Më datë 8 prill 2019, në gazetën “X” lexova artikullin e Geri Selenicës “Pse duhet të kemi mirënjohje për Italinë fashiste” dhe nuk u zura besë syve.
Kaq shumë të jetë verbuar autori i këtij shkrimi nga urrejtja kundër diktaturës së majtë komuniste?
A thua të ketë harruar se qoftë një diktaturë e majtë, qoftë një e djathtë janë njësoj diktatura?
Që një pushtues mbetet pushtues dhe s’mund ta blejë lirinë e një populli tjetër, as me ndërtime, as me shkolla, as me spitale?
Që dinjitetin një popull e fiton vetë me punë dhe përpjekje dhe askush s’mund t’ia dhurojë? (Autori i artikullit pretendon se Italia fashiste i paska dhënë Shqipërisë një dinjitet që s’paskej pasur kurrë më parë !!)
Ai pohon se “Italia fashiste mori vendimin që Shqipërinë ta merrte në krahun e saj dhe ta civilizonte, emanciponte (!!!)
Po me ç’të drejtë e paskej marrë këtë vendim?
Kush ia fali asaj Shqipërinë?
Perëndia që s’bën dallim midis popujve të mëdhenj e të vegjël që kanë secili të drejtat e tyre?
(Ata që s’besojnë në perëndi mund t’i referohen nënës natyrë, një entitet njësoj i paanshëm!)
Demokracitë europiane që qëndruan indiferentë ndaj këtij veprimi arbitrar dhe të egër? (një indiferencë mizore!)
Vetë shqiptarët që, me gjithë pabarazinë e skajshme të forcave ushtarake, e mbrojtën lirinë e vet me pikën e fundit të gjakut, siç dëshmon flijimi i Mujo Ulqinakut dhe shokëve të tij ?
A s’ia kishin bërë të njëjtën pritje Italisë fashiste, para tre vjetëve, abisinasit pushtuesit “qytetërues”?
Shkruesja e këtyre radhëve ka në dejtë e saj, përveç gjakut shqiptar të të atit, gjakun e së ëmës italiane që erdhi në atdheun e saj të dytë në vitet 30-të, për të ndarë fatin dhe vështirësitë me njeriun që dashuronte, tim atë që brodhi si mësues në qoshe të ndryshme të Shqipërisë (Korçë, Shkodër, Delvinë, Bilisht, sërish Korçë, mandej Tiranë), herë me rrogë, herë pa rrogë, dhe s’reshti kurrë së edukuari rininë shqiptare, pasi kishte studiuar në Austri dhe në Itali; gjakun e nënës që luftoi me penën e vet bashkë me motrat shqiptare si poete, kritike, përkthyese, në një kohë kur gratë ishin mbyllur në vatrën familjare, për emancipimin e tyre dhe të vendit të tyre që u bë i saji, që i edukoi vajzat e reja në shkollën pedagogjike ku pati kolege motrën e Migjenit (janë ende gjallë nxënëse të asaj shkolle që e mbajnë mend mësuesen e butë dhe të dashur Jolandë).
Prindërit e mi demokratë s’iu përulën kurrë, as diktaturës së djathtë fashiste, as diktaturës komuniste, ndonëse kjo e fundit e ndau nënën në të gjallë nga atdheu dhe njerëzit e saj dhe ia shkurtoi jetën përmes mallit të pashuar që e shoqëroi ndër vite. Megjithatë deri në çastin e fundit nëna ime luftoi që shkrimtarët e shquar shqiptarë të njiheshin nga Europa në gjuhën e bukur italiane.
“Populli i madh italian”, siç e quan autori i artikullit, s’mund të identifikohet kurrsesi me një diktaturë të hekurt që i çoi në burgje, kampe përqendrimi dhe vdekje shumë nga bijtë e tij dhe i përdori si mish për top shumë bij të tjerë në një luftë të çmendur, të lindur nga ambicia e çmendur e një diktatori.
Populli shqiptar nuk luftoi kurrsesi kundër popullit vëlla italian, kulturën e të cilit e kishte pasur model, ndonëse u detyrua të mbrohej nga qeveria fashiste. Këtë e provon dashuria vëllazërore me të cilën shqiptarët strehuan ndër vatrat e tyre ish armiqtë e mundur dhe i mbrojtën me rrezikun e jetës së vet nga persekutimi nazist, me të cilën pranuan që një pjesë të italianëve të bashkohen me ta në luftën kundër pushtuesve hitlerianë, duke i rilindur kështu nderin popullit të tyre.
Edhe në kohën e sotme ka pasur italianë që kanë pranuar me bujari në gjirin e tyre emigrantët që largoheshin nga Shqipëria e munduar dhe e varfëruar në një eksod të dëshpëruar dhe u dhanë mundësi integrimi.
Burri i motrës sime dhe djali im i adoptuar i kanë falur Italisë plot njëzet vjet jetë. Në Itali kanë lindur nipi dhe mbesa ime.
Edhe sot njerëzit e mi ruajnë respektin më të madh për popullin italian.
Edhe mua më ka lidhur me një urë të fortë me këtë popull dashuria për letërsinë e arbëreshëve që janë bij të dy kulturave, letërsi për t’’i dhënë dritë së cilës kam bashkëpunuar me universitetet italiane.
Dashuria midis popujve është më e fortë se të gjithë diktaturat dhe nacionalizmat e skajshme që mbjellin urrejtjen midis tyre. Po kjo dashuri nënkupton respektin e ndërsjellë të lirisë dhe të drejtave të secilit popull.
Shqipëria e sotme është në një kaos të plotë politik, ideologjik, ekonomik, etik, e përfshirë në një përçarje ku nuk dallohen më as partitë e djathta, as partitë e majta në luftën për pushtet.
Megjithatë atdheu ynë ka ende bij të cilët ia ruajnë vlerat tradicionale të besës dhe krenarisë (besoj se nuk shprehem me retorikë nacionaliste). Ata bij janë të vetëdijshëm që nuk shkohet drejt Europës, duke humbur identitetin kombëtar apo duke himnizuar diktaturat e çdo lloji, po duke luftuar për ruajtjen e pasurisë sonë shpirtërore dhe kulturore, për gjuhën tonë të lashtë, origjinale dhe të bukur (që mbetet e tillë edhe pa mitizimet romantike) për mbrojtjen e të drejtave të popullit dhe jo për liderët dhe partitë e ndryshme dhe, duke respektuar vlerat e popujve të tjerë.