Prof. Dr. Akad. Mark Tirta

Prof. Dr. Akad. Mark Tirta: Prof. Dr. Zymer U. Neziri: dijetar i shquar në kërkime folklori, në epikologji

(Me rastin e 70-vjetorit të lindjes)

Prof. Dr. Zymer Ujkan Neziri është një folklorist shumë i përkushtuar në eksplorime shkencore terreni në fushën e etnokulturës, kryesisht në epikën legjendare, po dhe në tema të tjera të traditës së trashëgimisë, në artin popullor gojor. Është kërkues i pakrahasueshëm në arkiva ku ruhen pasuri folklorike, veçan nga epika legjendare.

Ky studjues i trashëgimisë kulturore shqiptare ka lindur më 6.11.1946 në Siparant (Zahaq) të Pejës në një familje të nderuar, të ardhur në këto troje nga Shtupeqi i krahinës së Rugovës. Zymer U. Neziri shkollën fillore e bëri në vendlindje (1960); gjimnazin e kreu në Pejë (1964); shkollën normale e kreu në Prishtinë (1966); bëri shkollën e lartë pedagogjike në Prizren; studimet e larta i bëri në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin Filozofik, Dega e Gjuhës dhe e Letërsisë, mbaruar më 1971. Pas mbarimit të studimeve të larta, më 1971, u pranua punonjës shkencor (asistent) në IAP, në Degën e Folklorit e të Etnologjisë.

Krahas ekspeditave në kërkim shkencor e studimeve në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin e Filozofik, mbrojti magjistraturën me temën “Figura e krahasimit në këngët tona lirike të dashurisë” ku pati udhëheqës shkencor (mentor) akademikun e shquar prof. dr. Rexhep Qosja (1979). Po me të njëjtin udhëheqës shkencor (mentor) mbrojti disertacionin për “Doktor i Shkencave” me temën “Poezia legjendare e Rugovës” (1995).

Në ecjen e këtij dijetari në ngritje në kërkimet shkencore në terren dhe të bërët e disertacioneve, po dhe të librave të tjerë shkencorë, është dashur mençuri, përgatitje në teoritë e studimit të etnokulturës, metodë në kërkime e shkrime, punë me shumë përkushtim, veti që Zymer U. Neziri i ka pasur në një shkallë shumë të lartë. Po dhe mentori, në rastin e përmendur, akademiku i shquar Rexhep Qosja ka qenë një shtyrës shumë i fuqishëm për të ecur përpara në studimet shkencore, në botime. Në këtë vështrim ka qenë me shumë fat. Mençuria popullore thekson: “Më thuaj me kë rri e të të them kush je”.

Në botën e qytetëruar, kur bëjnë biografinë e gjerë, bashkë me veprimtarinë shkencore të dijetarëve të mëdhenj, shënojnë dhe emrin e atij që i ka udhëhequr si mentor për t’u formuar si dijetar. Kur bëjnë biografinë e antropologut e etnologut me famë botërore në shkencë, Klod Levi Stros, përmendin dijetarin Marsel Moss si mentor të tij. Për dijetarin me famë po në të njëjtën fushë, Branisllav Malinovski, theksojnë se e ka përgatitur në studimet shkencore në Angli njeriu i shquar në të njëjtën fushë: Xhejms Frejzer. Një rrugë e tillë në dije shkencore duhet theksuar dhe për folkloristin e shquar shqiptar: Zymer U. Neziri. Pra, të tërë këto shtysa në dituri, në vepra, kanë qenë të pranishme në punën me përkushtim të këtij studiuesi, me shumë peshë, dhe udhëheqësi i tij shkencor (mentori), i Madhi Akademik Rexhep Qosja.

Në moshën e re e më shpërthyese të tij, krahas studimeve me shumë përkushtim, u përfshi dhe në lëvizjen atdhetare për të drejtat që u nëpërkëmbeshin nga regjimi egërsirë serb. Mori pjesë në lëvizjen atdhetare të studentëve të vitit 1968 në Kosovë. Në veprimtari të kësaj natyre u përfshi dhe në vitet e mëvonshme. Nga këto veprime atdhetare, kasta politike e arrestoi tri herë (1967, 1968, 1981). E përjashtuan nga puna, me dorë të egër, disa herë (1968, 1969, 1970, 1973, 1990). Ia ndaluan pasaportën për udhëtime jashtë shtetit për shumë vite (1968-1978, 1981-1999). I hequr me vendime politike nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, më 1973, është detyruar të qëndrojë pa punë, pak kohë punoi si mësues, e shumë kohë si përkthyes e si lektor në Bankën e Kosovës (1977-1990). Por, nga ana tjetër, me shpenzimet e veta, asnjëherë nuk u nda nga kërkimet shkencore në terren, nga shkrimet shkencore, nga bërja e librave në fushë të specialitetit të tij, si folklorist, si epikolog.

Shumë herë shkrimet e tij në revistat shkencore janë censuruar, janë hequr nga botimi. Në këto revista e manuale shkencore, më së tepërmi ato në Institutin Albanologjik të Prishtinës, janë botuar pa ndërprerje vetëm nga fundi i viteve ’80 e në vazhdim. Në vitin 1992, pas shpërbërjes së Federatës Jugosllave, organet përkatëse të Institutit Albanologjik e lejuan të kthehet sërisht (qershor 1992) e të punojë në Degën e Folklorit si punonjës shkencor në fushën e tij të kërkimeve shkencore.

Për shumë vite ka qenë udhëheqës i Degës së Folklorit dhe anëtar i Këshillit Drejtues të IAPit. Ka qenë dhe anëtar i redaksisë në revistën “Gjurmime albanologjike. Folklor dhe etnologji” për disa vite. Ka qenë dhe sekretar shkencor i kësaj reviste në vitet e para të daljes së saj në dritë së pari (1972-1973). Ka dhënë mësim si profesor i jashtëm në vite të ndryshme në Universitetin e Prishtinës, në Universitetin e Tetovës, në Universitetin e Prizrenit, në Universitetin e Shkupit e në institucione të tjera të larta, si specialist i një shkalle të lartë në dijet shkencore në folklor.

Duke qenë një specialist i mirënjohur, me dije tepër të thella në folklor e veçanërisht në epikën legjendare shqiptare e ballkanike, është ftuar si profesor mysafir në tri universitete të Polonisë: Varshavë, Torunj, Poznanj, më 2004, ku ka mbajtur ligjërata për epikën legjendare. Po kështu, për ligjërata të tilla është ftuar në Universitetin e Kozencës në Itali. Më 2005 ka mbajtur një ligjeratë në Paris, në Qendrën Saint Denis; më 2008 ka mbajtur ligjerata në Vjenë, në Qendrën Lalish, po dhe në Universitetin e Vjenës. Më 2011 ka qenë përsëri në Universitetin e Turunjit në Poloni; më 2007 ka ligjëruar në Universitetin e Durrësit, më 2012 në Universitetin “Vitrina” Tiranë, më 2013 në Universitetin e Tiranës e më 2014 në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”; më 2015 ka ligjëruar në Universitetin e Gjirokastrës “Eqrem Çabej”. Pra, nga dijet e tij të thella në folklor, në epikën legjendare është bërë shumë i njohur e thirret për t’ia dhënë ato dhe brezit të ri, po dhe profesorëve që merren me kërkime shkencore në këtë fushë kaq interesante, siç është epika legjendare shqiptare e me krahasime me ato të popujve të tjerë të Europës.

Ekspeditat në kërkime shkencore të Zymer U. Nezirit, në male, në kodra, në ultësira, ku akoma mbijetonin këngët legjendare e baladat, janë të shumta e të pakrahasueshme. Me bllok shënimesh e me aparat inçizimi në dorë udhëtoi kahmos, në kërkime të kësaj trashëgimie etnokulturore që u ruajt deri tash vonë në gojën e pleqve, në lahutarët këngëtarë virtuozë, të shkrirë me heronjtë e Eposit të Kreshnikëve, me baladat me rrënjë nga kohë mesjetare e paramesjetare. Doemos, si fillim, kërkimet shkencore folklorike e etnologjike, ndër to, si më kryesori Eposi i Kreshnikëve, i ka zhvilluar në Rugovë, në vendin prej nga ka prejardhjen e prindërve të tij, pra duke e menduar këtë krahinë si të vetën. Kështu e ka përjetuar me ndjenja lumturuese e kjo ka qenë një shtysë e fuqishme, që i ka dhënë energji e përkushtim për t’u marrë shumë me këto eksplorime në terren, me studimin e kësaj pasurie etnokulturore kombëtare, me ditë e me natë, në kohë pune e në kohë pushimi. Prej këtej ka bërë në vazhdim kërkime shkencore gjithkah ku mbijetonte akoma kjo pasuri kulturore e trashëguar nga stërgjyshërit tanë, si shprehje e identitetit të kombësisë përkatëse e që erdhi deri në jetën e kombit në Kohë të Re.

Ky studjues i përkushtuar, me bllok shënimesh e me aparat inçizimi në dorë i ka shëtitur tërë vendet ku jetojnë Shqiptarët në trojet e tyre etnike e ku ky Epos legjendar ishte akoma i gjallë, ku jetonin akoma pasuritë folklorike e që na vijnë nga kohë të hershme. Në kërkim të kësaj pasurie ka udhëtuar në pesë shtete të Ballkanit, ku jetojnë Shqiptarët në trojet e tyre: në Kosovë, në Mal të Zi, në Serbi, në Maqedoni, në Shqipëri. Ka gjurmuar gjithkah për të nxjerrë në dritë, për ta shpëtuar nga vdekja këtë homeristikë të kulturës kombëtare shqiptare.

Ky kërkues i pasurive folklorike, në epikën legjendare ka hulumtuar shumë dhe në arkiva ku ruhen koleksione të epikës legjendare, të mbledhura nga studjues të kohëve të kaluara e këtë e ka bërë jo vetëm në Kosovë e në Shqipëri, por dhe në Arkivin e Harvardit në ShBA, si dhe në Arkivin ku ruhen koleksionet e M. Lambercit në Vjenë të Austrisë. Ka qëndruar 2 herë, 2002 e 2007, në Harvard, ku ka hulumtuar në koleksionet e studjuesit Milman Parry, në epikën gojore shqiptare, të mbledhur të incizuar më 1934-1935 në Sanxhakun e Novi Pazarit. Ky koleksion vlerësohet si më i madhi në ShBA e me të janë shkruar shumë disertacione doktoraturash e shumë studime të tjera. Në Harvard, Zymer U. Neziri ka hulumtuar dhe në koleksionet e studjuesit Albert Lord, këngë epike të Shqipërisë së Veriut, ku ka eksploruar më 1937. Në këtë mbledhje të A.Lord janë mbi 20.000 vargje nga Eposi i Kreshnikëve.

Zymer U. Neziri ka hulumtuar në Vjenë, si bursist i Ministrisë Federale të Arsimit e të Shkencës; ka vënë në përmbushje projektin “Dorëshkrimet shqip të folklorit të Maksimilian Lambercit”, në Akademinë e Shkencave të Austrisë, në Vjenë. Ka hulumtuar në 60 dosje ku ka folklor, folkloristikë, mitologji, etnologji, gjuhësi, letërsi, histori e më tej.

Ky njeri i kërkimeve shkencore që nga viti 1967 është marrë dhe ka botuar disa vëllime në IAP të Prishtinës. Më shumë është marrë me epikën historike e me atë legjendare, me balada. Me shumicë mblodhi e incizoi nga epika legjendare (më 1979-1988). Projektin e kreu me shpenzimet e tij e pa ndihmë nga institucione shkencore e të Kosovës (Prishtinës). Mblodhi e sistemoi një material prej 15 vëllimesh të veçanta në Rugovë e që vlerësohet si një nga koleksionet më të mëdha arkivore, me këngë të Eposit të Kreshnikëve, mbledhur në Kosovë. Në këtë mbledhje ka mbi 100.000 vargje. Është mbledhje e pakrahasueshme në këtë fushë e vetëm në një krahinë malore. Kjo përmbledhje këngës nga Rugova: sipas një projekti të kërkimit shkencor për disertacion doktoranture. Këto 15 vëllime ruhen në arkivin e IAP-it në Prishtinë e prej tyre janë botuar vetëm 3 vëllime.

Që nga viti 1969 e deri tani ky studjues ka botuar mbi 400 shkrime shkencore e kulturore në revista e manuale të ndryshme shkencore e kulturore në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoni, Mali i Zi, Rumani, Itali, Japoni, Austri si dhe disa në rrugë botimi në Bonjë e Hercegovinë, ShBA, Hungari, Austri. Pra këto janë pasqyrë dëshmuese e një pune shumë energjike, me shumë dituri e përkushtim marramendës.

Ky gërmues në shkencën folklorike ka botuar ose përgatitur për botim shumë vepra diturore e prej tyre disa po i përmendim këtu: “Epika legjendare e Rugovës” (1997), antologjinë “Këngë të Kreshnikëve” (1999, 2001, 2003, 2009, 2011, 2013), monografia: “Figura e krahasimit në këngët tona lirike të dashurisë” (2004); “Studime për folklorin”, I (2006), “Studime për folklorin”, II (2008); vëllimi “Epika legjendare e Rugovës” I, (2009); “Epika legjendare e Rugovës”, II, (2011). Është bashkautor i disa veprave të botuara nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, botime shkencore e kulturore me shumë vlera.

