Copëtimet e Shqipërisë nga Evropa, për interesa të fqinjëve daton nga fillimshekulli XVIII, kur u artikulua publikisht kërkesa e Vladikës së Cetinës për daljen e Malit të Zi në Liqenin e Shkodrës me mbështetje të Venedikut e të Austrisë, dhe me përkrahjen e gjithanshme të Rusisë, kurse gjatë pjesës së parë të shekullit XIX, fillimisht Rusia dhe Austro-Hungaria. Realisht, fillet e copëtimit të njësisë etnokulturore e gjeopolitike të Shqipërisë me ndërhyrje ndërkombëtare diplomatike të hapura u shënuan me Traktatin e Paqes së Pozharevacit, më 1718, midis aleatëve të Rusisë: Austrisë dhe Venedikut në një anë dhe Perandorisë Osmane në anën tjetër.
Këtë dhunë ndërkombëtare kundër kombit shqiptar e pasqyroi në mënyrën më njerëzore udhëpërshkruesi dhe gjeografi frëng, Amie Boue, qysh në vitet e ’30-ta të shekullit XIX (mysafir i një fshatari carralevas), i cili konstatoi: “Shqipëria mund të formojë fort mirë një shtet independent ndërmjet Serbisë dhe Greqisë: mjerisht, fatkeqësi e tyre është që gjenden midis shteteve që duan të rriten (me tokat shqiptare) dhe ndoshta shpresat e patriotëve shqiptarë do të dalin të kota…”!?!
Të saktësojmë faktet se, sipas udhëpërshkruesit osman gjenial, Evlie Çelebiut më 1660/62, Kosova ishte pjesa më e gjallë e Shqipërisë. Ndërkaq, udhëpërshkruesi evropian, Jakob Spon i Lyonit, më 1675, theksonte se qyteti i Budvës është i fundit “që kanë venecianët në Shqipëri”, kurse Sulltani osman, më 1688, urdhëronte të shtypej “Shqipëria kryengritëse” në vise të Kuqit e Palabardhit, sot thellë në shtetin e Malit të Zi.
Në fille të depërtimit të ushtrisë austro-hungareze në vise të Nishit më 1689, Perandori austriak i porosiste ushtarët dhe ushtarakët të ishin të kujdesshëm se po kalonin nga toka e Serbisë në tokën e Shqipërisë (në këtë kohë me rreth 80% të banorëve myslimanë, veçanërisht në qytetet shqiptare).
Për të plotësuar dijen gjeografike për hapësirën e njësisë Shqipëri (Albania, Arnautlluk) nga fillimi i shekullit XVIII, të kujtojmë edhe disa fakte të tjera: Sipas konsullit frëng antiislam i tërbuar, A. Grasset, më 1718, banorët e Pargës, sot thellë në Greqi, “kanë krenari barbarinë e shqiptarëve”(!?!). Ndërkaq, sipas Zorzi Griman’it, më 1733, Shqipëria fillonte në Podgoricë dhe Zhabjak, kurse qyteti më lindor i Shqipërisë, sipas Anton Duoda, më 14 shkurt 1758, ishte Nishi.
Vërtet, sipas Pano Bicilnit, konsull gjeneral i Rusisë, më 1785, areali Shqipëri niste nga Mali i Zi, viset përreth Cetinjes – Llovçenit (Katunska nahija), e shkonte deri në Peloponez, me qendrat: Mesolong, Prevezë, Janinë, Akarnani. Edhe diplomati frëng Bozhur në përbërje të Shqipërisë shihte edhe Malin e Zi. Realisht, në shekullin XVII dhe XVIII, deri në fillimshekullit XIX, për shkak të përbërjes etnike me shumicë vllaho-ilire e shqiptare të banorëve, pjesa më e madhe e Malit të Zi të sotëm i përkiste Shqipërisë (Arnautllukut), pikërisht Sanxhakut të Shkodrës, i cili kishte gjashtë kaza (krahina administrative): të Shkodrës, të Tivarit, të Ulqinit, të Podgoricës, të Plavës dhe të Malit të Zi, kjo, e fundit me sumicë sllave shënsaviane.
Mirëpo, copëtimet e para drastike të njësisisë etnokulturore të Shqipërisë, në emër të fitores së Kryqit mbi Islamin, do të ndodhin gjatë pjesës së parë të shekullit XIX, pikërisht në fille të ngritjes së shtetit nacional të Malit të Zi, të Serbisë dhe të Greqisë me përkrahje morale, politike, materiale e ushtarake të Rusisë dhe të Evropës. Ishte kjo ngritje e pansllavizmit ortodoks i mbështetur nga Evropa katolike e protestante për shkak të interesave kolonialiste të tyre drejt “Parajsës tokësore Afrikë – Azi” që po vazhdon edhe sot!?!
Dihet saktësisht se kërcënimet e qarta për copëtimin e Shqipërisë i vunë në lëvizje të fuqishme shtresat shoqërore shqiptare më të ndërgjegjësuara kombëtarisht, pikërisht ato myslimane, të cilave kërcënimi dhe rreziku nga pansllavizmi dhe aleanca e krishtere Patrik-Papa, ua rrezikonte njëninë e trinomit: Atdhe, kombësi dhe fe, i fundit identiteti më i qarti jo sllav, jo grek dhe jo roman. Në kuadrin e përpjekjeve për mbrojtjen e këtij trinomi, që do të thotë: të njësisë etnokulturore e gjeopolitike të Shqipërisë, iu vunë themelet Lëvizjes Kombëtare Shqiptare – me pushkë e me penë.
Së paku nga vitet e 30’ta të shekullit XIX e tërë Shqipëria Etnike zjeu në kryengritjet çlirimtare, por Dardania antike – Kosova historike, qart e ruajti rolin e Piemontit për çlirimin kombëtar dhe për shtetin nacional. Flamurtar i kësaj Lëvizjeje çlirimtare në fillim të viteve të ’40’ta ishte dijetar i famshëm, Baba Beka i Vrajës, një partizan i idesë për një luftë të përbashkët të të gjithë popujve ballkanikë për çlirimin nga pushtuesi turk-osman.
Të saktësojmë edhe këto fakte:
Shteti autonom i Malit të Zi, këso kohe, kishte 4 700 km2, shteti autonom i Serbisë,37 700 km2,dhe shteti autonom i Greqisë, 51 860 km2. Të dhënat e pakontestueshme etnografike e linguistike tregojnë qartë se, këso kohe, rreth 60% e viseve të Malit të Zi të sotëm ishin banorë me prejardhje shqiptare e vllahe ortodoksë, por pati edhe shiptarë katolikë në Triepsh, Piper, Kuç, Vasojeviqi, Palabardh e Drekalloviq. Mbi 30% të Serbisë e banonin vllaho-arumunët, shqiptaro-vllahët ortodoksë shënsavianë dhe një pakicë e mirë boshnjake e shqiptare islame në disa qytete, kurse më 1844, sipas Algemeine Zeitung, në shtetin Greqi gjuhën shqipe e flisnin në familje 50% të banorëve.
Kriza Lindore e viteve të ‘50’ta të shekullit XIX realisht ishte luftë e aleancës së kryqit (ortodoks e katolik) kundër gjysmëhënës (Islamit) që e goditi rëndë ardhmëninë e Shqipërisë. Megjithatë, hapi i parë ruso-evropian diplomatik më i madh në dëm të qenies dhe të ardhmënisë së shqiptarëve e të Shqipërisë, do të bëhet me Traktatin e Shën Stefanit, të 3 marsit 1878, me të cilin duhej përmbyllur fitoret e Rusisë mbi Turqinë, më 1877-1878.
Sipas këtij Traktati, Mali i Zi do të zgjerohej për 11 000 km2, kurse Serbia për 15 000 km2 dhe u sigurua autonomia e Bullgarisë në një sipërfaqe prej 172 500 km2, duke e shtrirë edhe në vise të Shqipërisë Etnike – Vrajë me rrethina, në vise të Anamoravës, të Karadakut, të Kaçanikut, të Ferizajt dhe të Sharrit, të gjitha viset shqiptare të Iliridës në Maqdoninë e sotme.
Realisht, Traktati i Shën Stefanit vërtetoi supremacionin e politikës pansllaviste ruse mbi Fuqitë e Mëdha evropiane katoliko – protestante. Ndaj, për t’i harmonizuar interesat midis ortodoksisë dhe katolicizmit, nga 13 qershori – deri më 13 korrik 1878 u mblodh Kongresi i Berlinit.
Sipas të dhënave faktike Mali i Zi u rrit për rreth 4 683 km2, Serbia, për rreth 10 500 km2, dhe Greqia, u zgjerua me rreth 9 275 km2 toka këto me shumicë shqiptare. Del se me Traktatin e Kongresit të Berlinit nga njësia etnokulturore dhe gjeopolitike e Shqipërisë u shkëputën rreth 24 458 km2.
Kombi shqiptar reagoi me një zë të fuqishëm kundër kësaj dhune ndërkombëtare. E formoi Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, formoi ushtrinë vullnetare për mbrojtjen e tërësisë së Shqipërisë, formoi Qeverinë e Përkohshme në krye me Myderris Ymer Prizrenin, e ngriti pushtetin ekzekutiv në Vilajetin e Kosovës dhe në shumë pjesë të vilajeteve shqiptare të tjera. Fuqitë e Mëdha: Rusia, Anglia, Franca, Gjermania, Austro-Hungaria dhe Italia e detyruan Sulltanin dhe Portën të përgjakej tmerrësisht me shqiptaret dhe kundër mbrojtjes shqiptare të Ulqinit, dërgoi ushtrinë osmane nga toka dhe Flotën Ndërkombëtare nga deti, për zgjerimin e pushtimeve malaziase të tokave shqiptare.
Pas Kongresit të Berlinit në pjesën e Shqipërisë që i shpëtoi copëtimit e dhunës ndërkombëtare kurrë më nuk pushoi lufta për çlirimin nga Perandoria Osmane. Në anën tjetër apetitet e fqinjëve të përkrahur nga Rusia për zgjerime të reja në tokat shqiptare sa vinte dhe rritej. Këto apetite gjithnjë i yshti ndjenja evropiane e kryqit ndaj Islamit!?! Lëvizjes Kombëtare Shqiptare iu ngritën kurthe të gjithfarshme ruso-evropiane.
Tashti këtu kërkohet të saktësohet fakti se qarqet politike osmane, shtypi osman dhe opinioni osman e më gjerë, evropian e botëror, pas Kongresit të Berlinit deri në mesin e viteve të ’90’ta të shekullit XIX, për toka të njësisë gjeopolitike të Shqipërisë (Arnautllukut, Albania) do t’i konsiderojnë pesë vilajetet e Rumelisë Osmane perëndimore: Vilajetin e Kosovës, Vilajetin e Shkodrës, Vilajetin e Manastirit, Vilajetin e Janinës dhe Vilajetin e Selanikut, të cilat administronin 125 100 km2 të tokës ballkanike.
Këtu duhet të theksohet fakti se vetëm në Vilajetin e Selanikut me 35.000 km2 shqiptarët përbënin popullsinë pakicë, por e cila kishte rol të madh dhe vendimtar në shoqërinë, në administratën dhe në qeverisjen e këtij vilajeti, kurse Selaniku konsiderohej si njëra ndër qendrat më të rëndësishme të Rilindjes Kombëtare Shqiptare.
Mirëpo, në periudhën e përpjekjeve për ripërtëritjen e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në vitet 1892 – 1897, Lëvizja Kombëtare Shqiptare, hoqi dorë publikisht nga e drejta juridike dhe politike shqiptare në Vilajetin e Selanikut për faktin se nuk e kishte të drejtën natyrore të dhënë nga Zoti, shumicën etnike. Realisht, nga Kongresi i Hagës më 1897, për Shqipëri do të konsiderohen katër vilajetet me shumicë shqiptare: i Kosovës, i Shkodrës, i Manastirit dhe i Janinës. Të saktëojm faktin se Shqipëria e fundshekullit XIX – fillimshekullit XX, kishte 90 100 km2.
Të ndjekim statistikat osmane:
Vilajeti i Shkodrës kishte 10 800 km2,
Vilajeti i Kosovës – 32 900 km2,
Vilajeti i Manastirit – 28 500 km2 dhe
Vilajeti i Janinës kishte 17 900 km2.
Këto katër vilajete të Shqipërisë, më 1910 patën 3 804 000 banorë. Në strukturën e banorëve të territorit perandorak osman që quhej Shqipëri (Arnautlluk, Albania), këso kohe: mbi 66% ishin shqiptarë, amalgami bullgaro’maqedono’vlleh ishte pakicë me rreth 16%, serbët ishin një pakicë me rreth 5%, grekët mëzi kalonin 4%-shin.
Të theksojmë edhe faktin se më 1912, në viset e territorit të Kosovës adminstrative të sotme, prej 10 887 km2, kishte rreth 3.7% serbë raja) çifqinj në pronat e bejlerëve shqiptarë. Të tjerët ishin: pak romë, turq, hebrenj etj. Shqiptarët, katolikët (edhe këta kryesisht çifqinj) së bashku me “laramanët” memzi arrinin në rreth 1.7 %.
Copëtimi i dytë ruso-evropian i njësisë etnokulturore dhe gjeopolitike të Shqipërisë, me fatalitet për ardhmërinë e kombit shqiptar, do të realizohet në përmbyllje të Luftës së Dytë Ballkanike, pikërisht meTraktatin e Konferencës së Ambasadorëve në Londër. Realisht, Lufta e Parë Ballkanike ishte luftë sllavo-greke e dirigjuar nga Rusia dhe Fuqit e Mëdha Evropiane për të parandaluar autonominë e Shqipërisë të fituar me Kryengritjen e Madhe të Kosovës (5 maj -18 gusht 1912), nën udhëheqjen e Hasan Prishtinës.
Konferenca e Ambasadorëve në Londër (dhjetor 1912 – gusht 1913), nuk e mori parasysh aktin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, as nuk i përfilli kriteret relevantë: etnikë, ekonomikë dhe gjeostrategjikë për vendosjen e kufijve të Shqipërisë, ndaj
Serbia u rritë edhe për 39000 km2, duke i marrë edhe 1 290 000 banorë, kryesisht shqiptarë,
Mali i Zi u rritë edhe për 7000 km2 me 260 000 banorë shumicë absolute shqiptare,
Greqia u rritë edhe për 51300 km2,duke marrë edhe 1 624 000 banorë shumica absolute jogreke.
