leoni

Akademik ARSIM BAJRAMI: VEPËR MONUMENTALE PËR NJË INTELEKTUAL TË JASHTËZAKONSHËM

Prof. dr. Agim ZOGAJ: Akademik, Gazmend Zajmi – mendjendritur, atdhetar!

Monografia e autorit Nuhi Bytyçi është një vepër me karakter shumë dimensional, ashtu siç ishte shumëdimensionale edhe jeta dhe veprimtaria e Akademik Gazmend Zajmit. Jeta e tij ishte, jetë plot krajata, synime, angazhime të palodhura, qëndresë stoike në një periudhë të rritës së Kosovës dhe të emancipimit të popullit tonë shqiptarë në Kosovë dhe në trevat e tjera shqiptare.

Në këtë monografi është paraqitur jeta dhe veprimtaria pedagogjike, shkencore dhe atdhetare e Akademik Gazmend Zajmit, duke u mbështetur në dokumentet dhe veprat e mëdha që ka lënë ai, si njëra prej figurave më të shquara të kombit tonë. Autori fillimisht e dëshmon gjenezën e familjes atdhetare Zajmi, arsimimin dhe edukimin atdhetar të Gazmend Zajmit të marrë nga familja e tij, nga prindërit, nga xhaxhallarët, të cilët ishin aktorë të Lëvizjes sonë Kombëtare të periudhës, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Siç dihet, Tahir Zajmi, ishte anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Dytë të Prizrenit, i cili së bashku me patriotët tjerë të kohës, veproi, madje edhe në mërgim për të mirën e Kosovës dhe të shqiptarisë mbarë. Edhe daja i tij, Xhavit Nimani, partizan, udhëheqës i lartë i Kosovës, edhe pse në pozita të kundërta ideologjike me Tahir Zajmin, ishte i bindur se po punonte në të mirë të Kosovës. Në rrethanat, në aspektin politik të tilla, pra, tejet komplekse, Gazmend Zajmi u edukua, së bashku me vëllain e tij Yllin, për t’i shërbyer Kosovës, shqiptarisë. Nuk ishte edhe aq e thjeshtë, që, në të njëjtën kohë, t’i kishte një pjesë të familjës në Shqipëri, tjetrën në Kosovë dhe disa të tjerë, në emigrim, madje të etiketuar nga sistemi i Shqipërisë dhe ai i Jugosllavisë, familijarë të ikur në emigrim, dhe kundërshtar të sistemit komunist.

Autori i monografisë përmes kapitujve të shumtë e dokumenton jetën dhe veprën e Akademik Gazmend Zajmit si jurist, si profesor dhe rektor i Universitetit të Prishtinës, si anëtar e Kyretar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve, si muzicient, autor i teksteve dhe kompozitor i shumë këngëve për fëmijë dhe i zhanreve tjera. Pra, ai paraqitet si intelektual erudit dhe vizionar i programit kombëtar shqiptar, në veçanti roli dhe kontributi i tij shkencor në zgjidhjen e drejtë të çështjes së Kosovës dhe të çështjes kombëtare në përgjithësi në bazë të standardeve kushtetuese evropiane. Më saktë, figura e Profesor Gazmend Zajmit paraqitet realisht, ashtu si ishte: njeri i mendimit të thellë politik, me intuitë të jashtëzakonshme, me një karizmë prej aristokrati shqiptar, të kohërave të idelaizmit dhe të renesansës kombëtare. E ka ditur çfarë synon nga jeta, nga rrita e tij akademike, nga arti i cili, jetën ia bënte më të bukur dhe më të lehtë. I formësuar nga aspekti akademik, atdhetar për të qenë shembëlltyrë e intelektualit shqiptar, për t’u përballur me elitat akademike serbe, jugosllave të kohës, për ta mbrojtur racën, qenien shqiptare në çdo situatë.

Një pjesë e konsiderueshme e monografisë i kushtohet rolit të Profesor Zajmit si profesor dhe rektor universiteti, e në veçanti gjatë demonstratave studentore e gjithëpopullore të Pranverës së vitit 1981, kur sistemi komunist, fill pas demonstratave, politika e udhëheqjes së Serbisë e kishte akuzuar, si një ndër prijetarët, frymëzuesit e “nacionalizmit dhe irredentizmit” shqiptar.

Autori dokumenton se shtypi serb i asaj kohe, për profesor Zajmin shkruante se: rrjedh nga një familje nacionaliste, me tradita atdhetare, axhën, Tahir Zajmin, e kishte pasur anëtar të Lidhjës së Dytë të Prizrenit, dajën, Xhavit Nimanin, Kryetar të atëhershëm të Kosovës, ndaj, sipas serbomëdhenjve, qëllimisht, profesor Gazmend Zajmi ishte zgjedhur rektor i Universitetit të Prishtinës. Prandaj, edhe pasoi edhe fushata shoviniste e politikës dhe e shtypit serb, e cila ishte e paskrupullt, kuptohet, jo vetëm ndaj profesor Gazmend Zajmit! Politika e shkarkoi nga detyra e rektorit të Universitetit të Prishtinës dhe më pas, në një mbledhje dramatike, të Organizatës së Partisë në Fakultetin Juridik, e larguan edhe nga anëtarësia në Lidhjen Komuniste të Kosovës. Autori Nuhi Bytyçi në monografinë kushtuar jetës dhe veprës së Akademik Gazmend Zajmit e dokumenton edhe punën e jashtëzakonshme të tij edhe pas shkarkimit nga pozita e rektorit dhe largimi nga puna si mësimdhënës i Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës. Ai dëshmon kontributin e Profesor Zajmit në hartimin e tekstit të Deklaratës Kushtetuese të Pavarësisë, të shpallur nga Kuvendi i Kosovës më 2 korrik 1990, pjesëmarrjen dhe rolin e tij në shumë simpoziume e konferenca shkencore të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, si dhe të Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve, ku ka argumentuar në mënyrë shkencore të drejtën e popullit shqiptar të Kosovës për vetëvendosje – shtetin e pavarur e sovran të Kosovës, madje edhe të drejtën për bashkim kombëtar.

Konsideroj se monografia e Nuhi Bytyçit kushtuar intelektualit erudit dhe vizionarit të programit politik kombëtar, Akademik Gazmend Zajmi është një vepër shumë e rëndësishme përmes së cilës ndriçohet jeta dhe veprimtaria tejet e begatshme pedagogjike, shkencore, atdhetare dhe muzikore e tij.

( Reçension për librin, Gazmend Zajmi, një jetë për Kosovën, autor, Nuhi Bytyçi.)

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …