Ka një përputhje të plotë ndërmjet ekspansionit territorial të Serbisë, gjatë shekujve XIX dhe XX, dhe tkurrjes territoriale të shqiptarëve në Ballkan. Kjo është një gjë lehtë e vërtetueshme, thjesht empirike e rreth së cilës s’ka se si të mos pajtohen studiuesit, pavarësisht se nga cila anë i qasen problemit. Tkurrja më dramatike do të ngjajë në periudhën 1878-1912, kur shqiptarët do të mbesin me vetëm një të tretën e tokave të tyre, me popullsi të përgjysmuar; ndërkohë që serbët do ta shumëfishonin hapësirën për shtetin e tyre, duke pasur si synim përfundimtar daljen në tri dete që lagin brigjet e Ballkanit.
Ideologjia shoviniste, e ravijëzuar në kokat e brezave të tërë të politikës serbe, e cila parim thelbësor e ka okupimin e hapësirës së tjetrit, qoftë edhe me çmimin e gjenocidit, krahas mentores së devotshme projektuese – Akademisë së Shkencave të Serbisë, pati edhe frymëzuesen e saj shpirtërore – Kishën Ortodokse Serbe. Madje, qoftë për faktin se ka vepruar në një periudhë shumë më të gjatë se Akademia Serbe, qoftë për faktin se ka mobilizuar, krahas mendjes edhe shpirtin e kolektivit, dhe sidomos për faktin se komunikimi i saj ka qenë i përmasave gjithëpërfshirëse popullore, roli i Kishës Ortodokse Serbe në këtë drejtim është i pakrahasueshëm me cilindo faktor tjetër. Përtej konstatimit të Norman Cigarit1 – studiuesit të njohur amerikan, sipas të cilit elita intelektuale serbe, duke e arsyetuar ideologjikisht gjenocidin, nga vrasësit e rëndomtë krijonte heronj, ndërkaq Kisha Ortodokse Serbe atyre u ofronte shfajësim moral – them se roli i kësaj kishe nuk duhet parë në rrjedhojat e në pasojat shkatërrimtare të luftës që serbët e bënë kundër të tjerëve përreth tyre, përkundrazi, realisht roli i saj është roli i projektueses dhe i frymëzueses së luftës në të cilën ndërgjegjja njerëzore përjetoi njërën ndër humbjet më të mëdha.
Tri “argumentet” e Kishës Ortodokse Serbe
Sistemi i argumentimit, i cili rrjedh nga Kisha Ortodokse Serbe, mbi të drejtën e Serbisë ndaj tokave shqiptare, është mbështetur në zhvillime që ndërlidhen me tri periudha të ndryshme të zhvillimeve në këtë hapësirë. Së pari e drejta serbe, sipas tyre, buron nga fakti se këto toka ishin pjesë të Perandorisë mesjetare të Car Dushanit, pastaj mbështet në “faktin” tjetër, sipas të cilit Betejën e Kosovës e zhvilluan dhe e humbën serbët ortodoksë dhe përfundimisht pohojnë se serbët masivisht e kishin braktisur Kosovën në krye me patriarkun Arsenije Çarnojeviq më 1690.2 Pa u ndalur në këto “argumente” të shtrembëruara historike, kur e kur edhe mitologjike, është e kuptueshme se Kisha Ortodokse Serbe i ka përdorur ato, jo për t’ua mbushur mendjen të tjerëve, por për t’i mobilizuar potencialet e veta njerëzore e materiale në ndërmarrjet pushtuese të Serbisë. Rrjedhimisht, diskursi i kësaj kishe e ushqente fushatën antishqiptare me idenë se serbët nuk po bënin diçka të pazakontë – ata po kthenin të drejtën e tyre mbi tokën, të cilën e zotëronin para qindra vitesh dhe se po merrnin hak për gjakun e derdhur serb në mbrojtje të këtyre tokave. Nëse për Kosovën (tokat shqiptare) luftën pushtuese KOS-i e argumentonte me sa u tha më lart, në meshat e mbajtura, tekste të të cilave i botonte edhe “Vesnik Srpske Crkve”, organin e Lidhjes së Priftërinjve, nuk fshiheshin pretendimet as ndaj tokave të popujve të tjerë ballkanas. Kështu, në Kishën e Ringjalljes në Beograd, prifti Lubomir Mitroviq, gjatë ligjëratës së tij, do të shpallte se me pushtimin e tokave shqiptare nuk kishte marrë fund puna, ngase pretendimet serbe ishin për më shumë hapësirë për vete e në dëm të të tjerëve. Ai, duke iu premtuar shpirtrave të serbëve të rënë, shprehet: “Mos u brengosni shpirtra kreshnikë të heronjve të rënë. Zoti tha: Ja, do ta dërgoj engjëllin me degën e paqes, të shenjtëruar me gjakun tuaj, që ta spërkatë edhe një herë flamurin e pamposhtur të kombit tuaj, i cili në mënyrë madhështore po bartet nga Adriatiku në Edrene, nga Vidini në Lerin dhe i cili shpejt do të valëvitet edhe nëpër Bosnjë-Hercegovinë, Dalmaci dhe Istër, Banat, Baçkë dhe Srem, Kroaci dhe Sllavoni”.3 Saktësisht, po për pushtimin e këtyre hapësirave, që i kishte evidentuar prifti serb në fillim të shek. XX, Serbia do ta ndërmerrte fushatën më gjakatare në fund të këtij shekulli. Politika serbe, e frymëzuar nga Kisha Ortodokse Serbe, e mësuar nga Akademia Serbe e Shkencave dhe e Arteve e Serbisë4, nuk i kishte ndryshuar për asnjë milimetër apetitet e saja pushtuese. Argumentet mbi të drejtën historike, mbi të drejtën hakmarrjes kombëtare për disfatat e pësuara para shekujsh, ishin të nevojshme vetëm sa për ta nisur luftën, sa për ta legjitimuar atë, kurse, në fakt, e gjithë kjo ndërmarrje gjakatare gjente mbështetje te maksima: qëllimi e arsyeton mjetin.
Akti i parë i zhbërjes së hapësirës etnike dhe kulturore shqiptare
Humbjet e vazhdueshme ushtarake e politike të Perandorisë Osmane, në gjysmën e dytë të shekullit XIX, rezultuan me forcimin e kombeve shtetformuese ballkanase, por ato njëkohësisht u konvertuan edhe në humbje të territoreve etnike e kulturore shqiptare. Kongresi i Berlinit, përveçse i la trojet e Sanxhakut e Nishit pa shqiptarë, ishte i kobshëm edhe në planin e trashëgimisë kulturore. Kështu, përveç faktit se nga qytetet si Nishi, Piroti, Leskoci, Vranja, Prokupla e Kurshumlia, por edhe më se 500 fshatra përreth tyre, u dëbua masivisht popullata shqiptare, pushtuesi i frymëzuar nga mosdurimi fetar, të cilin e mbillte Kisha Ortodokse Serbe, u përkujdes që gjurmët kulturore të shqiptarëve t’i zhbënte kudo që i ndeshte. Qëllimet e kësaj ndërmarrjeje ishin të qarta: pushtuesi, duke i shkatërruar argumentet kulturore-fetare të ekzistencës së shqiptarëve, do të krijonte premisa për krijimin e argumenteve të reja etnike e kulturore në ato hapësira. Se cilat ishin përmasat e këtij shkatërrimi mund të bindemi lehtë nga vetëm disa të dhëna, të cilat i ka qëmtuar gjithandej studiuesi i mirënjohur dr. Sabit Uka5, njëri ndër njohësit më të mirë të fatit tragjik të kësaj trashëgimie kulturore islame e shqiptare. Vetë kryeqyteti aktual i Serbisë, Beogradi, sipas Evlija Çelebiut, në vitet 70 të shek. XVII kishte 270 xhami, mesxhide e objekte të tjera islame. Dua të sjell ndërmend se e vetmja xhami, nga e gjithë kjo trashëgimi kaq e pasur, Bajrakli xhamia, që e mbijetoi kohën, u dogj në marshin e neopiromanëve serbë më 2004. Nishi, nga ana tjetër, në vitet 60 të shek. XVII, kishte 22 mejtepe që kryesisht funksiononin pranë xhamive, ndërkaq në periudhën 1877-1878, pra në prag të pushtimit nga serbët, i kishte 13 xhami të mëdha, 6 xhami të vogla, 4 tyrbe të njohura, kundruall vetëm dy kishave dhe një sinagoge. Edhe xhamia e vetme e mbijetuar deri në kohën e sotme nuk u shpëtoi neronëve modernë serbë më 2004. Më tutje, Piroti më 1873 kishte 9 xhami të mëdha, disa mesxhide, tri teqe, 2 kisha dhe një sinagogë. Leskoci, sipas autorit Miliqeviq, më 1872 kishte 8 xhami dhe 10 teqe. Vranja më 1873 kishte 5 xhami të mëdha, disa mesxhide të vogla, 6 teqe dhe 2 kisha. Prokupla më 1873 kishte 5 xhami, 8 tyrbe dhe 1 kishë, ndërkaq Kurshumlia (sipas Evlija Çelebiut) më 1660, kishte 3 xhami, kurse në këtë qytet para Kongresit të Berlinit jetonin vetëm 3 serbë. Për ta kuptuar më qartë se cili është dimensioni i ndryshimit drastik të hapësirës kulturore dhe etnike, do të sjellim ndërmend të dhënat për një hapësirë më të madhe territoriale, dikur me trashëgimi dominuese islame, nga e cila tani nuk ka ngelur as edhe një gjurmë e vetme. Kështu, bie fjala, të dhënat flasin për një pamje krejtësisht tjetër të Pashallëkut të Beogradit në kohën kur ishte pjesë e Perandorisë Osmane, kundruar në aspektin e trashëgimisë kulturore, e cila, gjithsesi reflekton shumëçka edhe nga ajo etnike. E dhëna se ky pashallëk kishte dikur më se 600 xhami flet vetvetiu në këtë drejtim6.
Në histori janë të njohura rastet kur në një territor një etni zëvendësohet nga etnia tjetër, kryesisht si rezultat i raporteve që prodhon forca, por nuk janë të pashembullta rastet, sikundër është ky që po trajtojmë, kur lufta e ardhacakëve vazhdon edhe kundër trashëgimisë kulturore të popullit që paraprakisht i banonte ato vise. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për procesin e shkatërrimit të kësaj trashëgimie si rezultat i lënies pas dore të objekteve të caktuara, fjala është për zhbërje të planifikuar e sistematike të saj, për zëvendësimin e saj me shenjat etnike e kulturore-fetare të pushtuesit. Kisha mund të ndërtoheshin edhe pa i shkatërruar xhamitë dhe objektet e tjera që gjithanshëm përdoreshin nga popullata shqiptare. Fakti më ilustrues në këtë drejtim është rasti i ruajtjes së trashëgimisë ortodokse serbe për shekuj me radhë në Kosovën e sotme, megjithëse gjatë gjithë kohës qeverisej nga një shtet islam dhe në të dominonte popullata shqiptare e besimit islam.
Akti i dytë: Priftërinjtë serbë – “engjëj” të luftës
Roli i Kishës Ortodokse Serbe do të pësojë transformim esencial, duke u kthyer nga një forcë frymëzuese në një mekanizëm zbatues të politikës gjenocidiale serbe, sidomos në periudhën e luftërave ballkanike. Priftërinjtë serbë, nga predikues të paqes, tashmë ishin shndërruar në “engjëj” të luftës, e cila si shprehje, që në vete ngërthen edhe engjëllin edhe luftën, habit edhe qëmtuesin më të pasionuar të oksimoronit. Kështu, këta priftërinj, të cilët ishin vënë në krye të bandave dhe të formacioneve të rregullta serbe, për të vrarë, për të dëbuar e për të djegur çdo gjë shqiptare, gazeta “Hrišćanin”, në Urimin e Krishtlindjeve, i quante hiq më pak se “engjëj” të luftës.7 Shtypi zyrtar i KOS-it do t’i cilësonte edhe me epitete të tjera të zgjedhura priftërinjtë që kishin marrë mbi vete detyrën e çlirimtarëve “të vëllezërve të tyre të shtypur”. Cilësimet si prifti-vullnetar, prifti-hero, prifti-çetnik etj., në të vërtetë, ishin në funksion të ofrimit të modeleve për krijimin e të cilave angazhohej me të gjitha mjetet Kisha Ortodokse Serbe. Për rolin e veçantë që e kishin priftërinjtë serbë në këtë luftë dëshmon edhe shkrimi “Priftëria në shërbim të Atdheut” i famullitarit Panta Dragojeviq, ku theksohet: “Shpallja e luftës për çlirim u pranua me entuziazëm, por ne na duket se asnjë kategori tjetër e njerëzve nuk e ka pritur çështjen e shenjtë të çlirimit me aq entuziazëm sa priftërinjtë serbë. Nxituan që, me kryq në dorë, të dalin në ballë të ushtrisë serbe, që me fjalimet e tyre ta inkurajojnë atë sa më shumë.
Një numër i madh i priftërinjve u regjistruan vullnetarë e komitë dhe me kryq e armë në dorë i shkatërruan aziatikët e egër. Mediet e kohës janë përplot me raporte mbi qëndrimin trimëror të priftërinjve në këtë luftë”.8 Duhet theksuar edhe faktin se të dhënat për pjesëmarrjen e priftërinjve serbë në luftë, gjithnjë sipas burimeve të shtypit kishtar serb, kapnin shifrën prej 100 sish. Disa prej tyre madje ishin vënë në krye të çetave, duke kryer edhe detyrën e udhëheqësit shpirtëror, por edhe të udhëheqësit ushtarak. Në këtë pikëpamje veçohej shembulli i priftit Sekula Dobriqanin, i cili i kishte mbledhur 300 vullnetarë dhe i kishte vënë në shërbim të mbrojtjes popullore, natyrisht duke i tejçmuar me këtë rast vlerat e tij prej një atdhedashësi model.9
Në mënyrë që të dëshmohet se nuk ishte fjala, në asnjë rast, për veprime të veçanta të priftërinjve, të cilat nuk e merrnin parasysh qëndrimin e kreut të Kishës, po citojmë pjesë të ligjëratës së Peshkopit serb Dimitrije, mbajtur në njërën ndër kishat më të mëdha të Beogradit, nëpërmjet së cilës, nga pozitat udhëheqëse kishtare, klithte: “Shkojmë në Kosovën e lavdishme, në Deçanin madhështor, në Shkupin e mrekullueshëm, që ta kërkojmë fronin e shkëlqyer të Dushanit të fuqishëm. Shkojmë në Prilep.
Kreshnikët tanë krenarë tashmë kanë shkuar. Ndërkaq, unë, si bari suprem dhe si atë shpirtëror i tokës serbe, që të gjithë i bekoj.”10 Nëse kështu fliste dhe shkruante “Kryengjëlli i luftës”, atëherë fare nuk e hutojnë askënd shkrimet që pohonin vënien e plotë të Kishës në shërbim të shtetit, përkatësisht në shërbim të zgjerimit të tij e të realizimit të idealit që përmblidhej në togfjalëshin Serbi e Madhe, madje duke çrrënjosur çdo gjurmë etnike e kulturore të popullatës që gjithnjë kishte jetuar në të. Edhe Peshkopi i Nishit, Domentijani, gjatë vizitës që ua bënte të plagosurve serbë, përveç urimit për shërim të shpejtë, i porosiste që ktheheshin sa më parë në fushëbeteja dhe, siç i porosiste ai, “të vazhdonin të thernin turq e të grinin shqiptarë”.11 Shtypi kishtar serb i kohës gjithashtu nuk lë asnjë dyshim sa i përket karakterit të angazhimit të Kishës Ortodokse Serbe në këtë luftë. Ajo nuk ishte e përfshirë në këtë ndërmarrje kriminale e organizuar nga dikush tjetër, ajo ishte vetë organizatorja e ideatorja kryesore, e cila kishte punuar pa pushim me qëllim që t’i krijonte kushtet për këtë ndërmarrje gjakatare mbi popujt dhe mbi kulturat e tjera, ajo e kishte përgatitur me shekuj kombin serb për këto ditë, të cilat në artikullin programatik “Crkva u službi Otadžbine”, i quan, hiq më pak se, të shenjta: “Kisha dhe priftëria jonë sot mund të pohojnë se secili në Mbretërinë e Serbisë e kryen me përkushtim detyrën e vet, ashtu siç e ka mësuar dhe e ka edukuar kombin serb vetë kisha serbe, duke e përgatitur për këto ditë të shenjta”.12 Disa muaj më vonë, pasi që pjesa më e madhe “punës” ishte kryer, Kisha Ortodokse Serbe e kërkonte hisen “e meritës” që, pa asnjë dyshim, i takonte: “Priftëria serbe e ka kryer detyrën e saj edhe ndaj kishës edhe ndaj popullit, sepse përveç përgjigjes ndaj organeve ushtarake dhe shërbimit të obligimeve fetare në luftë, kishte priftërinj të cilët vullnetarisht shkonin në luftë, me qëllim që me praninë e tyre t’i trimëronin vëllezërit e tyre, ndërsa me sakrifikimin e tyre fituan simpatinë e pjesëmarrësve në luftë dhe të organeve kompetente ushtarake”.13
Përgjithësisht shkrimet e medieve të Kishës Ortodokse Serbe, ose të medieve që e mbështesnin mendësinë e saj gjakatare, karakterizohen nga një ligjërim i përmbytur në patosin e shfrenuar mbi ndjenjën e madhe të serbizimit të çdo gjëje dhe të urrejtjes çmendurake ndaj çdo gjëje që shfaqej si pengesë në këtë rrugë. Shqiptarët dhe kultura e tyre kanë pasur fatin e keq që të vihen në tehun e sulmit të përgjithshëm, me qëllimin e vetëm zhbërjen etnike dhe mohimin e çdo shenje të vlerave kulturore e civilizuese të tyre. Përveçse me shkrime diskursive, priftërinjtë serbë, të vetëdijshëm për forcën shprehëse të artit poetik, gjatë periudhës dramatike të luftërave ballkanike, shpeshherë urrejtjen kombëtare do të synonin ta konceptonin në vargje, qofshin ato popullore, qofshin të autorëve priftërinj. Po sjellim këtu vetëm vargjet e lahutarit Klonimir nga kënga “Ëndrra e bariut kosovar” (San kosovskog čobančeta):
“Në vaj thoshte nëna e Milloshit:
‘Kishim shtëpinë me gjithë kopsht,
Por na ranë të mallkuarit shqiptarë,
Na e dogjën shtëpinë me zjarr,
I ke pasur edhe dy vëllezër,
Shqiptarët që të dy i zunë,
I therën si qengjat e bardhë”14.
Natyrisht, botimi i kësaj kënge në valën e masakrave të papara mbi shqiptarët ishte thjesht në funksion të krijimit të klimës së hakmarrjes, të yshtjes së bandave ushtarake për hakmarrje e për ndreqje të “padrejtësisë historike mbi serbët ortodoksë”.
Kisha Ortodokse Serbe, në mënyrë të veçantë, e trumbeton edhe rëndësinë e madhe të Aleancës Ballkanike, karakteri pushtues i së cilës zbulohet madje edhe nga vetë tekstet e fjalimeve të përfaqësuesve të saj, megjithëse, jo një herë, insistohet se bashkimi i të krishterëve ortodoksë ka për synim çlirimin dhe përparimin e Ballkanit. Fjalimi i priftit të garnizonit, Sava Bozhiq, i mbajtur para Regjimentit II kalorësiak të Kralevës, qartëson qëllimin përfundimtar të Aleancës Ballkanike: “Që të katër shtetet e krishtera ortodokse të Ballkanit (Serbia, Bullgaria, Greqia dhe Mali i Zi, vër. H. M.) do të luftojnë së bashku; ushtria e bashkuar e krishterë, në emër të Zotit, së shpejti do ta arrijë fitoren dhe do ta ndajnë ndërmjet tyre Perandorinë Turke.
Trima,
Të bashkuar do ta mposhtni armikun, ndërsa në Prizren, në kryeqytetin e Dushanit, do ta ringjallni Fronin e Serbisë së Re e të Madhe.”15 Pra, është plotësisht e kuptueshme se ndarja e tokave të Perandorisë Turke, në pjesën më të madhe të çështjes, ishte vetëm një shprehje tjetër për ndarjen e tokave etnike shqiptare, lakmia e pamasë ndaj të cilave i shtyri disa nga shtetet aleate në një luftë të re, si pasojë e shpërputhjes së interesave dhe mospajtimeve të thella ndërmjet tyre. Megjithëse, nuk u realizuan në tërësi synimet për ndarjen e të gjitha tokave shqiptare ndërmjet shteteve aleate ortodokse ballkanike, duhet thënë se kjo fazë ishte ndër më tragjiket për ekzistencën fizike të shqiptarëve, sikundër edhe për vlerat e tyre kulturore. Ishte periudha kur dy të tretat e tokave shqiptare ranë nën sundimin sllavo-grek, ndërsa si tërësi qenia shqiptare u vu para pikëpyetjes së ekzistimit.