Profesor dr. Hysen Matoshi: E vërteta flet me gjuhën e dëshmive të patretshme

Prof. dr. Hysen Matoshi: E vërteta flet me gjuhën e dëshmive të patretshme

I nderuari drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, z. Skender Asani,

I nderuari kryetar i Shoqërisë “Lëvizja”, z. Xhevat Bislimi,

E nderuara drejtoreshë e Institutit të Historisë  “Ali Hadri” të Prishtinës, znj. Teuta Shala – Peli,

Të nderuar veprimtarë dhe veprimtare të çështjes kombëtare, kolegë, pjesëmarrës në përurimin e botimit dyvëllimësh ILEGALJA SHQIPTARE – PARARENDËSE E RRËNIMIT TË JUGOSLLAVISË (Dokumente analitike të Sekretariatit Federativ të Punëve të Brendshme të Jugosllavisë 1980-1986), të përgatitësve Skender ASANI, Sevdail DEMIRI Milaim FETAI, Besnik RAMETI)

Është përgjithësisht e njohur se shqiptarët, përgjatë historisë së tyre, nën sundime të huaja, kanë përjetuar tragjedi të dyfishtë. Së pari, u trajtuan si trup i huaj dhe i padëshirueshëm në kreaturat shtetërore të pushtuesve, për çka edhe u përndoqën në trajta të vrazhda të dhunës gjenocidiale, madje deri shfarosje të plotë nga shumë hapësira etnike e autoktone; dhe së dyti jo pak pësoi e vërteta për historinë e tyre, për pësimet e njëpasnjëshme që përjetuan.

Fushatat shfarosëse mbi shqiptarët, jo një herë, u mbështollën me vello të ndërmarrjeve të ligjshme shtetërore, u trajtuan si akte legjitime dhe për një kohë të gjatë e vërteta për to nuk u mësua. Në vend të saj u servir një e vërtetë tjetër, e paqenë, por që arsyetonte mjetet dhe qëllimet e pushtuesve të hapësirës shqiptare. Ngjashëm është vepruar edhe lidhur me qeverisjen e viseve të pushtuara shqiptare. Të dhënat faktografike, ose janë deformuar rrënjësisht, ose janë futur në sirtarët e errësirës, nga të cilët dëshmitë autentike dalin rrallë dhe me vështirësi. Pushtuesit e shqiptarëve, duke ruajtur të drejtën e posedimit të së vërtetës, të monopolit të saj mbi të, jo rrallë herë, e kanë deformuar rëndë atë, qoftë duke e tjetërsuar me qëllim të justifikimit të akteve makabre mbi shqiptarët, qoftë duke e ofruar me përplot ndërhyrje me qëllim të baltosjes së figurave qendrore të lëvizjes atdhetare shqiptare, e madje-madje edhe duke futur mollën e sherrit, përçarjen brendashqiptare, me qëllim të dobësimit të kapaciteteve të saj vepruese. Me një fjalë, dje e kishin rezervuar “të drejtën” të ushtronin të gjitha të pabërat mbi shqiptarët, ndërsa sot duan të mbajnë peng të vërtetën mbi zhvillimet historike nëpër të cilat kaluan ata si komb i robëruar.

Mirëpo, sikundër dihet e vërteta nuk humb lehtë. Botimi i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, të cilin po e përurojmë sot në Prishtinë, në Institutin Albanologjik, është dëshmi se gjithçka zhduket, mbetet vetëm e vërteta, siç e thoshte një mendje e ndritur e kulturës botërore. Pra, pasi u zhdukën mashtrimet e gënjeshtrat mbi njërin ndër kombet më të lashta të Evropës, trillimet e të pavërtetat, që vijuan për rreth dy shekuj, pasi hodhën baltë e pluhur mbi të kaluarën e shqiptarëve, mbi origjinën e identitetin e tyre, pasi, bazuar në to, në forume ndërkombëtare u morën sa e sa vendime të rënda e të padrejta për kombin shqiptar, ngre krye e vërteta, e cila flet me gjuhën e dëshmive të patretshme, e cila argumenton me të dhëna faktografike të verifikueshme e të qëndrueshme. Historia e shqiptarëve të mbetur nën sundimin sllav, që përgjithësisht njihet si sundim jugosllav, është një pjesë tejet interesante historike, por ende e panjohur mjaftueshëm nga aspekti dokumentar. Vëllimet e përgatitura nga kolegët tanë të nderuar, që përshijnë dokumentet e Sekretariatit Federativ të Punëve të Brendshme të Jugosllavisë mbi organizatat atdhetare të shqiptarëve dhe veprimtarinë e tyre gjatë viteve 1980 – 1986, përbëjnë një bazë të gjerë dokumentare dhe me interes për historiografinë shqiptare. Ato shpërfaqin perceptimin e organeve të sigurimit të pushtetit jugosllav lidhur me organizatat atdhetare shqiptare, mbi veprimtarinë e tyre dhe masat e ndërmarra ndaj tyre. Ndonëse ky është vetëm njëri këndvështrim i çështjes, pra ai i pushtuesit që i luftonte këto organizata e këta veprimtarë, themi se për studime të rëndësishme historiografike, megjithatë është tejet i domosdoshëm të hidhet dritë e re shkencore veçmas mbi historikun e kësaj lëvizjeje në vitet vendimtare të historibërjes shqiptare.

Dokumentet e Sekretariatit Federativ të Punëve të Brendshme dhe analiza, që është bërë mbi bazën e tyre, të përmbledhura në këto dy vëllime, janë një dëshmi e qartë për punën e madhe që e kishin bërë organizatat atdhetare shqiptare, të cilat në kontekstin social-politik dhe në perceptimin e organeve përkatëse të pushtetit jugosllav janë trajtuar si ilegale dhe armiqësore kundruall strukturës shtetërore jugosllave. Pavarësisht kësaj, për bindjen time profesionale dhe etike, në shqyrtimet tona këto struktura veprimtare në të mirë të çështjes kombëtare është më e udhës t’i emërtojmë si organizata të fshehta atdhetare të shqiptarëve, ose edhe në ndonjë variant tjetër, por që nuk përfshin shprehjet që dalin nga fjalët ilegal, klandestin etj.

Gjithsesi botimi i tërë këtij materiali, që kap një periudhë shumë dinamike të veprimit të organizatave të fshehta atdhetare shqiptare Jugosllavi dhe edhe më gjerë, në Evropë e kudo që vepronin ato në mërgim, parë në dritën e survejimit dhe të përndjekjes së organeve të UDB-së, përbën një punë të madhe në dokumentimin e saktë dhe në shmangien e një vargu dilemash, pasaktësish dhe paragjykimesh që kanë rrjedhë, qoftë si rezultat i mungesës së informacionit, qoftë si rezultat i keqpërdorimit të dokumentacionit relevant të kohës. Jo më larg se dje, në një televizion serb, eksponenti i strukturës së UDB-së, Bozhidar Spasiq, krekosej me veprimet e tij destruktive që kishte ndërmarrë para do vitesh në aspektin e shtrembërimit të fakteve lidhur me protagonistët kryesorë të strukturës së asokohshme atdhetare, gjithnjë me qëllim të dëmtimit jo vetëm të së vërtetës historike, por edhe të së ardhmes së shqiptarëve në hapësirat e tyre etnike. Mu për këtë kolegët tanë të nderuar janë orientuar që të marrin kopjet e këtij dokumenti pikërisht në atë institucion që ishte më kredibil dhe më rezistues në raport me shërbimet që kanë pasur synim dhe, që edhe sot kanë synim të vazhdueshëm, cenimin e autenticitetit të dokumenteve të hartuara atëbotë. Arkivi Shtetëror i Kroacisë, me të drejtë, është parë si referenca më e besuar për vjeljen e këtij materiali, i cili vjen në një format autentik.

Çfarë përmban kjo dosje dhe pse është e rëndësishme për të djeshmen, të sotmen dhe të ardhmen tonë? Në rend të parë, për të dhënat e shumta lidhur me organizatat e ndryshme atdhetare, që kishin shtrirë veprimtarinë e tyre në mbarë hapësirën etnike, pavarësisht se në cilën strukturë federale vepronin ato, së dyti të dhënat për veprimtarët e shquar, që vepronin si të organizuar në strukturat e tyre me qëllim çlirimin përfundimtar të viseve shqiptare dhe bashkimin e tyre në një strukturë të përbashkët shtetërore. Gjithashtu ka edhe të dhëna për organizimin e ushtarëve shqiptarë në Armatën e Jugosllavisë, për ndjekjen dhe dënimin e tyre, por një vëmendje e madhe i kushtohet edhe veprimtarisë së mërgatës shqiptare, e cila, sidomos pas Kryengritjes së Pranverës të vitit 1981, u organizua më mirë dhe intensifikoi e koordinoi, si asnjëherë më parë, veprimtaritë në qendra të ndryshme të Evropës dhe të botës, duke e ndërkombëtarizuar çështjen shqiptare dhe duke fituar simpatinë e kombeve liridashëse. Shërbimet sekrete jugosllave, sikurse del nga ky dokument, ishin në dijeni, ndaj edhe përdorën metoda dhe veprime kriminale me qëllim të dëmtimit të strukturës së organizimit atdhetar të shqiptarëve në mërgatë.

Dokumenti në fjalë i Sekretariatit Federativ të Punëve të Brendshme të Jugosllavisë, nëse përdoret racionalisht, mund të shërbejë për të verifikuar të vërtetën historike lidhur me një varg çështjesh dhe sidomos lidhur me konstatimin e përmasave reale që kishte marrë lëvizja atdhetare për çlirim në vitet 1980-1986, pastaj edhe mbi veprimet e pushtetit jugosllav, që përfshinin vrasjet, arrestimet, burgosjet dhe dënimet drakoniane, më të pashembullta në gjithë historinë moderne të njerëzimit. Përmasat e kundërshtimit të robërisë në mesin e shqiptarëve ishin të papara ndonjëherë në historinë tonë. Këtë fakt e dëshmon edhe ky burim i rëndësishëm. Kështu,  1740 shqiptarë profesionesh, moshash e gjinish të ndryshme, nga e gjithë hapësirat etnike shqiptare ishin zbuluar si anëtarë të grupeve, siç i quajnë ata “ilegale” dhe shumica prej tyre ishin dënuar. Po kështu, ky raport përmend edhe faktin se organet përkatëse jugosllave kishin zbuluar 152 organizata dhe grupe të atdhetarëve shqiptarë. Pothuajse të gjithë mekanizmat e shërbimit sekret jugosllav, ata të përndjekjes, të drejtësisë etj. ishin vënë në luftimin e pa kompromis të strukturave atdhetare shqiptare. Se nuk është fjala për një gjë të rastit, veçse për një politikë konsistente të RSFJ-së e dëshmon edhe një raport tjetër, të cilin para katër vitesh, falë punës së palodhshme të studiuesit Sadik Mehmeti, e botoi Instituti Albanologjik. Fjala është për një dokument të Sekretariatit Federativ të Jurisprudencës, të hartuar më 1989, në të cilin përfshihen të dhëna për të gjithë të burgosurit e asokohshëm politikë në Jugosllavi. Nga 277 sish 245 ishin të burgosur politikë shqiptarë, ose 89 për qind e numrit të gjithmbarshëm, kryesisht pjesëtarë të organizatave atdhetare që janë përfshirë në këto vëllime që po i përurojmë sot. Gjithsesi këto dy dokumente çojnë në dy përfundime të padiskutueshme. Së pari, kombi më i shtypur në Jugosllavi ishin shqiptarët dhe së dyti ishin shqiptarët ata që i kontribuuan më së shumti demaskimit të këtij shteti kuazidemokratik dhe kuaziliberal, duke i dhënë goditjen iniciale shkatërrimit të tij përfundimtar.

Lexuesi që i merr në dorë këto dokumente duhet ta ketë parasysh faktin se ato, në dimensione të ndryshme, janë dizajnuar që t’i shërbejnë ideologjisë dhe politikës jugosllave e pansllave në Ballkan, rrjedhimisht në to ka edhe shtrembërime të qëllimshme të cilat janë bërë pikërisht në këtë funksion. Po përmend vetëm dy shembuj të këtillë. Vrasja e Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës, të cilën në këtë dokument e gjejmë të interpretuar si “qërim hesapesh ndërmjet emigrantëve shqiptarë”, sot nuk mohohet nga askush, madje as nga qarqet serbe, se një gjë e tillë është vepër e shërbimit sekret jugosllav, sikundër që rënien heroike të Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës pa saktësisht e paraqesin si vetëvrasje të tyre. Kuptohet vrasjet e veprimtarëve shqiptarë, qoftë në mërgim, qoftë në atdhe, e demaskonin rëndë imazhin e së ashtuquajturës oazë e kombeve dhe e kombësive të barabarta dhe të vëllazëruara, siç shitej atëbotë në arenën ndërkombëtare Jugosllavia Federale.

Të nderuar të pranishëm, për këtë punë të madhe të kolegëve tanë shkupjanë mund të flitet shumë më shumë sesa kaq. Dhe besoj se do të flitet, ngaqë kushdo që do të merret me historinë dramatike të shqiptarëve gjatë atyre viteve do të gjejë një bazë të çmueshme dokumentare në këto dy vëllime, të cilat shpresojmë të pasohen edhe nga të tjera. U shpreh konsideratat e mia kolegëve Asani, Demiri, Fetai dhe Rameti, por edhe të gjithë të tjerëve që kanë dhënë kontribut për daljen në dritë të së vërtetës.

Asgjë nuk na duhet më shumë se e vërteta, asgjë nuk na dëmton më shumë se sa mungesa e saj.

                                                   Prof. dr. Hysen Matoshi

Kontrolloni gjithashtu

BDI dënon vendimet e fundit të Moskës zyrtare për aneksimin e territoreve të Donbasit dhe Luhanskut nga Ukraina

BDI: Qeveria me eksponentë putinistë që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ka bllokuar marrëveshjet e mëhershme

Bashkimi Demokratik për Integrim, nënvizoi  rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis institucioneve të Republikës së …