VETERAN: luftëtar i vjetër e me përvojë, atdhetar i vjetër, pjesëmarrës në shumë luftime e beteja kundër armikut… Kështu e shpjegon fjalori i gjuhës shqipe këtë fjalë, e cila përjetohet edhe më fuqishëm kur kuptohet në thelb. Kuptimi i kësaj fjale është shumë më i fuqishëm se sa shpjegimi i saj.
Po të ishin gjërat në vendin e vet kategoria më e respektuar, jo vetëm në Kosovë, por në gjithë botën shqiptare, do të duhej të ishin veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Po, fatkeqësisht nuk është kështu. Dhe ka shumë arsye që nuk është kështu.
- Numri i veteranëve është disafishuar. E ka disafishuar politika duke i keqpërdorur një numër të caktuar të veteranëve. Kështu është rënduar buxheti Kosovës, ndërkaq qytetarët e shohin veteranin si barrë për shtetin. Duhet theksuar se qytetarët janë të gatshëm të paguajnë me shumë dëshirë taksa për veteranët, por janë të acaruar pse paguajnë për mashtruesit.
- Që nga paslufta individë të shumtë e kanë keqpërdorur statusin e veteranin duke përfituar padrejtësisht. Kështu kanë kontribuar në zbehjen e autoritetit të luftëtarëve.
- Veteranët janë keqpërdorur shumë nga politika dhe nga politikanë të caktuar. Në këtë mënyrë ata kanë filluar ta humbin “statusin” se janë vlerë kombëtare, se u takojnë të gjithëve.
- Në fushata zgjedhore përfshihen degë të Organizatës së Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në komuna të caktuara! Kjo është e palejueshme dhe shumë e dëmshme për vlerën dhe autoritetin e veteranëve.
- Organizata e Veteranëve e humb autoritetin e saj në momentin që rreshtohet pas një partie të caktuar, në momentin që i rri gatitu cilitdo lider politik. Veterani si person mund të marrë pjesë në fushata, mund të anëtarësohet në parti politike, por Organizata e Veteranëve të Luftës dhe as degët e saj nuk duhet të rreshtohet pas askujt. Kurrë dhe asnjëherë.
Edhe në këtë fushatë veteranët, në emër të Organizatës po rreshtohen. E palejueshme. E pakuptimtë. Kjo tregon se veteranëve s’ka kush t’u prijë; se atyre po u prijnë edhe ata që jenë të afërt me politikën. Kjo duhet të ndryshojë, sepse askush nuk ka të drejtë që ta orientojë politikisht Organizatën e Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Organizata është e të gjithëve. Ajo, nëse do ta rivendosë autoritetin e saj, autoritetin e veteranëve, duhet të qëndrojë larg partive politike dhe nuk duhet të futet kurrë në asnjë rresht politik.
Sa keq më vjen kur shoh veteranë që në emër të shoqatës së tyre qëndrojnë gatitu para personave politikë; sa rëndë më vjen kur shoh veteranë që rrinë gatitu para askushëve; sa përçmuese, përulëse është për veteranin kur u duartroket atyre që e kanë sharë ose keqpërdorur luftën, sakrificën dhe autoritetin e tyre!
Titulli i këtij shkrimi lidhet me një konstatim, prandaj po japim edhe disa argumente se pse mund të thuhet se veteranëve s’ka kush t’u prijë.
Për të pasur idenë e rrëgjimit të vlerave dhe autoritetit të veteranit, edhe si rezultat i atyre që e kanë udhëhequr dhe kontrolluar OVLUÇK-në, po e krahasojmë me ushtarin e UÇK -së.
Sa i nderuar ka mbetur ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Veterani i kësaj lufte nuk e ka as hijen e këtij nderimi. Ushtari ka luftuar për liri, ndërsa veterani nuk ka arritur të përfaqësojë, të simbolizojë vlerat që do të duhej të përfaqësonte dhe të simbolizonte.
Ushtari i UÇK -së ka luftuar për liri, për lirinë e të gjithëve. Veterani i kësaj lufte po e humb autoritetin duke luftuar jo për të drejtat e të gjithëve, por duke iu përlëkurur partive politike.
Ushtari i UÇK-së mbi të gjitha e ka vënë atdheun; veteranit të kësaj lufte (natyrisht jo shumicës) ju ka ngatërruar ndjenja për atdheun me ndjenjën për liderët politikë!
Ushtari i UÇK -së ka hyrë përjetësisht në histori; veterani i UÇK -së nuk po çmohet as në të tashmen!
Ushtari i UÇK -së është thelbi i identitetit tonë; veterani i UÇK-së po e humb identitetin.
Ushtari i UÇK-së nga njeri i zakonshëm u kthye në njeri të jashtëzakonshëm; veterani nga i jashtëzakonshëm u kthye në të zakonshëm.
Ushtarët forcën nuk e kishin në armët e tyre, por në shpirtin dhe zemrën e tyre; veteranët nuk arritën ta ruajnë plotësisht atë shpirt dhe atë forcë, sepse ua zbehu politika.
Qëllimet e veteranëve duhet të jenë mbipartiake. Ata kanë përgjegjësinë për të mbrojtur dhe promovuar vlerat tona më të mira. E këto vlera nuk mund t’i mbrojnë në rreshta jashtë OVL-së.
Rreshtimi në rreshta politikë do të thotë t’i takosh përtashësisë; do të thotë të përfaqësosh pjesën dhe jo tërësinë. E Organizata e Veteranëve të Luftës nuk duhet të lidhet me përtashësinë, nuk duhet të përfaqësojë pjesën. Ajo do të duhej t’u takonte të gjithëve dhe të simbolizojë nderin, guximin dhe sakrificën për lirinë e atdheut.
Prof. dr. Bashkim Musliu, veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës