Prof.dr. Enver Mehmeti: Morfologjia e mitit serb të Kosovës

Miti serb i Kosovës, që rrejshëm e paraqet Kosovën si zemër të Serbisë, si tokë të shenjtë serbe, në bërthamën e vet të hershme nis në shkrimtarinë legjendare krishtere nga qarqet udhëheqëse të kallugjerëve në gjysmën e dytë të shek. XVIII. Në këto shkrime kishtare figura e knjaz Lazarit të Betejës së Kosovës  shenjtërohet dhe në traditën legjendare krishtere  zhvillohet kulti i tij si vazhdues i Dinastisë së Nemanjiqëve. Legjenda krishtere e krijuar në manastire nga murgjit serbë paraqet etapën e parë të krijimit të mitit serb të Kosovës, e cila si e  tillë në këtë fazë nuk kishte gjithaq premisa nacionale, por më tepër të besimit gojëdhënor  krishterë. Ndërkaq, kapërcimi i mitit serb  të Kosovës nga librat në dorëshkrim të kallugjerëve kaligrafë të çirilicës në krijimtarinë epike dhe në letërsinë e shkruar ndodhë në fazën e vet të dytë të zhvillimit, në fillimet e zgjimit kombëtar serb, në gjysmën e parë të shek XIX, i cili zgjim vjen nga serbët e Austrisë.


Në këtë mënyrë, mendimi nacional serb së bashku dhe me legjendën krishtere të Betejës së Kosovës krahas nxitjes së krijimit të këngëve të Kosovës dhe të Nemanjiqëve, të veprave të shumta letrare e historike me temën e kultit të Lazarit dhe të Betëjës së Kosovës, nxit dhe krijimin e shkollës së kultivuar folklorike serbe, që mbështetej në idetë e mistifikimit letrar dhe në nacional romantizëm. Prijatar i kësaj shkolle ishte përfaqësuesi më i njohur i saj, Vuk Stefanoviq Karaxhiqi. Shkolla e kultivuar folklorike serbe në krye me Vuk Karaxhiqin i krijoi këto këngë me anë të të cilave arriti që në nivel të lartë artistik ta ndërtjë dhe ta popullarizojë mitin e Kosovës.


Karaxhiqi punën e vet rreth projektit të mitit të Kosovës në epikën gojore, fillimisht e nis me interesimet për këngët e vjetra ,,stare pesme apo pesme od starine”,  të cilat mendonte se mund të jenë te gjalla në Kosovë. Prandaj, këto këngë ai do t’i gjurmojë nga rapsodët me origjinë nga Kosova të vendosur në Serbi apo dhe nga rapsodët në kufi apo në afërsi me Kosovën. Mirëpo nga kjo përpjekje ndahet i zhgënjyer, sepse asnjëri prej  rapsodëve të njohur epik me të cilët kishte punuar nuk dinte as edhe një këngë të vetme të periudhës së nemanjiqëve apo për knjaz Lazarin dhe Betejën e Kosovës. Vuku, pasi që nuk gjeti këngë të tilla nga këta rapsodë të njohur, do t’i kthehet konceptit mistifikues evropian të krijimit të të ashtuquajturave epe gojore.


Teknologjia e ndërtimit të mitit të Kosovës e Vuk Karaxhiqit fillimisht mbështet pra në parimet e njohura të mistifikimit letrar. Ai në mungesë të këngëve të Betejës së Kosovës, në fjalorin e tij ,,Srpski rječnik” fut nën shkronjën ,, L” fjalën ,,Lazarica”, të cilën gjoja e kishte dëgjuar nga lahutarët e verbër në Srem dhe në Hercegovinë. Sipas tij, lahutarët e verbër me këtë shprehje nënkuptonin një këngë të gjatë që këndonte lavdinë e knjaz Lazarit dhe Betejën e Kosovës. Vuku, pasi këtë këngë të gjatë,  nuk mundi ta gjejë askund,  vetë do t’i përvishet punës që ta krijojë atë.  Kështuqë,  fillon të krijojë këngë epike të vargut të shkurtër (pesme kratkoga stiha), që gjoja i kishte shënuar nga baba Stefani dhe axha Toma, të cilët i kishin mësur nga gjyshi i Vukut Joksimi dhe që i mbanin në mend vetëm si fragmente apo pjesë të një tërësie të madhe epike. Këto këngë të shënuara që më 1815 Vuk Karaxhiqi në fillim i quan  ,,Komadi kosovskih pjesama od Lazarice” (pjesë të këngëve të Kosovës nga ,,Llazarica”), gjegjësisht nga epi gojor i shpikur prej tij dhe shprehej se të gjitha këngët e Kosovës janë pjesë të Llazaricës ,,Sve su  kosovske pjesme  komadi od Lazarice”.


