku unë mora pjesë, kishte proklamuar independencën dhe neutralitetin shqiptar. Këtë fakt e kishte vërtetuar edhe gjenerali aleat Sër Eilson, në një proklamatë në të cilën thoshte se pranohet qëndrimi i qeverisë shqiptare me konditë që kjo të mos u japë ndihmë gjermanëve dhe, në rast se konstatohet vepër bashkëpunimi me gjermanët, atëherë shpallja e neutralitetit nuk kishte asnjë vleftë. Ne nuk kemi pasur qëllim bashkëpunimi me gjermanët, sepse ne nuk kemi dashur aspak të jemi bashkëpunëtor me gjermanët, por ka qenë vetëm një transaksion qëndrimi ynë kundrejt gjermanëve. Qeveria në të cilën bëja pjesë unë, nuk i ka dhënë ndihmë gjermanëve. Ne ndaluam që gjermanët të vinin në qarkullim monedhën e tyre dhe për shumë gjëra kemi qenë në kundërshtim; derisa në fund dhamë dorëheqjen që të gjithë”.

Kolë Tromara gjatë procesit gjyqësor ka pohuar: “Qeveria e Mitrovicës në të cilën unë kamë marrë pjesë, ka qenë, sa ishte e mundur, indipendente nën një okupacion, siç ishim ne. Ishte e gabuar vija jonë që u futëm në qeveri dhe kështu kam thënë edhe në hetuesi, mbasi nuk ia arritëm. Sa ka qenë e mundur, unë jam mundue me shpëtue ç’ka mujshe”. Për mue, qeveria e Rexhep Mitrovicës nuk ka qenë kuislinge, sepse nuk mendojshim me ba vepra të kundërta me interesin e popullit, aq sa qe e mundur në kohë okupacioni”.

Qeveria Mitrovica duke pasur si qëllim bashkimin kombëtar, pati mospërkrahjen apo mbështetjen ndërkombëtare. Mospërkrahja nga Aleatët, tregonte se nuk ishin të favorshme koniukturat ndërkombëtare për të krijuar një shtet kombëtar mbarëshqiptar në rrethanat e Luftës së Dytë Botërore dhe sidomos nën suazën e gjermanëve të cilët në fund të vitit 1943 ishin në tërheqje, të mundur dhe të paftuar të zgjidhnin problemet e veta pa le më ato ndërkombëtare.

Me gjithë të arriturat e shënuara, në nëntor 1944 Qeveria dha dorëheqje. Rexhep Mitrovica u largua nga vendi, në fillim emigroi në Vjenë, pastaj në Itali e më në fund u vendos në Turqi. Në Stamboll ra në kontakt me grupet kosovare dhe u bë kryesues i tyre. Këto grupe kishin një rëndësi të veçantë dhe në prill të vitit 1949, Mid´hat Frashëri vizitoi  dhe u takua me grupet e emigracionit kosovarë dhe Rexhep Mitrovicën, e i sugjeroi idenë për nevojën e themelimit të një organizate politike me orientim perëndimor e mbështetje të botes demokratike. Rexhep Mitrovica duke përshëndetur e përqafuar këtë ide, i shkroi një letër mikut të tij Luan Gashit: “tue pa gjendjen tonë të vajtueshme për mosveprimin pozitivisht për Kosovën, pata vendosë në këtë moshë të hyjë ndoshta për herë të fundit në aktivitet, në qoftë se do të gjeja ndonjë përkrahje prej ndonjë grupi kosovar. Ardhja e Mid´hatit në Stamboll ma kish forcue këtë dëshirë. Kontrollimi i lidhjeve tona politike që kemi pasur me Mid´hatin, meqenëse i kemi konstatue të pëlqyeshme, ramë d´akord të ringjallnim nji aktivitet serioz në dobinë e Shipnisë etnike, tue rikrijue nji Komitet Kosove. Mid´hat Frashëri kërkonte që ky komitet të drejtohej prej meje dhe me premtonte të më mbështeste. Pata vendosë t´i hyjë kësaj valleje, mbasi t´i kem konsultue kosovarët”.

Rexhep Mitrovica pas konsultimeve me grupet e mërgatës kosovare në Turqi e vende të tjera filloi punën e riorganizimit, për themelimin e një organizate politike, që ta përfaqësojë Kosovën në “Botën e Lirë”. Duke qenë promotori kryesor ai themeloi organizaten të quajtur fillimisht “Bashkimi i Kosovarëve” e më vonë Lidhja Kosovare.

Lidhja Kosovare, u anëtarësua edhe në organizatë ndërkombëtare, në Bashkimin Federal të Grupeve Etnike të Evropës. Në kongreset e këtyre Grupeve Etnike, u parashtrua zgjidhja e çështjes së Kosovës në kuadër të Shqipërisë Etnike, në preambulën e statutit thuhej: “Lidhja Kosovare është emri që i epet lëvizjes në tokën shqiptare në Kosovë, të formueme në mërgim, për më i dalë zot çështjes Kosovare, që të fitoj të drejtat e saja në bashkimin e të gjithë shqiptarëve prej Tivari deri në Manastir, nën nji administratë shqiptare, të drejtueme në gjuhen shqipe, e zoja për të caktuar fatin e vetë për të ardhmen e sajë”.

I përkushtuar gjatë gjithë jetës për këtë çështje kaq madhore, Rexhep Mitrovica vdiq i qetë e i prirë për bashkim kombëtar në Stamboll në vitin 1967.

(Prof. assoc. dr. Sabit Syla është Drejtor i Institutit të Historisë-Prishtinë)

Kontrolloni gjithashtu

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, lindi më 7 nëntor të vitit 1922 në Leusë të Përmetit, është gjuhëtar, …