Prof. dr. Jeton Kelmendi :KUR LIDERI POLITIK I MUNGON DHE KUR I TEPRON POPULLI

Prof. dr. Jeton Kelmendi: KUR LIDERI POLITIK I MUNGON DHE KUR I TEPRON POPULLI

Lidershipi politik ka një detyrë parësore: të jetë në shërbim të popullit. Një lider i përgjegjshëm është ai që e kupton momentin kur duhet të marrë masa për të ndihmuar qytetarët dhe kur duhet të jetë i sinqertë me ta. Në shumë raste, liderët mungojnë pikërisht atëherë kur janë më të nevojshëm dhe e teprojnë kur prania e tyre bëhet e padobishme, madje e dëmshme. Në ketë kontekst, lideri është figura që duhet të ofrojë vizion, stabilitet dhe mbështetje për qytetarët e vet. Kur lideri i mungon popullit, ai dështon të përmbushë rolin e tij në adresimin e nevojave dhe sfidave të përditshme. Nga ana tjetër, kur ai i tepron popullit, shpesh e bën këtë përmes një qasjeje populiste, duke ofruar realitete të shtrembëruara ose duke minimizuar problemet që e prekin shoqërinë. Ky fenomen nuk është i izoluar dhe mund të vërehet në raste të shumta në nivel ndërkombëtar dhe poashtu edhe në Kosovë. Një shembull i qartë i kësaj dinamike është mënyra se si Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ushtron udhëheqjen e tij, duke alternuar mes mungesës së tij në çështje jetike për qytetarët dhe ekzagjerimit të realitetit kur vjen puna te sukseset e qeverisë së tij.

Kur Lideri i mungon Popullit

Një lider i mungon popullit kur ai nuk është i pranishëm në vendimmarrje dhe nuk adreson sfidat e përditshme që prekin shoqërinë. Kjo mungesë nuk duhet kuptuar vetëm në aspektin fizik, por edhe në mungesën e veprimit dhe zgjidhjeve të duhura për problemet ekonomike, sociale dhe politike. Në Kosovë, shumë qytetarë ndihen të braktisur nga qeveria, sidomos kur përballen me vështirësi ekonomike dhe mungesë të stabilitetit. Një nga aspektet kryesore ku Albin Kurti i mungon popullit është ekonomia. Inflacioni i lartë ka ndikuar ndjeshëm në fuqinë blerëse të qytetarëve të Kosovës, ndërsa qeveria e tij nuk ka ndërmarrë masa të qarta për të ulur koston e jetesës. Çmimet e produkteve bazë janë rritur ndjeshëm, ndërkohë që qytetarët kanë kërkuar ndërhyrje më të mëdha nga shteti për të ndihmuar familjet me të ardhura të ulëta. Në vend që të ofrojë politika të qarta për kontrollin e inflacionit, qeveria shpesh i ka justifikuar këto zhvillime duke i atribuar faktorëve të jashtëm, si kriza globale apo lufta në Ukrainë.

Një tjetër aspekt ku Kurti i mungon popullit është siguria. Rritja e tensioneve në veri të Kosovës ka treguar se qeveria nuk ka një strategji të qartë për të garantuar një stabilitet të qëndrueshëm. Përplasjet me komunitetin serb në veri, si dhe tensionet me Serbinë, shpesh janë trajtuar me masa të përkohshme dhe pa një plan afatgjatë për një zgjidhje të qëndrueshme. Këtu duhet kujtuar edhe faktin se institucionet shtetërore janë përplasur shpesh edhe me organet dhe mekanizmat ndërkombëtar. Më tej, çështja e investimeve të huaja është një tjetër pikë ku lideri i mungon popullit. Kosova ka nevojë për një ekonomi të qëndrueshme dhe një rritje të punësimit, por investimet e huaja mbeten në nivele të ulëta. Kurti ka promovuar një narrativë të sovranitetit ekonomik, por nuk ka krijuar një ambient të favorshëm për bizneset ndërkombëtare që të investojnë në Kosovë. Kjo ka rezultuar në një stagnim ekonomik dhe në mungesën e mundësive të reja për qytetarët. Kurse mungesa më e madhe e liderit është zero njohje për katër vite të qeverisjes katër vjeçare.

Kur Lideri i tepron Popullit

Në ketë kuptim, një lider i tepron popullit kur realitetin e vështirë të vendit e paraqet ndryshe nga ç’është në të vërtetë. Kjo qasje populiste shfaqet kur lideri deklaron se gjithçka po shkon në drejtimin e duhur, ndërkohë që shifrat dhe faktet tregojnë të kundërtën. Një nga shembujt më të qartë se si Albin Kurti i tepron popullit është mënyra se si ai paraqet marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës. Kryeministri shpesh deklaron se Kosova ka marrëdhënie të shkëlqyera me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, por realiteti është ndryshe. Në fakt, Kosova është nën masa ndëshkuese nga BE-ja dhe marrëdhëniet me SHBA-të janë tensionuar, siç tregohet nga fakti se Kurti ende nuk ka hyrë në Shtëpinë e Bardhë për një takim zyrtar me administratën amerikane. Për një lider që pretendon të ketë marrëdhënie të mira ndërkombëtare, kjo është një tregues i qartë se ai po i tepron popullit me retorikën e tij.

Një tjetër shembull i kësaj qasjeje është menaxhimi i situatës në veri të Kosovës. Kurti ka pohuar se qeveria e tij ka forcuar sovranitetin e Kosovës në atë rajon, por realiteti ka treguar një përkeqësim të situatës, me përplasje të shpeshta dhe tensione të larta. Në vend që të pranojë sfidat dhe të kërkojë ndihmë nga aleatët ndërkombëtarë për një zgjidhje më të qëndrueshme, Kurti vazhdon të këmbëngulë se qasja e tij ka qenë e suksesshme. Një tjetër rast ku lideri i tepron popullit është premtimi i reformave të mëdha që mbeten të paplotësuara. Gjatë fushatës zgjedhore, Kurti premtoi ndryshime të mëdha në administratë, ekonomi dhe drejtësi. Megjithatë, shumë nga këto reforma mbeten vetëm deklarata, ndërsa qytetarët presin përmirësime të prekshme në jetën e tyre të përditshme.

Kur lideri duhet të jetë aty dhe kur duhet të largohet

Një lider i vërtetë duhet të jetë i pranishëm kur vendi dhe populli kanë nevojë për të. Ai duhet të marrë vendime kur ekonomia është në krizë, të mbështesë qytetarët kur çmimet rriten, dhe të krijojë politika që ndihmojnë bizneset dhe investitorët. Kur këto veprime mungojnë, atëherë lideri i mungon popullit. Në të kundërt, një lider bëhet i tepërt kur e shmang realitetin dhe mundohet ta paraqesë situatën ndryshe nga ç’është në të vërtetë. Kur ekonomia është e dobët, raportet ndërkombëtare janë problematike dhe qytetarët janë të pakënaqur, por lideri vazhdon të thotë se gjithçka është në rregull, ai nuk i ndihmon njerëzit, por përkundrazi, i tepron.
Rasti i Albin Kurtit është një shembull tipik i një lideri që në disa raste i mungon popullit, ndërsa në raste të tjera i tepron. Kur mungesa e tij ndjehet në ekonomi, siguri dhe politika sociale, qytetarët përballen me vështirësi që mund të ishin lehtësuar përmes një qeverisjeje më aktive dhe më të përgjegjshme, natyrisht me njerë profesionist e jo si këta që ka. Në të njëjtën kohë, ai i tepron popullit duke krijuar një narrativë të suksesit, edhe kur faktet tregojnë të kundërtën.

E kur jemi deshmitar të një reliteti kaq të hidhur, qytetarët duhet të jenë vigjilentë dhe të kërkojnë që liderët e tyre të jenë të sinqertë, të përgjegjshëm dhe të gatshëm për të marrë vendime që vërtetë i shërbejnë interesave të popullit, e jo assesi ta mbështesin verbërisht, sepse pasojat do të jenë edhe më të mëdha. Përndryshe largimi sa më shpejt nga qeverisja e liderit që i ka këto dy pika është akt imediat.

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Halimi: DISA FJALË RRETH DISA PASAKTËSIVE TË ANALIZËS SË AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË KOSOVËS

Bedri Halimi: Thekse nga deklarimet e disa personaliteteve botërore për bombardimin e Serbisë më 1999

Po japim theksime nga deklarimet publike të disa personaliteteve botërore për luftën dhe pjesëmarrjen e …