Konferenca e Londrës më 29 korrik 1913, pa i pyetur shqiptarët, aprovoi projektin e “Principatës së Shqipërisë” – një shtet monstrum në periferi të Piemontit të Shqipërisë, pa trup të plotë, tepër të sakatosur, pa gjymtyrët vitale për jetë. Kjo ishte dhunë ndërkombëtare ndaj kombit shqiptar. Shtetit të Shqipërisë londineze iu lanë vetëm rreth 28 760 km2 me rreth 800 mijë banorë. Kështu, nga katër vilajetet e Shqipërisë deri në fund të vitit 1912, Londra i shkëputi për Greqinë, për Serbinë dhe për Malin e Zi gjithsej 61 510 km2 dhe mbi 3 milion banorë me shumicë absolute shqiptare. Ky ishte shkak që nxiti Homerin shqiptar, At Gjergj Fishtën, të thërriste:
“Uh! Evropë, ti kurva e motit,
Qi i rae mohit besës e Zotit,
Po a kta a sheji i Gjytetniis:
Me daa tokën e Shqypniis
Për me majtë klysht e Rusis?…”
Ndërkaq, kryesuesi i Konferencës së Londrës, kryekasapi oficial i Shqipërisë, diplomatit anglez Eduard Grei, la këtë konstatim:“Marrëveshja ndërmjet Fuqive lidhur me kufijtë (veriorë) të Shqipërisë u arrit pas një përpjekje diplomatike të gjatë e të vështirë. U vendos që bregdeti dhe Shkodra t’i mbeten Shqipërisë, ndërsa Peja, Prizreni, Dibra dhe (pas shumë bisedimesh) Gjakova të lihen jashtë Shqipërisë. Kjo marrëveshje lë një pjesë të madhe territori për t’u ndarë në mes të Serbisë dhe Malit të Zi si fryt i fitores së tyre. Arritja e kësaj marrëveshjeje ishte esenciale për paqen e Evropës dhe sipas mendimit tim ajo u arrit në kohën e duhur për ta ruajtur paqen midis Fuqive të Mëdha”. As pas kasaphanës evro-ruse në Londër ndaj kombit shqiptar, veprimet sllavo-greke për ta zhdukur kombin shqiptar, gjithnjë në mbështetje e me aminim evro-rus, nuk pushuan.
Të ecim më tutje nëpër shtigjet e historisë së përgjakur të kombit shqiptar. Traktati i Londrës u rifuqizua në Konferencën e Versajës – Parisit 1919-1920, me të cilën do të përmbyllet Lufta e Parë Botërore (1914-1918).
Si dëshmi bashkëkohore publike për gjenocidin serb ndaj shqiptarëve në periudhën e fundit të Jugosllavisë Versajase mund të merret edhe konstatimi i kolonistit malazias përparimtar, Radovan Zogoviq: “Pushteti serbomadh bën çdo gjë që me presion ekonomik, me shkollë policore, me ndërprerjen e ndihmave medicinale kundër malaries e të tjera, t’i nxjerrë nga Ligji dhe t’i shfarosë banorët shqiptarë…”. Asnjë zë i fuqishëm kundërshtues nga qarqet diplomatike të Evropës!?!
Fatkeqësisht, ndarja dhe copëtimi i kombit shqiptar dhe i atdheut të tij, Shqipërisë, në Berlin, në Londër dhe në Paris, do të bekohet edhe me traktatet dhe me marrëveshjet ruso-anglezo-amerikane antinazifashiste në vitet e Luftës së Dytë Botërore. Në dëm të kombit shqiptar e të njësisë etnokulturore e gjeopolitike të Shqipërisë me pasoja historike janë zgjidhjet politike, diplomatike, ushtarake dhe policore të Fuqive të Mëdha botërore nën ombrellën e Rezolutës 1244 të KS të OKB’së më 1999, që do të pasohen me “Marrëveshtjet e diktuara: Beograd – UÇPBM të Konçulit (më 2000), dhe Skopje – UÇK të Ohrit (më 2001).
Ma në fund, edhe e ashtuquajtura “Pakoja e Ahtisarit” (Vjenë 2 shkurt 2007), është dhunë diplomatike ndërkombëtare ndaj kombit shqiptar, me legjitimim nga i ashtuquajturi “Ekipi i Unitetitpolitik (Unmikian) i Kosovës”, me pasoja për qënien historike të unitetit të kombit shqiptar e të njësisë së Shqipërisë Etnike historike. Kjo dhunë prodhoi “flamurin dhe himnin shtetëror” pa identitet kombëtar të shumicës absolute të banorëve të vendit, dhe i hapi udhë krijimit të “kombit kosovar”- dhunë kjo mbi të gjitha dhunat e pasqyruara në këtë kumtesë.