Në Manastrin e Shishatovcit të Ravanicës dhe në Mitropolinë e Karllovcit, që gjeografikisht ishin nën Austri si qendrat më të rëndësishme të zhvillimit të mendimit nacional serb, Vuku së bashku  me përfaqësuses të tjerë të shkollës folklorike të kultivuar ftonin lahutarë – gusllarë të njohur si Filip Vishniqin, Starac Rashkon, Starac Milijen, etj., me të cilët bashkëkrijonin në frymën e poetikës të këngëve epike të vargut të shkurtë tekste të këngëve për Betejën e Kosovës dhe për nemanjiqët dhe këto tekste mandej përhapeshin dhe bëheshin popullore. Ndër manifestimet e njohura që kanë pasur rëndësi në popullarizimin e mitit të Kosovës përmes këngëve të varrgut të shkurtë ishin tubimet në Manastirin e Ravanicës në Frushka Gorë, ku për çdo vit që nga shek. XVII, kur ishte bartur trupi e knjaz Llazarit nga Manastiri i Ravanicës i Serbisë në këtë Manastir, festohej në mënyrë madhështore Vidovdani. Lahutarë të shumtë nga Hercegovina, Serbia, territoret serbe nën Austri, në këto tubime mësonin tekste të këngëve të vargut të shkurtë për kultin e Llazarit dhe Betejën e Kosovës të krijuara fillimisht nga përfaqësuesit e shkollës folklorike të kultivuar. Kështu, shkolla e kultivuar folklorike serbe në krye me Vuk Karaxhiqin  në pjesën e parë të shek. XIX arriti të krijojë ciklin e këngëve të Betejës së Kosovës dhe ciklin epik të nemanjiqëve. Vuk Karaxhiqi së bashku me përfaqsuesit e tjerë të shkollës së kultivuar folklorike do t’i mbledhin këto këngë, do t’i redaktojnë duke i plotësuar dhe rregulluar dhe do t’i botojnë në përmbledhje të veçanta.


Pas botimeve të koleksioneve të Vuk Karaxhiqit,  fillojnë gradualisht ndikimi i këtyre veprave të shtypura në zhvillimin e mëtutjeshëm të mitit të Kosovës. Studiuesi i njohur i epikës gojore serbe dhe njeri ndër njohësit më të mirë të biologjisë së saj në ambientin e mirëfilltë folklorik, në terren, Matija Murko konstatonte se shumë lahutarë këndonin këngë që i kishin lexuar dhe mësuar nga ,,Pjesnarnicat” e botuara të Vukut. Me fjalë të tjera shfaqja dhe përhapja e mitit të Kosovës në epikën gojore serbe pas Vukut është rezultat dhe ndikim i drejtëpërdrejtë i përmbledhjeve të tij me këngë epike të botuara, në bazë të të cilave krijohen këngë të reja për Betejën e Kosovës dhe për nemanjiqët.


Në gjysmën e parë të shek. XIX sidomos, por dhe gjatë gjithë këtij shekulli miti i Kosovës përhapet jo vetëm me anë të këngëve epike, veprave letrare, veprave historike, po edhe përmes shkollave të manastireve. Qarqet udhëheqëse të kallugjerëve për nevojat e nxënësve në manastire, sidomos në Mitropolinë e Karllovcit, hartojnë tema për ushtrime të retorikës, ku dominojnë temat e mitit të Kosovës. Poashtu tema e mitit të Kosovës nga murgjit në manastire e kisha nxitet edhe ne pikturën kishtare të kësaj kohe, në stematogrofi etj. Tani miti i Kosovës në botën serbe ndodhej çdokund. Nën ndikimin e tij gjithë Serbia bëhet Kosovë. Kështu, shpirtin kolektiv serb të ushqyer, të mëkuar me mitin e Kosovës, në kohën kur Perandoria Osmane ishte në rënie, kisha dhe intelegjencia serbe po përgaditte për rikrijimin e perandorisë mesjetare serbe të Stefan Dushanit.


Aq sa ishte e rëndësishme puna që Vuk Karaxhiqi e kishte bërë në përhapjen e mitit të Kosovës përmes modelit të këngës epike të vargut të shkurtër, po aq ishte e rëndësishme puna që ai bën në plasimin e këtyre këngëve në qarqet kulturore evropiane me përkthimin e tyre, sidomos me përkthimin në gjuhën gjermane. Pra, në etapën e tretë miti i Kosovës përhapet në të gjitha territoret serbe përmes modelit të këngës epike të vargut të shkurtë si dhe internacionalizohet përmes përkthimeve, së pari në gjermanisht, po edhe në ndonjë gjuhë tjetër, me qëllim të krijimit të opinioneve kulturore dhe politike në Evropë për gjoja të drejtën shtetërore historike  të Serbisë në Kosovë.


Nga gjithë kjo që u tha, shihet se këngët e Kosovës nga Vuku për Betejën e Kosovës, kultin e Llazarit dhe për nemanjiqët janë prodhim i mendimit nacional serb të shek. XIX dhe nuk janë krijime gojore të periudhave historike që u këndojnë. Kjo vërteton se mendësinë mitologjike të traditës serbe të Kosovës në periudhën e zgjimit kombëtar serb, dmth në shek. XIX, kisha dhe inteligjencia serbe e shndërrojnë në aspiratë historike. Kështu që argumenti serb për Kosovën si tokë e shenjtë serbe si zemër e Serbisë mesjetare nuk është argument historik por mitologjik, është mit i krijuar për qëllime pushtuese dhe aneksioniste.


Në mbështetje të mitit të Kosovës që nga viti 1844  bëhen plane të shumta nacionale serbe për krijimin e Serbisë së madhe, gjegjësisht të mbretërisë serbe të nemanjiqëve. Projekti më famëkeq në këtë drejtim mbetet ,,Nacertanie” e Ilija Garashaninit, që ishte platformë politike e fryëzuar edhe nga miti i Kosovës dhe që parashihte Sërbinë si trashëgimtare e drejtëpërdrejtë e Perandorisë mesjetare serbe të Stefan Dushanit,  projekt ky i cili do të realizohet pjesërisht gjatë Luftës së Parë Ballkanike, kur Serbia më 1912-1913, në bazë të vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër aneksoi Kosovën, Dibrën dhe vise të tjera lindore të Shiqpërisë. Në etapën e vet të fundit, d.m.th, nga koha kur në frymën e mitit të Kosovës fillojnë të bëhen projekte nacionale për krijimin e Serbisë mesjetare të njemaniqëve dhe të knjaz Lazarit, ky mit ndaj shqiptarët ka prodhuar urrejtje, spastrim etnik dhe gjenocid. Kulmi i kësaj urrejtje, spastrimi etnik dhe gjenocidi arrin në kohën e Millosheviqit.


Në fund mund të konstatohet se miti serb i Kosovës si projekt politiko-kulturor i elitës së kallugjerëve apo murgjve në manastire dhe i inteligjencisë serbe të shek.XIX, është krijuar për qëllime ekspansioniste, pushtuese dhe aneksioniste ndaj Kosovës dhe territoreve të tjera shqiptare dhe si i tillë ka prodhuar fatkeqësi të mëdha jo vetëm për shqiptarët por edhe për vetë serbët.


Hovi i ekspansionizmit serb i nxitur nga miti i Kosovës, përfundimisht do të ndalet nga lufta e armatosur e shqiptarëve dhe ndërhyrja ushtarake perendimore kundër makinerisë shfarosëse militare serbe. Mirëpo, është për të ardhë keq se edhe sot e kësaj dite politika e Serbisë, kisha ortodokse serbe, por fatkeqësisht edhe pjesa më e madhe e kombit serb, karshi Kosovës si shtet nuk po mund të shlirohen nga fryma ekspansioniste e mitit të Kosovës. Shpresojmë se në rrethanat e reja të krijuara, me kohë, edhe Serbia do ta kuptojë se mendësisë mitike ekspansioniste  të dy shekujve të fundit më i ka ikur koha përgjithmonë.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …