Në një bisedë në studion e TV-Diellit, veprimtari, luftëtari i lirisë, eprori i UÇK-së tani profesor Universiteti, Izet Ibrahimi ka folur lidhur me nevojën e ngutshme që historia e Lëvizjes Nacional-demokratike Shqiptare të prezantohet në të gjitha tekstet shkollore të historisë, meqë ishte një lëvizje e mirëfilltë dhe autentike shqiptare.
Ajo lëvizje nuk ishte parti balliste as komuniste por parti nacionaliste, e cila kishte synim bashkimin e trojeve etnike shqiptare, që edhe ashtu kishte ndodhur në kohën e regjimit italo-shqiptar.
Izet Ibrahimi është edhe nip i atdhetarit, Sokol Brahimi, i cili së bashku me Arif Shalën e njohur si Hoxhë Avdia dhe Izet Murat Gjoshin, kishin zhvilluar një aktivitet të jashtëzakonshëm në masovizimin e NDSH-së e sidomos në mbajtjen e suksesshme të Kongresit të Pestë dhe vendimtar të NDSH-së, më 25 korrik të vitit 1946, në pyjet e Blinajës, (ish-Lypovicë).
Pasi ka folur për jetën dhe veprimtarinë e tij në lëvizjet atdhetare të kohës, pastaj në radhët e UÇK-së, së bashku me Jakup Krasniqin, mjekun e parë të luftës, Hafir Shala ( i cili konsiderohet i zhdukur qe 21 vjet), pastaj Shaban Shalën, Idriz Hysenin, komandant Fehmi Lladrovcin e shumë të tjerë, ai ka shfletuar edhe të dhëna me interes të riorganizimit të jetës pas luftës kur ka qenë edhe kryetar i parë i Drenasit në Qeverinë e përkohshme të Kosovës, më vonë kryetar i zgjedhur me votat e popullit.
Izet Ibrahimi, krahas punës në Universitetin e Mitrovicës, ka filluar të merret intensivisht edhe me historikun e Lëvizjes nacional-demokratike shqiptare dhe është në përfundim të një monografie gjithëpërfshirëse të kësaj Lëvizjeje me theks të veçantë të aktivitetit atdhetar, organizativ dhe politik të NDSH-së, Arif Shala, pastaj gjyshi i tij Sokol Brahimi dhe Izet Murat Gjoshi e shumë luftëtarë të tjerë të Drenicës e më gjerë.
Në bashkëbisedim me kryeredaktorin e TV-Diellit, profesor Ahmet Qeriqi, është shtruar nevoja e ngutshme që të organizohet dhe të mbahet një konferencë tematike, apo institucionet të organizojnë një simpozium shkencor lidhur me rolin dhe ndikimin që ka ushtruar LNDSH-ja, në rrugën e çlirimit dhe bashkimit kombëtar, pa mbështetur programin e Partisë Balliste, e cila nuk ishte shtrirë në Kosovë, pos as programin e forcave partizane komuniste, të cilat kishin shfuqizuar Rezolutën e Konferencës së Bujanit ( 31 dhjetor 1943- 1 dhe 2 janar të vitit 1944), lidhur me të drejtën e Vetëvendosjes së shqiptarëve pasi luftës kundër fashizmit. Konferenca e Bujanit ishte karrem për shqiptarët liridashës, por komunistët e Beogradit dhe ata të Kosovës, shfuqizuan rezolutën dhe në korrik të vitit 1945, nën presionin sistematik të Beogradit, votuan mbetjen e Kosovës nën Serbi.
Profesor, Izet Ibrahimi, u ka bërë thirrje institucioneve relevante, studiuesve të NDSH-së, historianëve në përgjithësi, që të angazhohem me qëllim jo vetëm të ndriçimit, karakterit, shtrirjes, fushë veprimeve dhe aksioneve luftarake të NDSH-së, por edhe prezantimin e kësaj lëvizjeje në tekstet shkollore të historisë kombëtare në përgjithësi e në veçanti në historinë e re të Kosovës dhe viseve ende të pabashkuara me Shqipërinë dhe Kosovën.
Gjatë bisedës në studion e TV-Diellit, profesor doktor, Izet Ibrahimi ka folur edhe për angazhimin e tij lidhur me historikun e NDSH-në prej vitit 1992, kur për herë të parë pas 45 vitesh qëndrimi në Shqipëri e në vende të tjera, kishte ardhur në Kosovë, Istref Sheqa, (Hoti) i cili kishte qenë një kuadër i fortë dhe i pakompromis i NDSH-së, pastaj ai kishte mbledhur shkrime e shënime që kishin të bënin me këtë Lëvizje, duke i sistemuar në monografinë e tij për NDSH-së e cila së shpejti do të dalë në dritë.
Duke folur për platformën, dokumentet bazike, orientimin programor dhe synimin e parë e final të ideatorëve të NDSH-së, profesor Izet Ibrahimi ka veçuar me këtë rast mbrojtjen para hetuesisë së OZN-së, të njërit prej ideatorëve të NDSH-së, Gjon Serreçi, më 10 prill të vitit 1947 ka pranuar të kishte thënë se “duhet të formohet Organizata dhe se kjo nuk është organizatë balliste, por është Organizatë Nacional Demokratike Shqiptare, e cila ka për qëllim luftën kundër rendit ekzistues shoqëror në Jugosllavinë e sotme dhe në Shqipërinë e sotme, për krijimin e Shqipërisë etnike duke e bashkuar Kosovën në kufijtë e saj etnikë, që do t’i bashkoheshin Shqipërisë së tillë, me rendin që do ta krijonim n. Ndërrimin e rendit shtetëror e kemi planifikuar ta zbatojmë me intervenimin e fuqive të mëdha, të jashtme siç janë: Anglia dhe Amerika dhe me ndihmën e fuqive të armatosura, që ishin në male, të cilat do të ngriheshin për ta marrë pushtetin në duart e veta.…”
Ky parashikim gati profetik i Gjon Serreçit ishte bërë realitet në vitin 1999, me intervenimin e Amerikës, Anglisë dhe shteteve të NATO-s kundër Serbisë shqiptarë-vrasëse të Milosheviqit, dhe me luftën e forcave të UÇK-së që ishin në male, në luftë për çlirimin e Kosovës.
Prishtinë
- 11. 2019