Prof. Dr. Hakif Bajrami: Hasan Prishtina para 100 vjetësh organizoi Luftë mbrojtëse në Llap kundër Serbisë në frontin: Përpellac-Merdar- Kulla e Asqerit- Medvegje. (Publikohet për herë të parë)

Pse Hasan Prishtina u orientua që në Llap të organizojë luftë mbrojtëse kundër  Serbisë?

“Të dihet nga Fuqitë e Evropës se deri ku shtrihet Shqipnia”, do të deklaronte Hasan Prishtina në çdo kuvend që e kishte mbajtur në Llap me qellim që të mbrohet vendi edhe me luftë të drejtë. Në fund të vitit 1911 u shpërnda Parlamenti I Turqisë. Më 18 janar 1912 u shpallën zgjedhjet parlamentare. Zgjedhjet u mbajtën me padrejtësi të mëdha në fund të marsit dhe në fillim të prillit. Në ato zgjedhje nuk u lejua që të fitoi asnjë kandidat shqiptar. Si pasojë e padrejtësive të mëdha pasoi Besa e Besës Bradashit në fillim të prillit 1912, kur filloi menjëherë kryengritja shqiptare në Llap. Beteja vendimtare u zhvillua në Ngushticën e Kulinës ku shqiptarët korren fitore dhe hapen rrugën drejtë çlirimit të Prishtinës. Si pasojë e këtyre humbjeve pasoi ndërrimi I qeverisë në Stamboll. Në këto rrethana Padishahu do ta caktojë një delegacion me në krye ministrin e punëve të brendshme, Ali Danish beu në Prishtinë dhe ndihmësit e tij Sylejman Pashë Kolonjën dhe Avni Beg Gjilanin. E tërë kjo luftë dhe të gjitha bisedimet do të bëhet përpjekje nga ana e Stambollit që shpjegohen si kërkesë shqiptare konfliktuoze për ta ndryshuar regjimin në Stamboll dhe si pasojë edhe në viset shqiptare.

Hasan Prishtina është i vetmi politikan shqiptar që nga fillimi i luftës që do të kërkojë pavarësi të vilajeteve shqiptare dhe caktim të kufijve. Pra ishte dhe mbeti luftëtari më i pamposhtur për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë në të katër vilajetet. Hasan Prishtina në Besa-Besën e Bradashit i shpalosi katër pikat e njohura drejtuar Stambollit:

  1. Kufijtë e Shqipërisë të njihen zyrtarisht;
  2. Nëpunësit civilë dhe ushtarak të jenë shqiptar në vilajetet shqiptare;

3 Ushtria shqiptare të shërbejë në Shqipëri;

  1. Shqipja, në shtetin shqiptar të jetë gjuhë zyrtare.

Këtë përcaktim kombëtar të Hasan Prishtinës me shokë do ta luftojë jo vetëm Stambolli por edhe qeveritë fqinje sidomos qeveria e Serbisë, e cila do të propagandojë nëpër Evropë se shqiptarët po luftojnë ta mbrojnë Padishahun. Por Hasan Prishtina i demanton duke thënë: “Do të luftojmë deri në njeriun e fundit kundër Stambollit dhe kundër qëllimeve okupuese të Beogradit. Ne jemi kundër mbreti dhe kundër Krajlit.”

Luftën e drejtë të Hasan Prishtinës e dëshmon edhe organizimi i Kuvendit të Popovës dhe tubimi te Dushku I Fushës ku u kërkua qartë mbrojtja e kufijve të viseve shqiptare që mos të okupohen nga Serbia dhe Aleanca ballkanike. Mjerisht, organizimi dhe lufta e Hasan Prishtinës nuk do të përkrahet në tërësi nga ata që e rrethonin. Kështu shprehet Hasani në dokumentet që kanë mbetur. Këtë e vërtetojnë edhe dokumentet e konsullatave dhe reporterët e luftës që ishin në viset shqiptare.

Hasan Prishtina i viziton familjet emblematike shqiptare në trevën e Llapit për ta organizuar luftën mbrojtëse kundër Serbisë në tetor 1912

Hasan Prishtina në shtator të vitit 1910 i kishte vizituar të gjitha familjet që ishin masakruar nga ekspedita famëkeqe e Shefqet Dergut Pashës. Në ato familje anëtarët e të cilave  ose ishin varë në konop, ose ishin pushkatuar Hasani me suitën e tij do të u shprehë ngushëllime dhe do të i sigurojë se në Parlamentin e Padishahut do ta ngrehë çështjen e këtyre krimeve.

Për herë të dytë, Hasan Prishtina në tetor të vitit 1912 do të kërkojë nga këto familje emblematike  dhe nga populli që sërish të vihen në front të parat, jo për ta mbrojtur qeverinë xhonturke dhe Padishahun por për të luftuar për liri dhe për pavarësi të Shqipërisë nga sulmi që po përgatitej prej Aleancës Ballkanike. Kudo Hasani do të gjejë gatishmëri në popull se do të luftojnë deri në njeriun e fundit për lirim kombëtar. Sidomos në familjen e Haxhi Sadrisë do të marrë garancione se nuk ka çmim që do të i ndalë shqiptarët nga lufta e tyre e drejtë për Shqipërinë etnike-për shkëputje definitive nga Padishahu si thuhej atëherë në popull.

Në këtë kohë Hasan Prishtina e kishte marrë informatën nga Klubi Bullgar se Serbia dhe Bullgaria kanë bërë marrëveshje sekrete për ta sulmuar Perandorinë Turke në vilajetet shqiptare. Lidhur me këtë Hasani e kishte kuptuar se në kufijtë verilindor të Vilajetit Kosovës Serbia i ka filluar përgatitjet për luftë dhe se përballë shqiptarëve të armatosur me armë të dobëta ishin pozicionuar TRI armata serbe, të gatshme për sulm.

Në Prishtinë në fillim të tetorit Hasan Prishtina do të mbajë një kuvend me Nexhip Dragën, Xhemail Agushin, Ibrahim Efendi Temo, Faik Efendin dhe disa ylema, patriotë, emrat e të cilëve nuk përmenden. Aty do të vendosin që aktivitetin politik dhe ushtarak ta fillojnë menjëherë në Kazanë e Llapit, si kazaja  më  e rrezikuar nga sulmet serbe dhe si kaza më e pakënaqura me regjimin gjakatar të  Shefqet Dergut Pashës.

Hasan Prishtina : E doni Shqipninë në plisa apo në varre?

Hasan Prishtina me bashkëveprimtarët e tij  për ta organizuar luftën për pavarësi, së pari do të i vizitojnë familjet e dëmtuara nga ekspedita famëkeqe e Dergut Pashës e quajtur “erfia” (shtetrrethim ushtarak) ku kishin gjetur vdekjen me varje me dhjeta drejtues të kryengritjes shqiptare. Afro njëmijë familjeve u ishin djegur tërësisht shtëpitë. Prandaj vizitën e parë Hasani do ta bëjë në Lluzhan në familjen e Islam Bulliqit, Hasan Bajraktarit, Fazli Buzhalës, Zymer Salihut. Aty do të prezantojnë përfaqësuesit e 12 fshatrave të Gallapit dhe pjesës jugore të Llapit. Aty, Hasani do ta kuptojë se popullin e ka shumë lehtë ta ngritë në luftën mbrojtëse vetëm që i duhet aramatim dhe logjistikë ushtarake e mirëfilltë. Në këtë takim fjalën Hasan Prishtinës do t` ia japi Ibrahim Temos. Lidhur me këtë Hasan Prishtina me pak fjalë do të u drejtohet prijësve: “E doni Shqipninë në plisa apo në varre? Nëse e doni në plisa atëherë nuk duhet të lejohet shembulli I vitit 1878 por duhet të dëshmojmë se jemi këtu den baba den dhe të luftojmë, të bëjmë luftë të drejtë. Ne ma nuk kemi asnji lidhje me Sulltanin, por nuk duam as të na sundojë ndonjë krajl i Ballkanit e më së paku krajli I Serbisë gjakatare. Jeni të pajtimit për këtë luftë” ?

 Të gjithë përgjigjen me PO.

Besa Besë pra do të bëjmë luftën e Fuqitë e Evropës do ta shohin se kush jeton në këto troje. Zoti dhe arma jon na ndihmofshin.

Pastaj do të shkojë në familjen e Haxhi Sadrisë dhe Zymer Tafës në Podujevë. Këtu do të bisedojë me përfaqësuesit e disa fshatrave në Odën e Bejtush Podujevës. Në këtë odë Sherif Latif Blakqori do të ngrihet në këmbë dhe do ta ia japi besën Hasanit se do të luftojnë kundër kralit të Serbisë deri në frymën e fundit, dëshmojnë Met Podujeva dhe Mustafë Stublla.

Hasan Prishtina në këtë Kuvend do të kumtojë se paria politike shqiptare tash e tutje duhet të luftoi për Shqipërinë Etnike, e cila do të jetë Shqipëri e qytetarëve. Shteti ynë, do të thotë AI do ta ketë Kushtetutën dhe në te do të sundojë drejtësia. Do kemi shkollat tona, administratën tonë dhe gjyqet tona shtetërore. Në Shqipërinë e katër vilajeteve do t’ i ndërtojmë rrugët, do të kujdesemi për shëndetësinë, për ekonominë në mënyrë që varfëria të shporret prej vatrave tona. Do të ndërtojmë shkolla të rangut të ulët dhe të lartë, kështu që do të kemi kuadro për ta drejtuar shtetin tonë. Ma , do të përfundoi Hasani nuk kemi asgjë të përbashkët me Padishahun. Të gjithë e aprovojnë fjalimin e tij, që përfundon me një dua, të cilën e tha Faik Efendia.

Pastaj Hasani me suiten e tij do të shkojnë në Dumosh në familjet e Kamber Abazit, Remë Rexhepit dhe Selim Zeqirit. Edhe këtu do të marrin premtime për luftën mbrojtëse. Në familjen e Hajdar Osmanit në Shajkofc, Hasan Prishtina do të marrë garancione për luftë të pakursyer mbrojtëse. Në Herticë në familjen e Ahmet Hysenit dhe në Orllan në familjet e Rexhep Selimit Sherif Ahmetit Veli Halitit, Vesel Kadris, Tahir Jasharit  dhe në Turuqicë në familjen e Ali Fazlisë gjithashtu do të bindet për orientimin në luftë mbrojtëse të gjithë atyre që munden me mbajtë armë. Me këto garancione Hasan Prishtina  do të drejtohet në fshatin Repë në familjet e dëmtuara nga ekspedita e Dergut Pashës siç  ishin: familja e Zeqir Abazit, Axha Shaban Repa, Zuk Ajeti, Sait Haliti, Murat Alija, Mustafë Osmani, Ajet Islami. Edhe gjithë këndej Hasan Prishtina do ta kuptojë se shqiptarizma dhe nacionalizma tradicionale ishin dhe kanë mbetë Besa Besat-gjithëmonë të gatshëm për luftë të drejtë. Në Doberdol Hasan Prishtina së bashku me suitën e tij do të bisedojnë me përfaqësuesit e disa fshatrave në familjet emblematike të Selim Bajramit, Nebih Sejdiut, Beqir Hotit. Pastaj do të ngjitet në Ternovicë dhe do të bisedoi me popull në familjet e njohura të Ali Sylejmanit dhe Niman Fazlisë.

Prej Ternovicë, Hasan Prishtina me 5 tetor do të vendoset në Popovë dhe aty do ta mbajë Kuvendin historik tash jo për të luftuar kundër okupatorit osmanli sepse ushtria e tyre ishte arratisë nga Llapi por për të luftuar kundër Serbisë.. Ky Kuvend dëshmoi se Hasan Prishtina ishte i vendosur që me luftë të mbrohet çdo pëllëmbë e tokave shqiptare, në të katër vilajetet. Atë dëshmi e vërtetojnë 8 pikat e aprovuara si dhe Lufta e Merdarit që ishin rezultat i atyre qëndrimeve kombëtare (Ato TETë pika janë botuar në KOSOVA SOT në fillim të tetorit 2012). (Treguan më 1964 në xhaminë e Podujevës “ Si erdhi Hasan Prishtina në Llap më 1912”: Haxhi Fejaz-djali i Haxhi Sadris, Mulla Hashim Kuleta, Mulla Hajriz Bllaca. Këta ylema ishin njëherit nxënës të Faik Efendis).

Hasan Prishtina nga 6 e deri më 9 tetor 1912 do të  vizitojë të gjitha pozicionet e luftës në frontin Perpellac-Merdar-Kulla e Asqerit-Medvegje. Ky strateg politik dhe ushtarak kombëtar nuk do të merr pjesë në Luftën e Merdarit, por do të drejtohet që t’i njoftojë Gjashtë Fuqitë evropiane për krimin dhe asgjësimin e popullsisë shqiptare, që po  përgatitej nga fallanga e Aleancës Ballkanike.

Ashtu si kanë mbetur dokumentet e shkruara para gjenocidit serb në Vilajetin e Kosovës nga Hasan Prishtina, ashtu edhe do të ngjaj, fakt ky që e pohojnë korrespodentët e Evropës.(Lexo. Leon Frojdlih, Golgota Shqiptare, Prishtinë 1995 në librin H.B. Programet serbe për shfarosjen e shqiptarëve, QIK 1995).

 

Më 10-12 tetor 1912 Hasan Prishtina dhe suita e tij do të qëndrojnë në Dumnicë në familjet e dëmtuara nga ekspedita e Shefqet Dergut Pashës si në familjen e Bajram Azemit, Ramadan Sejdiut dhe Mehmet Beqirit. Në këto familje do të marrë besn për sakrificë kombëtare kudo që e kërkon porosia e Klubit “Shpëtimi”. Më 12 tetor 1912 Hasan Prishtina do ta vizitoi Përpellacin dhe në prani të Bajram Qaushit do ta kuptoi se populli ishte seriozisht i përgatitur, por mjerisht i mungonte aramatimi.

Në fund të qëndrimit të Hasan Prishtinës me shokë në Llap do të vizitohet familja e Ajet Ahmetit në BALAJ që ishte masakruar me bajoneta nga ekspedita e Shefqet Dergut Pashë. Në këtë familje në prani të 60 komandantëve të KRESHNIKËVE Hasan Prishtina do t` ua përkujtoi llapjanëve gjenocidin e Toplicës duke I ftuar se nuk ka ma besë në Krajlin e Serbisë. Ne, do të thotë Hasan Prishtina ose do të luftojmë e të tregojmë se në këtë trevë nuk ka serbë, ose do të na zhdukë fare Serbia, sikurse ka vepruar deri me tash me lejen e fuqive evropiane. E pra duhet të mobilizohemi dhe të dalim në kufi për t`i mbrojtur  vatrat tona stërgjyshore. Pas fjalimit të tij tubimin do ta mbyllë Ibrahim Temo duke premtuar se do të sigurohet edhe një sasi e caktuar armatimi nga depotë e Prishtinës dhe Vushtrris.(Lexo: Bedri Pejani, Germadhat e veriut të Kosovës dhe lotët e Dukagjinit, në “La Federation Balquanique” , material në CPB. B. 1929, Wienë,  shkrim i  pabotuar).

 Pastaj  Hasan Prishtina do të shkoi në Karaullën e Perpellacit dhe aty do t’i japë instruksionet e fundit të gjithë oficerëve në frontin 40 km Perpellac-Merdar-Kulla e Asqerit-Medvegje. Në mbramje do të niset  për Shkup. Në kryeqytetin e Vilajetit Kosovës më 13 tetor do të mbaj Kuvendin në Klubin Politik “ Shpëtimi” ku merrrnin pjesë edhe Nexhip Draga, Bedri Pejani, Sali Gjuka, Xhemajl Agushi e të tjerë. Aty do të përpilohet një Komunikatë dramatike për Fuqitë Evropiane, ku thuhet tekstualisht:

“POPULLI I SHQIPNIS  PO I KAP ARMET JO  PER T` A MBROJTE EKZISTENCEN E TURQIS Në BALLKAN, POR PËR T` U DALË ZOT TOKAVE Të VETA. PRA SIDO QË TË JETË FATI I LUFTËS , POPULLI I SHQIPNISë NGULË KAMBË Për NJI SHQIPNI TË LIRË E ME NJI FORMË QEVERISJE Të VETME.” (Më 16 tetor 1912 në Shkup).

Pastaj Hasan Prishtina do ta ndjek me pedanteri luftën në Veri të vilajetit dhe do ta kuptoi se lufta ishte e humbur, por jo nderi dhe vendosmëria për të mbetur shqiptarët në trojet e veta stërgjyshore. Ajet Haxhiu, Hasan Prishtina,     Tiranë  1964,f.  95)

 

Nga Prishtina komandanti i Ushtrisë Tretë serbe gjeneral Bozhidar Janku do t`i drejtohet Gjeneral Shtabit të tij për t` ia siguruar edhe 20 000 bajoneta të reja sepse ato u mungonin ushtarëve tij të cilët i kishin dëmtuar bajonetat në trevën e Llapit duke i there shqiptarët nga djepi e deri në krroqe, kudo ku i gjenin. Me që nuk kishte bajoneta, Gjeneral Shtabi do të shkruaj Anri Barbus (shkrimtar korespodent francez), ato do të porositen dhe do të sigurohen brenda katër ditësh nga Vjena. Ato bajoneta do të përdoren: 5000 copë në trevën e Rrafshit Dukagjinit, 5000 copë në trevën e Kukësit dhe të Lumës. Ndërsa 10 000 do të përdoren në trevat: Jug i Ferizajit, Shkup, Tetovë, Gostivar, Manastir, Dibër, Elbasan, Titanë  dhe më 30 nëntor bajoneta e fundit do të thyhet në Durrës duke e prerë të zotin e shtëpisë që rezistonte mos t’i grabiten bagëtitë për therje . Këto fakte I pasqyron edhe Arqubad Rajs, Fitoret serbe, CPB-DASP. B 1912). Ja kjo është rruga “çlirimtare serbe” do të shkruaj Leon Trocki me ironi më `1912 (dhjetor).Duke e vërejtur aktivitetin e Hasan Prishtinës me shokë, pushteti ushtarak serb në fillim të nëntorit 1912 do ta privojë nga liria në Shkup dhe do ta internoi në Kalemegdan të Beogradit. Atje do të qëndrojë deri më 1 prill 1913. (Pse Hasan Prishtina nuk ishte në Vlorë më 28 nëntor 1912, botuar në “VJETARI”, Prishtinë 2002)

Më 28 nëntor 1912 në Vlorë do të shpallet pavarësia e Shqipërisë. Por bajonetat e përgjakura serbe, malazeze e greke do të mbesin në veprim. Kështu më 30 nëntor kur ushtria serbe zbarkoi në Durrës, në të gjitha kishat serbe do të mbahet meshë solemne për dalje të Serbisë në Detin Adriatik. Përshëndetje vëllazërore kisha serbe do të marr nga Kisha Ruse, Fraceze, Gjermane, Italiane, Austriake dhe greke. Lidhur me këtë bajonetat e përgjakura në trupin e shqiptarëve do të amnistohen në Petrograd, Wjenë, Berlin, Romë dhe Paris. Kurse në Londër më 17 dhjetor 1912 do të filloi pazari I madh me tokat shqiptare. Aty do të copëtohet Shqipëria Etnike në pesë pjesë dhe ai copëtim do të mbetet në fuqi si një plagë që kullon deri me sot.

E pra, Evropa e “demokratizuar” edhe sot është po në të njëjtat valë. Kanë ndryshuar kohërat dhe partitë me drejtuesit e tyre, por nuk kanë ndryshuar fare realitetet e programuara sekrete për asgjësimin e Shqiptarëve islamë nga Evropa. (shiko: A. Rajs, Shqiptarët myslimanë duhet të asgjësohen, por edhe ata të krishterë duhet të konvertohen, 1912 CPB.K.12. I censuruar si rezervat shtetëror-1912).

Hasan Prishtina me idetë e tij, me punën e tij do të mbetet për të gjitha kohërat shembull për liri dhe barazi të popujve dhe njerëzve pa dallim. Këtë e vërtetojnë shkrimet dhe fjalimet e tij ku nuk ka asnjë urrejtje ndaj asnjë populli.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI; Tafil Buzi, patrioti që hoqi vallen e jetës në buzë të greminës

Pa  dëshmor historia  e  një  kombi venitet, pa  heronj  historia  e një kombi  është destinuar  …