Ka botuar libra kushtuar disa figurave të shquara në atdhetarizëm si: Isa Demaj, Avdi Kelmendi e me radhë. Ka në dorëshkrim disa libra shkencorë e kulturore si: “Studime për folklorin”, vëllimet III, IV, “Haxhi Zeka në traditën gojore”, monografitë “Epika legjendare e Rugovës”, “Rugova në vështrim etnologjik”, “Ligjërata për Eposin e Kreshnikëve”, 12 vëllime këngësh nga krahina e Rugovës”, “Këngë të Kreshnikëve dhe balada”, 15 vëllime me këngë të kreshnikëve nga pesë vende të Ballkanit, ku jetojnë Shqiptarët, i realizuar sipas projektit 2012-2014-2016 për dosjen e Eposit për UNESKO, që ruhen në Arkivin e IAP-it.

Ka qenë bashkautor në bërjen e projektit ndërkombëtar në Harvard (2003-2007), në përgatitjen për botim të këngëve epike shqipe të mbledhura nga profesori i Harvardit Albert Lord, ku kanë bashkëpunuar disa profesorë të ShBA-së, të Italisë, specialistë të epikës legjendare në vise të ndryshme të botës.

Ky studjues epikolog ka marrë pjesë me kumtesa në shumë vende të botës, kryesisht në fushën e studimit të epikës historike e legjendare, në konferenca ndërkombëtare, në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mali i Zi, Bosnje e Hercegovinë, ShBA, Hungari, Austri, Kinë.

Është organizator ose bashkorganizator i disa konferencave a simpoziumeve ndërkombëtare në Prishtinë, kryesisht në fushë të epikologjisë, po dhe të temave historike e sociale.

Ky folklorist është anëtar i Shoqatës Ndërkombëtare të Etnologjisë e të Folklorit (SIEF). Është anëtar i Shoqatës Ndërkombëtare të Studimeve Epike, po dhe pjesëmarrës në themelimin e saj në Pekin (Kinë) më 18.11.2012. Është dhe anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.

Ka marrë shumë  çmime nderi e dekorata për punën e tij shkencore të një shkalle shumë të lartë e me tematikë tepër të gjerë, në fushën e folklorit gojor, sidomos në epikologji.

Veprimtaria kërkimore shkencore, me botime të shumta në fushën përkatëse është tepër e gjerë e nuk është e mundur të jepet e tëra në këtë shkrim për 70-vjetorin e Zymer U. Nezirit. Nga ajo punë e gjerë, marramendëse që ka bërë me kërkime e botime shkencore, është me të vërtetë një “hero legjendar” si Mujo e Halili, si Gjergj Elez Alia, por me një ndryshim të thellë: të përmendurit e kanë bërë veprimtarinë e tyre me shpatë e me topuza; diku përmenden dhe pushkët, si ndryshimësi në rrjedhë të kohëve, me kuvende, me fjalë bubulluese, me konflikte në luftë me pushtues, grabitës, përdhunues, qëndresë kundër skllavërisë, pra në paraqitje të gjigandëve legjendarë. Krejt ndryshe: Prof. Zymer U. Neziri heroizmin legjendar e ka bërë me kërkime shkencore në terren, me studimet e tij, me librat e botuar ose në rrugë botimi, me vëllime në arkiva. Kjo veprimtari kaq e gjerë, kaq e thellë, bërë me shumë përkushtim e me shumë mundime, e bën këtë studjues një hero legjendar; me këtë është bërë hero për kombin shqiptar. Ky është një Qemal Haxhihasan i Kosovës, po ka kërcyer edhe më përtej.

At Gjergj Fishtës i ka pëlqyer shumë Tanusha e Kralit, te “Martesa e Halilit”: “E unë Tanushën vet e kam pa // Kur kem pas besë me Krajli”. Edhe Zymerit kjo do t’i ketë pëlqyer shumë ashtu si Gj. Fishtës. Po Zymeri i ka parë vetëm në studime e jo më tej… Këto ndodhi legjendare nga Eposi i Kreshnikëve – Muji e Halili, Zymeri i ka përjetuar si në film, duke hyrë në thellësitë kuptimore të tyre, pra është bashkuar me Heronjtë e Eposit…

Me veprimtarinë me shumë përkushtim e me shumë mundime, me kërkime terreni, me sistemim materiali për arkiv, me bërje librash për këtë trashëgimi kulturore legjendare e ka shpëtuar këtë nga vdekja, e ka bërë të gjallë dhe për brezat e së ardhmes. Prof. Dr. Zymer Neziri ka bërë të pavdekshme këtë pasuri kulturore që na vjen nga shekuj të hershëm, po dhe vetë është bërë i pavdekshëm për të ardhmen, për këtë punë gjigande që ka bërë. Për brezat e ardhshëm studjues, ky do të përfytyrohet si një hero legjendar, si një Homer i Shqiptarëve.

Tiranë, më 4.12.2016

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …