Interesimi im për veprën e Samiut filloi që nga viti 1982 kur gjatë një qëndrimi në Turqi për hulumtime shkencore më ra në dorë romani i tij “Taaººuk-i Talat ve Fitnat”, i cili, sipas historianëve të letërsisë turke është romani i parë në letërsinë moderne turke. Romani më pëlqeu dhe e përktheva atë vit në gjuhën shqipe. Fillimisht u botuan disa fragmente në “Jeta e Re”, “Fjala”, “Flaka” etj. për t’u botuar i plotë dhe për herë të parë në gjuhën shqipe më 1984 në serinë e botimeve të veprës së Sami Frashërit nga Shtëpia Botuese “Rilindja” në Prishtinë. Romani u prit shumë mirë nga lexuesi shqiptar. Kjo për mua ishte një nxitje që në vazhdimësi t’i përkushtohem veprimtarisë së Samiut duke studiuar dhe përkthyer edhe vepra të tjera të tij, të panjohura ose fare pak të njohura deri atëherë për lexuesin shqiptar, si: Personalitetet shqiptare në Kamus al-a’lam të Sami Frashërit; Medeniyyet-i Islamiyye (Qytetërimi islam); Lisan (Gjuha); Letaif (Anekdota) dhe, për të nderuar personalitetin shkencor e patriotik të tij, më 2004, kur ishin mbushur 100 vjet prejse Samiu ishte ndarë nga kjo botë, pra me rastin e Jubileut të madh, Shtëpia Botuese Logos-A në Shkup, në krye të së cilës është zotëria mr. Adnan Ismaili, dashamirës i kulturës, kishte në projekt të botonte veprën më të plotë të Samiut në gjuhën shqipe. Ai shprehu dëshirën që ky botim të plotësohet edhe me vepra të tjera të Samiut. Kjo dëshirë e tij qe dhe dëshira ime. Prandaj, mora përsipër të zgjedh disa vepra të enciklopedistit Sami, të cilat do të botoheshin për të parën herë në gjuhën shqipe: Gök (Qielli); Yer (Toka); Insan (Njeriu); Yine Insan (Përsëri njeriu); Esatir (Mitologjitë). Megjithëse, duke mbajtur parasysh se këto vepra janë me shkrimin arab-osman, kohën kur janë shkruar, stilin e gjuhës së Samiut, përdorimin e terminologjisë shkencore (nga astronomia, gjeologjia, antropologjia, anatomia krahasimtare dhe mitologjia), të cilën Samiu, si filolog dhe gjuhëtar i shkëlqyeshëm e ka përdorur herë arabisht, herë persisht, herë turqisht, e herë në gjuhët evropiane, realizimi i këtij projekti për një kohë relativisht të shkurtër nuk ka qenë punë e lehtë. Por të gjitha vështirësitë janë kapërcyer me dëshirën e madhe që në këtë mënyrë të plotësohej literatura shqipe e këtyre fushave, nga njëra anë, dhe të nderohej autori i tyre, dijetari i madh shqiptar i shekullit 19, Sami Frashëri. Përkthimi dhe botimi i këtyre veprave në gjuhën shqipe ka qenë i mirëpritur, sepse shumë studiues shqiptarë i kanë shfrytëzuar këto vepra për studimet e tyre.
Për Sami Frashërin janë shkruar deri më tash shumë studime e shkrime të rëndësishme, prej të cilëve do të përmendim disa. Dhe, pas gjithë këtyre shkrimeve, shtrohet pyetja se a ka mbetur diçka pa u thënë për të? Duke u thelluar më tej në veprën origjinale të tij, më duhet të them se ka pasur të drejtë profesor Hasan Kaleshi, kur në punimin e tij “Sami Frashëri në Letërsinë dhe Filologjinë turke” thotë se vepra e Sami Frashërit është studiuar njëanshëm dhe nuk është bërë për të një monografi e plotë dhe gjithëpërfshirëse. Këtë e meriton Samiu, thotë Kaleshi.
2. Sami Frashëri lindi në Frashër më 1 qershor të vitit 1850. Mësimet e para i mori në fshatin e lindjes. Në moshën nëntëvjeçare i vdiq i ati, e dy vjet më vonë edhe e ëma. Prandaj, për të dhe për tërë familjen do të përkujdesej vëllai më i madh, Abdyli. Meqë Frashëri ishte vend malor, Abdyli nuk shihte ndonjë të ardhme aty, prandaj, për t’u mundësuar shkollimin vëllezërve të tij më të vegjël dhe për të krijuar kushte më të mira, vendosi ta shpërngulte familjen në Janinë. Pasi u vendosën në Janinë në vitin 1861, Samiu bashkë me të vëllanë, Naimin, u regjistrua në gjimnazin e njohur Zosimea, të cilin e mbaroi para kohe: për shtatë vjet në vend për tetë sa ishte paraparë , gjë që tregon aftësitë intelektuale të tij. Samiu këtu kishte marrë njohuri për greqishten e vjetër dhe të renë, latinishten, frëngjishten, italishten, si dhe për historinë, historinë e natyrës, gjeografinë, matematikën, filozofinë, kozmografinë, anatominë etj. Do theksuar se Samiu, krahas vijimit të mësimit në gjimnaz, do të vazhdojë të mësojë në mënyrë sistematike, ashtu si në Frashër, edhe turqishten, arabishten dhe persishten te myderrizi Jakup Efendiu.
Për shkencëtarin tonë të ardhshëm edhe Janina, që asokohe ishte kryeqytet i vilajetet të Janinës, u bë e vogël. Samiu, pasi punoi aty nja 2-3 vjet pas mbarimit të gjimnazit, më 1871, si 21 vjeçar, do të shpërngulej edhe nga Janina për t’u vendosur në ndonjë qendër më të përshtatshme. E zgjodhi Stambollin, atëherë kryeqendër e Perandorisë Osmane, ku dhe vdiq më 18 qershor 1904.
Samiu këtu në Stamboll nuk priti shumë, sepse ende pa u vendosur mirë, menjëherë u hodh në botën e letrave. Arsyet për një nguti të tillë mund të kenë qenë, nëse mund të shprehem kështu, për tri arsye kryesore:
E para, për shkak se i porsaardhur në një rreth të ri, në një ambient të panjohur, duhej të punonte shumë për të siguruar disi kafshatën e gojës ose, së paku, për të krijuar kushte më të mira jetese për vete;
E dyta, për shkak të rrethanave politike jo të qëndrueshme, kulturore të ulëta dhe sociale të mjerueshme që kishin përfshirë Perandorinë. Ishte fundshekulli i 19-të, plotë ngjarje e kthesa;
E treta, për shkak se duhej të shpërthente e t’i përhapte njohuritë e akumuluara në atë moshë djaloshare, të fituara në Frashër e në Janinë. Dhe, vërtet, mund të bindemi se kjo pikë mund të jetë e saktë dhe e qëndrueshme sepse ai do të shprehet vazhdimisht në shkrimet e tij të mëpastajme se punon për të qenë i dobishëm edhe për të tjerët, sipas motos “ç’bënë paraardhësit për ne, e ç’bëjmë ne për pasardhësit.”
Njohja thellësisht e gjithë atyre gjuhëve, të Lindjes e të Perëndimit, mësimi sistematik i fushave të ndryshme të dijes, guximi shkencor e intelektual, i ndihmuan Samiut, këtij gjeniu, të shtrihet e të shkelë në shumë disiplina kulturore e shkencore, duke filluar nga viti 1872, kur del për herë të parë me shkrime para opinionit, e deri në vdekje më 1904.
Të shkruash gjithë ato vepra ( e kam thënë edhe më parë dhe detyrohem ta them përsëri, mbi 65 vepra , disa me më shumë vëllime, ose shprehur me faqe, mbi 20 mijë faqe, pa llogaritur veprat e tij në dorëshkrim dhe artikujt e shumtë nëpër gazetat e revistat e kohës) me tema nga më të ndryshmet (për disa prej tyre nismëtar) dhe në gjuhë të ndryshme: shqip, turqisht, arabisht, frëngjisht etj., për një periudhë, siç del aty, 32 vjeçare, është pa diskutim punë e madhe, punë që vetëm mendja e ndritur e Samiut ka mund ta bëjë.
Si studiues i veprës origjinale të Samiut kam vënë re në të dy gjëra kryesore: 1. se të gjitha veprat dhe punimet e tij, ndonëse para njëqind e sa vitesh, janë punuar e shkruar në atë mënyrë që janë thuajse në përputhje me kriteret e sotme shkencore: kanë qëllimin, hyrjen, brendinë dhe përfundimin dhe, sado e vogël të jetë vepra, megjithatë, të bën të besosh se tema është shtjelluar në tërësi; kjo do të thotë se Samiu ka njohur shumë mirë teknikën dhe metodologjinë e punës shkencore dhe, 2. temat që trajton Samiu nuk janë tema të zgjedhura rastësisht, domethënë se kanë një pikësynim, gjë që tregon se Samiu ka ndjekur në vazhdimësi dhe me kujdes jetën e shoqërisë përgjithësisht.
Për të pasur një ide se në cilat fusha të dijes lëvroi Samiu, do të ndalemi në disa prej tyre ose së paku në një vepër përfaqësuese të asaj fushe, sepse të përfshihen të gjitha do të duhej të shkruheshin disa monografi. Madje ky punim nuk synon atë.
3. Samiu punën e tij krijuese e nisi njëkohësisht në gazetari dhe në letërsi, jo rastësisht. Unë mendoj se jo vetëm për shkak se, siç është bërë zakon të thuhet “për t’u stërvitur në gjuhën turke, ku ai çalonte në fillim”. Kjo, natyrisht, ka mundësi të jetë një arsye, sepse Samiu në fund të fundit gjuhë të nënës e kishte shqipen. Por, gjykuar sipas shkrimeve të Samiut të publikuara nëpër gazetat e kohës, mendoj se hyrja e tij në gazetari ka qenë më shumë kërkesë e kohës, sepse çështjet dhe problemet sociale, politike, kulturore e diturore kërkonin zgjidhje të meritueshme, me fjalë të tjera, Samiu do t’i shfrytëzonte ato si mjet për mbrojtjen e interesave dhe të drejtave të shoqërisë përgjithësisht dhe të shoqërisë shqiptare në veçanti. Kjo mund të shihet në gazetën Zëdhënësi i Lindjes (Tercuman-i ªark), redaktor i së cilës nga numri 74 deri në numrin 179 qe Samiu , kohë kjo që përkon me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe të mbajtjes së Kongresit të Berlinit (1878), vendimet e të cilit dihen fare mirë nga historia – në kurriz të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Artikujt e botuar në këto numra të kësaj gazete me titujt: Çështja e Lindjes – Kongresi; Intrigat e sllavëve dhe të grekëve; Duke provuar të vërtetën; Të dhëna statistikore mbi Epirin dhe shumë artikuj me titujt “Shënime politike”, janë dëshmi e mjaftueshme që tregojnë luftën e vazhdueshme që ka zhvilluar Samiu me pendën e tij për zgjidhjen e çështjes së pazgjidhur shqiptare.
Edhe botimi i revistës së përjavshme letrare, shkencore dhe artizanale Hafta (Java), botuar në Stamboll më 1298/1881 në 20 numra (1-20) me gjithsej 320 faqe, e cila fund e krye është shkruar nga vetë Samiu, ka një qëllim të caktuar: është në funksion të ngritjes së nivelit të shoqërisë nga aspekti arsimor, letrar e shkencor. Është me të vërtetë revistë shumë serioze, është thesar temash. Në të përfshihen mbi 70 tema që kanë të bëjnë me edukimin, arsimin, kulturën, fizikën, kiminë, gjuhën, letërsinë, higjienën, historinë, qytetërimin, filozofinë, pikturën, muzikën etj. Në dy faqet e fundit të çdo numri të revistës Hafta, Samiu ka botuar dhe: kuriozitete (çudira), fjalë të urta, anekdota dhe gjëegjëza, natyrisht, për të kënaqur edhe lexuesit e tyre. Samiu ka nxjerrë vetë edhe revistën Aile (Familja) në tri numra.
4. Jo rastësisht Samiu që në fillim të krijimtarisë së tij hyn edhe në fushën e letërsisë. Në vitin 1872, si 22 vjeçar ai do të botojë veprën e tij të parë origjinale, romanin Taaººuk-i Talat ve Fitnat (Dashuria e Talatit me Fitnetin). Botimi i këtij romani, pa hyrë në analizën e thellë të tij, ka dy vlera të përgjithshme, njëra i takon aspektit historik, sepse, siç u tha më lart, si roman i parë modern, hap një kapitull të ri në letërsinë moderne turke dhe tjetra i takon aspektit tematik, sepse trajton një problem të rëndë shoqëror që mbretëronte në atë kohë të disa popuj nën Perandorinë Osmane, prandaj edhe te populli shqiptar-martesa e vajzave pa përfillur dëshirat e tyre. Për Samiun ka edhe një vlerë më tepër, sepse ai, sipas njohurive tona, është i pari shqiptar që shkruan romane. Sipas historianëve të letërsisë, Samiu shkruan edhe dy romane që kanë mbetur dorëshkrim. Kontributi i Samiut në fushë të letërsisë nuk është i vogël as në dramaturgji. Edhe në këtë gjini letrare Samiu radhitet ndër dramaturgët e parë në letërsinë turke pas Ibrahim Shinasiut dhe Namik Qemalit.
Në këtë fushë Samiu doli i suksesshëm, duke shkruar gjashtë drama, tri prej të cilave botohen: Besa, yahud Ahde-i Vefa (Besa ose premtimi i dhënë), Seydi Jahja dhe Gave.
Ndonëse Samiu tani ndodhej larg atdheut dhe popullit të tij, ai, megjithatë, jetonte shpirtërisht me të, i mbante lidhjet shpirtërore me të, nuk i shkëpuste ato lidhje. Prandaj, një natë të fundit të shkurtit të vitit 1874 shfrytëzon imagjinatën dhe kapacitetin intelektual e krijues të tij. Temën që e kishte marrë me vete nga trualli i tij shekullor dhe nga populli i vet që s’e harroi kurrë, Samiu do ta nxjerrë në letër për një kohë shumë të shkurtër, për jo më shumë se dy javë, duke shkruar veprën letrare, dramën “Besa”. Qëllimin dhe zgjedhjen e kësaj teme, nuk është vështirë për ta kuptuar dhe për ta identifikuar. Po t’i referohemi parathënies së veprës “Besa”, do të vëmë re se Samiu nuk ka lënë zbrazëti e as dykuptimësi për t’u kuptuar. “Ideja për të shkruar një vepër teatrale ku do të dilnin në shesh disa virtyte e zakone të popullit shqiptar kishte kapluar fantazinë time që prej kohësh – thotë Samiu në parathënien e saj. Këtë e kam bërë – vazhdon Samiu – jo pse i takoj këtij populli (popullit shqiptar), por për shkak se kam vënë re se te ky popull ka disa cilësi e vlera të larta, siç janë dashuria për atdheun, flijimi për të, mbajtja e besës a fjalës së dhënë etj. që meritojnë të vihen në skenë.” Është për t’u befasuar se përkthyesi i saj, Abdyl Ypi, nuk e kishte përkthyer këtë parathënie të rëndësishme, ku shfaqen shumë koncepte të Samiut. Pas të gjitha gjasave parathënien e përmend për herë të parë prof. Hasan Kaleshi Në dramën “Besa” trajtohen edhe shumë tema të tjera nga jeta shqiptare, si: problemi i dashurisë për punën, problemi i hakmarrjes, angazhimi i femrës shqiptare për mirëmbajtjen e familjes etj. Për “Besën” janë bërë studime të shumta nga studiues të ndryshëm, sa herë që është paraqitur nevoja. Prandaj, pa u zgjatur, do të theksoja edhe këtë se drama “Besa” për herë të parë është vënë në skenë në teatrin Osman në Stamboll në mbrëmjen e 5 prillit 1874 dhe është pritur shumë mirë. Kështu shkruan në anën e prapme të kapakut të veprës.
Samiu, siç u tha edhe më lartë, ka botuar edhe dy drama origjinale: “Sejdi Jahja” , ngjarja e së cilës zhvillohet në Spanjë dhe “Gave” , ngjarja e së cilës zhvillohet në Iran.
Lista e veprave të Samiut në fushë të letërsisë është e gjatë. Aty mund të hyjnë edhe veprat: Letaif (Anekdota) , Emsal (Fjalë të urta) , vepra këto ku Samiu shpreh mendime filozofike, letrare, edukative, arsimore etj.; antologjitë: Baki’nin Esar-i Muntehabesi (Vjersha të zgjedhura të Bakiut) , Ali bin Ebi Talib Esar-i Muntehabesi (Poezi të zgjedhura të Ali Bin Talibit) , Hurdeçin (Përmbledhje e poezive të zgjedhura të poetëve persianë) . Samiu ka lënë edhe tri antologji të tjera të cilat nuk janë botuar, por kanë mbetur dorëshkrim. Do ta përmend këtu vetëm antologjinë “Zübde-i ªahname”(Thelbi i Shahnamesë).Për t’i hyrë leximit të 60 mijë vargjeve (në persisht), sa përmban “Shahnameja”, dhe prej tyre të nxjerrë thelbin e saj, Samiun e kishin detyruar dy gjera kryesore: Firdusi, autori i saj, dhe vlera e madhe e Shahnamesë. Këto vlera Samiu do t’i shprehë në parathënien e saj prej katër faqesh në osmanishte.”Shah-nameja” është një vepër, e cila meriton të përmendet si kryevepër e letërsisë persiane dhe kryevepër e letërsisë islame.
Vepra “Shahnameja” është një vepër e cila është bërë një herë dhe nuk mund të bëhet për herë të dytë. Kjo vepër është ndër ato vepra të rralla, që kanë hyrë në histori si monumente. Kjo, së bashku me “Ramajanën” e Indisë së vjetër” dhe “Iliadën” e Greqisë së vjetër, janë vepra monumentale e madhështore, të cilat do të ekzistojnë, sa të ekzistojë bota. Ndërkaq, Firdusi, me të vërtetë është poeti më i madh i Iranit. Ai është njëri nga poetët më të mëdhenj të botës…” – kështu e nis Samiu parathënien e kësaj vepre.
Në qoftë se veprave të Samiut në fushë të letërsisë u shtojmë edhe veprat e përkthyera letrare nga gjuhë të ndryshme sidomos nga gjuha frënge , numri i tyre do të rritet shumë, në rreth 20. Kjo tregon se analiza e ideve letrare të Samiut në përgjithësi, të përfaqësuara në këto vepra dhe në shkrime të tjera të tij, të botuara nëpër gazeta e revista, si dhe në ato që mbetën në dorëshkrim, mund të bëhet vetëm në suaza të një monografie të veçantë.
5. Sami Frashërin, këtë dijetar të madh, e shqetësonte së tepërmi mënyra e të mësuarit të nxënësve nëpër shkolla. Kjo mënyrë e mësimdhënies dhe përgatitja e teksteve shkollore për Samiun ishte e vjetruar dhe tani e tejkaluar. Për t’u dalë në ndihmë nxënësve që “jo të mundohen shumë e të fitojnë pak, por të mundohen pak e të fitojnë shumë”, Samiu, duke shfrytëzuar sigurisht tekstet shkollore të përgatitura në Evropë dhe përvojën e tij personale, do të nis hartimin dhe botimin e serisë së veprave didaktike, të teksteve shkollore. Edhe në këtë fushë Samiu do të jetë shumë i suksesshëm, sepse nga mendja dhe dora e tij do të dalin disa vepra shkollore për të gjitha nivelet. Në gjuhën shqipe për këtë qëllim do të botojë veprat “Abetare e gjuhësë shqip”, “Dheshkronjë”, “Shkronjëtore e gjuhësë shqip” etj. Këto tekste Samiu ynë i bëri në kohë të duhur, në kohën kur shqiptarët dhe shkolla shqipe kishin nevojë më së shumti për to. Në veprën “Abetarja e gjuhësë shqip”, e vogël për nga vëllimi, por me peshë të rëndë kulturore e shoqërore u shfaqen edhe një herë dhuntitë e jashtëzakonshme të Samiut si pedagog, si psikolog, si gjuhëtar, si shkrimtar dhe në të njëjtën kohë mendimi i tij i lartë patriotik. Tekstet e përfshira në të, Samiu i kishte zgjedhur në mënyrë që së bashku me mësimin e gjuhës amtare t’u ngjallë fëmijëve ndjenja fisnike si dashurinë për punë e dituri, respektin për njerëzit dhe mbi të gjitha dashurinë për gjuhën shqipe dhe për Shqipërinë. Sa për vlerën e veprës “Shkronjëtore e gjuhësë shqip”, që njihet si Gramatika e gjuhës shqipe e Sami Frashërit, fjalën e vet e kanë thënë specialistët e kësaj fushe: prof. Idriz Ajeti, prof. Rexhep Ismajli, prof. Anastas Dodi etj. sa herë që ka qenë e nevojshme. Edhe për mësimin e arabishtes dhe turqishtes Samiu përpiloi disa vepra didaktike, si: Tasrifat-i Arabiyye (Lakimet arabe); Kavaid-i Sarfiyye-i arabiyye Rregullat e gramatikës arabe); Kavaid-i Nahviyye-i Arabiyye (Rregullat e sintaksës arabe); Tatbikat-i Arabiyye (Ushtrime arabe); Küçük elifba (Abetare e vogël e turqishtes); Yeni Usul Elifbay-i Türki (Abetare e turqishtes sipas metodës së re); Nev Usul Sarf-i Türki ( Gramatika e turqishtes sipas metodës së re).
6. Erudicioni i Sami Frashërit shihet edhe në veprat e tij të botuara në kuadër të të ashtuquajturës Cep Kütüphanesi (Biblioteka e xhepit) në të cilën Samiu botoi 11 vepra shkencore-popullarizuese.
Biblioteka e xhepit hapet me veprën Qytetërimi islam. Edhe kësaj teme islame Samiu i hyri jo pa qëllim. I vetëdijshëm për pikëpamjet shumë të gabueshme e tendencioze që ekzistonin asokohe lidhur me qytetërimin islam, Samiu e mori për detyrë të sqarojë të mirat që i ka sjellë njerëzimit ky qytetërim, se çfarë roli luajti ai në zhvillimin e qytetërimit evropian. Ai me argumente bindëse sqaroi se ishin dijetarët islamë ata që të parët nxorën në dritë emrat e dijetarëve të lashtë grekë (Platonin, Aristotelin, Ptolemeun, Euklidin etj.) dhe veprat e tyre, duke i përkthyer ato vepra në gjuhën arabe, prej nga i morën evropianët. Kjo, thotë Samiu, është një e vërtetë që është dëshmuar sot me anë të historisë dhe për këtë nuk mund të ketë ndonjë kundërshtim, dyshim a luhatje. Edhe tezën e një grupi të dijetarëve evropianë që njëjtësonin “qytetërimin islam” me “qytetërimin arab”, Samiu e hedh poshtë kategorikisht. Edhe këtë e argumentonte me faktin se në përparimin e qytetërimit islam marrin pjesë të gjithë popujt që kanë përqafuar Islamin. Një vend të veçantë në veprën e Sami Frashërit “Qytetërimi islam” zënë arritjet e dijetarëve islamë në disiplina të veçanta të shkencës si: astronomia, kozmografia, matematika, fizika, kimia, gjeografia, shkencat natyrore, mjekësia, filozofia, jurisprudenca, letërsia, historia, duke u ndalur në zbulime të ndryshme, siç ishin zbulimi i letrës, i barutit, i busullës etj. Vepra është e mbushur edhe me shumë të dhëna të tjera faktike, por ajo që do theksuar në mënyrë të veçantë është fryma shkencore objektive që mban Samiu për qytetërimet përgjithësisht.
Dijetari ynë i madh, Sami Frashëri, në kuadër të Bibliotekës së xhepit boton një libër të veçantë me titullin “Esatir” (Mitologjitë) , vepër kjo e para e këtij lloji në gjuhët lindore. Duke hetuar mungesën e kësaj dege të historisë, e cila mësohet në shkollat perëndimore si një shkencë e veçantë dhe e respektuar me titullin “mitologji”, e kemi parë të arsyeshme e të nevojshme, thotë Samiu, të hulumtojmë e të tubojmë mitologjitë e ndryshme të popujve të lashtë, e të shkruajmë në mënyrë të përmbledhur për to. Dhe, për ta plotësuar këtë boshllëk, Samiu ndërmori botimin e kësaj vepre, duke shkruar për mitologjinë e popujve të ndryshëm të botës: të grekëve dhe romakëve; të etruskëve; të koptëve; të fenikasve dhe të kartagjenasve; të asirianëve; të sirianëve; të skitëve; të persëve; të indianëve; të kinezëve etj. Në veprën Gök (Qielli) , që është botuar po ashtu në kuadër të Bibliotekës së Xhepit, Samiu trajton çështjen e trupave qiellorë, temë kjo që i përket astronomisë. Ndërkaq, në veprën Yer (Toka) , të cilën Samiu e konsideron motër të veprës Qielli, trajton përbërjen e tokës, shtresat e saj etj. Temë qendrore e kësaj vepre pra është gjeologjia.
Në serinë e Bibliotekës së Xhepit Samiu do të botojë edhe dy vepra që bëjnë fjalë për njeriun. E para titullohet Insan (Njeriu) , kurse e dyta Yine Insan (Përsëri njeriu) . Që në fillim të veprës Njeriu, Samiu i drejtohet opinionit për të arsyetuar botimin e kësaj vepre: “Në dy veprat që i kam botuar para kësaj, thotë Samiu, kam bërë fjalë për qiellin dhe tokën, Pasi është bërë fjalë për krijime aq të mëdha të Krijuesit të Madhërishëm, dilte e nevojshme dhe e domosdoshme të thuheshin disa fjalë dhe për një krijesë shumë të vogël”, për të thënë më poshtë: “Sado që qielli përfshin miliona trupa si rruzulli tokësor, për ne është më e nevojshme dhe më e domosdoshme të dimë më shumë për tokën, sepse toka është vendbanimi ynë. Edhe njeriu, vazhdon Samiu, sado që është një pjesë e vogël në krahasim me këtë rruzull tokësor, për shkak se është lloji ynë, duhet dhe kemi nevojë të madhe të dimë për gjendjen dhe për rrethanat e tij më shumë se për çdo gjë tjetër.”
Ndërkaq, në faqet e para të veprës “Përsëri njeriu” Samiu shprehet: “Tema për njeriun është aq e gjerë dhe aq e gjatë sa që, po të shkruheshin jo një vepër e vogël e këtillë, por vëllime e libra të shumtë, përsëri do të mbetej diçka për t’u thënë. Në veprën me titullin Njeriu, u bë fjalë, thotë Samiu, për mënyrën e shfaqjes së gjinisë njerëzore mbi faqe të dheut dhe gjendjen e tij fillestare, për periudhat që nuk mund t’i kap historia, për mënyrën e jetesës së të parëve tanë nëpër male e shpella; janë përshkruar luftërat e tyre kundër shtazëve të mëdha të cilave u është shuar fara, duke qenë të pajisur me armë dhe për fosilet e tyre të gjetura në shtresat tokësore. Tema e asaj vepre i përkiste gjeologjisë më shumë se historisë.” Në këtë vepër (Përsëri njeriu) ndërkaq, vazhdon Samiu, do të bëhet fjalë për kategoritë dhe racat e gjinisë njerëzore, për gjendjen e sojeve të të gjithë popujve e kombeve që jetojnë në rruzullin tokësor. Në bazë të kësaj pra, tema e kësaj vepre, thotë Samiu, i përket historisë së natyrës. Sido që të jetë, vazhdon Samiu më poshtë, ndonëse këto dy shkenca ndahen nga njëra tjetra, meqenëse trajtojnë gjininë njerëzore dhe lidhja në mes tyre është e mundshme, ndërthuren në shkencën e përbashkët të quajtur “antropologji”. Qëllimi i botimit të këtyre veprave është i nënkuptueshëm vetvetiu: përhapja e njohurive shkencore te masat e gjëra të popullit, domethënë, zgjimin e masës së popullit.
7. Një nga fushat kryesore në të cilat Sami Frashëri dha kontributin e tij të çmuar është pa dyshim gjuhësia. Pikëpamjet e tij për gjuhën në përgjithësi, si dukuri shoqërore, dhe për shumë gjuhë veç e veç (për shqipen,turqishte,arabishten, persishten,frëngjishtes,latinishten, greqishten etj), të përfaqësuara në gazeta e revista të kohës, në veprat e tij Lisan (Gjuha) dhe në Usul-i Tenkit ve Tertip (Shenjat e pikësimit dhe të radhitjes) , në parathëniet e fjalorëve të tij të mirënjohur, në Enciklopedinë e tij gjashtë vëllimore, Kamus al-a’lam, në kontekste të shumë veprave të tij letrare, në polemika e debate që ka zhvilluar ai lidhur me probleme të ndryshme gjuhësore etj. edhe pas njëqind e sa vitesh vazhdojnë të mbesin vlera dhe, si të tilla, i kanë qëndruar kohës dhe kanë bërë që të tërheqin vëmendjen e studiuesve. Janë bërë mjaft studime të vlershme për Samiun si gjuhëtar, si filolog, dhe kjo nuk mund të kontestohet në asnjë mënyrë. Por ajo që mua më ka rënë në sy në këto punime, në krahasim me veprën origjinale, është fakti se, studimet e bëra në këtë drejtim nuk trajtojnë në thellësi dhe në mënyrë të gjithanshme problemet gjuhësore e filologjike të Samiut. Arsyet mund të gjenden aty se disa studiuesve, ndonëse gjuhëtarë, u mungon njohja e gjuhës në të cilën janë shkruar këto vepra (gjuha turke – osmane) ndërsa studiuesve të tjerë, nuk u mungon njohja e asaj gjuhe, por janë specialistë të fushave të tjera. Një punë e thellë dhe e gjithanshme për Samiun si gjuhëtar e filolog mund të bëhet vetëm atëherë kur të tubohet dhe të analizohet hollësisht veprimtaria e tij që i përket gjuhësisë, punë kjo që nuk mund të bëhet me një a me disa punime. Shumësia dhe cilësia e temave gjuhësore të Samiut kërkon patjetër një qasje tjetër, durim dhe punë sistematike, që do të rezultonte me një monografi të plotë të kësaj fushe. Dhe kjo është e mundshme të bëhet.
Sami Frashëri është i pari që shkruan për probleme të ndryshme gjuhësore, filologjike në Perandorinë Osmane. “Kjo shkencë te ne është ende e panjohur. Përveç disa artikujve sipërfaqësorë dhe të shkurtër, që i kam shkruar para disa vitesh në gjuhën turke-osmane (në revistën Hafta (Java), lidhur me këtë çështje nuk është shkruar asgjë më tepër, prandaj, është e qartë që edhe emri i saj (linguistikë) të mos njihet sa duhet”. Kështu shkruan Samiu në veprën e tij “Gjuha”.
Të hysh në një fushë të pashkelur, sidomos në një fushë komplekse, siç është gjuhësia, duke trajtuar tema të ndryshme teorike e praktike të saj, duhet pasur në radhë të parë dy cilësi: guximin intelektual dhe njohuri të thella. Samiu i kishte të dyja këto cilësi. I pajisur me një kulturë të gjerë gjuhësore, Samiu kishte mundësi të ndiqte arritjet e gjuhësisë në Evropë dhe më gjerë, pikërisht në kohën kur ajo nisi të përparonte me shpejtësi. Pikëpamjet e tij për gjuhën, si dukuri shoqërore dhe si një nga veçoritë më të rëndësishme të njeriut, si mjeti kryesor që bën dallimin në mes njeriut dhe gjallesave të tjera; për rëndësinë e njohjes dhe studimit të gjuhëve të lashta e të reja; për dallimin në mes zërit të artikuluar dhe tingullit (britmës); për dallimin e gjuhëve për sa i përket numrit të tingujve; për lidhjen e gjuhës me mendimin; për përcaktimin e emrave dhe shfaqjen e fjalëve; për lidhjet e gjuhësisë me gjeologjinë, antropologjinë dhe historinë, sipas të cilit gjuhësia bashkë me antropologjinë, që janë krijuar pas gjeologjisë, kanë hapur një faqe të re në historinë e njerëzimit, sepse duke e shembur godinën e vjetër të historisë, i kanë vënë themelin një godine të re, të mbështetur në fakte dhe në argumente; për shfaqjen dhe zanafillën e gjuhës; për ndarjen e gjuhëve nga aspekti tipologjik (në gjuhë monosilabike, aglutinative dhe flektive) dhe evoluimi, duke shpjeguar se gjuhët monosilabike janë të parat, prej tyre kanë evoluuar gjuhët përngjitëse, e prej tyre janë zhvilluar gjuhët flektive; për karakteristikat e gjuhëve monosilabike a njërrokëshe (të gjuhëve kineze, anameze, siameze, birmaneze dhe të Tibetit) dhe të gjuhëve aglutinative a përngjitëse të Afrikës (të gjuhëve hotentote, bushmane, të zezakëve, bantu, fulane, dhe nubeane); për grupimin, degëzimin dhe afritë e gjuhëve, duke marrë shembuj përkatës edhe nga gjuha shqipe, si dhe shumë e shumë çështje të tjera, kanë gjetur vend në veprën e tij filologjike “Gjuha”.
Do t’i thosha disa fjalë rreth kësaj pikës së fundit, rreth afërsisë dhe ngjashmërisë së gjuhëve, çështje e cila për Samiun është sa e rëndësishme po aq edhe e vështirë për të gjetur një përgjigje të saktë: “Me zbulimin e lidhjeve dhe ngjashmërive mes disa gjuhëve, thotë Samiu në librin e tij Gjuha, ana më e rëndësishme dhe më e vështirë e gjuhësisë është çështja të përcaktohet se cila prej gjuhëve është burimore dhe cilat janë degë të saj”. Nga përgjigja që jep Samiu për këtë pyetje në vazhdim të veprës së përmendur, ai bind opinionin se ka qenë njohës i mirë edhe i gjuhësisë krahasimtare. Sami Frashëri përcaktonte disa kritere të përgjithshme për të gjetur gjuhën rrënjë, degët dhe ngjashmëritë e afërsitë e tyre:
E para, nuk duhet t’u jepet rëndësi disa fjalëve që ngjajnë rastësisht ose që janë afër njëra-tjetrës. Pa u shqyrtuar ngjashmëria dhe afërsia te disa fjalë edhe nga disa aspekte të tjera, nuk mund të gjykohet se në mes dy gjuhëve ka afërsi;
E dyta, gjuhët që nuk kanë kurrfarë marrëdhëniesh mes tyre nga aspekti i llojit (tipologjik) dhe i prejardhjes (gjenetik), huazojnë vazhdimisht fjalë nga njëra tjetra. Këto fjalë duhen trajtuar si huazime, e nuk duhet gjykuar se ka afërsi (…). Për të mos gabuar, më shumë se fjalëve duhet t’i kushtohet kujdes eptimit/ndryshimit, formimit të fjalisë, fjalëve shërbyese e të tjerave, sepse, sado që një gjuhë merr shumë fjalë nga një gjuhë tjetër, ato asnjëherë nuk e huazojnë mënyrën e ndryshimit, pra të lakimit e të zgjedhimit dhe mënyrën e formimit të fjalisë. Ngjashmëria që ekziston në këtë pikëpamje, me siguri, do të gjendet në mes gjuhëve të përbashkëta, si për nga lloji, si për nga prejardhja;
E treta, në çdo gjuhë, e veçanërisht në gjuhët e meta të popujve primitivë, gjenden shumë fjalë që burojnë nga imitimi. Meqenëse natyra a karakteri që çon në këtë imitim, është i përbashkët te të gjithë njerëzit, në mes gjuhëve që nuk kanë asnjë lloj marrëdhëniesh, do të gjenden fjalë që përngjajnë në këtë mënyrë. (…);
E katërta, meqë ka disa shkallë të afrisë mes gjuhëve, atëherë te gjuhët, te të cilat dihet shkalla e afrisë në mes tyre, duhet kërkuar lidhja brenda kufijve dhe nevojave të kësaj shkalle, kurse tek gjuhët, te të cilat nuk dihen shkallët e afrisë, duhet kërkuar lidhja, varësisht nga sasia dhe cilësia e marrëdhënieve që janë midis tyre. Për shembull, ngjashmërinë ndërmjet gjuhëve latine: frëngjishtes, italishtes dhe spanjishtes, të cilat kanë lindur nga latinishtja, ose ndërmjet gjuhëve gjermane: gjermanishtes, holandishtes, skandinavishtes dhe anglishtes, që kanë lindur nga gjuha gotike, ose të gjuhëve sllave, nuk mund ta gjejmë njësoj ndërmjet, për shembull, frëngjishtes dhe gjermanishtes, grupet gjuhësore të të cilave janë të ndryshme…. Thënë shkurt, të gjitha klasat/kategoritë e gjuhëve (njërrokëshe, përngjitëse dhe flektive) janë ndarë në grupe të mëdha; shumica e këtyre grupeve janë ndarë në nëngrupe dhe nëngrupet në degë/çifte. Meqenëse ka shumë grupe, është e nevojshme t’i kushtohet kujdes përcaktimit, se në gjirin e cilës familje (grupi të ngushtë), cilit nëngrup, cilit grup (të madh) dhe cilës klasë/ kategori i përket çdo gjuhë. E pesta, çdo nëngrup, që bën pjesë në një grup të madh, ka shqiptim dhe të folme të posaçme, çdo degë, që përbën një nëngrup, ka shqiptim dhe të folme të posaçme, çdo gjuhë e një çifti a dege ka shqiptim e të folme të posaçme, e madje çdo fjalë e një gjuhe shqiptohet në mënyrë të veçantë. Meqë, në të shumtën e rasteve, bashkëtingëlloret dhe zanoret ndryshojnë sipas atij shqiptimi dhe të folmeje, dhe sado që disa herë, nuk shihet asnjë ngjashmëri dhe afri nga aspekti formal mes fjalëve që u përkasin dy gjuhëve, gjuhësia nuk luhatet në përcaktimin se të dyja gjuhët janë të njëjta, sepse dihet se në çfarë rruge kanë ndryshuar bashkëtingëlloret dhe zanoret e gjuhëve që njihen (…);
Në vitet e fundit të jetës së tij Samiu merret edhe më në thellësi me disa probleme filologjike, duke shkruar disa vepra të cilat mbesin në dorëshkrim, si: Kutadgu bilig (dije që të bën të lumtur), 1902; Orhun Abideleri (Përmendoret e Orhunit), 1903 etj.
E gjashta, duhet të përcaktohet se cila nga gjuhët e dëshmuara, që kanë lidhje mes tyre, është burimore cilat janë degë, duke përcaktuar gradualisht dallimet midis tyre. (…)
8. Kontributin më të madh në gjuhësi Sami Frashëri do ta japë në një degë të saj, në leksikografi. I pakënaqur me fjalorët e hartuar në kohën e tij, ai do t’i qaset kësaj pune të mundimshme por, pa dyshim, shumë të vlefshme. Ai në këtë fushë ka botuar fjalorët: Frëngjisht – turqisht, me 2240 faqe; Turqisht – frëngjisht, me 1208 faqe, Fjalori i vogël i frëngjishtes: Frëngjisht-turqisht, me 650 faqe; Arabisht-turqisht, me 504 faqe (i pambaruar); Fjalor i turqishtes, me 1593 faqe. Të gjithë së bashku pra shtrihen në mbi 6000 (gjashtë mijë) faqe. Kjo flet për një punë kolosale të Samiut. Sa për vlerën e tyre janë bërë shumë studime deri më tash, sidomos nga leksikografët turq. Duke u mbështetur në ato studime dhe, duke u nisur nga përvoja ime personale, jam thellë i bindur se të gjitha ata që merren me probleme të orientalistikës, madje edhe studiuesit më të njohur të saj, të mos jenë të detyruar t’i mbajnë në tavolinat e tyre të punës këta fjalorë të Samiut, jo për hijeshi, por për punë. E sa i përket metodologjisë që ka përdorur Samiu, do të thosha se nuk janë mbrapa fjalorëve të hartuar në kohën tonë, sepse janë hartuar nga kryemjeshtri i kësaj disipline shkencore. Thënia e Samiut për vete “Në qoftë se ka një punë me të cilën unë krenohem dhe për të cilën jam specializuar, ajo është përgatitja dhe hartimi i fjalorëve” është shumë domethënëse. Kriteret që ka përdorur ai për përgatitjen dhe hartimin e fjalorëve nuk mund të hidhen poshtë as sot, pas njëqind e sa vitesh, për shembull: shënon fjalën që e trajton; llojin e saj; jep etimologjinë e saj; kuptimin e saj sipas rëndësisë, duke i shënuar me numra 1, 2, 3 etj., frazeologjizmat, kuptimet e figurshme etj.
9. Sami Frashëri nuk ndalet me kaq. Ai do të fillojë një punë edhe më kolosale, pikërisht në periudhën e pjekurisë së tij shkencore: përgatitjen e Enciklopedisë së përgjithshme të historisë dhe gjeografisë, të njohur me emrin Kamus al-a’lam, në gjashtë vëllime me mbi 4830 faqe, në gjuhën turke-osmane, të cilin e përgatiti dhe e botoi brenda 10-11 viteve. Se çfarë lënde e gjerë përfshihet në Kamus al-a’lam shihet nga teksti i shkruar nga vetë Samiu, i vënë në fletëtitullin e çdo vëllimi, të cilin po e japim të përkthyer në shqip: (Pjesa e historisë përfshin të gjithë popujt e kombet, pejgamberët, hafifet (kalifët), sahabët (shokët e Muhamedit a.s.), tabiinët (pasuesit e shokëve të Muhamedit a.s.), muhadithinët (ata që merren me shkencën e hadithit), mbretërit, princat, vezirët, qeveritarët, filozofët, shkencëtarët, fakihët (ata që merren me studimin e sheriatit), mjekët, historianët, udhëpërshkruesit, artistët, figurat mitologjike, shkurt: të gjithë zërat e njohur dhe të famshëm të Perëndimit e të Lindjes nga kohët më të lashta deri te kohët më të reja, duke dhënë njoftime për biografitë, për veprat dhe për shkrimet e tyre. Pjesa e gjeografisë ndërkaq përfshin emrat e kontinenteve, të vendeve dhe të shteteve të rruzullit tokësor, emrat e deteve, gjireve, ujdhesave, maleve, lumenjve, liqeneve, fushave; emrat e qyteteve e të fshatrave më të mëdhenj, qofshin të lashtë, qofshin të rinj, pozitën e tyre, gjatësinë e gjerësinë gjeografike të tyre, rrethanat natyrore e historike të tyre, numrin e banorëve të tyre, prodhimet kryesore dhe eksportet e tyre, shkurt: janë përfshirë hollësitë e mundshme dhe të gjithë këta zëra janë radhitur sipas rendit alfabetik). Kjo është vepra kulmore e enciklopedistit Sami, e cila me cilësinë dhe saktësinë faktike, sipas vlerësimeve të shkencëtarëve, do të vazhdojë të mbetet edhe më tutje vepër shumë e nevojshme për historiografinë përgjithësisht, kurse autori i saj, Sami Frashëri, shkencëtari i kalibrit ndërkombëtar. Jemi thellë të bindur se këto shënime të hollësishme që i shkroi Samiu, në gjuhën turke-osmane, nuk i shkroi sa për të treguar erudicionin e tij, njohuritë e tij, por, pa dyshim, me pjekurinë më të madhe dhe me vetëdije shumë të lartë.
Arsyet për t’i hyrë një pune kaq të madhe, kaq të mundimshme, një pune që më së shumti e kishte lodhur, Samiu i paraqet në parathënien tetë faqesh të kësaj enciklopedie historike dhe gjeografike. Nga arsyet e shumta mund t’i nxjerrim këto:
1. Sepse veprat e shkruara për historinë dhe gjeografinë në Botën e Lindjes, ishin shkruar pa kritere shkencore, ishin shkruar shumë gjerë, sa që “po t’i interesojë dikujt për biografinë e një personaliteti, ose për ndonjë vend, shtet, qytet, kasaba, mal, lumë etj. duhet të shfletojë, thotë Samiu, tërë ato vëllime deri sa të arrijë te ajo që e kërkon dhe që i intereson”;
2. Sepse ka dashur të tregojë vlerën e historisë dhe të gjeografisë, shkenca të preferuara për të. “Njeriu, thotë Samiu në parathënien e Kamus al-a’lamit, ka dëshirë të dijë për gjendjen e planetëve të largëta, e si të mos ketë dëshirë të dijë për rrethanat e rruzullit tokësor në të cilin jeton? … si të mos dojë të dijë për gjyshërit, stërgjyshërit e vet dhe popujt e ndryshëm që jetojnë në planetin e tokës. Ja pra, këto dy gjëra, e para mësohet me gjeografi, kurse e dyta me histori”, shprehet Samiu;
3. Sepse ka dashur të jetë urë lidhëse ndërmjet Perëndimit dhe Lindjes. “Ka dallime të mëdha në mes Botës islame dhe asaj perëndimore. Fjalorët gjeografikë e historikë në gjuhët evropiane bëjnë fjalë gjerësisht për personalitetet dhe vendet e tyre, kurse për personalitetet dhe vendet islame shkruajnë shkurtimisht. Përkthimi nga këto gjuhë, thotë Samiu në parathënien e enciklopedisë së tij gjashtë vëllimore, nuk i plotëson nevojat tona. Për të përgatitur një fjalor historik e gjeografik për nevojat tona, vazhdon Samiu, duhen mbledhur vepra të tilla, të shkruara si në gjuhët evropiane ashtu edhe në gjuhët islame, me qëllim që të bëhet një zgjedhje nga të gjitha”;
4. Sepse ka dashur që në Kamus al-a’lamin e tij të famshëm të fusë zëra nga Bota Shqiptare, madje të tillë që, sipas kriterit që e kishte përcaktuar në fletëtitullin e tij, nuk do të duhej të zinin vend këtu. Përse Samiu nuk e përfilli në këtë rast atë kriter është fare e qartë. Me këto njohuri historike e gjeografike të përfaqësuara këtu për Botës Shqiptare, ashtu si dhe në raste të tjera, Samiu synonte sensibilizimin e çështjes shqiptare, që në këtë mënyrë t’i tregojë edhe botës se shqiptarët janë të zotët të vetvetes, janë një popull i lashtë, që duhet të çmohet e të vlerësohet si i tillë. .
10. Sami Frashëri ishte dhe ideolog e patriot i zjarrtë. Idetë e tij patriotike ai do t’i shprehë në veprën “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhetë?” Nga vetë titulli i saj shihet se kjo vepër nuk është gjë tjetër veçse një program i qartë kombëtar ku Samiu do t’i përfaqësojë idetë dhe pikëpamjet e tij rreth problemeve që më së shumti ia kishin zënë frymën gjatë tërë jetës – Ardhmëria e Shqipërisë dhe e popullit shqiptar. Ç’është e vërteta, ai shkruan, siç u tha edhe më lartë, artikuj të shumtë nëpër gazetat e kohës për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve, për padrejtësitë që bëheshin ndaj tyre etj., por, me mendjen e tij të ndritur dhe me largpamësinë që kishte, mendonte se duhej bërë ende më tepër. Prandaj, në një letër që ia kishte drejtuar De Rades , Samiu, shumë i shqetësuar, i shkruante atij se ngjarjet po lëviznin me aq shpejtësi të madhe (sepse ishte fundshekulli 19, me shumë kthesa të mëdha, kur të gjithë shtetet ballkanike përpiqeshin të kapnin sa më shumë territore në dëm të njëri-tjetrit, sidomos në dëm të Shqipërisë) sa që kërkohej një program, një platformë politike e qartë, e sistemuar dhe e argumentuar mirë. Dhe vërtet, këtë premtim të dhënë, Samiu e realizoi nja katër a pesë vjet para vdekjes (1899), domethënë, pikërisht në fazën e pjekurisë së tij shkencore, kulturore, politike dhe patriotike, duke shkruar pra veprën “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhetë?” Mendimet dhe konceptet e tij lidhur me zgjidhjen e çështjes shqiptare të përfaqësuara në enciklopedinë Kamus al-alam dhe nëpër periodikun e kohës, Samiu do t’i elaborojë në këtë vepër një nga një, në mënyrë shumë të sistemuar, duke punuar në dy rrafshe: në rrafshin shkencor dhe në rrafshin politik, tamam ashtu siç vepron një enciklopedist. Dhe, mendoj, mu kjo është arsyeja që Samiu do ta ndajë veprën në tri pjesë. Në pjesën e parë “Ç’ka qenë Shqipëria?”Samiu hedh dritë për historikun e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, për shtrirjen e gjerë të tyre në ato kohë të lashta, për luftrat e tyre që kishin bërë për mbrojtjen e territoreve të tyre, për heroizmin e Skenderbeut, por shpreh dhe shqetësimet e veta, se shqiptarët nuk kishin punuar sa duhet për vete “… Shqiptarëtë – thotë Samiu – gjithmonë janë vrar’ e përpjekurë e kanë cpërkaturë të tërë faqen’ e dheut me gjak të tyre; po nga gjaku i shqiptarëvet të tjerë kanë fituarë…” . Shqetësimet e Samiut janë mjaft domethënëse, sepse edhe në këtë mënyrë ai ngacmon ndjenjat e bashkëkombësve të tij që të mendojnë më shumë për vete se për të tjerët.
Në pjesën e dytë “Ç’është Shqipëria?”, Samiu përqëndrohet në një realitet të ri të krijuar. Ai, duke qenë dhe vetë dëshmitar i këtij realiteti, i këtyre lëvizjeve të mëdha, i këtyre kthesave të papritura, i rreziqeve nga armiqtë e brendshëm e të jashtëm, vë në shërbim tërë qenien e vet për të mirën e atdheut. Samiu, me shpirtin e intelektualit dhe të patriotit të mirëfilltë thotë se “Shqipëria është një nga më të bukurat e vëndevet t’Evropësë”, për të thënë më poshtë se është e pasur me male, fusha, pyje, lumenj, limane, miniera, këneta (liqene) etj. Ndërkaq, për të trimëruar dhe frymëzuar popullin shqiptar, ai thotë: “Shqiptari s’është vetëm i fortë e trim, po edhe i xgjuarë…” Luftën për ruajtjen e kombit dhe interesave kombëtare, Samiu e krahason me me lojën: “Në kombëri – thotë Samiu – s’ka miqësi, si s’ka në lodrët; cilido vështron të fitojë vetë e të hajë shoknë. Kombetë janë si peshqitë, që hanë njëri-tjatrinë.” Samiu ka qenë shumë largpamës dhe i mprehtë në mendje. Ai, duke nuhatur fare mirë se cilat do të jenë qendrat e vendosjes për fatin e kombeve dhe të shteteve të tjera, do të thotë se shqiptarët, përveç shumë armiqve, kanë dhe shumë miq. “… me gjithë këtë – thotë Samiu – s’munt dhe s’duhetë të themi që gjithë bota janë armikët e Shqipëtarëvet. Jo – vazhdon Samiu – kemi edhe miq, jan’ edhe shumë që na duanë edhe munt të na ndihinë, po të duam vetë…” Duke parë rrezikun që po i kanosej Shqipërisë, Samiu ngutet të japë “Mendime për shpëtim të mëmëdheut nga reziket që e kanë rethuarë”.
Pyetjeve: A mund të qëndrojë Shqipëria kështu si është? A janë shqiptarët të zotët të mbajnë e të ruajnë veten? A është shpëtimi a humbja e Shqipërisë në dorë të shqiptarëve? etj., Samiu do t’u përgjigjet në pjesën e tretë “Ç’do të bëhetë Shqipëria?” në mënyrë të argumentuar shkencërisht e politikisht. Samiu në tërë pjesën e tretë të veprës jep mendime të larta se ç’duhet të bëjnë shqiptarët për ta ruajtur dhe për ta bërë më të fortë mëmëdheun e tyre. Shqiptarët, thotë Sami në radhë të parë duhet të jenë të bashkuar e jo të përçarë. “Ay shqipëtar që le vëllezërit’ e ti e ndahetë nga shqipëtarëtë, për të bashkuarë me armikët’ e Shqipërisë, duke hequrë bese ay është tradhtor, është armik i kombit e i mëmëdheut. Të këtillë shqipëtarë – thotë Samiu – më mirë të mos jenë se të jenë”. Për organizimin e shtetit, për organet që do ta udhëheqin atë, për arsimin, për hapjen e shkollave të të gjitha niveleve , për hapjen e shkollave profesionale, për institute të ndryshme, për shtëpi botuese etj., Samiu, me konceptet e tij të qarta, do t’i shprehë në vazhdim të veprës. Ai, që atëherë kishte menduar për dy apo tre, siç thotë ai, Gjithëmësime (Universitete), që duhej të hapeshin në kryeqendrat e Shqipërisë. E pra, si mos të quhet kjo vepër program kombëtar?
Kjo vepër pra, mund të them me plot gojën, do të mbetet domethënëse përjetë. Është një manual që duhet ta ketë në dorë çdo shqiptar, nga qytetari i rëndomtë deri te qeveritari.
11. Kur e shohim veprën e tij, vetvetiu del përgjigjja se kush ka qenë Sami Frashëri, sa dijetar i madh ka qenë ai, çfarë kontributi ka dhënë ai për shkencën, për kulturën, me një fjalë për dituritë përgjithësisht, në disa prej tyre, siç pamë më lartë është nismëtar, në çfarë mase kanë qenë përpjekjet e tij për zgjidhjen e çështjes shqiptare, në çfarë përmasash, sa këmbëngulëse dhe sa të zëshme kanë qenë idetë e tij në frymëzimin e Lëvizjes Çlirimtare Kombëtare. Njeri mendjemprejtë! Njeri largpamës! Njeri me energji!
Energjia e tij për punë pra ka qenë e madhe. Kjo dëshmohet me botimin e shtatë veprave të para të serisë së Bibliotekës së Xhepit: Qytetërimi islam”; “Mitologjitë”, “Gratë”, “Qielli”, “Toka”, “Fjalë të urta”, “Anekdota”, pastaj vepra “Alfabetare e gjuhës shqip”, revista “Aile” (Familja) dhe shumë shkrime të tjera në periodikun e kohës, të gjitha këto i shkroi dhe i botoi brenda një viti, më 1879.
Duke mbajtur parasysh faktin se vepra e Samiut është e shumanshme, shumëdiemnsionale, e mbi të gjitha cilësore, i jap vetes të drejtë, dhe sigurisht nuk gabohem, që Samiun ta vlerësojmë figurë poliedrike dhe si njeriu që shkeli e lëvroi në shumë fusha të diturisë.
Më në fund, duke mbajtur parasysh veprën kolosale të Sami Frashërit, idetë e tij përparimtare e iluministe, porositë e tij për brezat e ardhshëm, me një fjalë dobitë që sjell vepra e tij për shoqërinë njerëzore përgjithësisht, këtë punim mund ta përfundojmë me bindjen se Sami Frashëri do respektuar e nderuar gjithnjë. Duke respektuar njerëzit e mëdhenj të kombit, ne respektojmë veten dhe kombin. Respekti dhe nderimi ndaj tyre bëhet vetëm atëherë kur mendimet, idetë dhe porositë e tyre të shkruara në letër jetësohen dhe vihen në veprim.
(Vërejtje: Ky punim shkencor është faktuar me 53 referenca të ndryshme, të cilat janë menjanuar për shkaqe teknike.
Redaksia.
Mehdi POLISI SAMI FRASHËRI- THE MAN WHO CONTRIBUTED A LOT IN MANY FIELDS OF SCIENCE
SUMMARY
This work aims to show the scientific and patriotic figure of the great Albanian erudite of the second half of the 19th century, Sami Frashëri. Sami Frashëri was born in the village of Frashër, Albania in 1850 and died in Istanbul in 1904. He finished the gymnasium “Zosimea” in Janina, where he learned languages such as old and new Greek, Latin, Italian and French. He also received knowledge from history, geography, mathematics, astronomy, philosophy, chemistry anatomy and so on, whereas form country’s imams he learned Turkish, Arabian and Persian languages.
From 1972, when he wrote his first novel in the Turkish literature entitled “Taassuk-I Talat ve Fitnat”, for 32 years until 1904 Sami Frashëri besides his writings in the newspapers and magazines of the time, wrote more than 65 works (some of them in many volumes) of the different fields of knowledge such as literature (novels, plays, anecdotes, proverbs and literary translations, especially from French), astronomy, geology, anthropology, Islam, mythology, philology, language and lexicography (he drafted 5 mono-lingual and bilingual dictionaries consisting of six thousand words). He also wrote the historical and geographical encyclopedia “Kamus al-a’lam” compound of six volumes with totally 4830 pages.
Sami Frashëri is mostly known for his works in the field of lexicography and encyclopedia, as well for his monumental work “Shqipëria ç’ka qenë, çështë e ç’do të bëhet.” Most of his works are in Turkish language, however those few written in Albanian are very significant.